Zyrtare/ FSHF: UEFA vendosi që ndeshja Maqedoni-Shqipëri të mos luhet në Shkup

654
Përmes një njoftimi, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se ndeshja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë e vlefshme për kampionatin Botëror ‘Rusi 2018’ nuk do të luhet në Shkup, por në Strumicë. Sipas FSHF, vendimi është marrë nga UEFA me qëllim për të shmangur incidentet, pavarësisht se stadiumi “Mlladost” nuk i plotëson të gjithë kushtet e nevojshme për një ndeshje të këtij niveli.
Njoftimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit kërkon të bëjë me dije edhe opinionin publik në lidhje me problemin e vendit të zhvillimit të ndeshjes zyrtare eliminatore, për Botërorin “Rusi 2018”. FSHF ka ndjekur me shumë prioritet edhe çështjen e vend-zhvillimit të ndeshjes zyrtare eliminatore në Maqedoni në shtator, duke realizuar edhe korrespondencën e duhur dhe të menjëhershme zyrtare me UEFA-n.

Nisur nga specifika e ndeshjes, por edhe nga praktika e zakonshme për informacionin e duhur disa muaj para, për vendin e zhvillimit të ndeshjes, FSHF i është drejtuar vetë homologëve maqedonas në fillim të muajit qershor në lidhje me vendin e zhvillimit të ndeshjes.

Përpos kësaj, nisur edhe nga rrethanat e një ndeshje delikate UEFA ngriti një grup inspektimi të sajin për të parë edhe stadiumin e Strumicës, një impiant që nuk përputhet aspak për standardet ndërkombëtare të zhvillimit të ndeshjes eliminatore zyrtare.

Në konfirmimin e tyre të mëvonshëm, si dhe pas inspektimit të grupit të punës, UEFA vendosi që për arsye sigurie ndeshja zyrtare eliminatore e shtatorit MAQEDONI-SHQIPËRI të luhet në stadiumin e Strumicës, dhe jo në Shkup, pasi në argumentin e tyre, ata kishin më shumë primare garancinë e sigurisë për tifozët, gjë për të cilën ishin më shumë të sigurt në Strumicë, se sa në Shkup, në stadiumin ‘Filipi i 2-të’. Dhe për këtë ajo ka marrë garancitë përkatëse.

FSHF ndërkaq i është drejtuar vetëm para pak ditësh Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, për këtë shqetësim, më pas edhe Drejtorisë për Sigurinë e Stadiumeve në UEFA, ku i përcolli edhe shqetësimin në lidhje me këtë vendim, për zhvillimin e ndeshjes, në një impiant ku nuk i plotëson standardet ndërkombëtare, por që sipas korrespondencës, dhe pas inspektimit u vendos që për arsye sigurie të luhet atje.
Sigal