Xhani De Biazi: “Nuk kam presion nga askush”

508
Sigal

Trajneri i Kombëtares: “Listën e lojtarëve e bëj vete. Miqësoret, test para Europianit”

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, i vlerë si shumë të rëndësishme tri ndeshje miqësoret me Rumaninë (31 maj), Hungarinë (4 qershor) e San Marinon (8 qershor), parë këto në optikën e kualifikueseve të Kampionatit Europian 2016.

Tekniku italian theksoi faktin, se mungojnë diçka më shumë se tre muaj nga nisja e kualifikueseve të Kampionatit Europian dhe nuk është se nuk e mendoj. Thirrja e lojtarëve për ndeshjet miqësore janë në shënjestrën edhe të ndeshjes së parë kundër Portugalisë, më të cilën do të përballemi më 7 shtator. “Jemi shumë të përqendruar në këtë objektiv që, për ne është shumë i rëndësishëm”.

 – Mister, për çfarë do t’u shërbejnë këto tri ndeshje miqësore?

– Ndeshjen e fundit miqësore e kemi zhvilluar, më 5 mars (2-0 kundër Maltës), kështu që edhe këto takime do të na shërbejnë për të punuar më shumë me skuadrën, për të kuptuar në çfarë pike jemi; çfarë vlerash ka kjo skuadër, ndërkohë që lojtarët kanë mundësi të njihen më mirë me njëri-tjetrin. Janë ndeshje, të cilat nuk janë në datat e lira të FIFA-s, që zhvillohen në fund të sezonit kur lojtarët janë të lodhur. Por, nuk kemi data të tjera dhe nuk kemi mundësi t’i marrim lojtarët nga klubet e tyre dhe të kërkojmë që të kemi një sintoni më të madhe për lojtarë të ndryshëm.

– Cilët lojtarë keni thirrur për miqësoret kundër Rumanisë, Hungarisë dhe San Marinos?

– Kam thirrur 21 lojtarë: Etrit Berisha dhe Orges Shehi, janë dy portierët; Agolli, Fidan Aliti, Cana, Curri, Lila, Lenjani si mbrojtës; Abrashi, Lilaj, Kaçe si mesfushorë; Cikalleshi, Gashi, Kapllani, Rama, Salihi e Vajushsi në rolin e sulmuesve. Janë vetëm 18 lojtarë, ndërkohë që Mërgim Mavraj do të vijë në ndeshjen kundër Hungarisë, ndërsa Elseid Hysaj do të luajë ndeshje me Empolin në Serinë B dhe lufton për t’u ngjitu në Serinë A. Nuk do të jenë për arsye dëmtimi: Jahmir Hyka, Migjen Basha, Odise Roshi, Taulant Xhaka dhe Alban Meha. Ervin Bulku, edhe pse nuk është thirrur për këto miqësore e njoh mjaft mirë dhe është pjesë e projektit dhe nuk duhet të bëjë eksperimente me të.

– Ndeshjen e fundit me Rumaninë e kemi humbur 6-1 në kohën Oto Bariçit, pra kemi kujtime të hidhura me ta, ndërkohë që për ju është miqësorja e parë kundër tyre. Sa e njihni ekipin rumun?

– Skuadra rumune është shumë e fortë. Është në rritje të vazhdueshme dhe ndodhet në vendin e 32-të në renditjen e FIFA-s. Mendoj se, do të jetë një ndeshje e vështirë kundër tyre, kjo dhe për faktin se ne nuk kemi ekipin e plotë. Sipas meje, kjo na penalizon disi. Gjithsesi, do ta nisim kundër një skuadre të fortë që na vlen edhe për të kuptuar sa vlejmë ne.

– Ju thatë se, këto miqësore do t’i shërbejnë skuadrës për të testuar lojtarët që keni thirrur, ndërkohë që ky nuk është komplet ekipi. A do të vlejnë këto ndeshje, për eliminatoret apo do të vazhdoni me eksperimentet që kemi parë në ndeshjet miqësore?

