Zvicra “shtrydh” Norvegjinë, helvetët pranë Botërorit

55

Zviceranët fituan 2-0 në Oslo. Më 11 tetor: Shaqiri, Behrami dhe Xhaka do të luajnë në Shqipëri

Falë fitores 2-0 në Norvegji, me një dopjetë të bukur të Fabian Sharit, Zvicra thuajse e preu biletën për në finalet e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, pavarësisht rezultatit që ajo mund të marrë në Shqipëri, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga përfundimi i fushatës kualifikuese. Pas “shokut” në barazimin 4-4 me Islandën, të premten e kaluar, djemtë e Otmar Hitcfeldit u treguan dominues absolutë gjatë 90 minutave në “Uleval” të Oslos. Heroi i ndeshjes ishte padyshim mbrojtësi 21-vjeçar Fabian Shar, i cili në ndeshjen e tij të tretë me Kombëtaren e Zvicrës realizoi dopjetën që të çonin në Botëror. Për të ishin golat numër dy dhe tre, teksa asnjë zviceran nuk ka realizuar më shumë në këto tetë ndeshje kualifikuese. Në minutën e 12-t, Shar kërceu fuqishëm në zonën e rreptësisë pas një krosimi të kapitenit Gokhan Inler nga gjuajtja e lirë, duke realizuar me kokë. Pas pushimit midis pjesëve, sërish dueti Inler-Shar. Minutat e 50-të: e njëjta skemë, Inler ekzekutoi një goditje të lirë dhe numri 6 i Zvicrës kërcen dhe realizon me kokë golin e 2-0. “Bebi” zviceran ia futi topin mes këmbëve portieri norvegjez, Jarshtajn. Zvicra, e cila pati në fushë nga minuta e parë tre lojtarët kosovarë: Valon Behramin, Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën, e dominoi gjithë ndeshjen, duke mos u lënë asnjë shans goli norvegjezëve. Në minutat e fundit u fut në lojë dhe Blerim Xhemaili në vend të Shaqirit. Zvicra do të udhëtojë në 11 tetor në Shqipëri, teksa në ndeshjen e fundit do të luajë në shtëpi me Slloveninë.

SLLOVENIA

Sllovenët fituan 2-0 në Qipro. Për djemtë e Sreçko Katanecit kjo ishte fitorja e tretë rresht, pas Islandës (4-2)dhe Shqipërisë (1-0) duke pasur një ecuri për t’u pasur zili. Sulmuesi Milivoje Novakoviç realizoi në minutën e 12-të pas një shërbimi të Ljubijankiçit. Golin e dytë e të Sllovenisë e realizoi mesfushori i Fiorentinës, Josip Iliçiç, në minutën e 80-të. Për Qipron kjo ishte humbja e gjashtë në tetë ndeshje. Në takimin e parë, Sllovenia kishte fituar 2-1 me Qipron. Në dy sfidat e fundit, për këto eliminatore, Sllovenia do të përballet me Norvegjinë në Lubjanë, në një ndeshje shumë vendimtare, teksa më pas do të luajë me Zvicrën. Nga ana e saj, Qipro do të luajë me Islandën dhe në fund me Shqipërinë, por qipriotët këto ndeshje i kanë sa për statistikë.

 Mesi, 1 gol në çdo 32 minuta në kampionat

 Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Mesi, regjistron mesataren më të mirë të golave në kampionat në fillimin e këtij sezoni. Ylli argjentinas pas ardhjes së trajnerit Xherardo Martino luan më pak minuta dhe shënon më shumë. Sipas statistikave në më pak se dy ndeshje, katër herë topi i artë ka realizuar 5 gola, duke qenë golashënuesi më i mirë i kampionatit pas tre javëve të para. Këto 5 realizime kanë ardhur në 161 minuta lojë, çka do të thotë një gol në rreth 30 minuta, duke zbuluar se argjentinasi është sërish vrasës, por kësaj radhe më i shpejtë se kurrë. Këtë sezon 26-vjeçarit iu deshën vetëm 12 minuta për të shënuar, në sfidën e parë ndaj Levantes ku realizoi dhe një tjetër gol brenda fraksionit të parë të lojës. Në sfidën e javës së dytë ndaj Malagas, Mesi nuk u grumbullua ndërsa në “Mestaja” ndaj Valencias dhuroi spektakël me tregolëshin e tij. 5 gola në 161 minuta, me një mesatare një gol në çdo 32 minuta lojë, çka do të thotë një rekord i pavendosur më parë në la liga në javët e para të kampionatit. Dy sezone më parë Mesi kishte shënuar 5 gola në po kaq javë, por ishte aktivizuar për 209 minuta, duke regjistruar mesataren një gol në çdo 42 minuta lojë. Me këtë start të sezonit Leo vendos si shënjestër numrat e rivalit të tij Kristiano Ronaldo, që në javët e para ka shënuar më shumë se argjentinasi. Dhe në vitin ku vihet në dyshim ecuria e tij për shkak të problemeve fizike dhe konkurrencës me Neymar, Messi përgjigjet me mënyrën e tij, rrugën e golave, duke vendosur ndeshjet me realizimet e tij. Që këtë vit mesa duket i duhen vetëm 30 minuta për ti shënuar.

