Ylli Shehu: “De Biazi, boll me demagogji, duhen rezultate!”

538
Sigal

Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i Kombëtares: “Luajtëm pa nerv kundër Rumanisë e Hungarisë”

Ylli Shehu, ish-lojtar i njohur i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare tha për “Telegraf” se, loja e Kuqezinjve la shumë për të dëshiruar në miqësoret me Rumaninë  e Hungarinë, që të dyja të humbura me të njëjtin rezultat: 1-0. “Konstatova një lojë të varfër dhe pa forcë të Kombëtares, si ndaj Rumanisë në Iverdon të Zvicrës ashtu dhe ndaj Hungarisë në Budapest. Ekipit tonë i mungoj forca në sulm, jo vetëm për faktin se nuk shënuam, por rrezikuam shumë pak. Në futbolli një trajner nuk ka nevojë të na tregojë sesa bukur di të flasë, por se çfarë rezultatesh merr”. Ylli Shehu ka drejtuar disa ekipe në vendin tonë përfshirë Partizanin, Teutën, Luftëtarin, Tomorin, Kukësin, etj.

 – Zoti Shehu, Shqipëria i humbi të dyja miqësoret me Rumaninë në Zvicës dhe Hungarinë në Budapest. Çfarë nuk shkoi me performancën e Kombëtares?

– Pavarësisht faktit se, të dyja ndeshjet i humbëm në minutat e fundit, ndaj Rumanisë me një gafë të mbrojtjes dhe ndaj Hungarisë me një penallti të diskutueshme, mendoj se paraqita e Kombëtares nuk ishte në lartësinë e duhur. Nuk treguam disa cilësi tipike që ka ekipi unë, dëshirën për lojë, duke mos mbrojtur as mirë, por duke qenë dhe të vakët e të paqartë në ndërtimin e lojës. Duke qenë dhe miqësore, ndeshje nuk kanë entuziazmin që kërkon një takim ndërkombëtar, pavarësisht se unë mbështes idenë se në ballafaqime të tilla lojtarët janë më të lirshëm të veprojnë dhe të rrezikojnë më shumë kundërshtarin.

– Në deklarimet e tij gjatë prezantimit të listës së lojtarëve, De Biazi tha se, tri miqësoret me Rumaninë, Hungarinë e San Marinon do t’i vlenin për të verifikuar gjendjen e lojtarëve. Sipas jush, sa i kanë vlejtur trajnerit këto dy ndeshje?

– Mendoj se, De Biazit nuk i kanë vlejtur këto takime, të paktën në këndvështrimin e asaj që prodhuan lojtarët gjatë lojës. Pamë futbollistë të paimpenjuar dhe të lodhur në fushë, kjo ndoshta se vinin nga përfundimet e kampionateve. Edhe tek emrat e rinj, të cilët duhet të ishin më të motivuar shumë pak pamë. Dua të theksoj se, në futboll nuk ka nevojë shumë për demagogji në media, por rezultate në fushë. De Biazi duhet ta ketë shumë të qartë këtë.

– Sa negativisht ka ndikuar fakti që, kundërshtarët janë skuadra më me emër se Shqipëria?

– Nëse për Rumaninë do të thosha se është dukshëm një ekip më mirë, kjo edhe në renditjen e FIFA-s (vendi i 29-të, Shqipëria në të 67), Hungaria (47) është thuajse një ekip i barabartë me ne. Nuk mendoj se, lojtarët e saj kishin më shumë vlera se tanët, por u shfaqën më tepër agresivë, kjo dhe për shkak të terrenit që ne iu krijuam.

– Cilat janë pikat e forta të Kombëtares sonë, mbi të cilat do të mbështetet trajneri Xhani De Biazi edhe për eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë 20162?

– Mendoj se, reparti i mbrojtjes është dhe pika jonë më e fortë. Këtu duhet të dallojmë portierin Etrit Berisha, i cili për mua është dhe lojtari më në formë që ne kemi. Është një siguri e madhe për ne. Pjesa e sulmit lë shumë për të dëshiruar, të paktën ata që luajtën kundër Rumanisë e Hungarisë duhet të tregojnë më shumë.

– Ju keni qenë një ish-sulmues race dhe e njihni mirë atë repart. Çfarë i mungon sulmit tonë, që nuk shënon prej shumë ndeshjesh?

