Xhevair Sukaj: “Unë golashënuesi në Iranin e Ahmedinexhadit”

575
Sigal

 Shkodrani është shënuesi më i mirë i kampionëve. Pak ditë më parë realizoi një dopjetë në Champions-in azitatik

Xhevair Sukaj mund të krenohet se është lojtari i vetëm shqiptar, i cili ka fituar një titull kampion në Iran. Sulmuesi shkodran doli vjet kampion me Sepahanin, skuadër me të cilën aktivizohet edhe këtë sezon. Në ekipin iranian luan edhe mesfushori i Kombëtares, Ervin Bulku. Para tri ditësh, Xhevahiri shënoi dy gola të mrekullueshëm në fitoren 3-0 të skuadrës së tij iraniane, Sepahan, ndaj Al Nasri nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në ndeshjen e vlefshme për grupin C të Ligës së Kampioneve të Azisë. “Bomberi” shkodran realizoi golin e parë në minutën e 22-të, pas asistit të Mahltabarit, duke mbyllur edhe pjesën e parë 1-0 në favor të iranianëve. Është sërish Sukaj, në një ditë të shkëlqyer, ai që dyfishoi rezultatin në minutën e 81-të, ndërkohë që në të 86’, Ebrahimi vulosi shifrat në 3-0. Duhet theksuar se, të tre asistet e golave u dhanë nga Reza Khalatabari. Për ish-sulmuesin e Vllaznisë, por me eksperiencë ndërkombëtare ne Turqi, Egjipt dhe Kroaci, këta ishin golat me numër 3 dhe 4 në Ligën e Kampioneve të Azisë. Sezonin e kaluar Xhevair Sukaj shënoi dy gola në Ligën e Kampioneve gjatë sezonit të kaluar, për ekipin e tij iranian, Sepehan. Sulmuesi shkodran realizoi një gol në fitoren 2-1 kundër Al Ahlit të Ahlit nga Arabia Saudite (më 15 maj 2012) dhe një gol në fitoren 3-0 ndaj Al Nasrit nga Emiratet e Bashkuara Arabe (1 maj 2012).Gjatë këtij sezoni të kampionatit iranian, Xhevair Sukaj ka shënuar 9 gola, duke qenë ai golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij, ndërkohë që ka shënuar edhe një gol në Kupën e Iranit. Sukaj banon së bashku me familjen, bashkëshorten dhe vajzën e tij dy vjeçe në Isfahan, një qytet me rreth katër milionë banorë. Duhet theksuar se, Irani ka një popullsi prej rreth 75 milionë banorësh.

– Xhevahir, të mërkurën realizuat dy gola të rëndësishëm në fitoren 3-0 të Sepahanit në Ligen e Kampioneve të Azizë. Cilat ishin emocionet tuaja?

 – Ishte një kënaqësi e veçantë nga që ishte ndeshje në Ligën e Kampioneve të Azisë. Me të vërtetë jam shumë i lumtur, pasi isha vendimtar për ekipin. Isha në një ditë të mirë dhe arrita të shënoj dy gola që do të më rrisin si lojtar, pasi ishin gola me vlerë të madhe. Skuadra ime, Sepahani bën pjesë në grupin C të Ligës së Kampioneve të Azisë, dhe në të marrin pjesë edhe Al Nasri nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Al Ahli nga Arabia Saudite dhe Al Gharafa nga Katari.

– Një gol me kokë në pjesën e parë, ndërkohë që i dyti ishte tip “Inzagi”. Çfarë të tha pas ndeshjes trajneri Zllatko Kranjcar, ish-trajneri i Sllovenisë dhe Malit të Zi?

 – Për të thënë të vërtetën, goli me kokë ishte shumë i vështirë se isha në mes të dy mbrojtësve dhe ishim në një dyluftim në ajër. Ndërsa te goli i dytë shfrytëzova një top brenda 5 metërshit të portierit dhe arrita ta dërgoj në rrjetë. Trajneri normalisht ishte i kënaqur. Nuk para ndonjë bisedë të veçantë mbas ndeshjes: vetëm ‘bravo’ gjithë ekipit.

 – Sukaj, nëntë gola në kampionat këtë sezon, golashënuesi më i mire i skuadrës. A e shikon veten pretendent për fitimin e “Këpucës së Artë” në Iran?

 – Për të qenë i sinqertë, nuk është se e mendoj shumë këtë gjë. Lojtari që kryeson listën, Rafkahei i Malvanit, ka realizuar 17 gola, nga këto nëntë me penallti. Është shumë e vështirë ta arrish. Në fakt, unë në fazën e parë jam aktivizuar si zëvendësues në shumicën e ndeshjeve, kështu që është normalisht është paksa e vështirë ta rivalizosh.

 – Sezonin e kaluar dole kampion me Sepahanin, duke hyrë në histori si i pari shqiptar që, fiton një titull në Iran. Sa e mundshme është që ta fitoni këtë vit kampionatin?

