Xhemal Mustedanagiç: “Shqipëri sulmuese në Elite Raund”

545
Sigal

Trajneri i Kombëtares U-17 flet për përgatitjet në Durrës: “Italia, më e forta e grupit”

Trajneri boshnjak i Kombëtares U-17, Xhemal Mustedanagiç, tha për gazetën “Telegraf” se Shqipëria i ka të gjitha shanset për të bërë një surprizë të bukur në “Elite Raund”, faza e dytë e eliminatoreve të Kampionatit Europian U-17, pavarësisht se përballë do të kemi gjigantë të tillë si Italia e Anglia, së bashku edhe me Çekinë që formojnë grupin 4. Ndërsa takimet do të luhen në data 26-31 mars në Çeki, Kombëtarja ka nisur grumbullimin e saj tetë ditor në rezidencën e saj në Durrës.

 – Zoti Mustedanagiç, Kombëtarja U-17 e Shqipërisë ka nisur një grumbullim në rezidencën e saj të përhershme në Durrës. Sa do të zgjasë ai?

– Ky grumbullim është parashikuar të zgjasë për një periudhë tetë ditore, në funksion edhe të ndeshjeve të “Elite Round” të Kampionatit Europian U-17. Në të do ta marrin lojtarët që morën pjesë në eliminatoret e Kampionatit Europian, pra për grupin tonë, të zhvilluar tetorin e kaluar në Korçë e Pogradec, ku përballë kishim Rumaninë, Finlandën dhe Bjellorusinë.

– Përtej seancave stërvitore, a keni planifikuar ndeshje miqësore?

– Po, do të zhvillojmë dy ndeshje miqësore testuese. Mund të luajmë me Teutën apo me Besën, por ndoshta edhe brenga grupit, pasi kemi numër të mjaftueshëm lojtarësh. Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme, për mua si trajner, pasi do të kem mundësi të verifikoj gjendjen e lojtarëve që kam thirrur, por edhe të përgatitem sa më mirë për takimet zyrtare. Ne ndodhemi në një grup shumë të fortë, së bashku me Anglinë, Italinë dhe Çekinë. Pikërisht, në Çeki do të zhvillohen edhe ndeshjet e “Elite Round”.

– Ku luajnë lojtarët e thirrur për këtë grumbullim të rëndësishëm?

– Kemi thirrur futbollistët më të mirë për momentin. Disa luajnë në Shqipëri, por dhe në Zvicër, Greqi, Itali. Do të vinë lojtarë të rinj, të cilët luajnë në Belgjikë dhe në Austri, ndërkohë që në muajin mars do të vijnë në Kombëtaren U-17, dy futbollistë shqiptarë që luajnë te Sampdoria në Itali.

– Zoti Mustedanagiç, nën drejtimin tuaj Shqipëria U-17 është kualifikuar dy herë në tre vendet e fundit, çka përbën edhe një rekord për ju personalisht…

– Është një kënaqësi edhe për mua, por dua të shtoj së eliminatoret e viti 2012 ne i patëm të gjitha shanset për t’u kualifikuar, por në eliminimin tonë ndikoi edhe gjyqtari. Unë shpresoj që, nëse Shqipëria do të nxjerrë lojtarë të mirë brenda tre-katër viteve ajo mund të arrijë edhe në finalet e Kampionatit Europian U-21.

– Në “Elite Round”, Shqipëria do të luajë kundër dy ekipeve të mëdha, Anglisë dhe Italisë. Kë do të vlerësonit më shumë?

– Për mua, Italia është ekipi më i mirë. Ka një gjeneratë të fortë lojtarësh, por Anglia është e fortë. Unë mendoj, se njëra prej të dyjave do të shkojë në finalet e Europianit. Në grup kemi edhe Çekinë, kështu që do të përpiqemi t’i marrim edhe asaj, pavarësisht se do të luajmë atje. Ndeshja jonë e parë është kundër Italisë (26 mars), më pas do të luajmë kundër Anglisë (28 mars) dhe e mbyllim me Çekinë (31 mars).