– Në fakt, nuk u duhet vënë shumë faj sulmuesve, pasi ata presin të bëjë më shumë mesfusha, të cilën në këto dy ndeshje nuk e pamë në lartësinë e duhur, pa lojtar krijues dhe tepër të vakët. Gjithsesi, një gol mund të bëhet edhe nga një faull apo goditje standarde.

– Mesfusha është nën akuzë…

– Krijon shumë pak. Mungon një lider që, t’i japë frymëmarrje lojës dhe të krijojë situata të rrezikshme. Një i tillë është Alban Meha, por ai mungoi në këto dy ndeshje.

– Sulmuesi Sokol Cikalleshi ishte lojtari i vetëm nga kampionati shqiptar që e nisi si titullar në të dyja takimet. Cili është opinioni juaj për paraqitjen e tij?

– Cikalleshi është një lojtar i ri, të cilin e çmoj shumë për atë që ka dhënë në kampionatin tonë, por tjetër është të luash në Superligë dhe tjetër me Kombëtaren, pasi dhe kundërshtarët janë nga më të mirët e vendeve të tyre. Është gjë e mirë që, lojtarët që tregojnë vlera nga kampionati ynë duhet të mbahen afër pasi kështu përjetojnë dhe emocionet e të qenit pjesë e Kombëtares dhe kjo është një gjë shumë e mirë.

– Të dielën do të luajmë miqësoren kundër San Marinos, një mundësi e mirë për të shënuar dhe fituar. Për herë të fundit kemi fituar 3-0 në gusht të vitit 2006. Çfarë parashikoni?

– Mendoj se, me ekipe të dobëta është një mundësi që dhe lojtarët e sulmit të çlirohen, pasi do të kenë shumë dëshirë të shënojnë. Trajnerit De Biazi i jepet mundësia të mendojë më shumë për sulmin dhe më pak për mbrojtjen. Gjithsesi, të presim se çfarë do të ndodhë.

Programi i miqësoreve

 8 qershor, Serravalle

San Marino-Shqipëri 20:30

4 qershor, Budapest

Hungari-Shqipëri 1-0

31 maj, Zvicër

Shqipëri-Rumani 0-1

96 ndeshje

Shqipëria ka zhvilluar 96 ndeshje miqësore në total. Bilanci është pozitiv: 36 fitore, 26 barazime dhe 34 humbje.

Botërori 2006/ “Axurrët” e Marçelo Lipit fitojnë për herë të katërt Kupën e Botës

Triumf italian në Gjermani

Kampionati Botëror 2006, i 18-ti, u zhvillua në Gjermani nga data 9 qershor deri më 9 korrik. 198 vende morën pjesë në fushatën eliminatore, midis tyre dhe Shqipëria. 31 vende u kualifikuan përmes ndeshjeve në grupe, ndërkohë që Gjermania mori pjesë si vend organizator. Kampione e Botës doli Italia që, mundi Francën 5-4 pas gjuajtjeve të penalltive, pasi loja e rregullt dhe shtesat përfunduan 1-1. Për Italinë kjo ishte hera e katërt që fitonte Botërorin pas atyre në vitet 1934, 1938 dhe 1982. Gjermania mundi Portugalinë 3-1 duke siguruar vendin e tretë. Për Gjermaninë kjo ishte hera e dytë që organizonte një Botëror pas atij të vitit 1974. Botërori 2006 është një nga më të shikuarit në historinë televizive, pasi ndoq nga më shumë se 26 miliardë vizitorë unikë. Finalja u ndoq nga 715 milionë në gjithë botën. Franca shënoi e para me penallti me anë të Zinedin Zidan (7’), ndërkohë që Italia barazoi me një gjuajtje me kokë të Marko Materacit (19’). Ndeshja shkoi në shtesa, dhe në minutën e 110-të, Zidan goditi me kokë Materacin duke u ndëshkuar me karton të kuq. Në “ruletën” e penalltive, Italia i shënoi të pesta, ndërkohë që për Francën gaboi Trezege (goditi traversën). 5-3 dhe Italia e Marçelo Lipit janë në majë të botës së futbollit. Në përfundim të 64 ndeshjeve (147 gola), u dhanë këto verdikte. Italia kampione; Franca nënkampione; Gjermania e treta dhe Portugalia e katërta. Gjermani Miroslav Kloze fitoi “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i turneut, ndërkohë që lojtari më i mirë u shpall francezi Zinedin Zidan, ky i fundit u bë i famshëm edhe për goditjen me kokë në gjoksin e mbrojtësit italian Marko Materaci, çka e la Francën me dhjetë lojtarë. Portieri më mirë i kampionatit u votua italiani Xhanluixhi Bufon, ndërsa lojtari i ri më i mirë gjerman Lukas Podolski.

