Ylli Shehu: “Tani kampionati do të jetë tepër i nxehtë”

500
Sigal

Ish-sulmuesi i Partizanit flet për “Telegraf”: “Skënderbeu, pa rivalë. Tirana doli nga kriza”

Ylli Shehu, ish-lojtar i njohur i Partizanit dhe i Kombëtares, trajneri i disa skuadrave në vendin tonë tha për “Telegraf” se, faza e tretë e Kategorisë Superiore do të jetë shumë e nxehtë, si për skuadrat që do të luftojnë për një vend në Europë, ashtu dhe ato që do të luftojnë për të mos dalë nga Kategoria. Shehu dha edhe një mendim për dy çiftet gjysmëfinaliste në Kupën e Shqipërisë, Kukësi-Teuta dhe Flamurtari-Skënderbeu.

 – Shehu, të mërkurën (sot) nis faza e tretë dhe përfundimtare e këtij edicioni. Dy fazat a para prodhuan një ngjeshje të pazakontë të skuadrave. Si e parashikoni fazën e tretë?

– Pres një fazë të tretë shumë të vështirë dhe tepër të nxehtë, pasi dhe diferencat në pikë midis skuadrave që luftojnë për të mos rënë nga kategoria dhe atyre që do të luftojnë për një vend në Europë është e vogël. Nuk mund të shmanget edhe ndonjë problem në fushat e ekipeve që luftojnë për të mos rënë.

– Skënderbeu ka krijuar një avantazh prej +11 pikësh ndaj vendit të dytë. A e ka të sigurt titullin?

– Mund të them se vetëm Skënderbeu mund të ndihet komod në kampionat, kjo dhe për shkak se ka ditur të përfitojë dhe nga kombinimet e rezultateve të skuadrave të tjera. Me paraqitjet që po bën dhe me ndeshjet e mbetura thuajse nuk mund t’i afrohen ekipet e tjera, pavarësisht pikëve që janë në lojë. Vështirë ta thyejnë.

– Në luftë për vendin e dytë janë disa skuadra, midis tyre dhe Partizani, ish-skuadra juaj gjatë karrierës si futbollist, por dhe si drejtues. Sa mundësi kanë të kuqtë ta kapin atë vend?

– Partizani lufton për vendin e dytë dhe i ka të gjitha mundësitë. Nuk humbasin që nga ndeshja me Tiranën dhe besoj se i kanë të gjitha shanset ta fitojnë takimin e radhës, atë me Bylisin, kjo dhe për faktin se luhet në “Qemal Stafa”.

– Tirana nuk ka humbur asnjë ndeshje gjatë vitit 2014, ndërkohë ë ka dalë nga katërshja e vendeve të fundit. A mund të shpëtojnë bardheblutë?

– Tirana na ka habitur të gjithëve, pasi është një tjetër skuadër nga ajo e vitit të kaluar, ku dhe e mbylli kampionatin në vendin e fundit. Për mendimin tim, Tirana duket sikur shpëtoi, madje i shoh në luftë edhe për një vend në Europë, pasi për momentin vetëm tetë pikë e ndajnë nga vendi i dytë. Tirana ka nga një ndeshje direkte me çdo ekip të kreut, kështu që në rast se ia del, nuk është çudi që të jetë midis vendeve të para.

– Derbi Partizani-Tirana do të jetë në javën e tretë të kësaj faze. Në dy të para, secila nga skuadrat ka fituar nga një. Si e parashikoni?

– Shumë të fortë. Derbi i fundit ishte shumë interesant dhe do të ketë rivalitet, pasi vjen vetëm pas pak javësh. Kështu që, Partizani do të luftojë fort të marrë revanshin.

– Teuta-Kukësi dhe Skënderbeu-Flamurtari janë dy çiftet në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Cili është mendimi juaj?

– Së pari, dua të theksoj se cilado të ishin kombinimet e çifteve, ato do të ishin interesante dhe intriguese, pasi secila prej skuadrave e ka merituar të jetë midis katër më të mirave të kompeticionit. Sigurisht që, pres ndeshje të luftuara. Ekipet kanë kualitete.

– Çfarë do të veçonit nga skuadrat?

– Nëse Skënderbeu, duket i sigurt për titullin, dhe Kukësi me Teutën vazhdojnë të jenë në luftë për një vend në Europë, Flamurtari duket se ka pak mundësi ta arrijë përmes kampionatit, kështu që mendoj se, vlonjatët do të luftojnë fort për t’u kualifikuar dhe arritur finalen.

– Kukësi dhe Teuta janë dy rivalë të fortë gjatë këtij sezoni…

– Të dyja skuadrat kanë bërë një kampionat të mirë dhe kanë qenë në ndjekje të njëra tjetrës hap pas hapi. Nuk janë ekipe lehtësisht të kalueshme. Kanë pretendimet e tyre për një vend në Europë. Ky çift do të jetë shumë i vështirë për ta parashikuar.

Trajneri i Partizanit: “Ndaj Bylisit, t’u japim fund serisë së barazimeve”

 Marcio Sampaio: “Ka ardhur momenti të fitojmë”

 Pas tre barazimeve radhazi me Vllazninë (1-1), Skënderbeun (0-0) dhe Teutën (1-1), trajneri i Partizanit, portugezi Marcio Sampaio mendon se ndaj Bylisit në “Qemal Stafa” ka ardhur momenti për të koleksionuar tri pikët. “Respektoj të gjitha skuadrat jo vetëm nga emri, por edhe për atë çka po dhurojnë në këtë kampionat dhe nuk duhet ta mendoj që të mërkurën do të jetë një ndeshje e lehtë”, – tha pasuesi i Hasan Likës.