 – Po, është e vërtet vjet fituam titullin, ndërkohë që dhe këtë vit kemi shanse për ta fituar sërish. Por, të them të drejtën, sezonin e kaluar kemi qenë një ekip shumë më i mirë dhe i mundëm çdo kundërshtar rival dhe arritëm ta fitonim titullin. Sivjet na janë vështirësuar pak gjerat ngaqë kanë ikur 5-6 lojtarë që bënin diferencën në kampionat.

 – Këtë vit po luan edhe Ervin Bulku, pra bëheni dy shqiptarë te Sepahani. Sa vlerësoheni në skuadër?

 – Po, ne jemi dy shqiptarët e vetëm në kampionatin iranian. Bulku është ambientuar më së miri me ekipin dhe po luan çdo ndeshje. Është shumë i vlefshëm për ekipin, shpresojmë që ta mbyllim me sukses këtë vit të dy.

 – Sukaj, ke një karriere të gjatë dhe të pasur jashtë Shkodrës dhe Shqipërisë: Turqi, Egjipt, Kroaci dhe Iran. Si do ta përshkruanit?

 – Është gjë e mirë kur të jepet mundësia të luash jashtë shteti dhe në kampionate të ndryshme. Në Turqi, me Haccetepe dhe Orusporin u rrita profesionalisht. Në Egjipt bëja pjesë te skuadra Al Ismaily, një ndër ekipet më me emër, dhe që në atë kohë ishte kampionia e Afrikës. Në Kroaci, pata një periudhë të errët te Zagrebi. Ekipi ishte i mirë dhe me vlera në kampionatin kroat, por kishim një president që nuk kishte lidhje me futbollin dhe kishte probleme financiare, çka më detyroi edhe të largohesha shumë shpejt. Në Iran jam tek ekipi më i mirë, dhe besoj se kjo është periudha më e artë deri tani në karrierën time.

 – Irani është një mister, për ne që nuk e njohim. Si është jeta aty?

 – Irani është një shtet me mbi 75 milionë banorë, i 17-ti në bptë, dhe është vendi i 18-të më i madh në botë, përsa i përket sipërfaqes. Është shumë i madh pot ta krahasojmë më Shqipërinë. Unë jetoj në Isfahasan, një qytet shumë i lashtë dhe me një traditë të shkëlqyer. Vetëm provinca e Isfahanit, me mbi 100 mijë km2 është gati katër herë më e madhe se Shqipëria. Isfahani ka mbi 1.5 milion banorë.

 – Je në vitin e dytë në Iran, a je mësuar me gjuhën perse?

 – Po, kuptoj shumë. Fjalët e përditshme i kuptoj pothuajse gjatë gjitha. Nuk është e vështirë ta flasësh, ndërsa të shkruar s’besoj se mund ta arrij ta kuptoj ndonjëherë.

 – Jetove gati për një vit në Egjipt, çfarë kujtimesh ruan?

 – Normalisht, piramidat janë të veçanta për kudo, shumë historike. Janë vende të lashta, dhe që sot nuk mund t’i bëjë ndokush. I kam parë disa herë. Shumë kujtime te bukura.

  – Xhevahir, je babai i një vajze të vogël. Si e ndjen veten një baba futbollist dhe i adhuruar nga tifozët?

 – Po, normalisht, vajza ma ka zbukuruar shumë jetën. Jam shumë i lumtur. Golat e shënuar në Ligën e Kampioneve të Azisë ia kushtova asaj.

Skeda

 Xhevahir Sukaj

Datëlindja: 5 tetor 1987, 25 vjeç

Vendlindja: Shkodër, Shqipëri

Lartësia: 1.84 m

Pozicioni: sulmues

Klubi aktual: Sepahan

Karriera me të rinjtë

2002-2004             Vllaznia

Karriera me të rriturit

2004–2008  Vllaznia        57   (29)

2005–2006  KF Elbasani     6    (4)

2008–2012  Gençlerbirlixhi 0    (0)

2008       Hacettepe       9    (2)

2009       Vllaznia        14   (8)

2009       Orduspor        4    (1)

2010       Al-Ismaily      3    (1)

2010       NK Zagreb       5    (2)

2011–2012  Vllaznia        14   (9)

2012       Sepahan         35   (11)

Ekipet Kombëtare

2005–2009  Shqipëria U-21  15   (5)

2009       Shqipëria A     1    (0)

Apolonia-Vllaznia 1-3 Tifozët fierakë i shpojnë gomat makinës së arbitrit

  Vllaznia u rikthye te fitorja, duke mposhtur 3-1 Apolonin në “Adush Muça”, në një ndeshje ku të katër golat u shënuan në pjesën e dytë. Arsen Hajdari shënoi një gol të bukur në minutën e 70-të, duke kaluar në avantazh Vllaznisë, por Andi Ribaj barazoi me penallti në të 79’. Mbrojtësi Dritan Smajlaj (80’, penallti) dhe sulmuesi kosovar Kastriot Rexha (90’+3) i siguruan fitoren e tretë në katër ndeshje trajnerit Artan Bushati. Me këtë fitore, e shtata në kampionat dhe e tretë në transfertë, shkodranët shkojnë në kuotën e 26 pikëve në vendin e 6-të. Apolonia e mbylli takimin me nëntë lojtarë pas kartonëve të kuq të Dautajt në minutën e 58-të dhe të Nakos në 80’. Pas ndeshjes, tifozët fierakë i thyen xhamin dhe i shpuan gomat makinës së gjyqtarit ndërkombëtar, Lorenc Jemini.

