Ylli Shehu: “Pres një fazë të dytë shumë të vështirë”

507
Sigal

 Flet ish-sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares: “Ekipet janë të ngjeshura. Më vjen keq për Tiranën”

Ylli Shehu, ish-lojtari i njohur i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare, analizoi për “Telegraf” atë që dhanë skuadrat në fazën e parë të Kategorisë Superiore, si dhe bërë një prognozë për “skenarët” e fazës së dytë. “Faza e parë, me atë që prodhoi gjatë 11 javëve, i mbajti shumë të ngjeshura ekipet nga njëra tjetra, madje nëse do të shikonim diferencat midis katër ekipeve të renditura në vendet e fundit dhe atyre që pretendojnë për një “biletë” për në Europë është shumë e vogël”, – tha Shehu për gazetën. Nuk mund të mungonte në “skanerin” e tij edhe ish –skuadra me të cilën ai është formuar si futbollist dhe i dha mundësinë për të fituar tituj kampion dhe veshur fanellën e Kombëtares. “Në gjykimin tim, Partizani ka nevojë të ndërhyjë në merkato dhe të marrë lojtarë cilësorë, do ta ketë disi të vështirë të kapë një vend në Europë”. Partizani nuk fiton një kampionat nga viti 1993 dhe një Kupë të Shqipërisë nga viti 2004. Skuadra e kuqe numëron 15 kampionate dhe 15 kupa të fituara, duke qenë ekipi i tretë me më shumë trofe pas Tiranës (39) dhe Dinamos (31). Ylli Shehu ka qenë trajneri i disa ekipeve, përfshirë Partizanit, Teutën, Luftëtarin, Tomorin, Kukësin, etj., foli edhe për ecurinë e mirë të ekipit Kombëtar.

– Zoti Shehu, këtë fundjavë nis faza e dytë e Kategorisë Superiore. Duke u ndalur te faza e parë, çfarë u dallua te ajo?

Faza e parë, me atë që prodhoi gjatë 11 javëve, i mbajti shumë të ngjeshura ekipet nga njëra tjetra, madje nëse do të shikonim diferencat midis katër ekipeve të renditura në vendet e fundit dhe atyre që pretendojnë për një “biletë” për në Europë është shumë e vogël. Për të qenë më të qartë, diferenca midis Partizanit e Vllaznisë, që ndajnë së bashku vendet 2-3 me nga 17 pikë secili, me Bylisin e Flamurtarin që ndodhen në vendet 8-9 me nga 14 pikë është vetëm tri pikë.

– Tashmë ekipet e njohin njëri-tjetrin, pasi e kanë konsumuar nga një ndeshje. Si e parashikoni fazën e dytë?

– Mendoj se, faza e dytë do t’i vendosë në vështirësi të gjitha ekipet. Skuadrat janë njohur njëra-tjetrën dhe kjo bën më kompetitiv kampionatin. Gjithsesi, unë jam i bindur se të gjitha ekipet kanë nevojë për merkato. Për, fat të keq nuk kanë mundësi të ndërhyjnë në merkato deri në muajin dhjetor, pasi afati i transferimeve dimërore fillon janarin e vitit të ardhshëm. Kjo e komplikon disi punën. Ndeshjet që do të luhen deri në muajin dhjetor do të jenë shumë vendimtare, për të gjitha ekipet pasi do të ndajnë dy grupet e skuadrave, ato që do të luftojnë për trofe dhe pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës dhe atyre që do të luftojnë për mbijetesë.

– Në përfundim të fazës së parë, parë pamë një Tiranë në krizë rezultatesh dhe në vend të fundit, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e klubit me më shumë trofe në vend. Sipas jush, cilat mund të jenë shkaqet e asaj rënie?

– Në futboll, sidomos në Shqipëri, aspekti financiar luan një rol të madh. Është me të vërtetë e trishtueshme të shohësh një prej ekipeve më të mira në historinë e futbollit shqiptar në atë gjendje. Por, të mos harrojmë se e njëjta gjë u ndodhi para disa vitesh Dinamos e Partizanit, por të kuqtë tashmë janë rikthyer në Kategorinë Superiore ndërkohë që Dinamo vazhdon të vuajë ende në Kategorinë e Parë. Nëse Tirana nuk do të financohet seriozisht dhe Tirana nuk do të bëjë blerje cilësorë në merkaton e janarit, atëherë rreziku për të rënë një kategori më poshtë është potencial.

– Partizani bëri një fazë të parë me luhatje, pavarësisht se ndodhet në vendin e katërt me pikë të barabarta me Vllazninë. A do të mundet ish-skuadra me të cilën ju jeni formuar si futbollist dhe keni fituar tituj kampionë të zërë një vend në Europë?

– Mendoj se, fitorja (3-0) ndaj Teutës ishte shumë e nevojshme për Partizanin, pasi vinte pas tri humbjesh rresht që e rrëzuan disi në renditje. Në gjykimin tim, Partizani ka nevojë të ndërhyjë në merkato dhe të marrë lojtarë cilësorë, do ta ketë disi të vështirë të kapë një vend në Europë.

– Partizani fitoi në transfertën e Krujës në fazën e parë, a mund ta përsërisë suksesin ndaj Kastriotit edhe në kryeqytet?

