Ylli Shehu: Sot me Maqedoninë, mundësitë janë mes barazimit dhe fitores

585
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares, mendon rezultat pozitiv në Strumicë, e shpërfill nacionalizmin vendas
Në fitoren 2-0 me Litehshteinin, çfarë ndryshimi mendoni se tregoi Kombëtarja jonë, në raport me ndeshjet kur drejtohej nga De Biazi?
Si ndeshja e parë që ishte, nuk mund të thuhet se kishte ndryshime, pasi kishim përballë një kundërshtar shumë të lehtë, ku fitorja ishte e sigurt. Aktivizimi i dy lojtarëve të rinj, Grezda dhe Llullaku, nuk mund të quhet ndonjë ndryshim, duke pasur parasysh edhe mungesat që kishte në prag të kësaj ndeshjeje.

Si e shikoni përfaqësuesen tonë tri ditë pas kësaj fitoreje, më të kompletuar?
E shoh në normalitetin e saj, por kjo do të varet nga mënyra se si do e konceptojë trajneri Panuçi organizimin e lojtarëve në fushën e lojës. Mbetet për tu parë në ndeshjen e nesërme (sot) me Maqedoninë, pasi është një skuadër me përafërt në vlera me Kombëtaren tonë.

Nga Litehshteini te Maqedonia, çfarë mendoni se do të ndryshojë trajneri Panuçi për sfidën në Strumicë?
Të dyja ndeshjet janë të veçanta në raport me njëra-tjetrën. Nëse me Litehshteinin pranoheshin edhe mungesat apo lëvizjet, sepse kishim të bënim me një skuadër më inferiore, me Maqedoninë është më e vështirë të bëhen lëvizje eksperimentuese. Natyrisht që në Strumicë, Panuçi do të ketë një tjetër modul loje, ndoshta jo me prioritet sulmin, por një vendosje në fushën e lojës, e cila duhet që ti sigurojë qoftë edhe një pikë.

Çfarë ndryshimi do të sugjeronit ju Shehu, në taktikë apo në ritëm të lartë loje?
Unë e shoh ndryshe vazhdimësinë e skuadrës sonë Kombëtare në këto kualifikuese të “Botërori 2018”. Sepse mundësitë e një kualifikimi janë shumë larg, ndaj Panuçi e ka kohën e mjaftueshme për të ideuar skuadrën e edicionit të Evropianit 2010. Aty do të shikohet menaxhimi i ndryshimeve që do të pasoja skuadra.

E mendoni ndeshjen me Maqedoninë si një sfidë ku diferencën do ta bëjnë dy sulmuesit: Pandev dhe Sadiku?
Nuk i dihet se me çfarë moduli do të luajnë dy skuadrat, por që duhen veçuar të dy sulmuesit, kjo është normale, sepse si Pandev i Maqedonisë, ashtu edhe Sadiku për skuadrën tonë, kanë aftësi që të nxjerrin golin në këtë ndeshje. Për skuadrën tonë, mendoj se diferencën në këtë ndeshje duhet ta bëjë i gjithë grupi, sepse vetë kështu do të arrijmë një rezultat të pranueshëm.

Po ambienti i nacionalizmit maqedonas, mendoni se do të ketë ndikim në lojën e skuadrës sonë?
Tifozët maqedonas janë të njohur, dhe në këtë këndvështrim, nuk ka pse të ketë ndikim te loja e skuadrës sonë. Kjo edhe për faktin, se siguria do të jetë maksimale. Le të kujtojmë se, Kombëtarja jonë ka luajtur nën efektet e nacionalizmit albanofob edhe në Serbi, në Malin e Zi e Kroaci, shtete këto që e kanë të zhvilluar këtë fenomene në radhët e tifozerive të tyre.

