Xhani De Biazi: “Sot, dua 11 heronj kundër Zvicrës”

498
Sigal

Italani “Me 101 për qind do të vazhdoj të jem trajneri i Shqipërisë edhe për Euro 2016”

Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, është para një prove force dhe krenarie, kur Kombëtarja kuqezi të luajë sot kundër Zvicrës në “Qemal Stafa” (20:30). Shqipëria vjen pas dy humbjeve radhazi me Slloveninë dhe Islandën dhe ka marrë vetëm një pikë në tri ndeshjet e fundit, që e spostuan atë në vendin e parafundit dhe me shumë pak shpresa për të kapur vendin e dytë që të çon në “play-off”. Në ndeshjen e parë me Zvicrën në Lucernë, Kuqezinjtë humbën 2-0, ndërkohë që të gjithë presin revanshin në impiantin ndërkombëtare të kryeqytetit. Në konferencën e tij të dy për shtyp në harkun e katër ditëve, De Biazi ruajti të njëjtin optimizëm para sfidës me kryesuesit e grupit tonë.

 – De Biazi, vetëm pak orë na ndajnë nga ndeshje me Zvicrën. Sa e përgatitur skuadra për të përballuar këtë sfidë shumë të rëndësishme?

 Dilema nuk ka, ekipi është përgatitur mirë për këtë ndeshje. Zvicra është një kundërshtar i fortë, ka në përbërje nëntë lojtarë që luajnë në Ligën e Kampioneve dhe kanë mjaft eksperiencë. Gjithsesi ne kundërshtarin nuk e kemi frikë, do ta respektojmë dhe do të futemi në fushë për ta fituar këtë ndeshje.

– Pësuam dy humbje të hidhura në dy ndeshjet e fundit në transfertë. Cili është morali i skuadrës?

– Vijmë nga dy ndeshje të ndryshme, nga një humbje në Slloveni që nuk e merituam, dhe nga një humbje tjetër në Islandë në të cilën na kushtoi shumë ideja që duhet ta fitonim patjetër. Por me Zvicrën ndryshon gjithçka dhe ne duhet të mendojmë vetëm për të, për t’u futur në fushë me mentalitetin e duhur, me guximin dhe vendosmërinë për të bërë çdo gjë mirë.

 – Te skuadra e Zvicrës luajnë gjashtë shqiptarë. Si e konsideroni këtë fakt, do të jetë pozitive apo me efekt negative presioni i tifozëve tanë?

– Ata janë lojtarë që janë lindur dhe mbase kanë lindur në Zvicër, janë përzgjedhur nga kombëtaret e moshave të Zvicrës. Kanë zgjedhur të luajnë për Zvicrën dhe gjithsecili është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij. Besoj se është një zgjedhje natyrale që ka ndodhur për ata. Nesër (sot) presioni që ata do të kenë dhe vërshëllimat që do të marrin nga tifozët shqiptarë besoj se do të jenë për faktin se ata janë kundërshtarët tanë të radhës dhe jo për faktin se ata janë shqiptarë.

– Terreni i “Qemal Stafës” nuk është ideal, ndërkohë që një shi i mundshëm mund ta dëmtojë shumë atë…

– Pashë në televizor parashikimet e motit që nesër (sot) mund të bjerë shi, por kjo nuk ka asnjë rëndësi. Ne jemi mësuar të luajmë në shi, në diell, në erë dhe fusha nëse do të jetë e mirë apo e keqe, është njësoj për të dy ekipet.

– Cili është mesazhi që u ke dhënë lojtarëve për këtë ndeshjes speciale

– I kam thënë ekipit atë që thashë dhe në konferencën për shtyp ditën e hënë që përderisa ka jetë ka dhe shpresë. Ne do të mundohemi të marrim maksimumin në këto dy ndeshje, qoftë edhe për të pasur një shpresë minimale për të kapur vendin e dytë. Detyra jonë është të marrim maksimumin në këto dy takime për t’u ngritur në klasifikim dhe nëse nuk arrijmë në ‘play-off’, nuk është fundi i botës.

– Cila është gjendja e futbollistëve?

