Majko në Britani: Diaspora nuk është një çështje politike

    547
    Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, u bë zyrtari i parë i lartë shqiptar që vizitoi shkollën plotësuese shqipe në Kilburn të Londrës. Shkolla, e themeluar me iniciativë të organizatave shqiptare që veprojnë atje, ofron kurse të gjuhës shqipe gjatë së shtunës. Sipas njoftimit zyrtar, fëmijët, disa prej të cilëve të veshur me kostume tradicionale, i uruan mirëseardhjen Majkos me këngë e recitime. Ministri informoi mësuesit, prindërit dhe përfaqësuesit e shoqatës “Ardhmëria” mbi planin e përbashkët të veprimit me qeverinë e Kosovës, sa i përket arsimit shqip në diasporë. Marrëveshjet e arritura mes dy qeverive, tha Majko, do të ndihmojnë për t’u mundësuar të gjithë shqiptarëve jashtë vendit qasje më të lehtë ndaj librave dhe arsimit shqip. Ministri vlerësoi qasjen miqësore të Britanisë ndaj komunitetit shqiptar dhe u shpreh i përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit sa i përket diasporës atje. Ndërkaq, në takimin me përfaqësues te komunitetit shqiptar në Londër, përfshirë edhe studentë, Majko tha se diaspora nuk është një çështje politike, por ajo kërkon konsensus politik që të mundësohet ecja në një hap e diasporës me shtetin e vet. Ndërsa e konsideroi një sfidë çështjen e diasporës, Majko tha se ishin ndërmarrë hapa të rëndësishëm për krijimin e strukturave që do të mundësojnë forcimin e marrëdhënies së shqiptarëve jashtë vendit me shtetin e tyre. Ministri informoi të pranishmit në sallë lidhur me ligjin për Agjencinë Kombëtare të Diasporës e gjithashtu për projektligjin “ombrellë”, i cili siç tha, do të strukturojë të gjitha institucionet që do të mbulojnë marrëdhëniet e shtetit shqiptar me diasporën.
    Sigal