– Kemi për fat keq, ashtu siç ndodh shpesh në fund të çdo sezoni, shumë lojtarë që kanë pasur probleme. Jahmir Hyka, Migjen Basha, Odise Roshi, Alban Meha dhe Taulant Xhaka janë të dëmtuar, por ata mbeten pjesë e projektit. Ata që kanë pësuar dëmtime më të rënda janë sigurisht, Ledian Memushaj dhe Armando Sadiku, të cilët kanë pësuar dëmtime të ligamenteve në gju dhe do të jenë jashtë fushave gjashtë apo shtatë muaj. Dëshiroj të përqafoj fort ata dhe ky është një përqafim, edhe për t’u thënë se i presim dhe se kam besim tek ata. Na duhet të ambientohemi edhe për të jetuar me situatat emergjente, kështu që duhet të shohim edhe këto gjëra gjatë verës, përpara se të fillojë kampionati dhe kualifikueset. Unë besoj se, na duhet të kemi dhe alternativa për ata që na mungojnë dhe sipas meje, kjo është shumë e rëndësishme dhe thelbësore.

– Problemi më i madh i Kombëtares gjatë sezonit të kaluar ka qenë sulmi. Si keni menduar ta zgjidhni dhe çfarë mund të përfitoni nga këto tri ndeshje?

– Këto ndeshje do të na vlejnë, për të testuar dhe kundërshtarët që kemi përpara nesh, të paktën nga dy ndeshjet e para (Rumania dhe Hungaria), të cilat mendoj se kanë cilësi më të mëdha sesa skuadra jonë. Dhe për këtë motiv ne do të kërkojmë të ambientohemi me ta, pasi kanë lojtarë të një niveli të lartë, kështu që do të synojmë të përshtatemi me ndeshje të vuajtura nga një pikëpamje. Sigurisht, që Rumania nuk është Portugalia, por sipas meje ka një nivel të mirë. Për sulmin jam duke vlerësuar se, cilët lojtarët mund të kemi në dispozicion. Kam thirrur disa dhe ne duhet të punojmë me ta, edhe për të parë se në ç’gjendje janë dhe për të bërë me ta punë më të mirë të mundshme.

– Ju keni një kohë të gjatë në Shqipëri, dhe sigurisht keni krijuar edhe miqësitë tuaja tashmë. A ka pasur ndonjëherë presion apo ndërhyrje te ju, për lojtarë të ndryshëm?

– Nuk e prisja këtë pyetje. Nuk kam pasur kurrë ndërhyrje, nuk kam pasur presion nga askush. I vetmi presion që, kam pasur ka qenë nga ndihmësi im, Paolo Tramexani dhe tani nga ndihmësi im i ri, Altin Lala. Llogaritë i bëjmë sipas tre kokave tona dhe gjendjes fizike që kanë lojtarët. Ndonjë presion tjetër, apo ndërhyrje nuk kam.

– Çfarë do të behët në të ardhmen, qoftë me Samir Ujkanin apo me Loret Sadikun. A do të jenë ata pjesë e Shqipërisë?

– Ujkani është i dëmtuar dhe nuk do të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës në ndeshjen kundër Turqisë. Përsa i përket Sadikut, ai është thirrur nga trajneri Bunjaku, por ai nuk është përgjigjur pasi është në ndeshjet e kampionatit suedez. Janë situata që do t’i zgjidhin ata vetë.

– Mister, para pak javësh ndoqët ndeshjen e Shpresave kundër Italisë B. A patë ndonjë element që, mund të përfshihet në Kombëtaren e madhe?

– Sigurisht, që pashë lojtarë interesantë. Por, sipas meje, ata duhet presin për të qenë pjesë e Kombëtares A, pasi atyre u mungojnë disa aspekte shumë të rëndësishme, si eksperienca, gjendja fizike, pasi ne do të zhvillojmë takime me kundërshtarë të rëndësishëm, kështu që do të ishte e vështirë për ta edhe nga pikëpamja fizike. Ata lojtarë janë duke bërë një punë shumë të mirë nën drejtimin e Skënder Gegës, kështu që kur të jenë gati do shohim edhe nga ata.

– Situata te Lacio, për dy lojtarët shqiptarë është krejt e ndryshme. Nëse Etrit Berisha vlerësohet si një nga portierët më të mirë të huaj në Serinë A, Lorik Cana, të paktën sipas mediave italiane, është në largim e sipër. Cili është informacioni që keni?