E kështu që, ju mendoni se nuk do të ishte e nevojshme edhe një përgatitje psikologjike e skuadrës për këtë përballje me Maqedoninë?
Në psikologjinë e lojtarit ndikojnë shumë faktorë, por për ndeshjen me Maqedoninë, psikologjia është e qartë, si tek lojtarët, ashtu edhe për stafin. Ndaj nuk mendoj se duhet bërë ndonjë psikologji ekstra për këtë sfidë, mjafton që fusha të bëjë diferencën me kundërshtarin.

Po prania e paktë e tifozëve shqiptarë në stadiumin e Strumicës (rreth 450), do të jetë moment në disfavor të skuadrës sonë?
Unë e mendoj ndryshe këtë aspekt. Duke mos qenë një ndeshje e madhe, edhe interesi nga tifozeritë nuk do të jetë në atë masë sa kemi pasur në ndeshjet e tjera, si me Spanjën. Ndaj nuk do të jetë fakto tifozeria, gjithçka mendoj se do të prodhohet në fushën e lojës, e këtu skuadra jonë ka më shumë mundësi për një rezultat pozitiv.

Kompanitë e basteve i japin pak prioritet fitores së Kombëtares sonë, ju çfarë rezultati mendoni ndaj Maqedonisë?
Së pari, unë nuk i referohem asnjëherë basteve në gjykimin tim për ndeshjet, ato kanë punën e tyre. Por, mendoj se do të arrihet një rezultat pozitiv midis fitores e barazimit, sepse gjithmonë, afrimi i një trajneri të ri e rrit më shumë mobilizimin e lojtarëve, të cilët duan që të evidentojnë vlerat më të mira të tyre para tij.

Dhe nëse arrihet ky rezultat që thoni ju, ku e mendoni skuadrën tonë në përfundimin e këtyre ndeshjeve kualifikuese për “Botërori 2018”?
Në varësi të rezultatit në ndeshjen me Maqedoninë, e kemi më të afërt vendin e tretë. Kam lexuar këto ditë që mendojnë se do të kapim vendin e dytë para Italisë, kjo në asnjë situatë nuk mund të arrihet.
Nëse me Litehshteinin pranoheshin edhe mungesat apo lëvizjet, sepse kishim të bënim me një skuadër më inferiore, me Maqedoninë është më e vështirë të bëhen lëvizje eksperimentuese. Natyrisht që në Strumicë, Panuçi do të ketë një tjetër modul loje, ndoshta, jo me prioritet sulmin, por një vendosje që t’i sigurojë qoftë edhe një pikë
Bilanci me Maqedoninë
Nd 9, F 2, B 3, H 4, G 6:11

Kupa e Botës “Rusi 2018” 
Grupi G
Ndeshjet e Shqipërisë
Shqipëri-Maqedoni 2-1
Litehshtein-Shqipëri 0-2
Shqipëri-Spanjë 0-2
Shqipëri-Izrael 0-3
Itali-Shqipëri 2-0
Izrael-Shqipëri 0-3
Shqipëri-Litehshtein 2-0
RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanjë 6 19
2.Itali 6 16
3.Shqipëri 6 12
4.Izrael 6 9
5.Maqedoni 6 6
6.Litehshtein 6 0
Grupi G/ Do të luhen
Sot, 5 shtator 2017
Maqedoni-Shqipëri 20:45 
Itali-Izrael 20:45
Litehshtein-Spanjë 20:45
Datë 6 tetor 2017
Spanjë-Shqipëri 20:45
Itali-Maqedoni 20:45
Litehshtein-Izrael 20:45 
Datë 9 tetor 2017
Shqipëri-Itali 20:45
Maqedoni-Litehshtein 20:45
Izrael-Spanjë 20:45
Ndeshjet sot/ 5 shtator 2017 
Grupi D
Austri-Gjeorgji 20:45
Irlandë-Serbi 20:45
Moldavi-Uells 20:45
Grupi G
Maqedoni-Shqipëri 20:45
Itali-Izrael 20:45
Litehshtein-Spanjë 20:45
Grupi I 
Islandë-Ukrainë 20:45
Turqi-Kroaci 20:45
Kosovë-Finlandë 20:45
Sigal