Italia hap dyert për studentët shqiptarë

    1254
    Italia çel aplikimet për bursat e studimit
    Studentët nga Shqipëria mund të përfitojnë nga programet e ndryshme në fushën shkencore, teknologjike, ekonomike dhe kulturore. Tipologjia, afatet dhe kriteret
    Hapet thirrja për dhënien e bursave të studimit që ofrohen nga qeveria italiane për vitin akademik 2018-2019. Ministria italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar njoftoi dje se ofron bursa studimi në favor të studentëve të huaj për vitin akademik 2018-2019, me objektivin për të favorizuar bashkëpunimin në fushën kulturore, shkencore dhe teknologjike, projektimin e sistemit ekonomik të Italisë në botë dhe përhapjen e njohjes së gjuhës dhe kulturës italiane. Bursat e studimit janë ofruar për të zhvilluar programe studimi, formimi ose kërkimi pranë universiteteve shtetërore italiane ose atyre të njohura ligjërisht. Afati i fundit i aplikimit është data 30 prill 2018.

    Tipologjia e bursave të studimit
    1 – Kurse universitare për Diplomë Master (cikli i dytë)
    Bursat e studimit për kurse universitare të Diplomave Master mund të kenë një kohëzgjatje prej 6 ose 9 muaj. Për t’u regjistruar në vitin e parë të një kursi diplome të ciklit të dytë në Itali, kandidati duhet të ketë përfunduar një cikël studimesh të nivelit të parë në vendin e tij të origjinës. Për t’u regjistruar në vitin e dytë, kandidati duhet të ketë përfunduar provimet e vitit të mëparshëm. 

    2 – Kurse të formimit të lartë profesional, artistik dhe muzikor (AFAM)
    Bursat e studimit për kurse të formimit të lartë profesional, artistik dhe muzikor (AFAM) mund të kenë një kohëzgjatje prej 6 ose 9 muaj. Për t’u regjistruar në këto kurse në Itali, kandidati duhet të plotësojë kriteret e kërkuara nga universiteti që ka zgjedhur. 

    3 – Doktoratura kërkimi
    Bursat e studimit për doktoratura kërkimi mund të kenë një kohëzgjatje prej 6 ose 9 muaj. Për t’u regjistruar në një program të tillë në Itali, kandidati duhet të plotësojë kriteret e universitetit që ka zgjedhur dhe të zotërojë letrën e pranimit nga universiteti italian. 

    4 – Projekte studimi të përbashkëta (të mbikëqyrura)
    Bursat e studimit për projekte studimi të përbashkëta mund të kenë një kohëzgjatje prej 6 ose 9 muaj. Kandidati që dëshiron të përfitojë nga një bursë për të zhvilluar një projekt studimi të përbashkët duhet t’i bashkëngjisë kandidaturës edhe programin e kërkimit, duke treguar edhe emrin dhe kontaktet (e-mail) të docentit mbikëqyrës të kërkimit, krahas letrave të pranimit nga instituti pritës. Kjo tipologji e bursave të studimit mund të jepet për aktivitete kërkimi pranë enteve publike të kërkimit (CNR, ISS, INFN, INAF, ISPRA etc.), në mbikëqyrje të përbashkët me universitetet publike shtetërore, entet muzeale dhe arkivistë të njohur.

    SHENIM: Për disa kurse të Diplomës Master ose pranë institucioneve AFAM, regjistrimi bëhet pas kalimit të provimit të pranimit. Kandidatët janë të ftuar të verifikojnë pranë institucionit universitar ose AFAM-it të zgjedhur nëse është parashikuar një test paraprak pranimi.

    5 – Kurse të gjuhës dhe kulturës italiane
    Bursat e studimit për kurse të gjuhës dhe kulturës italiane janë të përcaktuara vetëm për studentët, të cilët frekuentojnë një kurs të italishtes në nivelin universitar dhe kanë një kohëzgjatje prej 3 muajsh. Kandidati duhet t’i bashkëngjisë kërkesës edhe një certifikatë ose dokument që provon njohjen e gjuhës italiane nga niveli A 2 i Kuadrit të Përbashkët Europian (https://www.linguaitaliana.esteri.it/data/lingua/corsi/pdf/tabella_certificazioni.pdf).
    Kërkesat për pranim
    Kandidaturat duhet të paraqiten nga ata që plotësojnë kërkesat përkatëse deri në datën e skadimit (30 prill 2018).

