Zidan nuk i kursen thumbimet në prag të “El Classico”-s: Barça s’meriton respekt!

498
El Classico” i sotëm, ndoshta nuk ka vlerën e viteve të kaluara kur diskutohej titulli, por me siguri mbetet ndeshja më e rëndësishme e kampionatit spanjoll. Tensionet nuk mund të mungojnë, sidomos pas “pretendimit” katalanas për një nderim nga ana e Realit. Kur një ekip shpallet fitues, rivalët në takimin e radhës e presin mes duartrokitjesh. Diçka të tillë “Los Blancos” nuk kanë ndër mend ta bëjnë. Sinjalet e para të vullnetit merengues i dha kapiteni Serxho Ramos disa ditë më parë, ndërsa dje në konferencë për shtyp, ishte radha e Zidan që deklaroi:
“Unë nuk jam askush për të vendosur diçka të tillë, por me sa mbaj mend në “El Classico”-n e fazës së parë ne sapo kishim fituar botërorin për klube dhe ata (Barça) nuk na nderuan, duke thënë se nuk bëhej fjalë për një turne ku kishin marrë edhe ata pjesë. Kjo është një gënjeshtër sepse për të qenë kampionë bote duhet më parë të fitosh Ligën e Kampioneve”. Nuk do të ketë pritje të veçanta as për Andres Iniestën, për të cilin Zizu tha: “Do ta përshëndesim, do ta përgëzojmë dhe do t’i urojmë më të mirën për të ardhmen”.
GËNJESHTRA- Përveç Barcelonës në mendimet e teknikut francez është edhe finalja e Champions-it ndaj Liverpulit. Me mendje te Kievi, Zizu nuk hezitoi të replikonte ndaj zërave që thonë se Reali u kualifikua me ndihmën e arbitrave. “Në finale me ndihmë? Këto janë gënjeshtra. Në Kiev do të shkojmë sepse zhvilluam një sezon fantastik. Kemi fituar me vështirësi, por kjo është normale. Nuk mund të minimizohen sukseset tona duke u përqendruar tek episodet arbitrale. Kemi eliminuar ekipe si PSG-ja, Juventusi dhe Bajerni, nuk besoj se janë pak”, shpjegoi Zidan.
PA TURNOVER- Me një finale Champions-i për t’u luajtur, ka spekulime se Zidan do të zhvillojë turnover masiv në mënyrë që të mos rrezikojë yjet e skuadrës, madje as në një ndeshje të rëndësishme si ajo e sotmja ndaj Barcelonës. Për trajnerin 45-vjeçar kjo është e papranueshme, teksa në fjalën e tij shpjegoi: “Me mua nuk do të ndodhë kurrë që të kursej lojtarët. Kemi ende katër ndeshje për të luajtur dhe do ta bëjmë duke aktivizuar ata që janë më në formë, sepse duam ta mbyllim kampionatin sa më lart të jetë e mundur”. Intensiteti me të cilin përballohen ndeshjet e mëdha është i nevojshëm, pasi mund të na hyjë në punë edhe në Kiev.
PËR LIVERPULIN- Eksperimentet nuk lejohen në sfida si ajo ndaj Barcelonës. Është ky parimi kryesor i Zidan, i cili në fund të fjalës së tij shpjegoi edhe qëndrimin që pretendon të mbajnë të tijtë: “Për asnjë moment nuk duhet të mendojmë për të menaxhuar, sepse gjatë ndeshjeve ritmi ndryshon dhe duhet të jemi të përgatitur. Ajo ndaj Barcelonës është një ndeshje si gjithë të tjerat, ndryshimi i vetëm është në aspektin e motivimit”.
Sigal