Zgjedhja e Armand Dukës, një formalitet që duhet kryer

599
Sigal

Bosi aktual i futbollit është kandidati i vetëm për president pas refuzimit të Kujtim Gjuzit

Armand Duka është zyrtarisht kandidat i vetëm në zgjedhjen për kreun e FSHF-së, në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila do të mbahet sot (28 shkurt 2014) në hotel “Tirana International” (duke u nisur nga ora 9:00), një ceremonial gati festiv dhe pa asnjë shenjë tensioni si në vitin 2002 (deklarata tensionuara midis rivalëve), 2006 (kur u fol edhe për një alarm fals me bombë) apo atë të vitit 2010 (me zgjedhjet e zhvilluar gati në një regjim kazerme në Durrës). Ndryshe nga tre proceset e mëparshme zgjedhore (2002, 2006, 2010), kur presidenti aktual i FSHF-së kishte kandidatë rivalë, respektivisht Mehdi Bushatin (2002); Edmond Haxhiajn e Salvador Kaçajn (2006) si dhe Refik Halilin e Rudi Vatën (2010), në zgjedhjet e sotme Armand Duka nuk do të ketë asnjë rival.  Në mbledhjen e zhvilluar, më 14 shkurt 2014, Komisioni i Vlerësimit të Mandateve nuk e ka marrë parasysh propozimin e klubit të Tërbunit për kandidatin Kujtim Gjuzi. Madje, nisur nga mosgjetja e gjuhës së përbashkët të drejtuesve të klubit pukjan (klubi ka propozuar Kujtim Gjuzin, ndërsa Bashkia e Pukës Armand Dukën), komisioni vendosi t’i heqë edhe të drejtën e votës Tërbunit. Sipas argumentit të përdorur nga kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Mandateve, Sulejman Mema, u vendose që të mos merreshin parasysh as kërkesën e Bashkisë së Pukës dhe as kërkesën e klubit Tërbuni, sa i përket kandidatit dhe delegatit për asamblenë zgjedhore, me argumentin se Bashkia e Pukës, e cila propozoi kandidat Armand Dukën, ashtu edhe klubi i Tërbunit që ka propozuar Kujtim Gjuzin, nuk u pranuan nga Komisioni i Vlerësimit të Mandateve, për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit të kërkuar. Kështu, Tërbuni nuk do të ketë as të drejtë vote në asamblenë zgjedhore. Votimi i Armand Dukës në krye të FSHF-së për periudhën 2014-2018 është një formalitet, pasi kandidati i vetëm mund të sigurojë pa asnjë problem edhe 100% të votave të delegatëve. Ka një mijë arsye pse Duka është kandidat i vetëm dhe fitues i mandatit të katërt të tij, që e bën atë presidentin me jetëgjatë në krye të FSHF-së, pasi tashmë periudha e tij shtrihet në një afat 16-vjeçar. I vetmi kuriozitet nga Asambleja e sotme është nëse do të kemi fatin të shohim ndonjë votë kundër ndaj Dukës. I vlen të kujtojmë se Duka vetëm në zgjedhjet e vitit 2002 e ndjeu rivalitetin ndaj kandidatit tjetër, pasi në ato të vitit 2006, rivalët e tij Edmond Haxhia dhe Salvador Kaçaj morën respektivisht nga 16 dhe 1 votë, ashtu sikundër morën edhe rivalët e tij në vitin 2006, Refik Halili dhe Rudi Vata nga 15 dhe 1 votë.

 Tre votimet për President

 2002

Armand Duka ishte një njeri i panjohur më parë në botën e futbollit, por me kandidimin e tij të parë ai arriti t’i imponohej Asamblesë Zgjedhore së vitit 2002, duke marre shumicën e votave në raport me kandidatin tjetër, Mehdi Bushatin. Në fakt, zgjedhja e presidentit u vendos në raundin e dytë, pasi në të parin asnjë prej dy kandidatëve nuk mori 50%+1 të votave.

