Zebrat e Tironës”, një libër interesant dhe me vlera

1363
Nga Bedri ALIMEHMETI
LETËRSI SPORTIVE/ Mjeku i njohur Manush Thanasi sjell një pjesës të kujtimeve të tij pranë skuadrës bardheblu 
Për letërsinë me tematikë sportive, vlerësim jo vetëm për nivelin artistik
Librat me tematikë sportive janë vërtet të paktë në numër, por duhet theksuar fakti që janë të një niveli të denjë artistik, e pse jo, në jo pak raste dhe konkurruese me letërsinë e mirëfilltë artistike. Madje, letërsia me tematikë jetën sportive duhet vlerësuar jo vetëm për nivelin e saj artistik, por sidomos për evidentimin e arritjeve të larta në sport dhe statistikave të sakta që ofron. Dhe në këtë drejtim, merita u takon penave të njohura në gazetarinë sportive, të cilët veçmas përditshmërisë së tyre në pasqyrimin e garave e ngjarjeve sportive në faqet e shtypit të shkruar e medias elektronike, kanë botuar herë pas here libra me tematikë sportive, ku veç atyre me vlera historike, si monografi kushtuar figurave të shquara, histori e statistika të plota klubesh kanë shkruar tregime, novela, romane, e deri në skenarë filmash artistikë e dokumentarë. Kështu, ndër të parët që u përkushtua në këtë drejtim është “Mjeshtri i Madh”e “Mësuesi i Popullit” Ismet Bellova, gazetari e radiokronisti i mbi gjashtë dekadave në mikrofonin e Radio Tiranës, nga i cili ndër botimet e shumta spikasin “Portierë të mëdhenj”, “Sport e miqësi”, “Dibra sportive” etj. Nga Besnik Dizdari, veçmas serisë së botimeve të historisë së kampionateve të futbollit, do veçonim “Librin e Kombëtares”, “Kupën e Botës” etj. Ahmet Shqarri para disa vitesh ka botuar “Kujtimet e një gazetari sportiv”, një libër shumë interesant. Skifter Këlliçi është ndër të parët që historitë sportive i trajtoi në tregime, të cilët i përmblodhi në vëllimet “Një ndodhi në stadium” dhe “Shkallët e murrme”, ndërkohë pendës së tij i përkasin edhe romanet “Shpërthimi” dhe “Tirana dy orë para dënimit”. Shkrimtari e gazetari i njohur Ahmet Golemi, ka botuar një numër të konsiderueshëm veprash letrare me histori sportive, si vëllimin me tregime “Humbja e parë”, novelën “Bisha e tërbuar”, romanet “Dorezat e rënda”, “Pasionet” etj. Një varg monografish letrare kushtuar figurave të shquara të sportit, si Skënder Halili, Arben Minga, Shyqyri Rreli etj, ka botuar edhe autori i këtyre radhëve, ndërsa libra interesantë e me vlerë, si “Xhaketat e zeza”, “Historiku i klubit Besa”, “Historiku i klubit Erzeni” etj. ka botuar edhe gazetari e staticieni Fatmir Efica. Autorë të tjerë si Qemal Shalësi, Vlash Pambuku, Sotir Seferi, Et’hem Ibrahimi, Andrea Marko, Ramiz Reka etj, me botimet e tyre e kanë pasuruar së tepërmi bibliotekën e letërsisë sportive, të cilës ditët e fundit iu shtua libri shumë interesant “Zebrat e Tironës 1980-1990”, i mjekut të njohur Manush Thanasi.

