Sigal

5 pikë në 6 ndeshje është nisja më e keqe e Tiranës në kampionat që nga koha kur fitorja vlerësohet me 3 pikë. Nisja e sezonit ishte jashtë parashikimeve, ndërsa derbi një ndeshje që nuk luhet, por fitohet. Tirana as e luajti dhe as e fitoi. A është ky një moment jo, apo një gjendje që mund të vazhdojë? Lajmet që vijnë nga kampi bardheblu thonë se trajneri Ze Maria mund t’i ketë minutat të numëruara.

Nuk flitet vetëm për derbin dhe humbjen në të. Mes presidentit dhe trajnerit brazialian, pas 14 mujash bashkëjetesë, nuk ka më “feeling”. Në Kategorinë e Parë u desh një sforcim i madh për të siguruar më pas ngjitjen në Superiore pas asaj humbjeje me Bylisin, tronditëse për atë lloj niveli. Disa lojtarë të afruar në janar dështuan, të tjerë të rinj që nuk u promovuan. Stili i lojës që aplikon braziliani duket se nuk përshtatet me karakteristikat e disa lojtarëve, pa harruar edhe përplasjet me lojtarët kryesorë, siç ishte rasti i Karabecit. Mund të ketë alibi dhe justifikime për çdo problematikë të sipërpërmendur, por të gjitha bashkë kanë ndikuar në një klime aspak pozitive.

Ze Maria dhe projekti i tij mund të jenë në orët e fundit, pyetja në këtë moment është se kush mund të jetë zëvendësuesi i brazilianit. Ze Maria mbërriti në kryeqytet edhe për “show”, sepse Tiranës i duhej një emër i madh për të bindur opinionin, se po, ne paratë i kemi. Habit më shumë fakti që në përfundim të sezonit të kaluar presidenti Halili vendosi të vijonte bashkëpunimin, kur e dinte se nuk ishte njeriu i duhur.