Xhevdet Zekaj/Ikja e Agim Fagut dhe sporti që nuk e kemi….

489
Sigal

Ministria e Sporteve është kthyer në seli militantësh partiakë që, kurrë s’mendojnë për sportin

I ulur në një tavolinë me legjenda sporti si Mujo Tarkaj, Agim Janku, Gjergji Thaka, me R.Ramën, vëllain e Jani Ramës së Dinamos, natyrshëm nisëm të flisnim për futbollin.  Befas Agim Janku ndërhyn dhe thotë: “Ne nuk kemi futboll! Kemi federatë, por jo futboll! Kaq! Madje kemi mjaft analistë të këtij sporti, gazeta sportive dhe, dhe…., por futboll nuk kemi.” Një panoramë kjo që e ka të qartë çdo shqiptar, që konfirmon veten sezon pas sezoni, pa dalë dot nga një rreth vicioz dhune, trukimesh, shit-blerjesh, akuzash dhe kundërakuzash. Por kur e dëgjon nga goja e të tillë njerëzve, kur një vlerësim i tillë del nga zemra e atyre që bënin të mbusheshin stadiumet plot e përplot, merr më shumë kuptim. Gjergji Thakës i dhemb më shumë për shkatërrimin e dy klubeve legjendë, të dy shkollave të ndritura të futbollit shqiptar, që tashmë vegjetojnë në kategoritë inferiore. Ndien mungesën e talenteve, të rritjes së tyre në “fidanishtet” e duhura, sepse legjenda e kuqe dhe ajo blu tashmë ekzistojnë vetëm si emër. Gjeografia e bisedës zgjerohet nga Mujo Targaj, i cili edhe pse i ka “rrënjët” te futbolli, mendon se sporti shqiptar duhet trajtuar si i tërë, sepse perandorët e vet i ka në disa disiplina, të tillë si Agim Fagu, Ela Tase, Loro Borici, Panajot Pano, Asllan Rusi e të tjerë! Na ktheve në një kohë të ndritshme, por pa të tashme dhe të ardhme të tillë, thotë Romeo Ramaj, i cili, megjithatë, kërkon që të gjithë ta respektojmë historinë! Biseda u rrokullis në këtë mënyrë, sa rasti më erdhi mua për të nxjerrë dufin, që më kishte ardhur nga një dekorim i fundit i Presidentit të Republikës, bërë një sportisti. Çfarë historie, them unë. Mjafton të kujtojmë se Agim Fagu nuk merr pjesë në një dekorim nga presidenti, mjafton të themi se Agim Fagut, realisht sportisti më i madh shqiptar, bojkoton postin e Presidentit të KOKSH-it, mjafton të themi se egoisti, kryelarti, fitimtari, shumëdimensionali Agim dorëzohet përballë faqes së zezë të sportit, për të thënë atë që të gjithë e dimë, të gjithë e pranojmë në heshtje, por pak e thonë me zë të plotë: Ne nuk kemi sport! Po shyqyr që kemi ministër sporti, që thotë se me lekë do të bëjmë rrugë harron fare sportin, se kemi federata dhe sekretarë federatash, të kthyera në seli militantësh partiakë, kemi borde dhe shoqata sportive, por sport nuk kemi. Madje-madje kemi edhe dy apo tri federata për njëlloj sporti, kur në fakt nuk kanë as sportistë dhe as aktivitet kombëtar e ndërkombëtar. Në fakt biseda nisi shtruar dhe pastaj mori një rrjedhë tjetër, teksa të gjithë sollëm në vëmendje zellin e madh të presidentit Duka për të dalë nëpër ekrane kohët e fundit. Natyrisht, për të rrahur gjoksin për atë fitore vërtet madhështore ndaj Norvegjisë, por që na vjen një herë në më shumë se dhjetë vjet, aq sa ka tejkaluar tashmë mandati i tij. Edhe pse futbolli ynë figuron në krye të listave të trukimeve, edhe pse stadiumet i kemi të zbrazura, edhe pse kombëtarja po mbahet me lojtarët e rritur në emigracion, pra jashtë vendit, këta drejtues na miklojnë duke na thënë: pse të mos ëndërrojmë Brazilin? Në fakt, ashtu si për sportin në tërësi, pyetja e parë që do të ngrihej në këtë rast është: a kemi futboll për të qenë ne, apo vetëm federatë? Them se nuk kemi, nisur që nga fakti i thjeshtë se na mungon Liga Profesioniste. Pra jemi amatorë dhe tërësisht në të zezë, ashtu sikurse lëviz edhe paraja në këtë sport mes aktorëve përkatës. Mund të vazhdoja gjatë me emra dhe disiplina të ndryshme sportive, por le të vijmë tek Agim Fagu, që i mungon “truallit” të vet. Ky personaliteti i sportit shqiptar, tashmë “i dorëzuar” përballë së keqes, që e denoncoi publikisht, u largua duke lënë një boshllëk të madh. Iku për të mbetur vetë i pastër si kristali, sepse nuk mund të ishte pjesë e këtij maskarallëku. Nuk ia lejonte kultura, edukata, formimi, të qenit sportist i madh, ndershmëria. Rasti “Agim Fagu” fatkeqësisht është i vetmi në sportin shqiptar, sepse i papërsëritshëm mbetet si sportist dhe drejtues, por mund të jetë model i mirë gjithkënd. Edhe për futbollin, për t’u thënë drejtuesve atje se balta i ka mbuluar keq, se futbolli kombëtar në cilësi dhe ndershmëri ka vdekur. Pavarësisht se, mund të krekosen nëpër ekrane pas ndonjë rreze drite në fund të tunelit, sikurse ishte fitorja me Norvegjinë, ata dhe të gjithë ne që jetojmë me këtë pjesë të jetës e dimë se gjithçka është në pikën zero. Sepse asgjë nuk lëviz, me aktorë dhe problematikë të njëjtë. Si puna e atij ujit të ndenjur e të kthyer në kënetë, ku njerëz si Agim Fagu (fatkeqësisht i mungojnë futbollit për nga vlerat intelektuale dhe të ndershmërisë) nuk mund ta kredhin kurrë fytyrën, jo më të lahen apo të pinë në të. Prandaj kot që themi se kemi sport, sepse nga balta e tij baltosim edhe veten tonë. Një përfundim që duket se konkludoi si emërues i përbashkët edhe i tavolinës sonë, e cila u bë shkak i këtij shkrimi, ku natyrisht mes miqsh s’mund të diskutonim për gjë tjetër, përveçse sportit dhe futbollit në veçanti.