– Në fakt, në lidhje me situatën e tyre te Lacio, të paktën tani për tani nuk kam ndonjë gjë konkrete, pasi pres të marr informacione direkt nga lojtarët. Nuk duhet të hyj në problemet private që, u përkasin lojtarëve të ndryshëm në lidhje me klubet ku ata luajnë. Unë i zgjedh lojtarët në bazë të fakti se, nëse luajnë apo nuk luajnë apo nëse bëjnë pjesë apo jo në projektin tim. Unë besoj se, Berisha do të jetë portieri titullar për sezonin e ardhshëm të Lacios. Besoj se, mund të jetë, pasi nuk jam unë ai që marr vendimet. Përsa i përket Lorikut, do ta pyes atë kur të vijë në grumbullimin me Kombëtaren.

Mister, sipas vlerësimit tuaj, kush ka qenë lojtari më i mirë dhe më i keq nga futbollistët e Kombëtares gjatë sezonit që sapo u mbyll?

– Është një pyetje, përgjigja e së cilës vlen 100 milionë dollarë (qesh). Në lidhje me lojtarët që kam thirrur, besoj se kanë pasur një sezon shumë më të mirë se të tjerët, një rendiment më të mirë me skuadrat e tyre. Për shembull, Shkëlzen Gashin e kam thirrur pasi ai ishte “bomberi” më i mirë i Serisë A zvicerane. Po, kështu dhe Edmond Kapllani ka luajtur mirë me ekipin e tij (FSV Frankfurtin). Sokol Cikalleshi, që vjen nga Kukësi, ka dhënë sinjale pozitive si nga këndvështrimi i realizimeve, por dhe paraqitjes. Është një lojtar është i dashuruar me futbollin.

 Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim i gjithanshëm

 Të dielën në mesditë, Xhani De Biazi pati një takim me Albert Bunjakun, trajnerin e Kombëtares së Kosovës, një takim shumë pozitiv, i përqendruar në kuadrin e bashkëpunimit reciprok të të federatave. Besoj se, ky takim ishte shumë i rëndësishëm për mua, për të kuptuar edhe se cilat ishin qëllimet e kokegut kosovar. “Ai u tregua mjaft i disponueshëm, për të këmbyer informacione për lojtarët kosovarë që njihen prej tij dhe luajnë në Europë. Ai u përgjigj pozitivisht ftesës për të bashkëpunuar me ne, kjo dhe për faktin se ne do të luajmë në kualifikueset e Kampionatit Europian, ndërsa ata do të zhvillojnë vetëm ndeshje miqësore, që janë edhe më pak interesante dhe më pak të forta, nga ato që do të përballemi ne. Bashkëpunimi ynë do të jetë i gjithanshëm. Këta ma konfirmoi Albani edhe në takimin tonë. Skuadrat tona duhet të kenë një farë stabiliteti, kur bëhet fjalë për lojtarët. Ramë dakord që, kur një lojtar luan në Kosovë dhe ka paraqitje të mrekullueshme ta marrim në konsideratë, do të jetë një avantazh për ne në termat e rritjes së skuadrës. Ai i di më mirë se mua, se ekuilibrat janë shumë të brishtë, kështu që kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Kështu që, kur do të kemi mundësi do të marrim edhe lojtarë nga përfaqësuesja e Kosovës”.

Komplimente Skënderbeut e Flamurtarit

 Trajneri De Biazi tregoi respektin maksimal ndaj dy skuadrave shqiptare që fituan Kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë: “Komplimente Skënderbeut, pasi për herë të katërt rresht u bë kampion i Shqipërisë. Komplimente edhe Flamurtarit, të cilin e ndoqa direkt në fushë, një fitore shumë e rëndësishme. Më vjen keq për Kukësin, pasi bëri një ndeshje me të vërtetë të mirë dhe një sezon në nivel të lartë. Shpresoj të bëjnë një sezon të mirë në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Europës”. De Biazi tha se, sheh një rritje të futbollit shqiptar, nga këndvështrimi edhe të rezultateve të marra nëse do të merrnim në konsideratë dhe kualifikueset e fundit në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Europës. Të gjithë e dimë sesi dolën në Europë, Skënderbeu e Kukësi. Shoh rritje edhe në sektorin e të rinjve. Një rritje konstante dhe që shërben për vitet e ardhshme.