Tomori-Kastrioti 1-2

Vazhdon drama beratase

 Tomori hodhi një tjetër hap të gabuar në luftën për mbijetesë duke humbur 2-1 me Kastriotin (java e 17-të), me krutanët që nuk humbasin prej pesë ndeshjesh. Beratasit kaluan të parët në avantazh me golin e shpejtë të nigerianit Adinijun Xhejms (4’), por Kastrioti barazoi me anë të sulmuesit francez Albert Fataki (40’). Golin fitues e realizoi Eduart Tanushi në minutën e 88-të, trepikësh që e çoi Kastriotin në vendin e 7-të me 25 pikë.

Tomori, që ka fituar këtë sezon vetëm një nga 17 ndeshje, ndodhet në vendin e parafundit me nëntë pikë, tetë më pak se Besa e Kavajës që ndodhet jashtë zonës së “vdekjes”.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XVII

Të premten, 01.03.2013

Laçi-Skënderbeu            0-2

Të shtunën 02.03.2013

Shkumbini-Flamurtari       0-3

Bylis-Kukësi               3-0

Tirana-Luftëtari           2-1

Teuta-Besa                 1-0

Të dielën, 03.03.2013

Tomori-Kastrioti           1-2

Apolonia-Vllaznia          1-3

RENDITJA

1    Skënderbeu      17   +24  42

2    Teuta           17   +9   33

3    Flamurtari      17   +15  31

4    Tirana          17   +6   29

5    Kukësi          17   +4   27

6    Vllaznia        17   +4   26

7    Kastrioti       17   -2   25

8    Laçi            17   -2   24

9    Bylis           17   +3   22

10   Besa            17   -5   17

11   Shkumbini       17   -12  16

12   Luftëtari       17   -10  14

13   Tomori          17   -16  9

14   Apolonia        17   -18  8

Kategoria e parë

Fiton Lushnja, humbet Partizani

 Lushnja regjistroi një tjetër fitore, kesaj radhe 2-1 kundër Elbasanit në “Ruzhdi Bizhuta”. Kapiteni Merxha shënoi për Elbasanin në minutën e 34-t, ndërkohë që për kryesuesit e Kategorisë së Parë realizuan Sulo (86’) dhe Grizhaj (90’+2). Partizani humbi me Tërbunin në Pukë me rezultatin e ngushtë 1-0: gol i Arbër Mones në minutën e 13-të. Të kuqtë rrëshqitën në vendin e pestë me 34 pikë. Pas javës së 19-të, kryeson Lushnja me 46 pikë, Mamurrasi 38, Pogradeci 34, Tërbuni 34 dhe Partizani 35, etj.. Mbyll renditjen Naftëtari, me 11 pikë.

  Shkodrani shënon dhe fiton Superkupën e Kinës

Hamdi Salihi sfidon Marçelo Lipin

 Hamdi Salihi tregoi sërish klasin e tij, duke shënuar një gol me vlerë trofeu. Sulmuesi shkodran i Jiansu Sainty realizoi golin hapës në finalen e Superkupës së Kinës, ku përballë kishte Guanzhou Evergrande, kampiones kineze të drejtuar nga italiani Marçelo Lipi. Salihi realizoi me kokë një gol të zgjuar në minutën e 19-të, duke shfrytëzuar një krosim dhe mposhtur duelin me mbrojtësin Zhang Lipeng. Për Salihin ky ishte goli i dytë në po aq ndeshje me skuadrën e tij të re kineze, përfshirë dhe atë në Ligën e Kampioneve të Azisë kundër koreanojugorëve të FC Seulit. Jiangsu shënoi golin e dytë në minutën e 28-të me anë të Krivetsit, ndërkohë që kampionët e Kinës shkurtuan diferencën me anë të penalltisë së realizuar nga Konka (73’). Për Salihin ky ishte trofeu i parë në Kinë, ndërkohë që kishte fituar edhe një kupë lokale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur ai luante me D.S. Junaitid.

  ARMANDO SADIKU – Sulmuesi i Luganos shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Biel Bien. 14 gola për Sadikun.

 EDGAR ÇANI – Sulmuesi debutoi me Katanian në humbjen 2-3 kundër Interit. Çani hyri në lojë në minutën e 85-të.

 ERJON BOGDANI – Sulmuesi i Sienës luajti nga minuta e 47-të në humbjen 0-2 me Atalantën, në Serinë A.

 ODISE ROSHI – Mesfushori i FSV Frankurtit luajti nga minuta e 84-të në barazimin 1-1 me Këlnin (Bundesliga 2).

 EMILJANO VILA – Mesfushori luajti nga minuta e 58-të në humbjen 1-2 të PAS Janinës me Asteria Tripolis (Greqi).

 ARMEND DALLKU – Çermoretsi i Bakajt (në tribunë) dhe Vangjelit (në bankinë) fitoi 1-0 me Vorsklën e Dallkut (90 min.)