 2006

Më 27 shkurt 2006, Armando Duka rizgjidhet President i Federatës Shqiptare të Futbollit. Me 51 vota në favor të tij, Duka mbetet President i Federatës së Futbollit Shqiptar dhe për katër vitet e ardhshëm. Dy rivalët e tjerë, menaxheri i FIFA-s, Edmond Haxhia mori 16 vota, ndërsa Salvador Kaçaj mori vetëm një votë. Ky i fundit deklaroi pas shpalljes se rezultateve se nuk do t’i njohë zgjedhjet e Asamblesë së FSHF-së.

 2010

Më Armand Duka është rizgjedhur për herë të tretë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, përmes një procesi tejet të qetë, edhe pse nën masa të rrepta sigurie të sallës ku u mbajtën punimet e Asamblesë Zgjedhore të zhvilluara, më 9 mars në Durrës. 65 anëtarët e Asamblesë Zgjedhore të futbollit shqiptar i dhanë Armand Dukës, plot 49 vota, ndërsa 15 vota të tjera i ka marrë kandidati tjetër, Refik Halili. Vetëm një votë ka marrë Rudi Vata, kandidati i tretë.

Rezultatet

2002, Tiranë

Armand Duka 50+1

Mehdi Bushati

2006, Tiranë

Armand Duka     51 vota

Edmond Haxhiaj       16 vota

Salvador Kaçaj   1 votë

2010, Durrës

Armand Duka     49 vota

Refik Halili 15 vota

Rudi Vata           1 vote

Kandidatët për Komitetin Ekzekutiv

 Në garë për një vend në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së janë Lutfi Nuri, Artan Hajdari, Bujar Kasmi, Arben Dervishi, Abdyl Kuriu, Skënder Hyka, Muhedin Targaj, Bardhyl Minxhozi, Vasil Bicit dhe Artan Shyti, por edhe të figurave të tjera që vijnë nga bota e sportit, nga politika dhe jurisprudenca. Sulejman Mema, Ramadan Shehu, Fatbardh Jera e deri tek Enkeled Alibeaj, Edvin Libohova dhe Artan Sallaku. Tahir Kastrati hyn direkt në Komitetin Ekzekutiv, duke qenë se është president i Shoqatës së Arbitrave. Pritet një “luftë” e ashpër për qeverinë e futbollit, teksa thuajse të gjithë kanë kohë që lobojnë për të marrë votat që do t’i bënte ata fitues. Përbërja e Komitetit Ekzekutiv të dalë nga asambleja e fundit e zhvilluar më 9 shkurt 2010 në Durrës është: Armand Duka (President), Lutfi Nuri (Zv/President), Bujar Kasmi (Zv/ President), Skënder Hyka (anëtar), Muhedin Tarkaj (anëtar), Arben Dervishaj (anëtar), Artan Hajdari (anëtar), Pjerin Fushaj (anëtar), Abdyl Kuriu (anëtar) Alfred Zijai (anëtar, i ndarë nga jeta) zëvendësuar nga Bardhyl Minxhozi, Tahir Kastrati (anëtar, President i Shoqatës së Arbitrave).

Ja 66 delegatët me të drejtë vote në asamble

 Klubet e futbollit kanë të drejtë të propozojnë kandidat për president në Asamblenë Zgjedhore të 28 shkurtit, si dhe për anëtar kryesie të FSHF-së. Numri i delegatëve caktuar për to në asamble është përcaktuar në përputhje me pjesëmarrjen në sistemin e garave të FSHF-së si më poshtë:

1. Klubet e futbollit të Kategorisë Superiore kanë secili nga një delegat: aktualisht 12 klube = 12 vota (Bylisi, Besa, Lushnja, Laçi, Kukësi, Flamurtari, Skënderbeu, Teuta, Tirana, Vllaznia, Kastrioti dhe Partizani).

2. Klubet e futbollit të Kategorisë së Parë kanë secili nga një delegat: aktualisht 16 klube = 16 vota (Ada, Apolonia, Dinamo, Elbasani, Kamza, Tërbuni, Tomori, Mamurrasi, Burreli, Butrinti, Pogradeci, Shkumbini, Luftëtari, Veleçiku, Albpetroli dhe Himara).

3. Klubet e futbollit të Kategorisë së Dytë kanë secili nga një delegat: aktualisht 25 klube secili = 25 vota (Besëlidhja, Bilishti, Gramozi, Këlcyra, Skrapari, Sukthi, Iliria, Delvina, Domosdova, Egnatia, Erzeni, Gramshi, Maliqi, Memaliaj, Naftëtari, Tepelena, Turbina, Korabi, Sopoti, Luzi, Olimpiku, Përmeti, Vora, Shënkolli, Orikumi).

