Zyrtarizohet marrëveshja, Elis Bakaj është lojtari i ri i Kukësit

463
Elis Bakaj është lojtari i ri i Kukësit. Gazeta e ka bërë me dijë ditë më parë që ish-sulmuesi i Tiranës është shumë afër Kukësit dhe tashmë çdo gjë është kristalizuar. Mbas disa ditësh negociata të fshehta, palët sot kanë arritur marrëveshjen përfundimtare dhe pritet që të firmos kontratën.
Momentalisht Bakaj ndodhet në zyrat e klubit verilindor ku po bisedon detajet e fundit. Drejtuesit e Kukësit kanë pasur ulje-ngritje në negociatat dhe bisedat mes tyre aq sa disa herë u tërhoq klubi dhe disa herë vetë lojtari, por në fund gjithçka duket se po shkon në një fund të lumtur.

Bakaj do të firmos për një vit me skuadrën verilindore, e së bashku me Aliev dhe Otoçian do të përbëjnë tredhëmbëshin e sulmit. Kjo është dhe dëshira e trajnerit Milinkovic, të cilit klubi ia ka plotësuar të gjitha kërkesat.

Me ardhjen e Bakaj dhe me marrëveshjet me dy sulmuesit e tjerë Aliev dhe Otoçian çështja e sulmit mbyllet. Tashmë sytë do të jenë te një mesfushor qendre dhe një mbrojtës qendre që të jetë përkrah Shametit dhe me ta përmbyllet merkato e Kukësit.

30-vjeçari Bakaj do të jetë një vlerë e shtuar për ekipin e Kukësit, të cilët do synojnë me çdo kusht të mbrojnë titullin kampion. Bakaj më parë ka qenë pjesë e Partizanit, Dinamos me të cilët ka dal kampion, Tiranës dhe me disa klube të rëndësishme jashtë vendit si Dinamo Bukuresht, RNK Split, Çernormorets, Hapoel Ranana etj, pa harruar eksperiencën e tij me Kombëtaren Shqiptare ku ka luajtur 27 takime dhe ka shënuar 1 gol.
Sigal