“Zjarr” në Korçë, Partizani “shkrin” Skënderbeun

528
Sigal

KATEGORIA SUPERIORE/ Me dopietën e
Ekubanit, të kuqtë fitojnë kryendeshjen e javës së 18-të dhe “trokasin” në
majat e kreut të renditjes

 

Nga Agron KAJA

 

 

INCIDENTI

“Fanatiks” tymosin “Loro Boriçin”, ndalohen nga policia

Ndeshja “klasike” mes Vllaznisë e Tiranës, nuk kaloi pa
incidente në shkallët e stadiumit. Gjatë ndeshjes dhe në përfundimin e saj,
tifozët e ardhur nga kryeqyteti për të ndjekur këtë ndeshje, kanë hedhur fishekzjarrë
në stadium duke shkaktuar tension. Rreth 30 minuta duheshin për tu qetësuar
“luftëtarët”, ndërsa policia ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë në Shkodër
10 tifozë për prishjen e qetësisë publike në stadium.

 

 

“Zjarr” në Korçë, Partizani “shkrin” Skënderbeun

 

Të dyja skuadrat, Skënderbeu dhe Partizani, deri në orën
17:00 kur startoi ballafaqimi mes tyre në stadiumin “Skënderbeu”, vinin si të
barabartë në ndeshjen “super sfidë” të javës së 18-të. Të barabartë në pikë me
nga 32, por jo të barabartë në histori, bilance e realitet, të dy ekipet në
fushën e lojës  dhanë atë çka kishin
përgatitur, por që në fund fitoi strategjia e kuqe e Starovës, i cili në këto
tri pikë tregoi se di të menaxhojë një fitore të madhe si kjo e Korçës. Madje,
një fitore kjo e Partizanit, ndoshta edhe për ti dhënë “ndëshkimin” e munguar ish-trajnerit
të tyre, Andrea Agostineli, që në sezonin e kaluar nuk mundi që këtë skuadër ta
çonte në objektivat sezonalë. Gjithsesi, takimi nisi thuajse si i barabartë, me
“kërcënimin” e Skënderbeut, i cili në minutën e 10-të e gjeti golin me anë të Xhejms-it.
Mund të ishte ky edhe goli i kthesës për lojën e Partizanit, i cili më parë me
Trashin dhe më pas me Ekubanin ju afruan golit. Dhe ai erdhi vetëm në minutën e
34-ët kur Ekubani pasi fitoi duelin e shpejtësisë me mbrojtësit korçarë, i
“ndihmuar” edhe nga gabimi i portierit Shehi, shënon golin e barazimit në këtë
ndeshje, njëherësh edhe golin e tetë në këtë sezon me fanellën e Partizanit. Barazimi
i dha më shumë kurajë Partizanit, njëherësh edhe trajnerit Starova, i cili duke
e lexuar mirë kundërshtarin që la hapësira në mbrojtje, njëherësh edhe i pa
saktë në dyluftime, dhe me një prioritet në lojën e mesfushës e sulmit ndërtoi
rrugën e golit. Përsëri është Ekuban që bëhet golashënues i kësaj dopiete kaq të
rëndësishme e përmbyllëse për fazën e dytë, dhe një përmbysje që do të mbetet
deri në fund e tillë në favor të Partizanit. Dhe si “shpërblim” trajnerët e kanë
zëvendësuar me Filin, që kishte mundësinë më të mirë në minutën e 80-të që ta çonte
në 3-1 rezultatin. “Bëri më të vështirën”, ky është slogani që rëndom përdoret
në median sportive kur ka raste të tilla humbëse para porte, duke i dhënë Skënderbeut
idenë se ka mundësinë për barazim. Këtë e kërkuan Latifi në minutën e 83-të dhe
Serxhio Zhunior në minutën e tretë shtesë, por pa mundur që të gjenë pikën në
ato gjuajtje. Dështon Skënderbeu, dështon trajneri Agostineli, dështon sulmuesi
Salihi, njëherësh dështon hegjemonia korçare në kreun e renditjes. Tashmë Skënderbeu
është i treti, tri pikë më pak se Partizani, por katër pikë më pak nga Kukësi
kryesues dhe “kampion dimri”. Ka qenë legjitime krenaria e Sulejman Starovës
pas fitores dhe në deklarimin e tij ai është treguar sa euforik, aq edhe i gëzuar
për këtë mbyllje me fitore të fazës së dytë, dhe të vitit kalendarik 2016. “Kjo
ka qenë një ndeshje e bukur, me lojë të bukur, me spektakël dhe përmbysje. Kemi
marrë një fitore të madhe, duke u shpërblyer, sepse në ndeshjet e shkuara jo
gjithmonë jemi shpërblyer. Kështu po tregojmë se e meritojmë titullin”, dhe kjo
deklaratë e Starovës e mbyll në mënyrën më të mirë këtë fitore të Partizanit në
Korçë.