 Besart Berisha është plotësisht i qeshur në prezantimin e fanellës së re të Brisbejn Roar në Australi.

   Partizani, kryesuesi i kampionatit, do të luajë në Laç. Në javën e parë fitoi me Kastriotin në Krujë

 Rikthehet Superliga

Pas ndërprerjes dhjetë ditore, për shkak të angazhimeve të Kombëtares me ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Islandës, në fundjave rikthehet java e dytë e Kategorisë Superiore. Ja dhe kalendari i ndeshjeve. Katër ndeshje do të luhen të shtunën dhe dy të tjerat, të dielën. Kryesuesi i kampionatit, Partizani, do të luajë sërish në transfertë, kësaj radhe në Laç. Të kuqtë fituan 2-0 me Kastriotin në Krujë. Sikurse sezonin e kaluar, Kukësi dhe Vllaznia përplasen në javën e dytë, por ndryshimi i vetëm është fakti që do të luhet në “Zeqir Ymeri” dhe jo në “Loro Boriçi”. Të dyja skuadrat vijnë pas disfatave befasuese në ndeshjet respektive, Vllaznia u mposht 1-0 në Shkodër nga Flamurtari, ndërsa Kukësi i mrekullisë europiane u mposht me të njëjtin rezultat 1-0 nga Lushnja debutuese në Superiore. Në Ballsh, Bylisi nuk t’i lejojë vetës ndaj Kastriotit një tjetër rrëshqitje këmbe, pas humbjes me përmbysje me Teutën, ndërsa Tirana pret Lushnjën me bindjen se më e keqja në kampin bardheblu ka kaluar. Gjithsesi, është herët për të besuar se 24-herë kampionët e Shqipërisë do të bëjnë pjesë në grupin e pretendentëve. Të dielën do të luhen dy takimet e fundit të javës së dytë, Besa–Teuta dhe Flamurtari–Skënderbeu, ku pa dyshim përballja e Vlorës mbetet më intriguese, për faktin se kampionët në fuqi do të udhëtojnë në një fushë armiqësore për ta gjatë 3 sezoneve të fundit. Skuadra që drejtohet nga Ernest Gjokës e nisi mbarë kampionatin në “Loro Boriçi”, edhe pse ndryshimet rrënjësore kishin hedhur shumë dyshime sa I përket forcës së saj. Në fushën e tyre vlonjatët do të kërkojnë të tregojnë se rezultati i “Loro Boriçit” nuk ishte rastësi.

Kategoria Superiore

Java II

Të shtunën, 14 shtator

Laçi-Partizani             14:00

Bylis-Kastrioti            14:00

Kukësi-Vllaznia            14:00

Tirana-Lushnja             14:00

Të dielën, 15 shtator

Besa-Teuta                 17:00

Flamurtari-Skënderbeu      17:00

RENDITJA

1    Partizani       1    +2   3

2    Teuta           1    +1   3

3    Flamurtari      1    +1   3

4    Skënderbeu      1    +1   3

5    Lushnja         1    +1   3

6    Laçi            1    +0   1

7    Tirana          1    +0   1

8    Kukësi          1    -1   0

9    Bylis           1    -1   0

11   Besa            1    -1   0

11   Vllaznia        1    -1   0

12   Kastrioti       1    -2   0

Kategoria e Parë, java e tretë

 Të shtunën do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së tretë të Kategorisë së Parë. Ende nuk është vendosur se, ku do të luhet takimi Kamza-Ada, pasi Bashkia e Kamzës nuk e lejon skuadrën em president Naim Qarrin të luajë atje. Pas dy javëve të para, kryesojnë me pikë të plota, nga 6, Apolonia, Veleçiku dhe Tomori. Dinamo ka vetëm një pikë dhe ndodhet e 11-të nga 16 skuadra.

KATEGORIA E PARË

JAVA III

Java III

Të shtunën, 14.09.2013

Albpetrol-Dinamo           16:00

Himara-Veleçiku      16:00

Adriatiku-Butrinti   16:00

Pogradeci-Tomori           16:00

Apolonia-Burreli           16:00

Kamza-Ada            16:00

Elbasani-Shkumbini   16:00

Tërbuni-Luftëtari    16:00

1    Apolonia        2    +6   6

2    Veleçiku        2    +2   6

3    Tomori          2    +2   6

4    Elbasani        2    +1   4

5    Burreli         2    +1   4

6    Butrinti        2    +2   3

7    Pogradeci       2    +1   3

8    Albpetrol       2    +0   3

9    Shkumbini       2    -1   3

10   Luftëtari       1    +0   1

11   Dinamo          2    -1   1

12   Tërbuni         2    -1   1

13   Mamurrasi       2    -1   1

14   Kamza           1    -2   0

15   Himara          2    -4   0

16   Ada             2    -5   0