– Është një ndeshje që i ka brenda të tria rezultatet. Kastrioti vjen në Tiranë me një trajner të ri në bankinë, Kristaq Milen, pas dorëheqjes së Ramadan Ndreut. Partizani nuk ka dëshmuar qëndrueshmëri në ndeshjet në shtëpi, madje ma ke qenë më i suksesshëm në transfertë. Gjithsesi, duke parë edhe momentin e mirë psikologjik, besoj se ekipi ka forcë për të përsëritur suksesin e fazës së parë. Fakti, që tre tri skuadrat e kreut luajnë në transfertë: Skënderbeu me Besën në Kavajë; Teuta me Bylisin në Ballsh dhe Vllaznia me Flamurtarin në Vlorë është një gjë e mirë për Partizanin, pasi do të kishte mundësi të shkurtonte diferencën me vendin e parë.

– Një trajner italian tek Teuta, Roberto Sorrentino. Në përgjithësi, edhe pse kanë drejtuar mbi 40 trajnerë të huaj në vendin tonë, shumë pak prej tyre kanë lënë gjurmë: malazezi Dervish Haxhiosmanoviç, i cili fitoi titullin me Vllazninë si dhe çeku Stanislav Levi, që e fitoi atë me Skënderbeun. Si do t’i gjykonit të huajt, kur në bankinën e Bylisit është nigeriani Emanuel Egbo, ndërsa te Kukësi, kosovaro-turku Naxhi Shensoi?

– Përsa i përket ardhjes së trajnerit italian Roberto Sorrentino te Teuta, kjo është brenda strategjisë dhe objektivave që ka presidenca durrsake. Është shpejt të gjykojmë për Sorrentinon, pasi ende nuk kemi parë një ndeshje nën drejtimin e tij, e para do të jetë ajo me Bylisin e Egbosë. Përsa u përket trajnerëve të huaj që, kanë punuar në vendin tonë, tjetër mentalitet kanë ata dhe krejt tjetër është mentaliteti i futbollit tonë.

EKIPI           N    P

1 Skënderbeu    11   22

2 Teuta         11   19

3 Vllaznia      11   17

4 Partizani     11   17

5 Laçi          11   16

6 Kukësi        11   15

7 Lushnja       11   15

8 Bylis         11   14

9 Flamurtari    11   14

10 Kastrioti    11   12

11 Besa         11   11

12 Tirana       11   10

Shehu: “Tekniku italian nuk ka ditur t’i administrojë ndeshjet vendimtare. Ka dështuar në to”

 “De Biazi, një trajner frikacak!”

 Shqipëria barazoi 0-0 në Bjellorusinë në miqësoren e luajtur dje në Antalia të Turqisë. Heroi i ndeshjes në stadiumin “Akdeniz University Stadium” ishte portieri Etrit Berisha, i cili priti një penallti në minutën e 17-të duke u thënë “Jo” topçinjve bjellorusë. Ky ishte barazimi i 16-të me rezultatin 0-0, i 27-ti në 93 miqësoret e Shqipërisë, që përkoi edhe me ndeshjen e 50-të miqësore jashtë vendit. Kjo ishte dhe ndeshja e parë e trajnerit De Biazi pas rinovimit të kontratë së tij të dytë me Federatën Shqiptare e Futbollit. “Ndeshjet miqësore vlejnë më shumë për të provuar lojtarët kandidatë dhe ky ka qenë edhe synimi i trajnerit De Biazi. Ndaj Bjellorusisë bëjmë një ndeshje shumë të varfër dhe i vetmi moment i mirë, ishte pritja e penalltisë nga ana e Etrit Berishës. Gjithsesi, ndaj mendimin se De Biazi nuk dëshmoi shumë edhe në edicionin e kaluar, ku ekipi ynë zhvilloi një fushatë eliminatore me dy pamje, ku në pesë ndeshjet e fundit morëm vetëm dy pikë dhe hodhëm në poshtë atë fillim premtues. Më shumë pamë një Kombëtare që fitonte në ndeshjet miqësore. Gjykoj se, në ndeshjet vendimtare De Biazi ka treguar profilin e një trajneri shumë problemtatik. Nuk guxoi kurrë të sulmonte, luante me një sulmues dhe në disa raste edhe me në gjysmësulmues. Ka luajtur me shumë frikë”, – tha Ylli Shehu, autor i një goli kundër Suedisë në humbjen 2-1 në “Qemal Stafa” (më 5 nëntor 1988, për eliminatoret e Botërorit 1992). Me sfidën kundër Bjellorusisë u mbyll edhe viti futbollistik ndërkombëtar i Kombëtares, që nisi me fitoren 1-0 ndaj Norvegjisë në Oslo (22.03.2013) me golin e Salihit dhe u mbyll me Armeninë (0-0, 15.11.2013), duke zhvillua nëntë ndeshje.

Futbolli varet nga financat

 Ylli Shehu është një nga njohësit më të mirë të futbollit shqiptar. Me një eksperiencë ndërkombëtare në Kroaci, Belgjikë e Greqi (1993-1998), ish-sulmuesi i Partizanit të viteve 1985-1993, e ka të qartë rolin që luajnë financat e shëndosha në futbollin tonë. “Shembujt më të mirë janë Skënderbeu dhe Kukësi, kampioni dhe nënkampioni në fuqi të vendit. Korçarët në tre vitet e fundit realizuan investime shumë serioze, si në grupin e lojtarëve, ashtu dhe në infrastrukturë dhe fituan tre kampionatet e fundit. Edhe Kukësi ndoqi thuajse të njëjtën traditë. Brenda dy vjetësh u ngjit nga Kategoria e Dytë në të Parën dhe më pas, në Kategorinë Superiore. Kukësi zuri vendin e dytë dhe fitoi të drejtën për të luajtur në Ligën e Europës. Përsa i përket dështimit të ekipeve tona në Europa, mendoj se janë disa arsye. Kjo ka të bëjë edhe me një strategji jo shumë logjike që, ndjekin klubet tona”, – tha Shehu.