 

 

SKËNDERBEU-PARTIZANI 1-2

Shënues: Xhejms 10’/ Ekuban 34’, 57’

E enjte 22 dhjetor 2016, ora 17:00

Në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës

Skënderbeu: Shehi; Vangjeli (Junior 79’),
Jashanica, Osmani, Mici; Orelesi (Gavazaj 70′), Lilaj, Nimaga; Xhejms, Latifi,
Salihi.Trajner: Andrea Agostineli

Partizani: Hoxha; Ibrahimi, Atanda,
Krasniqi, Kalari; Ramadani, Batha, Trashi; Vila, Torasa (Malota 63′), Ekuban
(Fili 71′). Trajner: Sulejman Starova

Gjyqtar: Kridens Meta

Kv: Vangjeli/ Trashi, Ekuban

 

 

MINUTA TË VEÇANTA

10′ GOL 1-0 Skënderbeu në avantazh, Lilaj nxjerr Xhejmsin
të vetëm me portën, pas një vendosjeje të gabuar të mbrojtjes së Partizanit. Nigerian
lehtësisht mposht portierin Hoxha.

15′ Lorenc Trashi, në shenjë nervozizmi shkul flamurin e
këndit dhe gjyqtari i jep  karton të
verdhë.

34′ GOL 1-1 Barazon Partizani. Torasa vertikalizon bukur
për Ekubanin, i cili në dyluftim shpejtësie gjuan dhe barazon rezultatin, i “ndihmuar”
edhe nga një gabim i Shehit. Goli i 8-të sezonal për të.

49′ Latifi provon me një kthesë të befasishme, por
portieri Hoxha pret me vështirësi, por dëmtohet nga kjo pritje.

52′ Mundësi për korçarët, Xhejms ka rastin e golit të
epërsisë, por kthesa e menjëhershme përplaset në shtyllën e sipërme të portës së
Partizanit.

57′ GOL 1-2 Përsëri Ekuban përfiton nga një gabim i
Jashanicës dhe me të majtën e tij në hyrje të zonës ndëshkon Shehin me golin e dytë.

80’ Fili që zëvendësoi Ekubanin nëntë minuta më parë ka
mundësi që të çojë në 3-1 rezultatin. I vetëm me Shehin e nxjerr topin jashtë në
mënyrën më të keqe.

87′ Mundësi për Skënderbeun me Latifin, i cili mbi vijën
ballore të zonës së rreptësisë gjuan dhe ndalet nga portieri Hoxha.

90+3′ Nuk ndalet Skënderbeu në sulmet e tij, por shpërdoron
me Serxho Zhunior, i cili me të djathtën e tij gjuan ngjitur me shtyllën.

 

 

KATEGORIA SUPERIORE

Rezultatet/ Java e 18-të

Dje, 22 dhjetor 2016

Laçi-Teuta            0-2   

Luftëtari-Kukësi   2-2

Korabi-Flamurtari         1-0

Vllaznia-Tirana    0-0   

Skënderb-Partizan         1-2

RENDITJA

Skuadrat    Nd     Pikë

1.Kukësi     18      36

2. Partizani 18      35

3.Skënderbeu18   32

4.Tirana      18      27

5.Luftëtari   18      22

6.Vllaznia   18      21

7.Flamurtari         18      17

8.Teuta       18      16

9.Laçi                   18      14

10.Korabi   18      11

Ndeshjet/ Java e 19-të

Datë 21 janar 2017

Teuta-Tirana        14:00

Vllaznia-Kukësi    14:00

Partizani-Luftëtar 14:00

Skënderb-Flamurta14:00

Korabi-Laçi           14:00

 

 

VLLAZNIA-TIRANA 0-0

Barazim i “ftohtë” në “klasiken” e tymosur

Nuk ishte e thënë që
sfida e 175-të mes dy skuadrave më të vjetra dhe më të mira në historinë e
futbollit shqiptar, ti rrëmbenin njëra-tjetrës fitoren. Në “klasiken” që u
luajt të ftohtin e zakonshëm të Shkodrës në këtë stinë, “bardheblutë” e Tiranës
nuk mundën që të kalonin më shumë se një 0-0. Me protagonistë dhe humbës
rastesh Takun e Moise, tiranasit e mbajtën nën tension lojën e Vllaznisë, e
cila nuk ishte inferiore sikundër historia e bilancet që ka me 24 herë
kampionen e Shqipërisë. Sepse Shtubina dhe Pepaj për Vllazninë dhe Taku me
Moise krijuan raste, pa arritur që të shënonin në portën e Agoviç. Pjesa e dytë
nis me një zëvendësim për Tiranën, e më pas dalin në skenë  tifozët tiranas, të cilët kërkonin një dekor
me tymuese në këtë ndeshje të fundit të vitit 2016. Gjyqtari e ndërpreu lojën,
dhe vetëm ndërhyrja e dy kapitenëve, bëri që ky dekor tymi të largohej, por
duket se e “fshiu” rrugën e golit për të dyja skuadrat. Një barazim i “ftohtë”
i një “klasikeje” të vjetër.