Sigal

Xhani De Biazi ka bërë analizën e punës dhe ecurisë së deritanishme të kombëtares shqiptare që pas largimit nga stoli i kuqezinjve. Ai ka treguar ndryshimet mes tij dhe Panuçit, si dhe problemet që kishte parë në ndeshjen me Skocinë.

“Kur jam i lirë vij me qejf, me Izraelin isha herën e fundit e fituam 1-0. Thashë po vij ndoshta i sjell fat, nuk shkoi kështu.

Ky ishte grup i ekuilibruar edhe pse Shqipëria nuk arriti të shprehte në maksimum potencialin. Pak mungesat e pak kërkimi i një identiteti të ri nuk ndihmuan që të arrihej ai objektiv. Nëse ke lojtarë është e lehtë, nëse ke më pak bëhet më e vështirë. Kjo, sepse në fushë janë lojtarët që luajnë e bëjnë diferencën. Rezultatet janë ata që të japin vlerë. Ato nuk vijnë vetë, vijnë nëpërmjet një strategjie, lojtarëve në dispozicion. Puna e trajnerit duhet të jetë në 360 gradë, pa u ndalur te rezultatet e menjëhershme.

Skuadra nuk ka bërë rezultatet brilante, pastaj është e qartë që ka fazë rritje, tentative për të bërë diçka konstruktive. Por në fund ai që të jep vlerën janë rezultatet dhe trajneri është mësuar të pësojë sulme. Më pak kur ka duartrokitje, për të gjithë, edhe për mua.

Panuçi vjen nga humbja, në Izrael e tani ndaj Skocisë, 4-0 që duhet analizuar. Djeg por duhet parë se të luash pas minutës së 22 je 0-1 me më pak lojtarë ndaj një skuadre me cilësi dhe lojë fizike. Skocezët kanë forcë, teknikë, kanë bërë ndeshje të mirë. Ne bëmë më pak, bëmë gabim te goli i parë. Ishte një gabim i mesfushorit që nuk duhet bërë.

Unë nuk kam parë kurrë mungesat, bëj punën me atë çfarë ke. Të qash se nuk ke ndonjë lojtar, nuk të shërben të bësh pikë e rezultate. Sigurisht, nëse do të kishte Roshi, Sadiku, Hysaj e Basha do të ishte ndeshje ndryshe”, tha De Biazi.