Gjendja në ekip është e mirë, përveç faktit se dy nga lojtarët tanë kanë luajtur të hënën në mbrëmje në Itali, çka është diçka e pazakontë në një periudhë para ndeshjeve të ekipeve kombëtare. Gjithsesi, përveç Canës që ka luajtur shumë ndeshje kohët e fundit, gjendja e lojtarëve të tjerë në përgjithësi është e mirë.

– Priten që të janë shumë menaxherë në ndeshje…

– Trajneri nuk është i vëzhguar në këtë ndeshje, por fakti që ne luajmë kundër Zvicrës tërheq vëmendjen e të gjithë njerëzve që merren me sportin. Sigurisht është diçka e mirë, pasi ndeshjet e mira që kemi bërë deri tani kanë tërhequr vëmendjen e vëzhguesve ose menaxherëve të ndryshëm.

– Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga përfundimi i eliminatoreve, cili mund të jetë opinioni juaj?

Ky është një grup shumë i ekuilibruar dhe i çuditshëm, që udhëhiqet nga Zvicra që ka më shumë kualitete dhe është superiore si skuadër. Anomali qëndron në faktin që Norvegjia dhe Sllovenia nuk u ngjitën aty ku pritej, ndërsa ne si fillim bëmë diçka më shumë nga sa pritej. Kjo bëri që ne të rritnim pritshmëritë e tifozëve tanë dhe të gjithë ambientit në Shqipëri. Gjithsesi mendoj se skuadra jonë ka mundësi të rritet akoma më shumë, ka në përbërje mjaft lojtarë të talentuar dhe në të ardhmen besoj se do bëjë akoma më mirë.

– Cili ka qenë objektivi juaj në këto eliminatore?

– Në punën time gjithnjë i kam vënë vetes objektiva madhorë, qoftë edhe kur kam drejtuar një ekip të vogël. Për këto eliminatore më mirë do të flasim direkt pas ndeshjes me Qipron.

– Së fundi, si e parashikoni të ardhmen tuaj me Kombëtaren shqiptare?

– Me 101 për qind do të vazhdoj të jem trajneri i Shqipërisë edhe për eliminatoret e ardhshme. Nuk mund të vendosim që tani objektiva, por duhet të përfundojmë fillimisht këto dy ndeshje, të cilat shpresojmë t’i kalojmë me sukses, më pas të shohim se me cilët kundërshtarë do të përballemi në grup në eliminatoret e Kampionatit Evropian

Eliminatoret “Botërori 2014”

Grupi E

Ndeshjet e mbetura

11 tetor

Shqipëri-Zvicër      20:30

Islandë-Qipro        20:45

Slloveni-Norvegji    20:45

 

15 tetor

Qipro-Shqipëri       18:00

Norvegji-Islandë           20:00

Zvicër-Slloveni      20:00

RENDITJA

 1 Zvicra        8    18

2 Islanda       8    13

3 Sllovenia     8    12

4 Norvegjia     8    11

5 Shqipëria     8    10

6 Qipro         8    4

RENDITJA NË FIFA

 Trajneri i Zvicrës: “Nuk më pëlqen kurrë të luaj për një barazim 0-0. Në Tiranë, për të fituar”

 Otmar Hicfeld: “Shqipëria,

një ekip i paparashikueshëm”

