Sigal

Atalanta është skuadra e dytë që i rrëmben pikë Juventusit gjatë këtij sezoni në Seria A. Skuadra e Allegrit ka barazuar 2-2, edhe pse pothuajse për një pjesë loje ishte me një futbollistë më pak se rivalët.

Juventus e nisi mjaft mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh që në minutën e 2-të. Pas një aksioni në krahun e majtë, Alex Sandro kroson në zonë atje ku Gjimshiti devijon topin në rrjetën e Etrit Berishës, i cili u befasua. Bardhezinjtë krijuan edhe shanse të tjera shënimi, teksa Bentancur gjeti shtyllën me një goditje nga distanca. Në minutën e 24-të, pas një lëvizje të bukur në hyrje të zonës, Duvan Zapata lë në vend Bonuccin, duke shënuar e barazimit,

Në fraksionin e dytë ndeshja bëhet edhe më e ndezur, teksa skuadra e Allegrit do të mbetej për shumë minuta me një futbollistë më pak, pasi Bentancur u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Bergamaskët e shfrytëzojnë menjëherë superioritetin numerik duke shënuar golin e avantazhit sërish me Zapata-n.

Allegri ndërkohë reagon duke hedhur në fushë fillimisht Pjanic dhe më pas edhe Cristiano Ronaldon. 10 minuta nga fundi do të ishte ylli portugez që do të shënonte me kokë golin e barazimit, i cili është i 12-ti në këtë sezon në kampionat. Në kohën shtesë, Bonucci shënoi edhe golin e avantazhit, por mbrojtësi ishte në pozicion të parregullt.