Xhani De Biazi: “S’duhet t’i bëjmë dhuratë Norvegjisë!”

550
Sigal

 Trajneri i Kombëtares u jep porositë e fundit djemve të tij: “Të tregojmë personalitet në Oslo”

Shqipëria do të luajë sot në Norvegji (19:00) shanset e saj, me synimin e madh për të mos i shuar ëndrrat për pjesëmarrjen e saj të parë në finalet e një Botërori. Kuqezinjtë janë të vetëdijshëm se, vetëm një impenjim maksimal mund t’i shpërblejë ata me pikë. Dhe këtë më mirë se, gjithë të tjerët e di trajneri Xhani De Biazi, në sfidën e tij të pestë zyrtare, teksa në katër të parat ekuilibri është absolut: dy fitore dhe dy humbje, pesë gola të shënuar dhe po aq të pësuar. Pak minuta para nisjes nga aeroporti “Nënë Tereza’, tekniku italian u shpreh entuziast, duke mos ua kursyer buzëqeshjet dhe batutat gazetarëve.

 ASNJË DHURATË

“Shkojmë me mendimin për të bërë më të mirën dhe për të marrë rezultat, pastaj do të jetë fusha ajo që do tregojë se kush ishte më i miri ne apo kundërshtari. Jemi mirë fizikisht, skuadra ka punuar mirë këto ditë. Shpresojmë që të bëjmë një paraqitje të mirë nesër, sepse kemi nevojë. Nuk duhet ti bëjmë asnjë dhuratë kundërshtarit në çdo këndvështrim”, – tha De Biazi. Pas katër ndeshjeve të para, Shqipëria ka grumbulluar gjashtë pikëve, vetëm një pikë më pak se Norvegjia (7), ndërkohë që në transfertëve e vetme kundër norvegjezëve ka barazuar 2-2 në “Uleval”, të mërkurën e 14 tetorit të vitit 1998 në Oslo, teksa deri në minutën e 82-të kryesonim 0-2 me golat e Alban Bushit (38’) dhe Igli Tares (52’). Fati e ndeshjes e ktheu një penallti e paqenë, e akorduar nga gjyqtari austriak Gradbaher, dhe të realizuar Radkal (82’). Gjashtë minuta më pas erdhi dhe goli i barazimit nga ana e Bergut, që fiksuan dhe rezultatin 2-2.

  PROVË PERSONALITETI

Trajneri i dytë italian që, drejton Shqipërinë, pas aventurës së shkurtër të Xhuzepe Dosenës (maj-tetor 2002, vetëm dy ndeshje zyrtare), ritheksoi edhe njëherë tjetër pikën më të dobët të Kombëtares, pikërisht mungesën e mentalitetit në ndeshjet jashtë shtëpisë. Larg publikut të zjarrtë të “Qemal Stafës”, kuqezinjtë duken të ndrojtur dhe të dorëzuar që në mendim. Megjithatë, De Biazi mendon se në Oslo ekipi duhet të tregojë identitetin e vet dhe të matet si i barabartë me kundërshtarin. “Mentaliteti është që të zbresim në fushë për të luajtur ndeshjen tonë, duhet të kemi respekt por jo frikë për kundërshtarin. Duhet të luajmë siç dimë vetë, të evitojmë situatat e rrezikshme dhe të shfrytëzojmë momentet që do të krijojmë. Kjo është një provë personaliteti dhe skuadra duhet të tregojë identitet dhe se në fushë mund të jetë e barabartë me të gjithë”.

  ENTUZIAZËM NË “ULEVAL”

Shumë pak kuriozitet për ekipin tonë nga mediat norvegjeze, teksa edhe stërvitja njohëse në stadiumin “Uleval” ka qenë me dyer të mbyllura, një urdhër ku i vetë trajnerit De Biazi. Gjithsesi, batutat nuk munguan në seancën e djeshme, madje vetë De Biazi ishte promotor i tyre, për t’i çliruar sadopak edhe lojtarët nga një ngërç i mundshëm psikologjik në “tokën e panjohur të armikut të radhës”. Norvegjia është kundërshtari i vetëm që, Shqipëria nuk është ndeshur deri tani, pasi më parë ka luajtur me katër rivalët e tjerë, duke filluar me Qipron (fitore 3-1), Zvicrën (humbje 2-0), Islandën (humbje 1-2) dhe Slloveninë (fitore 1-0). Por, trajneri deklaroi në konferencën e tij për shtyp në selinë e FSHF-së, se ai e njeh mjaft mirë kundërshtarin. “Di gjithçka përmendësh në lidhje me Norvegjinë. Kanë thirrur 21 lojtarë për këtë ndeshje, kanë 12 lojtarë që luajnë jashtë vendit të tyre dhe 9 që luajnë në kampionatin vendas. Nga 12 futbollistët që aktivizohen jashtë vendit 9 janë pjesë përbërëse e skuadrave të ligave të para në Europë, tre luajnë në Premier angleze, tre në Bundesligë dhe të tjerët janë të shpërndarë mes Belgjikës, Holandës, Austrisë etj. Dy të tjerë luajnë në Çampionship në Angli. Pra, është një skuadër që ka në formacionin e tij bazë lojtarë në ligat kryesore të Europës”.

