Xhevdet ZEKAJ/ De Biazi, nuk jeni Ju “Skënderbeu” i futbollit shqiptar!

75
Po e nis me një citat të Konicës: “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat, të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.(Albania 16, 15-30 korrik 1898)Dhe mund të mos shkruaja fare, sepse kam përsëritur për të disatën herë: De Biazi i dha personalitet, profesionalizëm, takticizëm, organizim, cilësi, unitet, kualifikim për në “Francë 2016” ekipit kombëtar të Shqipërisë. Natyrisht, meriton vlerësime maksimale për kryerjen e detyrës së tij me përgjegjshmëri, devotshmëri, përkushtim, vizion dhe angazhime shumëplanëshe. Është fat për ne, që FSHF-ja e zgjodhi këtë trajner, por jo aq më pak fat për De Biazin, që erdhi në krye të këtij ekipi. Natyrisht, fjala e tij në “Pallatin e Brigadave” ishte në stilin e tij, apo në vijim të shkrimeve prestigjioze të “Mediaset”-it, të cilat i kam lexuar shpesh. Urime për atë fjalim. Por, për të qenë korrekt me veten time dhe Juve, si shqiptar “de jure” që jeni, se “de facto” je një “italiano vero” do të thoshte Toto Cutugno, e konstatova atë ditë se ata që kritikojnë ty, Xhani apo Gani, të bezdisnin, ndaj thjesht do t’u thoje: “Vai! Vai lontano da me!” Dhe ky nuk është bashkim i të gjithë shqiptarëve. Edhe përse e kam vlerësuar shumë personalitetin tënd si njeri, po ta përsëris: Je i madh, por kurrë një Skënderbe! Së pari, Skënderbeu ishte shqiptar, shkoi në Turqi, ku u bë synet, pastaj u kthye mysliman, pastaj erdhi në Shqipëri si prijës i shqiptarëve, por kur ishte shumë më i ri në moshë se Ju. Pra, ju nuk jeni i lindur në Shqipëri, por jeni italian dhe nuk mund të jeni i njëjtë edhe përse këtë e thoni dhe deklaroni qartë se: Unë nuk jam Skënderbeu!
Së dyti, Ju nuk jeni perandori i FSHF-së, as presidenti i Shqipërisë, as ndonjë Antonio Gramshi, që të bëni bashkimin shqiptar, qoftë edhe për kombëtaren. Atë bashkim e bën Himni Kombëtar i Shqipërisë së Madhe, Flamuri Kuq e Zi (as ndonjë këngë tallava), sepse individët ikin, sidomos të huajt, sidomos ata që marrin lekë apo paguhen më shtrenjtë në ndonjë fushëbetejë tjetër. Dhe, për më qartë se kaq: “Skënderbeu” i Federatës Shqiptare të Futbollit është Z. Armando Duka, Ju thjesht jeni një “oficer madhor” i tij, për të zhvilluar beteja, madje “oficer madhor” i paguar shtrenjtë, rol që shumë shqiptarë do ta bënin me më pak para se, Ty ose pa para fare. Prandaj, përtej gjetjes Suaj, them se duhet të lexonit ca më shumë për të qenë i saktë.
Së treti, Skënderbeu u kthye për luftë, Ju për futboll. Ne sot nuk jemi të pushtuar as në futboll falë globalizmit apo lëvizjes së lirë, madje këtë rol mund ta bënit si trajner i ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës, e cila po lufton të bëhet anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s. Pra, janë larg këto punë në përmbajtje të misionit të Skënderbeut dhe të De Biazit. Futbolli i bashkon vetë vendet, kombet. Fjala vjen, James Rodrigues na bën të duam dhe Kolumbinë me magjinë e golave, pa pasur nevojë për “Skënderbej”.
