Yjet shqiptarë me “valixhe në dorë”

474
Sigal

Bogdani, Sadiku, Mavraj, Meha, Lila e kompani priten të ndryshojnë destinacionet e ekipeve

Disa nga emrat më të shquar të legjionarëve shqiptarë janë me “valixhe” në dorë, pasi priten të ndryshojnë ekipet dhe destinacionet më të cilën mbyllën sezonin. Emra të tillë si Erjon Bogdani, Mërgim Mavraj, Armando Sadiku, Armando Vajushi, Alban Meha, Andi Lila, etj. janë më të kërkuarit në merkato, ndërkohë që transferimi i parë ishte ai i Sebino Plakut në Poloni, te Slask Vraklovi.  E ardhmja e Erjon Bogdanit vazhdon të mbetet në udhëkryq pas përfundimit të kontratës me Sienën. Bomberi kuqezi po studion të gjitha ofertat në drejtim të tij, pasi disa skuadra nga Serie B kanë shfaqur interes për ta pasur në grupin e tyre gjatë sezonit të ri. Në krye të listës qëndron Palermo e trajnerit Gatuzo, i cili kërkon një qendërsulmues për të përballuar sezonin e gjatë, pasi disa prej emrave më të mirë të kësaj skuadre pritet që të largohen gjatë javëve të ardhshme.

Në këtë aspekt, sicilianët janë skuadra më prestigjioze në listën e gjatë që vazhdon me Rexhinën, ku Erjon Bogdani ka luajtur gjatë viteve 200-2003. Ditët e fundit, në garë hyri edhe skuadra e Varezes. Skuadra e drejtuar nga Andrea Agostinelli ishte shumë pranë zonës “play-off” sezonin e fundit që e mbylli në vendin e shtatë dhe afrimi i 36-vjeçarit shqiptar do ta rriste më shumë cilësinë në këtë ekip që synon rikthimin në Serie A pas 40 vjetësh. Një tjetër ish-skuadër e Serisë A që ka lëvizur në drejtim të Bogdanit është edhe Peskara, por mesa duket, lojtari i kombëtares ka kërkuar kohë për t’i vlerësuar të gjitha ofertat, sepse skuadra e radhës me shumë mundësi mund të jetë edhe e fundit në karrierën e tij të gjatë ku ka luajtur 76 ndeshje me ekipin kombëtar duke shënuar edhe 19 gola. Mbrojtësi Andi Lila pritet të largohet nga PAS Janina gjatë kësaj merkatoje verore. Mediat helene kanë raportuar se edhe vetë presidenti i Janinës, Jorgos Hristovasilis, është i interesuar ta shesë shqiptarin gjatë kësaj merkatoje, duke përfituar në këtë mënyrë së paku 300 mijë euro. Për mbrojtësin kuqezi interesohen Kievo dhe Verona në Itali, PAOK Selaniku në Greqi dhe së fundi ukrainasit e Tavria Simferopol. Armando Vajushi është një hap CSKA-së së Sofjes. Liteks Loveç ka pranuar që japë katër futbollistë për skuadrën e madhe kryeqytetase dhe njëri prej tyre është Armando Vajushi. Nëse kalon tek CSKA-ja, Vajushi do pasojë një shqiptar tjetër Altin Haxhin që është aktivizuar me këtë skuadër vite më parë. Para disa ditësh të gjitha mediet bullgare lakonin emrin e shkodranit për kalimin e tij në kryeqytet me ekipin legjendar. Lojtari kërkohet me ngulm nga CSKA-ja që është ekipi më i madh bullgar. Sipas asaj që raportonin mediat vendëse “shkes” për këtë kalim të mundshëm të Vajushit tek CSKA do të ishte ish-trajneri i tij tek Liteksi, Hristo Stoiçkov. Legjenda bullgare Hristo Stoiçkov ka mbajtur një qëndrim të ngrohtë ndaj talentit shkodran, autor të nëntë golave me Liteksin e Loveçit.