  Gjashtë pikët e italianit

 Italiani Xhani De Biazi ka grumbulluar gjashtë pikë, duke barazuar rekordin e vendosur nga Brigeli, por në fakt, duke pasur tri nga katër takimet në shtëpi, pra në Tiranë. Dy fitore me Qipron (3-1) dhe Slloveninë (1-0) dhe dy humbje me Zvicrën (2-0, në Lucernë) dhe Islandën (1-2, në Tiranë).

Bilanci në eliminatore

 Shqipëria ka zhvilluar deri tani 88 ndeshje në eliminatoret e kampionateve botërore. Bilanci është shumë i varfër: 13 fitore, 11 barazime dhe 64 humbje. 57 gola të shënuar dhe 157 gola të pësuar. Ndeshja me Norvegjinë është e 89-ta në eliminatoret e botërorëve.

 Formacioni i mundshëm i Shqipwrisw

4-4-2

Në portë: Berisha

Në mbrojtje: Dallku, Cana, Mavraj, Agolli

Në mesfushë: Lila, Basha, Bulku, Roshi

Në sulm: Salihi, Çani

Formacioni i mundshwm i Norvegjisë

4-5-1

Në portë: A.Jarstein

Në mbrojtje: Hedenstad, Hangeland, Forren, Arne Rise

Në mesfushë: Swderlund, Henriksen, Henriksen, Jensen, Elionousi

Në sulm: Abdellaoue

Provokimi i Olsenit: “I kam studiuar shqiptarët, ndërhyjnë keq fizikisht”

 Trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen, vazhdoi me deklaratat e tij provokuese në mediat norvegjeze, pavarësisht fakti se nëse ato lexohen në Shqipëri, apo jo. Pasi i provokoi lojtarët shqiptarë se, “ata të pickojnë si mushkonjat”, “Drillo” (siç është nofka e tij në Norvegji), tha për televizionin sportiv norvegjez “TV2 Sport” se, “shqiptarët bëjnë një lojë të shëmtuar, duke pasur si tendëncë ndërhyrjet e forta fizike ndaj kundërshtarëve”. Një mungesë e theksuar respekti, pavarësisht se Norvegjia ka vetëm një pikë më shume se ne. Shqipëria ndodhet në vendin e 64-t në FIFA, gati 30 vende pas Norvegjisë, por ajo mund të rezultojë një fatalitet për norvegjezët në “Uleval”. Gjithsesi, trajneri 70-vjeçar norvegjez beson se, Shqipëria është favorite e madhe për të qenë ajo në vendin e dytë, nëse Zvicra do ta mbyllë fushatën në krye të grupit E. “Ata janë shpërblyer shumë keq për punën që kanë bërë. Në humbjen kundër Islandës ishte i pafat. Zvicra u shënoi në gjuajtjen e vetme të saj, ndërkohë që fitoi një penallti të lirë dhe pati vetëm katër shanse kundër tyre. Nuk është pak ajo që ka bërë Shqipëria. Ka një ekip kompakt dhe luan me topa të ulët. Ne duhet të fokusohemi në topat të lartë dhe të gjatë në fushë, dhe të shfrytëzojmë çdo hapësirë që do ta në krijohet”, – tha trajneri Olsen. Televizioni norvegjez citon edhe deklarimet nga Lorik Cana, ku vihet theksi se, Shqipëria nuk ka frikë nga Norvegjia dhe se nuk e frikësojnë temperaturat ulëta në “Uleval”. “Ata luajnë në mënyrë të shëmtuar, – ripërsërit Olsen, – të bezdisin shpesh, madje mund të thyejnë edhe këmbët. Të godasin njëherë dhe pas dhjetë sekondash të godasin sërish. Pikërisht, këtë nuk dua të ndodhë, por i kam parë në ndeshjet që kam ndjekur”. Mediat nordike kanë bërë dhe një analizë të skuadrës sonë, ku ata veçojnë faktin se gjashtë nga lojtarët tanë luajnë në Itali, me Lorik Canën si yllin e ekipit, ndërkohë që të tjerët luajnë në Suedi, Turqi, Greqi, Spanjë, Gjermani, Ukrainë, Azerbajxhan, Iran, Zvicër, Kinë dhe Bullgari, si dhe disa lojtarë nga kampionati shqiptar.

 By Rise, “spiuni” norvegjez në Tiranë

 Sipas asaj që raportojnë mediat norvegjeze, trajneri norvegjez i ka parë me “lupë” me dhjetëra herë tri ndeshjet e fundit të Shqipërisë, ndërkohë që ndihmësi i tij Ola By Risi dhe Bjorn Hansen kanë qenë në tribunat e “Qemal Stafës’ disa herë. “Ne jemi shumë mirë të përgatitur. Shqipëria ka një grup lojtarësh që kanë punuar fort dhe ka më gjirin e saj disa yje të mëdhenj, si dhe futbollistë që nuk janë si tanët. Është shumë e vështirë t’i mundësh ata’, – tha “Drillo” për faqen në internet të televizionit “TV2”. Shqipëria e De Biazit e hapi fushatën me një fitore 3-1 me Qipron, në Tiranë. Më pas ajo humbi 2-0 në Zvicër e pasuar me dështimin 1-2 me Islandën në “Qemal Stafa’, përpara se ajo të fitonte 1-0 me Sllovenin tetorin e vitit të kaluar.