Xhevdet Zekaj/ Peshëngritja jonë paska “qimen e derrit”

440
Sigal

Nga Parajsa në Ferr. Nga pritjet dhe krekosjet pompoze, sidomos të qeveritarëve, përfundojmë me kokën ulur. “Tri rrufe” të njëpasnjëshme në një qiell që nxinte, në fakt, nga “retë” e dyshimit. Sepse e shkuara e afërt na kishte mësuar të rrinim me “gjak të ngrirë” deri në përfundimin e analizave antidoping. Tre kampionë, Bote dhe Europe, të shkurorëzuar e pezulluar për momentin, në pritje të përgjigjeve të analizës B. Të mos flasim për imazhin e keq të krijuar sa hap e mbyll sytë, që ia kalon edhe referencës së deridjeshme me Lazaratin. Goditje më të madhe peshëngritja shqiptare nuk mund të merrte. Përtej emrave të përveçëm, tashmë rrezikon vetë federata të përjashtohet e të gjobitet rëndë. Nuk qenka e thënë që gëzimi të zgjasë, që krenaria e ligjshme e çdo shqiptari të mos shuhet si flakë kashte, që shtanga shqiptare të pastrohet njëherë e mirë nga dopingu. Ndoshta nuk është momenti për të gjetur fajtorët; peshëngritësit e pakujdesshëm, trajnerët e tyre joprofesionalë, mungesën e mjekëve të posaçëm apo kontrollin e rreptë gjatë përgatitjeve për garat, por një gjë mund të thuhet me keqardhje të madhe: nuk është rastësi që të tre peshëngritësit në fjalë kanë përdorur të njëjtën substancë të ndaluar, stanozolol. Thënë ndryshe, ata “kanë pirë ujë në të njëjtin burim”. Drejtuesit e rinj të Federatës në këtë aspekt nuk mundën “ta nxjerrin qimen nga qulli”, por paskan pasur “qimen e derrit” si paraardhësit e tyre. Një “mejdan” i absurdit dhe i mrekullisë, njëherësh. Kjo, ndoshta ngaqë s’e pëlqen dhe aq normalitetin, ndaj preferon të të rezervojë ose majën më të lartë, ose humnerën krusmuese. Ndoshta, ndoshta, ngaqë edhe peshëngritja tek ne mbetet shtrati dhe djepi i gjallesave të gjithëfarëshme në trajnim e drejtim, jo aq i profesionistëve të vërtetë e të ndershëm. Fajtorë janë më së pari ata, që e “pllenojnë” këtë sport me farë “gjembash”, prej lëkurës së tyre “derrërore”. Fajtorë të dorës së parë janë edhe vetë peshëngritësit, të cilët në mos nuk kanë kujdesin e duhur, e bëjnë me qëllim, duke shpresuar se mund ta kalojnë sitën e institucioneve përgjegjëse europiane e botërore të antidopingut. Sikurse mund të bëjnë të gjithë sportistët në garimin brenda kufijve, ku edhe drogë të pastër të konsumosh nuk ka shanse të evidentohesh. Për pasojë, peshëngritja shqiptare vazhdon ta ketë akoma brenda “qimen e derrit”. Mesa duket, farërat nga të cilat mbijnë këto “qime derri” janë brenda “mitrës” së kësaj toke, pavarësisht se drejtuesit janë ndërruar. E mira dhe e keqja, si në fusha të tjera të jetës shqiptare janë pleksur e bashkëjetojnë çuditshëm, duke i mbushur degët e pemës së ekzistencës veç me fryte verdhanë. Nëse do të ishte ndarë gruri nga mollulla, fara nga egjra, shumë gjëra do të ishin ndryshe. Të paktën s’do kishte aq shumë njerëz të sportit, por edhe të politikës, që do të kreshpëronin “qimet e derrit”. Sepse vjen dita kur bëhemi edhe qesharakë me heronj të rremë, që rezultojnë shpejt viktima të lakmisë për sukses me çdo çmim… Kjo pikëpyetje është çengeli, ku është varur edhe bataku i peshëngritjes sonë tash sa vite në këtë drejtim. Lartësinë e tyre të epërme tre kampionë Bote dhe Europe; Godelli, Begaj dhe Pulaku, e shkatërruan me dopingun e tyre, çka është në të vërtetë pika e rrokullisjes së ortekut gjithëpërfshirës të peshëngritjes shqiptare. Dhe tani s’ka statuse në Facebook të pushtetarëve, që famën e kujtdo duan ta përvetësojnë, por ka më shumë heshtje. Gjithkush do ta largojë përgjegjësinë nga vetja, ndërkohë që më i dëmtuari keqas është

