Zidane: PSG e rrezikshme edhe pa Neymarin

117
Trajneri i kampionit aktual evropian Real Madridit, Zinedine Zidane, nuk i frikësohet faktit se ”Paris Saint-Germain” në ndeshjen e kthimit në të tetën e finales në Ligën e Kampionëve do të luajë pa njërin nga lojtarët më të mirë, Neymar.
Përkundrazi, Zidane paralajmëron se klubi edhe pa brazilianin e lënduar është një skuadër jashtëzakonisht e rrezikshme.
Më 6 mars, Real në ”Parkun e Princave” do të mbrojë epërsinë ndaj PSG-së nga ndeshja e parë me rezultatin 3-1.
“PSG është skuadër jashtëzakonisht e fortë dhe jam i bindur se lojtarët që zëvendësojnë Neymarin do të jenë shumë të mirë, kështu që mendoj se nuk do ta kemi lehtë. Na vjen keq për të, por aktualisht ne jemi fokusuar për ndeshjen e së shtunës kundër Getafes”, tha Zidane për mediat spanjolle.
Neymar u lëndua të dielën në ndeshjen e kampionatit francez kundër ”Olympique Marseille”, kështu që do të humbasë përfundimin e sezonit me ”Paris Saint-Germain”, ndërsa tani është në pikëpyetje nëse do të jetë gati për Kupën e Botës, raporton Atsh.
Sot, brazilianin e pret një ndërhyrje kirurgjikale në frakturë, në kockën metatarsale në shputë, pas së cilës do të dihet se sa saktësisht do të pauzojë. Parashikimet e ekipit të mjekëve të përfaqësuesit brazilian thonë se kjo do të zgjatë nga dy e gjysmë deri në tre muaj.