I LUMTUR

“Këto ditë kam qenë i lumtur sepse kam marrë përgjigjet e duhura nga futbollistët e mi gjatë seancave stërvitore. Kemi folur me njëri-tjetrin për të zgjidhur problemet e skuadrës. Unë nuk i kam kritikuar lojtarët për një pasim të gabuar apo diçka tjetër të ngjashme, por për sjelljen në fushë në kompleks. Mund t’ju them se futbollistët që nuk dhanë atë që unë kërkoja në fushë erdhën vetë tek unë duke marrë përgjegjësitë. Prandaj nuk kam pse të drejtoj gishtin për të treguar se kush gaboi.”

I DËNUAR

Ndaj Bylisit Partizanit është i dënuar të fitojë, përndryshe do të komplikonte më shumë objektivat sezonalë. Formacioni ballshiot u ka hapur probleme të kuqve në takimin e parë të Qemal Stafës, ndërsa në Adush Muca në fazën e dytë ka marrë pikë të plota, arsye këto që për Sampaion mjaftojnë për të patur respekt maksimal për këtë kundërshtar. “Në këtë sezon nuk kemi fituar asnjëherë ndaj Bylis dhe kjo gjë na motivon për të dhënë më të mirën në fushë”, – shtoi Sampaio.

KAMPIONATI

“Nuk kam frikë në një rezultat surprizë me Bylisin, edhe pse mund të them se kam shumë respekt për këtë skuadër si për çdo ekip tjetër. Ky kampionat është shumë i fortë, sepse diferenca e skuadrave të kreut me ato që bien nga kategoria është e vogël. Objektivi ynë në këtë ndeshje është vetëm fitorja”. Sa i përket ecurisë së skuadrës gjatë 2014, Sampaio kujtoi se me të njëjtët kundërshtare,  në fundit të fazës së parë Partizani kishte marrë rezultate më të këqija, tregues ky mjaft domethënës për rritjen e formacionit të kuq.

SOLIDARITET

Solidarizohem me tifozët tanë të cilët në Durrës kaluan jo pak peripeci madje njëri prej tyre përfundoi në spital në gjendje të rëndë. Pak ditë më parë isha duke ecur në rrugë dhe i ati i tij me tregoi për ngjarjen. Më vjen shumë keq për të dhe do të bëj gjithçka për ta ndihmuar. Shpresoj që të tilla episode të mos ndodhin më. Ata mbeten një faktor i rëndësishëm për ne për vetë mbështetjen që na dhurojnë përgjatë gjithë takimeve si brenda edhe jashtë fushe”, përfundoi Marcio Sampaio.

Faza e tretë nis me sfida të rëndësishme

Java e 23-të e Kategorisë Superiore nis sot me katër ndeshje, pasi dy të tjerat zhvillohen nesër. Takimet parashikohen të jenë spektakolare po aq sa i tërë ky sezon. Padyshim që vëmendja do të jetë në tre qytete, Kukës, Durrës dhe Kavajë. Në verilindje vendasit do të presin Vllazninë që në fillim të kampionatit shkaktoi surprizën duke triumfuar në “Zeqir Ymeri”. Por në këto momente situata tek shkodranët nuk është nga më të mirat, pasi rënia në zonën e ftohtë të klasifikimit është shoqëruar edhe me largimin e trajnerit Agim Canaj. Në “Niko Dovana” Teuta pret 24 herë kampionët, një fitore e të cilëve do t’i afronte me “djemtë e detit” për t’i vendosur zyrtarisht në garën për zonën europiane. Në Kavajë Besa pret Flamurtarin, në një sfidë direkte për mbijetesën, edhe pse skuadrat janë shumë pranë zonës Europiane, vetëm 4 pikë larg Laçit të vendit të tretë. Pikërisht kurbinasit kanë një sfidë të lehtë në letër, pasi presin në shtëpi Lushnjen, dhe përpara publikut bardhezinjtë vështirë se gabojnë. I lehtë duket misioni këtë javë edhe për Skënderbeun që pret Kastriotin e vendit të fundit, edhe pse sfida e luajtur midis tyre pak javë më parë tregoi se diferencat në fushë nuk janë të mëdha. Pas barazimit në transfertë javën e kaluar, Partizani pret në shtëpi Bylisin, që vuan nga mungesat e shumta.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XXIII

 Sot, 12 mars

Skënderbeu-Kastrioti 15:00

Laçi-Lushnja 15:00

Kukësi-Vllaznia 15:00

Partizani-Bylis 18:00

Nesër, 13 mars

Besa-Flamurtari 15:00

Teuta-Tirana 18:00

RENDITJA E PËRGJITHSHME

 1 Skënderbeu 45

2 Laçi           34

3 Partizani    33

4 Kukësi             33

5 Teuta         31

6 Flamurtari        30

7 Besa          30

8 Tirana       26

9 Vllaznia    25

10 Bylis       24

11 Lushnja   23

12 Kastrioti 22