– A do të guxojë Shqipëria të luajë në sulm, apo do të kemi një skuadër mbrojtëse?

– Pse, jo. Ndoshta do të luaj me dy sulmues të pastër. Unë dëshiroj ta provoj, mund të luajmë me skemën 3-5-2.

– Ju dhe Xhani De Biazi, jeni dy trajnerët e vetëm të huaj të ekipeve tona Kombëtare në futboll. Si janë raportet tuaja me De Biazin?

– Me trajnerin Xhani De Biazi kam një marrëdhënie të shkëlqyer, ashtu si kundër e kam edhe me Skënder Gegën (U-21) dhe Foto Strakoshën (U-19). De Biazi erdhi edhe në seleksionimin që bëmë me lojtarët e vitlindjes 1997 në fund të janarit. De Biazi është shumë pozitiv.

– Para pak javësh, të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare shqiptarë patën një takim të përbashkët, përfshirë këtu edhe atë të Kombëtares A, Xhani De Biazi. Cila ishte tematika e takimit?

– Ishte një takim shumë i mirë, pasi diskutuam për probleme të organizimit, taktikës dhe moduleve të lojës për të gjitha ekipet, si do të luajmë në ardhmen. Në parim, të gjitha ekipet do të luajnë me të njëjtën modul, por e theksoj se çdo gjë do të varet nga kundërshtarët me të cilët do të përballemi.

Eliminatoret U-17

Euro 2015

FAZA E PARË

Ndeshjet, Grupi 1

23.10.2013

Shqipëri-Finlandë  0-0

19.10.2013

Rumani-Shqipëri 1-0

21.10.2013

Bjellorusi-Shqipëri 1-2

FAZA ELITE ROUND

Ndeshjet, Grupi 4

26.03.2014

Itali-Shqipëri

28.03.2014

Angli-Shqipëri

31.03.2014

Shqipëri-Çeki

Dy kualifikime në tre vitet e fundit

  Me “Xhemon” në bankinë, në vitin 2012, Shqipëria U-17 arriti të kualifikohej për herë të tretë në “Elite Round” të Kampionatit Europian, pas atyre në vitet 1994 dhe 2003, midis 28 ekipeve më të mira të Europës, duke bërë një paraqitje shumë të mirë. Në ndeshjet në grup, në fazën eliminatore, Mustedanagiçi arriti këto rezultate. Shqipëri-Sllovaki 2-1, Gjermani-Shqipëri 1-0 dhe Estoni-Shqipëri 1-1. Vendi i dytë në grup dhe automatikisht në Elite Round. Në shortin e hedhur, më 29 nëntor 2012, Shqipëria ra në një grup me Holandën, Serbinë dhe Irlandën. Kombëtarja jonë humbi 4-0 me Holandën, 3-0 me Serbinë dhe fitoi 2-1 me Irlandën. Në eliminatoret Kampionatit Europian 2014, Shqipëria U-17 shkroi një tjetër faqe të bukur në historinë e saj, teksa dje, pas barazimit pa gola me Finlandën dhe humbjes së Bjellorusisë me Rumaninë (2-0), siguroi për herë të katërt kualifikimin për në fazën “Elite Round”, atje ku marrin pjesë 24 skuadrat më të mira të Europës të asaj moshe. Shqipëria është kualifikuar më parë në fazën e dytë eliminatore të një Kampionati Europian në vitin 1994, 2003 dhe 2012. Shorti i “Elite Round” na ka vendosur përballë Anglisë, Italisë dhe Çekisë.

  Ish-ndihmës i Josip Kuzhesë

 Boshnjaku Mustedanagiç ka qenë më parë ish-ndihmësi i Josip Kuzhesë, në kohën kur kroati drejtonte Shqipërinë nga maji i vitit 2009 deri në tetor të vitit 2011. Kroati Kuzhe dhe boshnjaku “Xhemo” kishin një miqësi 40-vjeçare, nga viti 1973, kur të dy ishin pjesë e Dinamos së Zagrebit dhe Mustedanagiçi mbërriti në Shqipëri, pikërisht me propozimin e Josipit, si një njeri i besuar i tij. Në kohën kur Josip Kuzhe u shtrua në spital, për shkak të hemorragjisë cerebrale, Xhemali drejtoi ekipin Kombëtare në ndeshjet kundër Bosnjë-Hercegovinës (atdheut të tij, 8 tetor 2009) në barazimin 1-1 dhe humbjen 2-0 me Bjellorusinë (12 tetor 2009), ndeshje këto për eliminatoret e Euro 2012.

