Zbardhet propozimi i FSHF-së për Bashkinë e Shkodrës për menaxhimin e stadiumit “Loro Boriçi”

542
Sigal

Federata
Shqiptare e Futbollit ka bërë zyrtare kërkesën e saj në adresë të Bashkisë
Shkodër për menaxhimin e stadiumit “Loro Boriçi”. FSHF-ja në projekt-propozimin
e firmosur nga presidenti Armand Duka kërkon që të ketë nën administrim të
plotë stadiumin e Shkodrës për të përdorur të gjitha mjediset.

Propozimi



Institucioni i futbollit në vend ka kërkuar që të administrojë impiantin, duke
marrë përsipër të gjitha shpenzimet. “FSHF është e gatshme të marrë përsipër
menaxhimin e stadiumit ‘Loro Boriçi’”, thuhet në propozimin e Federatës. Në
nenin 5 të kësaj projektkontrate janë të përcaktuara se si do të ndahen të
ardhurat. Për ndeshjet e Vllaznisë FSHF-ja kërkon 60% të të ardhurave, duke
përllogaritur edhe ndeshjet ndërkombëtare.

Kjo është paradoksale duke qenë se
Bashkia Shkodër është pronare e stadiumit, si dhe është më se normale që të
ketë më shumë të ardhura nga ndeshjet ndërkombëtare ku përfitimet janë disa
herë më të shumta sesa ndeshjet e kampionatit shqiptar. Për sa u përket
takimeve të ekipeve kombëtare në këtë impiant, FSHF-ja kërkon që të ketë 100%
të të ardhurave.

Në nenin 2 thuhet: “Objekt i kësaj
kontrate është dhënia nga bashkia në menaxhim të plotë të stadiumit ‘Loro
Boriçi’ FSHF-së për organizimin e ndeshjeve kombëtare e ndërkombëtare,
aktiviteteve sportive, sociale e kulturore përmes shfrytëzimit të kapaciteteve
infrastrukturore, bazës materiale dhe burimet njerëzore të disponueshme”.

Kjo është një kërkesë e çuditshme,
sepse e përkthyer ndryshe do të thotë që FSHF-ja kërkon çdo ambient të
brendshëm dhe të jashtëm së bashku me palestrat e klubit shumësportësh në të
cilat janë rreth 8 ekipe të ndryshme që janë stërvitur aty. Në rast se FSHF-ja
merr menaxhimin e stadiumit, atëherë palestrat që ende s’janë gati mund t’u
lëshohen me qira ekipeve të shumësportëshit, çka do të krijonte një problem,
sepse dihet se këto skuadra nuk kanë para për aktivitete e paga sportistësh e
jo më për qira.

Kontrata mes FSHF-së dhe bashkisë
kërkohet që të lidhet për një periudhë kohore 10- vjeçare. Kjo marrëveshje,
sipas nenit 8 të propozuar, në rast se zgjidhet pa mirëkuptim përpara afatit,
atëherë kompetente për zgjidhjen mes palëve është Gjykata e Rrethit Gjyqësor në
Tiranë. Sërish një paradoks, duke qenë se kontrata lidhet mes FSHF-së e
Bashkisë në Shkodër dhe stadiumi është i këtij qyteti. Janë disa pika këto që
nëse Bashkia Shkodër i pranon, nuk janë aspak në favorin e saj.

Dokumenti



Dy ditë më parë, më 4 nëntor, Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur edhe me
shkrim propozimin për institucionin vendor në Shkodër. Gazeta “Panorama Sport”
ka zbardhur të gjithë dokumentacionin:

“E nderuar zonja Ademi!

Bashkëlidhur ju përcjellim një
projekt-marrëveshje për menaxhimin e stadiumit ‘Loro Boriçi’ në Shkodër. Siç
jeni në dijeni, ky impiant sportiv është rikonstruktuar në parametra të
Kategorisë 4 sipas kërkesave të FIFA-s për ndeshjet ndërkombëtare të futbollit.
FSHF është e gatshme të marrë përsipër menaxhimin e këtij stadiumi duke pasur
të gjithë kapacitetet teknike dhe burimet njerë- zore për administrimin sa më
të mirë të tij.

FSHF garanton se do të mbulojë
pagimin e shpenzimeve për lidhjen e energjisë elektrike, si dhe të gjitha
shpenzimet e nevojshme të mirëmbajtjes gjatë periudhës së propozuar. Kjo është
e arsyeshme duke parë eksperiencën pozitive të FSHF-së në administrimin e
stadiumit ‘Elbasan Arena’, si dhe mundësitë faktike për mirëmbajtjen e
strukturave sportive sipas standardeve të kërkuara nga FIFA e UEFA. Kuptohet se
drafti bashkëlidhur është një propozim fillestar për të cilin mbetemi të hapur
të negociojmë detaje që mund të rrisin interesin e përbashkët.

