Xhevdet Zekaj: Këta jemi!

920

 

 

 

 Jemi vazo e tretë! Humbëm! Po përse, o njerëz,
kush jemi ne, Gjermania apo Brazili, Italia apo Franca, Argjentina apo Spanja
apo, apo… apo? Edhe këto skuadra humbasin e nuk bëhet nami. Argjentina e
Messit dhe yjeve të shumtë është buzë greminës, rrezikon të mos jetë në “Rusia
2018”. Po, mua më shqetëson fakti se si humbën! Humbën turpshëm, nga gabimet
tona, dhe nuk ka alibi gjykimi, që ishte bazuar në rregullore, që e mbulon
dështimin shumëplanësh kuqezi. Përtej rezultatit, që është edhe më shokues
përkundrejt një rivali të drejtpërdrejtë, si Izraeli, loja e tanëve vijon të
ketë një ngërç të madh. Mos vallë harruat se na u deshën “dy ditë”, iu falëm
shiut në Shkodër, që ta mundnim Maqedoninë, e cila pas disavantazhit na vuri
përpara dhe po të mos ndërpritej ndeshja, atë natë do na kishte marrë më shumë
se barazimin. Po ndaj Spanjës, çfarë bëmë, e kujtoni? Nuk shkuam as gjysmë here
në portën kundërshtare! Ky është problemi i madh, loja pa rrugëdalje e kuqezinjve.
Dhe rrugëdalja duhet të vijë nga trajneri, që paguhet jo për të replikuar e
braktisur konferenca shtypi me gazetarët, as për të qenë hundëpërpjetë e
inatçor me lojtarë si Kaçe, Gashi etj., të cilët cilësisht i kemi me pikatore
si Shqipëri. Vëllezër shqiptarë, ne humbën ndaj një kundërshtari direkt, i
barabartë me ne, dinjitoz, i vazove të treta apo të katërta, por pjesa kryesore
e lojtarëve kundërshtarë ishin të skuadrës që dërrmoi Interin ndërkombëtar,
brenda në “San Siro”. Le të merremi me polemikat pa fund, apo justifikimet! Së pari e filloj me gjyqtarin: Hiqeni
nga mendja, ai ka bërë një gjykim pothuajse perfekt! Tepër i saktë tek dy
kartonët e kuq dhe penalltitë! Nëse zbaton rregulloren, kjo nuk do të thotë se
ishte antishqiptar. Turko-gjermani nuk mund të ishte as pro shqiptar, sepse
është profesionist, ka për “Bibël” rregulloren e gjykimit të FIFA-s, që ka
ndryshuar në qershor. Pra, vetëm me gjyqtarin mos u merrni, nëse keni Perëndi
dhe e doni këtë kombëtare, sepse i bie që është i justifikuar çdo aktor e
faktor përgjegjës për atë humbje turpëruese. Humbi kombëtarja, apo De Biazi?
Kjo pyetje vlen të ngrihet, sepse vetë trajneri italian mori mbi vete tërë
lavdinë e kualifikimit në “Euro 2016”. Atëherë, fitoret nuk mund të jenë të
tijat dhe humbjet të tjetërkujt. Ai është fajtori kryesor, sepse më shumë se të
merrej me përgatitjen e ndeshjes, të sheshonte problemet me lojtarët e
kombëtares, hyri në polemika mediatike me paraardhës të tij shqiptarë, si
Astrit Hafizi, duke i “treguar arat”. Si ta gjykojmë 60-vjeçarin nga Sarmede,
si trajner futbolli, që u prin skifove të tilla si ndaj Izraelit, apo si doktor
Honoris Causa i Çilit, apo, apo Qytetar Nderi i Maqellarës? A e ndihmojmë
kauzën kuqezi, që pas Evropianit duket se është në “rënie të lirë”, po të themi
se fajin e pati gjyqtari? A e ndihmojmë kombëtaren tonë po të themi se kemi
trajnerin më të mirë në botë, që na çoi në Francë, që desh të na e merrte
Italia, Anglia…? A e mbani mend gjatë javës përgatitore euforinë e Berishës
& CO, kur thoshin në konferenca shtypi, se nuk jemi të kënaqur as me vendin
e tretë, duam kualifikimin? A e mbani mend De Biazin kur jepte përgjigje
shpërfillëse për lënien jashtë të një supersulmuesi, si Shkëlzen Gashi, për
zgjedhje teknike, kur ai ka pushtuar një Amerikë të tërë? A e patë si “i tregoi
vendin” një lojtari, që s’ka të dytë në kombëtare, si Ergys Kaçe, një
organizator i mirëfilltë, i cili mund të vërë sadopak rregull në lojën anemike
e të paqartë kuqezi? Po Abrashi në stol, si mund të shpjegohet, kur media
prestigjioze, si “France Football”, e përfshiu atë në top-formacionin e javës