Periudha 1979-1992, përshkrim me realizëm nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë
Autori pati fatin të punojë në klubin Tirana nga viti 1979 deri në vitin 1992, një periudhë kjo dymbëdhjetë vjeçare, kur në gjirin e skuadrës së futbollit shpërtheu talenti i grupit të dytë të djemve bardheblu, me në krye Arben Mingën, Agustin Kolën, Shkëlqim Muçën, Sulejman Memën, Millan Baçin, Bedri Omurin, Arjan Bimon, Artur Lekbellon, Krenar Alimehmetin, Florian Rizën, Anesti Stojën, Skënder Hodjen, Fatos Dajën, Halim Mersinin etj, nën drejtimin e teknikëve Enver Shehu, Shyqyri Rreli, Fatmir Frashëri, Ali Mema e Antonin Naçi, të cilët ecën guximshëm në gjurmët e brezit të parë të Tiranës së “Artë” të viteve 60-të, të profesor Myslym Allës, dhe e ngjitën skuadrën në podin e kampiones (1981-1982), ku kish munguar jo pak, por 12 vite. Mjeku Manush Thanasi, duke qenë dëshmitar i arritjeve dhe i gjithçkaje ndodhte në radhët sportistëve bardheblu, në këtë libër ka pasqyruar me realizëm ngjarje e situata nga më interesantet, shumë nga të cilat krejtësisht të panjohura dhe jo vetëm me ekipin e futbollit. Disa nga këto histori, për kohën në të cilën ndodhën, ishin vërtet të karakterit tragjikomik, por përshkrimi me realizëm nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë, tejet të pastër shqipe, vërtet për t’u marrë shembull, që i bën doktor Manush Thanasi, jo vetëm kanë vlera, por të japin vërtet kënaqësi, edhe pse ai ato tej modestisë i quan “Rrëfenja”. Lidhur me sa përmenda më sipër, do veçoja kapituj të tillë tejet interesantë, si: “Kur na pa Stokholmi”, “Linfild Tirona”, “Pa këpucë, por dinjitozë”, “Flamurtari”, “80 minuta të paharruara” etj, në të cilat autori si dëshmitar okular me pak penelata, por thjesht e bukur, përshkruan episode që të lënë mbresa. Dhe njëherësh me këto ngjarje, ose më saktë, do të ishte mirë të thoshim histori të vërteta, lexuesi njihet me një realitet siç thamë tragjikomik, që shumë nga ne gjatë kohës së monizmit e kemi përjetuar, kush më shumë e kush më pak faktikisht në situata të ndryshme, por që në fund të fundit, konvergonin në të njëjtën pikë përjetimi. Ndërkohë, në faqet e këtij libri tejet interesant, kështu do ta etiketoja pa nguruar, autori ka përshkruar edhe pjesë nga veprimtaria e tij personale si mjek specialist, kontaktet me njerëz të ndryshëm që jetonin e punonin në një realitet tjetër krejtësisht të panjohur, të cilin doktor Manushi na e sjell me shumë vërtetësi në faqet e librit, “Zebrat e Tironës”, në episodin “Lutfiu, mbreti i Tironës” etj. Gjithashtu, me shumë interes lexohen edhe kapitujt ku doktor Manushi trajton probleme të jetës së tij personale, përplasjet me vështirësitë e barrierat e një kohe të mbrapshtë. Ndërkohë në faqet e “Zemrat e Tironës”, lexuesit do të kenë mundësi të njihen me personalitete të jetës intelektuale e sportive, si Prof. Dr. Shyqyri Rreli, Prof. Myslym Alla, personaliteti i njohur, përkthyesi Jusuf Vrioni, Prof. Enver Shehu, Ali Mema etj, e shumë e shumë futbollistë të famshëm të Tironës, paharruar kolegët e tij, si masazhatorët Rrok Kola e Bujar Alla, si dhe shoferin e paharruar të autobusit të skuadrës bardheblu, Fiqiri Xhabafti. Përfundimisht, për të mos u zgjatur më shumë lidhur me përmbajtjen e librit, theksoj se bëhet fjalë për një libër interesant e me shumë vlera, që i shtohet bibliotekës së letërsisë sportive. Dhe për këtë padyshim duhet përgëzuar autori dr. Manush Thanasi.
Mjeku Manush Thanasi, duke qenë dëshmitar i arritjeve dhe i gjithçkaje ndodhte në radhët sportistëve bardheblu, në këtë libër ka pasqyruar me realizëm ngjarje e situata nga më interesantet, shumë nga të cilat krejtësisht të panjohura dhe jo vetëm me ekipin e futbollit


Sigal