1/8 finaleve

Gjermani-Suedi 2-0

Argjentinë-Meksikë 2-1

Angli-Ekuador 1-0

Portugali-Holandë 1-0

Itali-Australi

Zvicër-Ukrainë 0-0 (0-3 p)

Brazil-Ganë 3-0

Spanjë-Francë 1-3

Çerekfinalet

Gjermani-Argjentinë 1-1 (4-2 p)

Itali-Ukrainë 3-0

Angli-Portugali 0-0 (1-3 p)

Brazil-Francë 0-1

Gjysmëfinalet

Gjermani-Itali 0-2

Portugali-Francë 0-1

Vendi i tretë

Gjermani-Portugali 3-1

FINALJA

Berlin, 9 korrik 2006

Itali-Francë 1-1

Italia fiton 5-3 me penallti

Fitorja madhështore ndaj Kampionëve të Europës

 Shqipëria e drejtuar nga trajneri gjerman Hans Peter Brigel bënte pjesë në të njëjtin grup me Danimarkën, Ukrainën, Greqinë, Turqinë, Kazakistanin dhe Gjeorgjinë: 4 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje. 13 pikë (rekord). Spikat fitorja 2-1 me Greqinë, të sapo shpallur kampione e Europës (2004). Fitoret e tjera u arritën e ndaj Kazakistanit (1-0, 2-1) dhe Gjeorgjisë (3-2). Në përfundim, u renditëm në vendin e 5-të nga 7 skuadra.

Zhdrella “Më bindi projekti i Partizanit”

 Partizani prezantoi në ambientet e klubit blerjen më të re, Mentor Zhdrellën, i cili konsiderohet një nga talentet më të mëdhenj që ka nxjerrë futbolli kosovar vitet e fundit. “Me Partizanin synoj të fitoj gjithçka. Prej kohësh kam pasur kontakte me presidentin Demi, por duhet të respektoja kontratën që kisha me Hysin dhe kjo më pengoji të vija më herët tek Partizani. Tashmë jam pjesë e këtij klubi të madh në Shqipëri dhe premtoj të jap maksimumin tim. Zgjodha Partizanin pasi më bindën objektivat madhor që klubi ka për këtë sezon futbollistik. Dëshiroj të kem edhe me Partizanin të njëjtën paraqitje që kam dhuruar në Kosovë, pra të shpallem edhe këtu lojtari më i mirë i Supërligës”. 24-vjeçari, i shoqëruar nga trajneri Shpëtim Duro, shpjegoi edhe arsyen pse preferoi të vishte fanellën e kuqe duke refuzuar ofertën e Skënderbeut, që thuasje e kishte bërë fakt të kryer firmën me 4 herë fituesin e çmimit të futbollistit më të mirë të Superligës së Kosovës. “Me Partizanin i kisha nisur bisedimet kohë më parë, si dhe më bindi projekti i klubit për të fituar trofe. Kjo është gjithçka. Pata bisedime edhe me Skënderbeun, por vetëm kaq, nuk kisha arritur asnjë marrëveshje zyrtare”. Gjatë prezantimit të Zhdrellës interesimit të mediave iu përgjigj edhe trajneri Shpëtim Duro, fillimisht duke kujtuar se Mentor Mazrekaj nuk ka qenë kurrë në dyshim te Partizani. Muzaka, Karabeci, Zeqiri dhe Veliu janë emrat e përfolur së fundmi në media për merkaton e Partizanit. Bisedimet me ta, por pa përmendur emra, i konfirmon edhe Duro, duke zbuluar se pret prej tyre përgjigjen pas ofertave të bëra nga klubi i kuq.