Xhevahir Sukaj: Te Vllaznia nuk u riktheva për lekë, dua t’i shërbej në këtë situatë

144
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” futbollisti më i ri në skuadrën shkodrane, deklaron se këtu nuk ka ardhur për lekë
Si erdhi situata që ju u larguat nga Partizani në mesin e këtij sezoni?
Unë nga Partizani jam larguar me mirëkuptim, sepse mendoja që të luaja jashtë Shqipërisë. Por ende aty i kam dyert e hapura nga drejtuesit e kësaj skuadre të madhe, ndaj nuk mund të them se largimi im është në rregull.

E kishit Vllazninë objektiv apo ndonjë skuadër tjetër?
Unë kisha një ofertë nga Sepahani, skuadra ku kam luajtur në Iran gjatë sezoneve të kaluara. Por duke qenë se disa gjëra ndryshuan rrugës, mendova se zgjodha një ambient shumë të mirë. Në të njëjtën kohë, kanë qenë dëshirat e Kryebashkiakes dhe Administratorit të klubit që unë të rikthehem në Shkodër.

Vllaznia ishte zgjedhja më e mirë për ju në këto moment?
Unë u a deklarova edhe më sipër, se i kisha të gjitha kushtet e mundësitë të qëndroja te Partizani ose të shkoja jashtë Shqipërisë. Por ishin kushtet e mia familjare dhe situata e Vllaznisë në Kampionat që më imponuan këtë zgjedhje.

Kur jeni larguar nga Vllaznia, ju keni deklaruar se ajo ju ka borxhe dhe nuk do riktheheshit pa u likuiduar, sot e keni harruar këtë deklaratë?
Asnjëherë nuk kam deklaruar se më ka borxhe Bashkia, por drejtuesit e atëhershëm të klubit. Madje kur unë kam ikur, i kam dhënë arkës së këtij klubi 50 mijë euro. Tashmë është e mbyllur kjo çështje dhe vetë rikthimi im e shpreh këtë realitet.

Është edhe nostalgji ky bashkim i juaji pas gjashtë viteve me Vllazninë apo vjen si detyrim në merkato?
E zgjodha Vllazninë në këtë moment, sepse mbi të gjitha ajo është edhe pjesë e ekipeve më të mira të Kategorisë Superiore, përpos renditjes së saj në 16 javët që janë luajtur. Ekipi ka përbërje me lojtarë cilësorë, e besoj se do të bëjmë më të mirën, së bashku edhe me drejtuesit.

Duke qenë se jemi në muajin e merkatos së dimrit, nëse ju vjen një ofertë tjetër më e mirë, largoheni nga Vllaznia?
Nuk ka kuptim të largohem në këtë periudhë, por nëse e keni fjalën për në muajin qershor, deri atëherë nuk i dihet. Nëse atëherë Vllaznia nuk do të ketë më nevojë për mua, edhe largohem. Këtu nuk erdha për lekë, se ashtu mund të qëndroja te Partizani, por që ti shërbej Vllazninë në këto moment.

Veç shërbimit që deklaroni se do t’i bëni skuadrës, çfarë mendoni se do të tregoni në këtë gjysmë të sezonit te skuadra juaj mëmë?
Me kapacitetin që kam si lojtar, do mundohem që t’i shërbej maksimalisht Vllaznisë në këtë pjesë të mbetur të sezonit në vazhdim. Është një ekip shumë i mirë që kërkon mbështetje të të madhe nga të gjithë komponentët, këtu edhe nga tifozët e saj. 

Meqenëse folët për tifozët, ata kanë shprehur shqetësim për ardhjen tuaj te Vllaznia, ky moment juve ju shqetëson?
Ka edhe tifozë që kanë shprehur shqetësim për ardhjen time te Vllaznia, por unë u them atyre që të ma thonë mua më troç shqetësimin që kanë. Nga ana ime, ju them atyre se Vllaznia ka nevojë të dalë nga kjo situatë, për këtë kam ardhur edhe unë këtu. 

Përfundimisht, ju nuk e quani Vllazninë të rrezikuar për mbijetesë në këtë sezon të këtij Kampionati?
Në 10 skuadra e Superiores, dy-tre prej tyre bëjnë diferencën, të tjerat janë aty-aty. Me këtë dua të them se skuadra ka probleme brenda saj, siç ka çdo skuadër tjetër, por asnjëherë ajo nuk e mendon zbritjen në Kategorinë e Parë. Edhe unë do të kontribuoj që kjo të mos ndodhë.
E zgjodha Vllazninë, sepse ajo është edhe pjesë e ekipeve më të mira të Kategorisë Superiore, përpos renditjes së saj në 16 javët që janë luajtur. Ekipi ka përbërje me lojtarë cilësorë, e besoj se do të bëjmë më të mirën, së bashku edhe me drejtuesit

KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 17-të
Datë 27 janar 2018 
Kamza-Laçi
Flamurtari-Partizani
Vllaznia-Kukësi
Luftëtari-Skënderbeu 
Teuta-Lushnja

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8