 Refuzimi i Berishës

 Pas ftesës së bërë nga ana jonë dhe një reflektimi të gjatë, Besart Berisha ka vendosur të mos luajë për Kombëtaren tonë, pasi është tepër larg dhe ardhja e tij është shumë problematike. “I  duhet të udhëtojë nga Australia për në Shqipëri, apo në vendet ku ne duhet të luajmë. Por, ai nuk është se ka mbyllur përfundimisht gjithçka, pasi na e ka lënë të hapur bashkëpunimin, nëse vitin tjetër ai do të ketë mundësinë të luajë në Europë, do të na bashkohet”, – tha De Biazi.

 “Të presim Azemi!”

Ilir Azemi, i cili ka shënuar shumë gola me Grojther Fyrthin, ende nuk ka vendosur që të luajë për Kosovën. Ai mund të jetë një kandidaturë për Kombëtaren tonë. “Po, nëse ai do të vendosë të luajë për ne. Nga ana e Alban (Bunjakut) nuk ka asnjë pengesë që, Azemi të luajë për Shqipërinë. Nuk ka asnjë problem”, – tha De Biazi. Ilir Azemi shënoi 13 gola për Grojther Fyrthin gjatë sezonit që sapo u mbyll të Bundesligës 2.

 Mosthirrja e Gjasulës

 Mosthirrja e Jurgen Gjasulës për tri miqësoret e ardhshme ka habitur jo pak. Në fakt, ka disa dyshime për një “hakmarrje”, pasi mesfushori i Liteksit të Loveçit në Bullgari ka shprehur publikisht disa ankesa ndaj stafit teknik të Kombëtares, përfshirë menaxherin Alban Bushi. “Gjasula nuk është thirrur, pasi nuk është në planet e lojtarëve për ndeshjet miqësore. Kaq”, – argumentoi shumë thatë e preras trajneri De Biazi.

 “Urime Hasi!”

 Besnik Hasi fitoi me Anderlehtin e tij kampionatin belg, duke u bërë trajneri i parë shqiptar që e arrin këtë. Trajneri Xhani De Biazi e uroi me gjithë zemër ish-kapitenin e Kombëtares. “Jam shumë i kënaqur për të. Të fitosh është gjithmonë një kënaqësi. E vlerësoj shumë dhe ka respektim tim të plotë, pasi ka fituar me një skuadër të madhe si Anderlehti titullin e parë të tij në karrierën si trajner”, – tha De Biazi.

 “Çudia” Curri

 Mbrojtësi i njohur Debatik Curri do të luajë edhe me Kosovën, por edhe me Kombëtaren e Shqipërisë. Lojtari i Sevastopolit në Ukrainë është befasia e grumbullimit të përfaqësueses së Kosovës për miqësoret me Turqinë dhe Senegalin. Kosova do të luajë me Turqinë më 21 maj në Mitrovicë dhe më 25 maj me Senegalin, në Gjenevë. Më pas, Curri do të luajë me Shqipërinë në ndeshjet kundër Rumanisë, Hungarisë dhe San Marinos.

Tri miqësoret

 31 maj, Zvicër

Shqipëri-Rumani 19:00

4 qershor, Budapest

Hungari-Shqipëri 20:30

8 qershor, Serravalle

San Marino-Shqipëri 20:30

LOJTARËT E THIRRUR

1. Etrit Berisha

2. Orges Shehi

3. Ansi Agolli

4. Fidan Aliti

5. Lorik Cana

6. Debatik Curri

7. Ermir Lenjani

8. Andi Lila

9. Taulant Xhaka

10. Amir Abrashi

11. Sabien Lilaj

12. Ergys Kaçe

13. Emiljano Vila

14. Sokol Cikalleshi

15. Shkëlzen Gashi

16. Edmond Kapllani

17. Valdet Rama

18. Hamdi Salihi

19. Armando Vajushi

20. Mërgim Mavraj

21. Elseid Hysaj