Ylli Tomorri: Jemi të hapur për çdo rezultat në Shijak, por ne do të luajmë për fitore

616
Nga Agron KAJA
VOLEJBOLL MESHKUJ/ Sot luhet finalja e dytë e Play-off-it, flet për “Telegraf” trajneri i Partizanit, kërkon përmbysjen e rezultatit në finalen e parë
Ndalesa që i bëri Erzeni skuadrës së Partizanit në finalen e parë, ishte e pritshme për ju si trajner i të kuqve?
Për ne çdo rezultat është i pritshëm në fushën e lojës, sidomos me rivalë si Erzeni. Për të qenë i sinqertë me ju, nuk e prisnim atë humbje të 16 prillit. Unë nuk jam i pakënaqur me lojën e Partizanit, por volejbolli fitohet me sete, se me pikë ne ishim superiorë 105-103. 

Cila është përgatitja që ju keni bërë me Partizanin, që sot në Shijak të arrini synimin e vënë, fitoren?
Synimi ynë është për ta fituar këtë ndeshje të dytë finale, dhe do të thosha se përgatitjet tona nuk kanë ndonjë hapësirë në tregues teknikë apo fizikë. Ne më shumë jemi përqendruar në anën psikologjike, sepse koha është shumë e shkurtër. 

Pse, si është psikologjia e skuadrës suaj pas humbjes së finales së parë me Erzenin këtu në Tiranë?
Sport është edhe volejbolli, dhe i pranon të gjitha rezultatet, edhe pse humbja jonë me Erzenin nuk ishte menduar. Ka qenë një ndeshje e fortë, e bukur, por që nuk i shpëtoi edhe rasteve të nervozizmit, njëherësh edhe të një qëndrimi jo korrekt të tifozerisë që e ndoqi atë takim.

Çfarë përfundimesh keni arritur ju si trajner për humbjen e finales së parë me Erzenin?
Vetë kjo ndeshje prodhoi më shumë tension mes seteve, nga sa pritej. Lëshimi në lojë për shkak të nervozizmit të panevojshëm, nuk i dha skuadrës mundësinë që të shfaqej në potencialet e saj. Në këtë ndeshje nuk u argëtuam, por më shumë u nervozuam.

Kjo ka qenë arsyeja që gjatë zhvillimit të finales së parë, edhe në shkallët e sallës sportive “Farie Hoti” kishte tension?
Ndoshta po, sepse rivaliteti sikur imponoi një situatë, të cilën ne si Partizan nuk e kishim në agjendën tonë për gjatë ndeshjes. E përmenda më sipër, ky rivalitet që krijoi tension në fushë, u shoqërua edhe me qëndrimin jo korrekt të tifozerisë.

Pas kësaj finaleje, FSHV-ja ka dalë me një komunikatë, do të ndikojë kjo te skuadra juaj?
Federata ka të drejtën e saj të reagojë për çdo lloj situate, me qëllim që rastet sikundër më 16 prill, të eliminohen. Por, Federata duhet të ishte atje në sallë, ku kishte burra, gra e fëmijë që e ndoqën atë takim, dhe ata duhej të respektoheshin me praninë zyrtare të tyre gjatë ndeshjes.

Nesër (sot) do të luani takimin e dytë final, çfarë do të ndryshojë Partizani për ta kaluar me sukses?
Duke qenë një finale, e cila ka specifikë ndryshe nga ndeshjet e radhës, preferoj ta mbaj sekret. Kështu i bëj shërbimin më të mirë skuadrës sime (Partizanit), dhe nuk i jap hapësirë kundërshtarit për t’u përgatitur mbi to. Do të jetë po ajo skuadër, por lojën e saj do ta shikoni nesër (sot) në fushë.

E mendoni Partizanin fitues pasi të keni luajtur të gjitha finalet me Erzenin?
Sigurisht që po, sepse ne këtë synim kemi, dhe për atë po punojmë. Në Shijak ne do të bëjmë lojën tonë më të mirë, dhe nëpërmjet saj, do të arrijmë rezultatin pozitiv. Po jua ritheksoj, se ne jemi të hapur për çdo rezultat, sepse sport është dhe fusha mbetet e paparashikueshme.
Në Shijak ne do të bëjmë lojën tonë më të mirë, dhe nëpërmjet saj, do të arrijmë rezultatin pozitiv. Synimi ynë është për ta fituar këtë ndeshje të dytë finale, dhe do të thosha se përgatitjet tona nuk kanë lënë ndonjë hapësirë në tregues teknikë apo fizikë 
FINALET E PLAY-OFF
Ndeshja e parë
Datë 16 prill 2018 
Partizani-Erzeni 2-3
(25-19, 22-25, 25-17, 
18-25, 15-17)
Sot, finalja e dytë
E enjte 19 prill 2018 
Erzeni-Partizani 19:00
(Pallati sportit “Dhimitraq Goga”)
Datë 22 prill 2018 
Partizani-Erzeni 19:00
(Salla sportive “Feti Borova”)
Datë 25 prill 2018 
Erzeni-Partizani 19:00 
(Pallati sportit “Dhimitraq Goga”)
Datë 28 prill 2018 
Partizani-Erzeni 19:00
(Salla sportive “Feti Borova”)
Sigal