Xhevdet Zekaj/ Luiza Gega dhe paratë e hedhura lum për sportin e dopinguar…

64
Të jemi realistë, Lojërat e Para Europiane në aspektin e përfaqësimit dalin në plan dytësor për Shqipërinë. Ato shërbejnë si një eksperiencë e re, një shans për sportistët tanë të rinj, një mundësi për sportistët që donin të rivlerësonin me rezultatin apo formën e tyre sportive dhe mbi të gjitha një organizim i ri panevropian, që do të hapë rrugën e garimit shumësportësh, pothuaj në nivel olimpik. Serioziteti dhe cilësia ishte e madhe, mjafton të themi se kishte një kosto nga 12 deri në 15 miliardë dollarë. Organizatorët ishin po ata që përgatitën Lojërat Olimpike të Londrës në 2012. Dhe, si pjesëmarrës në ato lojëra, them se këtu në Baku ishin korigjuar shumë defekte të vrejtura nga organizatorët. I thashë të gjitha këto për të konfirmuar se në këto lojëra ne shkonim për podiume në disa sporte, por i vetmi vend i parë i sigurtë ishte Luiza Gega. Tashmë asgjë e re nuk është të thuash se Luiza dhe triumfet e saj po kthehen në një normalitet. Në këtë rast nuk do të merrem me rezultatet teknike të Luizës, por me vizionin e federatave, KOKSH-it dhe MAS, apo aktorëve të tjerë. Federata e Atletikës, e drejtuar nga Gjergj Ruli dhe Nikolin Dionisi, kanë marrë pjesë në shumë evente ndërkombëtare, por më parësore është vizioni i tyre, frymëmarrja dhe performanca që ka kjo federatë këto vite. Ajo ka disa kampionë, të cilët mund të konkurojnë denjësisht në aktivitete ndërkombëtare. Luiza Gega në 800 e 1500 metra, Izmir Smajlaj në kërcim së gjati, rikonfirmuan se do të jenë kampionë në Europë! Trajneri Stërmasi, presidenti Ruli, Federata e Atletikës, falë një bashkëpunimi të suksesshëm deri në detaje me KOKSH-in, janë çelësi i suksesit në këtë sport. Pra, përgjegjshmëria e federatës përkatëse sportive dhe organizimi e suporti organizativ e vizionar i KOKSH-it kanë dhënë rezultatet e tyre. Këtë fakt e pohojnë të gjithë aktorët pjesëmarrës në Lojërat e Para Europiane, “Baku 2015”. Po ministria e Sporteve, a duhet urgjentisht ta kthejë vëmendjen nga Atletika e disiplina të tjera sportive të suksesshme, apo duhet të mendojë të bëjë ndonjë foto me medalistët kuqezinj? Deri tani janë dhënë para pa fund për Peshëngritjen, që u përkthyen në mashtrime e doping, ndërsa suporti total për gjithë ekipin kuqezi në “Baku 2015” ka qenë shumë modest. Vetëm nikoqirllëku dhe aftësia menaxheriale e drejtuesve të KOKSH-it bënë që sportistëve tanë në këtë kompeticion të mos u mungojë asgjë. Madje, secilit prej tyre iu mundësia një javë stërvitje në kryeqytet, para se të “fluturonin” drejt Azerbajxhanit. Ky është drejtim, kjo është dashamirësi për sportin në vendin tonë, jo projektet e trumbetuara me të madhe në fushata elektorale, kur mbetemi akoma me Ligjin e Sportit të vjetër. Pra, në këtë aspekt, nuk kemi “rilindur” ende. Si zgjidhet kjo punë, që fondet e shtetit të shpërndahen në përpjestim të drejtë me sukseset e federatave sportive? 

Ministria e Sportit, vizion më praktik dhe më të specializuar të shpërndarjes së fondeve e grandeve
Ministria e Sportit duhet të kalojë në një vizion më praktik, më të specializuar të shpërndarjes së fondeve e grandeve. Paratë duhet të shkojnë për sportistët premtues e që kanë rezultate, për të nderuar kësisoji flamurin kuqezi në evente ndërkombëtare, jo ta “oudrosim” atë me doping. A e di njeri se ku stërvitet kampionia Luiza Gega? A ka nevojë kjo atlete të paktën për një fizioterapist permanent, sepse edhe në gara i mungon kjo domosdoshmëri asaj? Rroftë KOKSH-i që e ka mbështetur me të gjitha mundësitë, se përndryshe do të ishte detyruar të “lypte”. A ka psikolog dhe staf të specializuar Luiza, nëse duam kampionen europiane dhe, përse jo, medalje në “Brazil 2016”? Jo, asnjë nga këto faktorë mbështetës nuk i ka, por vijon të na mahnisë me pasionin e saj dhe të trajnerit Stermasi. E pastaj shquajmë sytë nëpër rezultatet e garave ndërkombëtare, duke kërkuar mes tyre suksese në kufijtë e medaljes të sportistëve shqiptarë. Kurrë nuk ka për të ndodhur kjo, përderisa shpensohet më shumë para për paga zyrtarësh në të gjitha nivelet e federatave sportive se sa për sportistët elitarë, që vërtet premtojnë ta ngrenë me nder e krenari lart flamurin shqiptar. Luiza është njëra prej tyre, por jo e vetmja, që kërkon vëmendjen e shtetit. Federata përkatëse dhe KOKSH-i aq i kanë mundësitë, madje kanë bërë më shumë se mund të mendohej. Sepse këto institucione kanë drejtues me vizion, menaxherë të zotë e të sprovuar, ndryshe nga të kollarisurit kalimtarë në zyrat me ajër të kondicionuar në Ministrinë e Sporteve, por paratë janë ato që bëjnë ndryshimin e madh. Ato të shkreta duhet të shkojnë në “drejtimin e duhur”, nëse duam vërtet “rilindjen” e sportit shqiptar. Në të kundërt, kemi mbetur si gjithmonë, në kuadrin e sloganeve.