në Evropë? Po aktivizimin e tre sulmuesve në formacion, kur kishim mbetur me 9
lojtarë në fushë, gjë që nuk e bëmë as kundër Lihteshtejnit, si e shpjegoni?!!!
A po e shkatërron trajneri-menaxher këtë kombëtare, teksa De Biazit nuk i hyjnë
në sy edhe elementë të tillë si Donis Avdijaj, kartonin e të cilit e vlerëson
një klub i njohur i Bundesligës sa krejt kombëtarja kuqezi? Mos vallë duhet të
luajë edhe ai në Itali, të kalojë nëpër duart e trajnerit-menaxher, që të jetë
në kombëtare? Po dëgjoj akoma “tam-tamet” idiote, se De Biazi është gjeni, se
na çoi në Francë etj. Po të ishte aq i madh vërtetë, sa thuhet, a duhej të
kishte pasur vetëm një ofertë serioze, një të vetme? Përtej patriotizmit fals,
a nuk e dini se vetëm dy barazime mori në ndeshjet e luajtura brenda në
Shqipëri, sezonin e shkuar të kualifikimeve për në Francë. Me pak ndershmëri, a
nuk e dini se ndeshjet me Armeninë më mirë mos t’i zëmë në gojë dhe pastaj të kuptojmë
se kemi shkuar në finalet e Evropianit me 5 pikë, shto edhe 3 të tjera nga
gjyqi i fituar ndaj Serbisë. Këto pikë i kemi prej Dukës, jo prej trajnerit.
Kjo është e vërteta! Shkurt, këta jemi! Kaq kemi! Harrojini ëndrrat me sy
hapur! Personalisht kam thënë dhe e them: Po, Xhani i dha profesionalizëm dhe
personalitet skuadrës sonë kombëtare, më shumë se paraardhësit e tij, por kaq!
Nëse do të ishte aq i zgjuar, duhet të largohej nga Shqipëria pas “Euro 2016”,
sepse ai ishte kulmi i karrierës së tij. Por nuk iku. Përse? Thjesht, nuk pati
asnjë ofertë serioze, asnjë skuadër apo kombëtare nuk i ofroi pagesën e Dukës,
asnjë skuadër apo kombëtare nuk i ofroi rolin e trajner-menaxherit si Duka.
Prandaj nuk iku dhe jo, se iu dogj xhani për Shqipërinë, për dekoratat shqiptare.
Po fitoi në Portugali, do të thoni ju, me të drejtë, por a kemi parë ndonjë
fushatë eliminatoresh, që kombëtarja shqiptare mos të ketë bërë ndonjë fitore
madhështore. I harruat fitoret me Greqinë e sapokurorëzuar kampione Evrope, me
Rusinë e madhe, Belgjikën etj. etj. E vërteta është se kombëtarja ka luajtur
dobët dhe shumë dobët në këto eliminatore të “Rusia 2018”, e papërgatitur
psikologjikisht, e paqartë taktikisht dhe nën një presion të brendshëm, që
tregon qartë prishjen e ekuilibrave brenda grupit nga De Biazi. Fundja, këta
jemi! Kaq këllqe kemi! Jemi në vazon e tretë! Nuk shkojmë dot as në Rusi e as
dalim të dytët, sepse kemi fatin e keq të të pasurit në grup të dy superfuqive,
Spanjës dhe Italisë, ndaj të cilave nuk bën punë as shtysa e Dukës! Të tretët
në grup ishte objektiv real, por tashmë tepër i vështirë, sepse duhet të
mposhtim në kthim Izraelin. Na duhet shumë punë, shumë profesionalizëm! Dhe jo
“giannizëm” fals, pa berqet apo hundëpërpjetë. De Biazi pa suportin e Dukës
ishte dhe mbetet i lodhur dhe i dështuar! Prandaj, mendoj se është momenti për
t’u ulur e revizionuar gjërat. Ky edicion kualifikues është i dështuar që tani,
ndaj duhet menduar për të ardhmen. Kjo e ardhme nuk besoj se ka lidhje me De
Biazin, i cili vetë duket i demotivuar, i ngopur me lavdinë shqiptare. Duhet
hapur një kapitull i ri, me njerëz që nuk dërgojnë në tribunë lojtarë me shumë
potencial dhe marrin në Evropian lojtarë për t’i shitur. Nga këtu duhet të nisë
kthesa, duhet parandaluar zhbërja e mëtejshme dhe e gjithanshme e kombëtares,
ndryshe do të jetë tepër vonë. Dëmi do të jetë tepër i madh, me ndikim edhe në
kualifikueset e ardhshme të Kampionatit Evropian. Meqë kemi edhe kombëtare të
tjera pa trajner, le ta konsiderojmë edhe stolin e kuqezinjve të mëdhenj të
tillë, një post për meritokraci e jo për “midenë” e cilitdo qoftë!

Sigal