Zbulohen arbitrat që do të drejtojnë skuadrat shqiptare në Europë

Ekipet shqiptare kanë mësuar emrat e gjyqtarëve që do t’i drejtojnë në ndeshjet e kthimit të turit të dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve dhe asaj të Europës. I pari zbret në fushë Kukësi, të mërkurën, në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Sherif, e cila do të drejtohet nga 32-vjeçari nga Bosnjë-Hercegovina, Irfan Peljto.

Peljto nuk mund të cilësohet një gjyqtar me shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare, ku ka filluar të arbitrojë vetëm në sezonin 2014-2015, fillimisht në përfaqësueset e moshave. Që nga ai vit, ndeshjet e tij ndërkombëtare janë 3 në kualifikueset e Ligës së Europës, 2 në UEFA Youth League, 3 në kualifikueset europiane të përfaqësueseve U-21 dhe 6 në ato të U-17. Ai ishte pjesëmarrës në raundin e parë eliminator të Ligës së Europës së këtij sezoni duke drejtuar ndeshjen SJK Seinajoki-KR Reikjavík 0-2.

Kukësi- Sherif
Gjyqtar: Irfan Peljto (Bosnjë-Hercegovinë)
Asistentë: Davor Beljo, Amer Maciç
Gjyqtar i katërt: Haris Kaljanac
Delegat i UEFA-s: Jaroslav Dudl (Republika Çeke)
Vëzhgues gjyqtarësh: Kristin Jakobson (Islandë)

Danezi Jens Mae do të drejtojë të enjten në Korçë sfidën mes Skënderbeut dhe Kairat Almati. 35-vjeçari ka stemën e FIFA-s që nga viti 2014, por ka drejtuar më shumë në ndeshjet e përfaqësueseve të moshave sesa në kompeticionet europiane. Në këtë sezon, ai ka qenë protagonist në një tjetër ndeshje shqiptare në Ligën e Europës, pasi drejtoi takimin e kthimit mes Prishtinës dhe Norrkoping në Mitrovicë, të vlefshëm për turin e parë të turneut.

Skënderbeu-Kairat Almati
Gjyqtar: Jens Mae (Danimarkë)
Asistentë: Henrik Larsen, Elvis Boric
Gjyqtar i katërt: Jorgen Daugbjerg Burshardt
Delegat i UEFA-s: Patrik Uatebled (Francë)
Vëzhgues gjyqtarësh: Tomasz Mikulski (Poloni)

Shkëndijën e Tetovës në transfertën në Helsinki do ta drejtojë një emër i njohur për kuqezinjtë. Islandezi Gunar Jarl Jonson i ka drejtuar edhe një vit më parë tetovarët në Europë, në fitoren 2-1 në transfertë përballë polakëve të Krakovës. 34-vjeçari, në këtë sezon ka drejtuar edhe ndeshjen e turit të parë të Ligës së Europës, mes Kork Siti dhe Levadia të përfunduar me rezultatin 4-2 për skuadrën vendase.

HJK Helsinki-Shkëndija Tetovë
Gjyqtar: Gunar Jarl Jonson (Islandë)
Asistentë: Birkir Sigurdarson, Andri Vigfuson
Gjyqtar i katërt: Ivar Orri Kristjanson
Delegat i UEFA-s: Ronit Glasman (Izrael)
Vëzhgues gjyqtarësh: Vencel Toth (Hungari)