    1 – Titujt e studimit
    Mund të garojnë për të fituar bursat studentët me shtetësi të huaj, të cilët banojnë jashtë Italisë dhe italianët, të cilët banojnë jashtë dhe zotërojnë një diplomë studimi të vlefshme për t’u regjistruar pranë institucionit universitar të zgjedhur (https://studyinitaly.esteri.it/en/Recognition-of-qualification).

    2 – Kufijtë e moshës
    Mund të paraqesin kërkesë për bursë në një kurs të Diplomës Master/Formimit të lartë profesional, artistik dhe muzikor (AFAM)/ Kurse të gjuhës dhe kulturës italiane kandidatët, të cilët nuk e kanë kaluar moshën kufi 28 vjeç deri në skadimin e afatit të aplikimeve, me përjashtim të rinovimeve. Mund të paraqesin kërkesë për bursë për doktoraturë kandidatët e moshës nën 30 vjeç, deri në momentin e skadimit të afatit të aplikimit, me përjashtim të rinovimeve. Mund të paraqesin kërkesë për një bursë që synon realizimin e një projekti të mbikëqyrur kandidatët e moshës jo më tepër se 40 vjeç, deri në datën e skadimit të aplikimit. 

    3 – Njohja e gjuhës
    Kandidati duhet të bashkëngjisë në kërkesën e tij edhe një certifikatë apo dokument që të provojë njohjen e gjuhës italiane, duke nisur nga niveli B2 i Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referimit. Për regjistrimin në kurset universitare që zhvillohen tërësisht në gjuhën angleze nuk kërkohet njohja e gjuhës italiane. Në rast të frekuentimit të një kursi në gjuhën angleze, kandidati duhet të bashkëngjisë me kërkesën, edhe një certifikatë ose një dokument që të provojë njohjen e gjuhës angleze, duke filluar nga niveli B2. Vetëm për kurset e gjuhës dhe kulturës italiane, kandidati duhet t’i bashkëngjisë kërkesës edhe një dokument apo certifikatë që të provojë njohjen e gjuhës italiane, duke nisur të paktën nga niveli A2.

    Rinovimet
    1 – Ata që në vitin akademik 2017-2018 kanë përfituar nga një bursë studimi e Ministrisë së Jashtme italiane mund të kandidojnë për vazhdimin ose plotësimin e një kursi studimi shumëvjeçar. Rinovimi i mundshëm i bursës është i lejuar vetëm për kandidatët që certifikohen se janë në rregull me provimet e parashikuara për çdo vit akademik. 
    2 – Mund të aplikojnë për të ndjekur kursin e studimeve me cikël unik për vitin akademik 2018-2019 vetëm ata që në vitin akademik 2017-2018 kanë përfituar nga një bursë e Ministrisë së Jashtme për të njëjtin kurs. Rinovimi i mundshëm i bursave u lejohet vetëm atyre kandidatëve, të cilët provojnë se janë në rregull me provimet e parashikuara për çdo vit akademik.
    Hyrja në fuqi
    Bursat që janë objekt i këtij program mund të përdoren nga data 1 tetor 2018 deri më 30 shtator 2019.
    Mospranimi
    Nëpunësit e administratës publike italiane dhe të afërmit e tyre të shkallës së parë janë të përjashtuar nga përfitimi i bursave. Bursat e studimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk janë të dhëna për ndjekjen e kurseve universitare të studimit trevjeçar (cikli i parë) ose me cikël unik, me përjashtim vetëm të rinovimeve. Bursat nuk jepen për ndjekjen e studimeve pranë institucioneve universitare të huaja (joitaliane), me seli në Itali ose jashtë, as pranë instituteve universitare, qendrave apo laboratorëve të kërkimit privatë, të panjohur nga Ministria italiane e Arsimit, Universitetit dhe Kërkimit. Kërkesat e paraqitura nga kandidatët e përjashtuar nga kriteret nuk do të merren në konsideratë. 

    (Në numrin e ardhshëm do të lexoni: 
    Si përpilohet kërkesa, 
    • procedurat e seleksionimit e dhënies së bursave, 
    • shlyerja e taksave, 
    • mbulimi i sigurimeve dhe pagesa e bursës
    Sigal