4. Shoqatat specifike të futbollit kanë numrin e mëposhtëm të delegatëve:

a. Shoqata e Mjekësisë Sportive, një delegat.

b. Shoqata e Arbitrave, një delegat.

c. Shoqata e Trajnerëve, një delegat.

d. Shoqata e Minifutbollit, një delegat.

5. Secili nga 8 rajonet futbollistike të Shoqatës së Futbollit Amator ka nga një delegat (Shoqata Rajonale Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier, Korçë, Gjirokastër dhe Lezhë). Pra, në total, do të jenë 66 delegatë me të drejtë vote, ku secili delegat nuk mund të përfaqësojë më shumë se një anëtar dhe një votë.

Sampaio: “Ndaj Skënderbeut për tri pikë dhe spektakël”

Partizani do të luajë të dielën kundër liderit të Kategorisë Superiore, Skënderbut, me të cilin e ndan një diferencë negative prej 10 pikësh. Në fazën e parë, të kuqtë humbën 3-0 në Korçë, ndërkohë që të gjithë besojnë se është koha për revansh në “Qemal Stafa”. Për të karrikuar skuadrën dhe dhënë një mesazh optimist, ashtu si dhe një analizë para takimit, trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio, deklaroi edhe objektivat për takimin më të rëndësishëm të javës së 21-të. “Skënderbeu është kampioni në fuqi i vendit dhe këtë gjë e konfirmon prej 3 sezonesh. Ata kanë treguar edhe përgjatë këtij kampionati se kanë lojtarë cilësor dhe janë një ekip kompakt. Misioni ynë për ta kaluar pozitivisht këtë përballje mbetet i vështirë por jo i pamundur dhe konfirmoj se do të bëjmë më të mirën për të arritur 3 pikët. Vuajmë 3 mungesa të rëndësishme si Mazrekaj, Labinoti dhe Murati që do të thotë pak a shumë nuk kemi të gatshëm 30% të ekipit, gjithsesi ata që do të luajnë të dielën kanë shansin të tregojnë se meritojnë një vend titullari dhe duhet ta shfrytëzojnë në maksimum këtë mundësi që u jepet. Një apel për tifozerinë tonë, dëshiroj që ata të jenë sa më të shumtë në stadium për të na mbështetur ashtu siç vetëm ata dinë ta bëjnë. Të jenë të bindur që spektakli nuk do të mungojë nga lojtarët në fushë pasi përballë do të jenë dy ekipe cilësore”, – tha trajneri portugez i Partizanit.

U-19, Shqipëri-Greqi 5-0

 Shqipëria U-19 mundi 5-0 homologen e saj greke. Ndeshja u zhvillua në Itali. Me dy gola të Krasniqit, dhe nga një të Ruçit, Micit e Lamçajt, ekipi i Strakoshës ka marrë një fitore të jashtëzakonshme, pavarësisht që bëhet fjalë për nj turne miqësor.

Formacioni i Shqipërisë: Elezaj, Lika, Kariqi, Ruci, Çollaku, Abrazhda, Lamçaj, Xhaferi, Tahiraj, Çekiçi, Krasniqi, Durmishaj. Më parë, Kombëtarja e Foto Strakoshës kishte fituar 2-0 me Rumaninë U-18 dhe humbur 2-1 me Lacio U-19.

Arbitra zviceranë në Kosova-Haiti

 Janë caktuar arbitrat që do të drejtojnë ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Haitit që luhet më 5 Mars në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Stefan Klosner, Vital Jobin, Stefane Rodrigues Almeida dhe Fedayi San janë katër arbitrat zviceranë që do të gjykojnë në ndeshjen e parë historike të Kosovës kundër Haitit. Në Mitrovicë më 5 Mars do të jetë edhe drejtori për siguri i FIFA-s, Vilhemus Van Ree si dhe drejtori i FIFA-s, Valter Gag, i dërguari i posaçëm i Sep Blater, i cili është edhe këshilltar personal i Blaterit.