 Seleksionimi i janarit

 Për dy ditë me radhë, në datat 28 dhe 29 janar, në qendrën stërvitore të ekipeve kombëtare në Kamzë, nën drejtimin e trajnerit Xhemal Mustedanagiç, si dhe shefit të zyrës së talenteve në FSHF, Redi Jupi, janë zhvilluar dy seanca përzgjedhjeje të futbollistëve që aktivizohen në kampionatin tonë kombëtar për moshat deri në 17 vjeç. Janë paraqitur gjithsej 51 futbollistë të vitlindjes 1998 nga zona e Tiranës. Stafi i ekipit, me në krye Mustedanagiç, si dhe zëvendësit e tij Ilir Biturku e Dritan Kristidhi, kanë parë nga afër të dhënat e të rinjve, teksa prezent në këtë seleksionim të rëndësishëm për këto mosha ishin edhe përfaqësues të sektorit të ekipeve kombëtare në FSHF.

 Ndeshjet zyrtare të Xhemos

 SHQIPËRI-BOSNJË 1-1

08.10.2010 – Me trajnerin Kuzhe të shtruar spital, për shkak të hemorragjisë cerebrale dhe boshnjakun Mustedanagiç në bankinë, Shqipëria barazoi 1-1 me Bosnjën në “Qemal Stafa”. Ibesevic shënoi për boshnjakët (21’), barazoi Klodian Duro (45’+2).

 BJELLORUSI-SHQIPËRI 2-0

12.10.2010 – Pa trajnerin Kuzhe në bankinë, drejtimin e ekipit e mori boshnjaku Xhemal Mustedanagiç. Shqipëria humbi 2-0 ne Minsk me Bjellorusinë, duke pësuar dhe humbjen e pare ne keto eliminatore. Golat: Rodionov 10’ dhe Krivets 77’.

   Kundër Anglisë e Italisë në “Elite Round”

 Short shumë i vështirë për kombëtaren tonë U-17 në “Elite Round”. Kuqezinjtë e drejtuar nga boshnjaku Dzemal Mustedanagic do të kenë kundërshtarë edhe dy emra të mëdhenj të futbollit europian: Italinë dhe Anglinë. Gjithçka u zbulua gjatë hedhjes së shortit në Nion të Zvicrës, të enjten e 28 nëntorit të vitit të kaluar, për kualifikueset e Kampionatit Europian U-17, që do të zhvillohet në Maltë në vitin 2014. Shqipëria është kualifikuar për në “Elite Round”, duke kaluar me sukses fazën e parë kualifikuese, që u zhvillua në Korcë dhe Pogradec për grupin tonë. Veç Anglisë, si kokë grupi, dhe Italisë, kundërshtar të kuqezinjve do të jenë edhe 17-vjeçarët e Republikës Çeke. Kësisoj, formohet një ndër grupet më të forta të këtyre eliminatoreve, nga shtatë të tillë.

Kampionti Europian 2014

Kualifikueset, “Elite Round”

Grupi 1: Spana, Zvicra, Rusia, Uellsi

Grupi 2: Polonia, Turqia, Greqia, Norvegjia

Grupi 3: Holanda, Franca, Austria, Suedia

Grupi 4: Anglia, Italia, Republika Ceke, Shqipëria

Grupi 5: Gjermania, Serbia, Gjeorgjia, Republika e Irlandës

Grupi 6: Rumania, Skocia, Belgjika, Bosnia dhe Herzegovina

Grupi 7: Portugalia, Islanda, Letonia, Ukraina