imazhi mbarëshqiptar, jo vetëm ai i peshëngritjes.

Shkëlzen Gashi, futbollisti shqiptar me vlerën më të lartë në treg

 Vazhdon të ecë përpara futbollisti i Kombëtares Shqiptare dhe i Bazelit, Shkëlzen Gashi, e këtë herë nuk ka të bëjë me asnjë nga golat e tij apo paraqitjet  mbresëlënëse me skuadrat e veta, por me vlerësimin që i bëhet nga “çmuesit” ndërkombëtar të kartonit të tij si futbollist, pra vlera në para nëse do të shitej tek një klub tjetër. Është 4.5 milionë euro çmimi i Gashit, më shumë se çdo futbollist tjetër që aktivizohet për kombëtaren Shqiptare, duke marrë kështu edhe një tjetër “titull”. Deri pak kohë më parë, këtë listë për shqiptarët e kryesonte kapiteni Cana, por siç duket paraqitjet e vazhdueshme dhe prania e Bazelit në Ligen e Kampioneve rrisin vlerën e lojtarëve, e në këtë rast edhe të Gashit që është bërë pa dyshim një faktor pozitiv në arritjet e skuadrës së tij si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel ndërkombëtar,

Januzaj-Inter, Van Gaal i afron më tepër

 Duket se historia e Januzaj tek Mançester Junajtid po vjen drejt fundit, ku futbollisti nuk po gjen hapësirat e nevojshme në skuadër tani që trajner është Van Gaal. Në drejtimin e Mojes, Januzaj kishte shumë hapësira dhe i shfrytëzoi më së miri rastet që ju dhanë, duke u cilësuar nga shumë të tjerë edhe si e ardhmja e Junajtid apo edhe Gigs i ardhshëm. Por ky sezon nuk ka qenë mjaftueshëm i mirë për shqiptarin që mesa duket do të ndërrojë edhe “shtëpi” dhe një mundësi duket të jetë Inter që nën drejtimin e Mançinit po kërkojnë përbërje të re lojtarësh, e duke parë talentin e Januzajt kjo goditje do të ishte efikase. Deri më tani këta janë zëra që kanë lindur nga një deklaratë e trajnerit të klubit anglez, por akoma nuk dihet nëse Januzaj do të shitet apo do të huazohet. Mbetet për tu parë në ditët në vazhdim se si do të rregullohet edhe kjo situatë për Januzajn.

 Torres-Milan, fundi i një “dashurie” të shkurtër

Duket se çdo gjë po vjen drejt fundit për Fernando Torresin tek Milanit, në një kohë që luajti me këtë skuadër vetëm 10 ndeshje me vetëm një gol të shënuar. Këto rezultate sigurisht që nuk shkojnë në të njëjtën linjë me emrin e tij dhe sigurisht as me pjesën që i intereson më shumë Milanit, pagën. Kjo ecuri sigurisht që nuk sjell besim tek milanezët që më në krye trajnerin Inzagi, bashkë edhe me konsensusin e vetë futbollistit kanë vendosur që të lënë në skadim kontratën, duke mos e rinovuar atë. Si skuadra që shihet në “pole position” për të siguruar shërbimet e Torres është Atletiko Madrid, ekipi ku “El nino” hodhi hapat e para në karrierë për tu transferuar pastaj tek Liverpul. Kalimi i tij duket çdo ditë e më afër, sidomos edhe pas deklaratës së presidentit të Atl. Madridit që la derën e hapur për një kalim të mundshëm të futbollisti brenda kësaj merkatoje.