Së katërti, a e dini Ju se Skënderbeu kishte në gji dhe Hamza Kastriotin, tradhtarin më të madh të tij. Mos vallë kjo do të thotë se, kur përmende Skënderbeun, kishe parasysh dhe Alban Bushin, Jona Dervishin etj, etj. Nëse nuk e dini, kini kujdes nga tradhtarët dhe nga servilët, eunukët, lajkaxhinjtë, që çfarë nuk thonë pas shpine, në stadium, për shembull, duke hyrë në studio etj. Një “fansi yt”, për inat të problemeve që ka me FSHF-në, duke hyrë në studio më tha: “Po të ishte trajner i madh Xhani De Biazi nuk vinte në Shqipëri! Këtu vijnë ata që kanë nuk kanë punë të mirë andej, apo janë në prag të pensionit”. Por, në studio “të donte shumë”. Këta janë “hamzatë”, që Ai, Skënderbeu, ua priste kokën…
Së pesti: Folët për historinë e thuprave të thyera një nga një (natyrisht si simbolikë apo metaforë) dhe të pathyera, kur janë së bashku. Jam i bindur që nuk e dini se këtë mesazh, gojëdhënë, legjendë, Skënderbeu e bëri kur ishte në shtratin e vdekjes dhe jo pas betejave, kur dërrmonte turqit. Apo ndoshta me këtë donit të thoshit se unë do të iki?! Kam oferta të mëdha! Sepse e patë vetë, për pak premio u bë “lesh e li” ushtria e Skënderbeut De Biazit. Realisht, pas vdekjes së Skënderbeut, thuprat u shpërndanë. Megjithatë, jam i bindur se, sapo Kosova të pranohet në FIFA, ajo tufë thuprash do të shpërndahet e do të duhen vite të presim, por Ju mos u merakosni shumë, se besoj që FSHF-ja do të gjejë zgjidhje. Se fëmijët e dhjetë milionë shqiptarëve, tashmë po bëhen gati profesionalisht për atdheun e tyre, Shqipërinë e madhe, që e përmendni dhe Ju!
Së gjashti, Ju faleminderit për sinqeritetin, kur thoni se këtë fjalë e bëj për të shuar konfliktin, betejën se kush e ka meritën për kualifikimin e Shqipërisë në Europian, duke pranuar se jeni “gjenerali” i këtij suksesi. Kjo polemikë nisi në “kështjellën” e FSHF-së mes teje dhe atyre. Kush janë tradhtarët, “Hamza Kastriotët”, mos e kërkoni te media. Pra, është sukses i të gjithëve, thoni Ju. Juaji, por po aq i rëndësishëm sa edhe Armando Dukës e deri te Fatos Kadëna, Alban Bushi e Besnik Çela, Ilir Shulku e Jona Dervishi, Tritan Kokona e Redi Jupi, por sidomos i atyre që luajnë në fushë. Ata janë edhe më shumë të rëndësishëm, pra Mavraj, Berisha, Canaj, Cikalleshi, Lila, Xhaka, Gashi, Agolli, Sadiku, Roshi, Shehi, Hoxha, Gjimshiti, Kukeli, Meha, Hysaj, Memushi etj, etj! Ja si e mbyllni ju fjalën: “U drejtohem lojtarëve, që duke ndenjur të bashkuar kanë formuar një ekip nga më premtuesit në futbollin europian: qëndroni të bashkuar, sepse kështu do të fitoni çdo betejë!” Por, Ju lutem mos harroni! Ju humbët betejën më të rëndësishme të shqiptarëve, ndoshta dhe më me rëndësi se kualifikimi në Francë, ndeshjen me Serbinë! Madje duke deklaruar se “lojtarët nuk më dëgjuan, nuk zbatuan detyrat!” Të tjerat nuk “pinë ujë” fare. Se u treguam europianë, të kulturuar, demokratë, të civilizuar, se nuk jemi si serbët etj. etj. Këto janë broçkulla që e shtojnë dhimbjen për këtë superbetejë të humbur. Dhe sa për kujtesë, në Shqipëri, në 4 takime, morët vetëm 4 pikë… Për “fitoren” me Armeninë nuk po flas më gjatë, thjeshtë se jam shqiptar…, por i falem kartonit të kuq. Duke qenë se Ju, iu drejtuat Skënderbeut luftëtar dhe “sportist” (nuk e di në çfarë sporti është marrë, përjashto atë të thyerjes së krahëve), unë po e mbyll me të madhin KONICA: “Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një ves: fitimin dhe një dashuri: argjendin (paranë). (Vepra 3, faqe 83). Dhe, dhëntë Zoti, thuprat e shpërndara, që i thyet një nga një, mos të jenë amaneti Juaj, për një largim pas Europianit, as një udhëtim personal i Xhani De Biazit për në botën e futbollit elitar….