Neni 2



Objekt i kësaj kontrate është dhënia nga bashkia në menaxhim të plotë të
stadiumit ‘Loro Boriçi’, FSHF-së për organizimin e ndeshjeve kombëtare e
ndërkombëtare, aktiviteteve sportive, sociale e kulturore përmes shfrytëzimit
të kapaciteteve infrastrukturore, bazës materiale dhe burimet njerëzore të
disponueshme.

Neni 3



Kjo kontratë lidhet për një periudhë kohore 10-vjeçare dhe hyn në fuqi në datën
e nënshkrimit.

Neni 5



Të ardhurat nga ndeshjet kombëtare apo ndërkombëtare të ekipeve kombëtare,
meshkuj e femra bashkë me moshat përfitohen 100% nga stadiumi, pra nga FSHF.

Të ardhurat nga ndeshjet kombëtare
dhe ndërkombëtare të K.F Vllaznia do të ndahen 60% në favor të stadiumit, pra
FSHF-së dhe 40% ekipit Vllaznia, pra bashkisë Shkodër.

Të ardhurat nga ekipet e tjera,
sërish 60% për FSHF dhe 40% për bashkinë.

Nëse të ardhurat nga aktivitetet
nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet, ato do t’i mbulohen bashkisë
plotësisht nga FSHF.

Neni 8



Çdo mosmarrëveshje e lindur mes palëve në lidhje me zbatimin e kushteve të
kësaj kontrate do të paraqitet nga diskutimet për zgjidhjen e mirëkuptim të
tyre, në të kundërt kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve do të jetë
Gjykata Rrethit Gjyqësor Tiranë”, janë disa nga pikat thelbësore të
marrëveshjes së ofruar nga FSHF-ja.

FSHF “kopjon” “Elbasan Arena”-n



Në Shqipëri ekzistojnë dy impiante me parametrat më të mirë për të zhvilluar
ndeshje ndërkombëtare. Pas marrëveshjes me Bashkinë e Elbasanit, FSHF-ja është
tashmë në komunikim intensiv me drejtuesit vendorë në Shkodër për “Loro
Boriçin”. Për këtë impiant, Federata Shqiptare e Futbollit ka propozuar të
njëjtën kontratë si për stadiumin në Elbasan.

Kjo pasi institucioni i futbollit
një pjesë të madhe të shërbimeve për ndeshjet ndërkombëtare i menaxhon me
shërbime nga kompani të ndryshme, duke shmangur praninë e punonjësve të
përhershëm për çdo shërbim.

Problemi i parkimit, zgjidhja është gati prej… 14 vitesh



Parkimi është problematika më e madhe që është hasur në rikonstruksionin dhe
ndërtimin e pjesshëm të stadiumit “Loro Boriçi”. Çuditërisht, kjo çështje ka
qenë e zgjidhur që para 14 vitesh. Në atë kohë, Bashkia Shkodër nën drejtimin e
ish-kryetarit Ormir Rusi ka bërë një studim plani për parkimin për këtë
impiant.

Në atë kohë është projektuar që
ndërtesa të ishte me katër kate dhe të pranonte një numër të konsiderueshëm
mjetesh motorike, duke mos qenë më problem siç vazhdon ende të diskutohet duke
u kthyer edhe në një debat politik mes kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiakes
së Shkodrës, Voltana Ademi.

Zgjidhja

Projekti i vitit 2002 me parkimin
në ndërtesën me 4 kate është miratuar edhe nga kryeministri i atëhershëm, Fatos
Nano. Që nga ajo kohë dhe deri më sot, ky projekt ka mbetur në letër, duke mos
arritur që të zbatohet. Parkimi me kate pranë stadiumit mund të zgjidhte shumë
probleme që janë aktualisht, jo vetëm duke rritur numrin e parkimeve, por edhe
duke mos rrezikuar prishjen e asnjë objekti siç ka kërkuar publikisht kreu i
qeverisë.

Nga ana tjetër, do të shmangte edhe
debatin politik në të dyja kampet. Ky projekt i para 14 viteve, nga burime
pranë bashkisë, mësohet se vijon që të jetë në fuqi, sepse ende nuk është bërë
ndonjë plan tjetër vendor për ta hedhur poshtë. Aktualisht, Bashkia Shkodër
është duke e përpiluar planin vendor dhe projekte të tilla që nuk janë zbatuar
ndër vite, natyrisht që nuk kanë më asnjë fuqi.

Aktualisht në atë vend ku ishte
projektuar ky parkim në ndërtesën me 4 kate, sot trualli është një pronë që i
është kthyer myftinisë së Shkodrës dhe shumë shpejt pritet që aty të ndërtohet
një qendër komerciale në bazë të një marrëveshjeje. Që në vitin 2002 dhe deri
më tani, aty shesin tregtarë të ndryshëm fruta-perime dhe pritet që të largohen
sepse mund të nisin punimet.

Projekti i para 14 viteve është një
shembull sesi mund të ishte zgjidhur çështja e parkimit për stadiumin “Loro
Boriçi” pa bërë kaq shumë zhurmë dhe debate./BW/