  Trajneri i Zvicrës, Otmar Hicfeld, e tha hapur synimin e tij gjatë konferencës së tij në Tiranë, në prag të ndeshjes kundër Shqipërisë në “Qemal Stafa”: “Ne kërkojmë të marrim tri pikët, ne nuk do të luajmë për të marrë një barazim 0-0. Qëllimi ynë është ta qartësojmë këtë situatë sa më shpejtë që të jetë e mundur”. Tekniku gjerman dëshiron të mos e komplikojë aspak situatën në grupin E, pavarësisht se Zvicra ka pesë pikë më shumë se Islanda e vendit të dytë, dhe se për të shkuar në Brazil i mjafton një pikë nga dy ndeshjet e mbetura. Një detyrë “kozmetike” për kryesuesen e grupit, së cilës i kanë mbetur edhe dy sfida të lehta në letër: me Shqipërinë (e parafundit) dhe Slloveninë ( e katërta në grup). Otmar Hicfeld e pranoi se, Shqipëria është një ekip i paparashikueshëm. “Është një ekip që nuk dëshiron të fshihet, – nënvizon Hicfeld. – Është një skuadër e gëzueshme, e aftë të zhvillojë shumë regjistra të lojës. Të premten, ajo do të marrë përsipër të gjitha rreziqet. Ajo duhet të fitojë për të shpresuar akoma një vend në ‘play-off’. Por, nga ana tjetër, sfida do të jetë gjithashtu e madhe. Një fitore dhe ëndrra jonë, për të shkuar në Brazili do të realizohet. Filozofia jonë është gjtihmonë e njëjta: të zhvillojnë një takim me objektivin për ta fituar. Edhe pse na mjafton edhe një barazim të premten, ju siguroj se ne nuk do të spekulojmë. Ne dëshirojmë ta fitojmë këtë ndeshje”. Trajneri i Zvicrës vlerësoi dhe faktin se, skuadra zviceranë nuk është ende perfekte: “Shumë lojtarë të rinj po e zbukurojnë efektivin tonë. Ata do të marrin pak nga pak një eksperiencë ndërkombëtare. Jo gjithçka është perfekte, por bilanci është pozitiv deri këtu”. Zvicra nuk humbet prej 11 ndeshjesh, qysh nga humbja 1-0 me Rumaninë, më 30 maj 2012 në Lucernë. Trajneri Hitcfeld foli edhe për praninë e gjashtë shqiptarëve në ekipin zviceran. “Kjo mbetet një ndeshje futbolli. Një ndeshje ku do të shohë publikun shqiptar, që do të mbështesë ekipin e tij dhe do të fishkëllejë tonin. Por këto fishkëllima do t’u japin një supermotivim lojtarëve të mi, – tha Hitcfeld. “Eksperienca e ndeshjes së vajtjes në Lucernë mund të na shërbejë gjithashtu. Çelësi do të jetë të dëshmojnë një solidaritet të madh në fushë. Behrami, Xhaka dhe Shaqiri janë trajner shumë mirë këto ditët e fundit. Unë i kam thirrur ata në kontekstin e këtij takimi. Por, ata nuk do të jenë të vetëm në fushë. E përsëris edhe një herë tjetër: është ekipi ai që duhet të bëjë lojën dhe jo tre lojtarët tanë me origjinë shqiptare. E shoh takimin në Tiranë me një entuziazëm të madh”. Hitcfeld nuk ndryshon kurrë nga kërkesat e tij: “Unë u jap rëndësi çdo ndeshjeje dhe kërkoj të marr maksimumin, pavarësisht se kush është kundërshtari”. Trajneri i ekipit të Zvicrës tha se, ekipi i tij dallohet për disiplinë të fortë taktike dhe cilësi: “Ne kemi pësuar vetëm pesë gola në këto eliminatore, katër prej të cilëve nga Islanda në shtëpinë tonë. Ne duhet ta përmirësojmë efikasitetin përpara portës. Ne krijojmë shumë raste, por pak përfundojnë me sukses. Ka gjithashtu tepër afërsi të lojtarëve në pasimin e fundit”. Hicfeld nuk e fshehu faktin se, skuadra e tij ka zhvilluar lojëra konstante dhe se ai ndihej krenar për këtë. “Në eliminatoret për një Kupë Bote apo për një Europian, një vend i parë është rregullisht prova e kësaj cilësie”

 Gjykon portugezi Proença

 Portugezi Pedro Proença do të gjykojë ndeshjen midis Shqipërisë dhe Zvicrës, e cila do të luhet sot në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë. Takimi duket se ka marrë vlerësim maksimal nga UEFA, pasi mund të ndikojë direkt për skuadrat që shkojnë në finalet e botërorit në Brazil. Për këtë arsye është emëruar 43-vjeçari, një nga arbitrat më të mira aktualisht në qarkullim. Ai pati kulmin më 2012, kur gjykoi finalen e Ligës së Kampioneve, midis Bajernit dhe Çelsit në Munih, si dhe finalen e Euro 2012, midis Spanjës e Italisë, në Kiev.