Xhani De Biazi, në version bastexhiu: “Mund t’i fitoj apo t’i humbas të dyja”

531
Sigal

Trajneri i Kombëtares flet para sfidës me Islandën; “Nuk duhet të bëjmë gabimet trashanike si me Zvicrën”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë, përpara dy sfidave të rëndësishme me Islandën dhe Slloveninë, takimet eliminatore të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. “Islanda është një ndeshje shumë e vështirë, pasi do të përballemi me një kundërshtar me një cilësi të mirë, sidomos në aspektin fizik”, – tha italiani në konferencën e tij për shtyp. Por, a do të ishte i kënaqu ai më katër pikë nga dy ndeshjet e radhës, pra një fitore dhe një barazim. “Është më mirë t’i marrim ndeshjet një nga një. Le ta kalojmë një herë ndeshjen e së premtes me Islandën, e më pas të përqendrohemi plotësisht te ajo kundër Sllovenisë”, – shtoi ai për “Telegraf”.

Zoti Xhani De Biazi, të premten, Shqipëria do të luajë kundër Islandës, ndeshjen e tretë në eliminatoret e Botërorit. Vijmë menjëherë pas humbjes 2-0 me Zvicrën. Si e shihni përballjen me islandezët?

– Kemi mbërritur në bllokun e dytë të dy ndeshjeve. Do të fokusohem në ndeshjen e parë, atë kundër Islandës. Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi do të përballemi me një kundërshtar me një cilësi të mirë, sidomos në aspektin fizik dhe me një kampionat që ndodhet në javën e 18-të, kështu që pres një sfidë të rëndë.

– Në opinionin sportiv ekziston opinioni, se të paktën këto dy ndeshje duhen fituar, pasi Shqipëria i ka të vështira fitoret me skuadrat e mëdha. Cili është mendimi juaj?

– Duke u nisur nga kjo logjikë, edhe mund t’i humbasësh të dyja, nëse do të përsërisim ato gabime që bëmë kundër Zvicrës. Duhet luajtur në mënyrën e duhur. Nëse luan me arrogancë, ashtu siç bëmë edhe kundër Qipros, mund të arrijmë diçka të mirë. Islanda arriti të mposhtë 2-0 Norvegjinë. Jua përsëris është një ndeshje e vështirë. Edhe në ndeshjen kundër Qipros, fituam edhe me fat. Qipro ishte një skuadër që renditjen në vendin e 127-të në FIFA, ndërsa tani Islanda tani ndodhet në vendin e 97-të, ndërkohë që Sllovenia ndodhet në vendin e 35-të, pra shumë më mirë se ne. Ashtu si ju të gjithë, edhe unë kam dëshirë t’i fitoj këto dy ndeshje. Duhet ta bëjmë këtë me një përgatitje të mirë, me një arrogancë, përqendrim, por dhe duke i njohur pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit.

 – Rikthimi i Debatik Currit në qendër të mbrojtjes, a do të thotë se Lorik Cana mund të spostohet në mesfushë?

–  Sigurisht, rikthimi i Currit i jem më shumë mundësi zgjedhje trajnerit. Tani do të shoh dhe gjendjen fizike të Debatikut, pasi deri tani e kam parë përmes ndeshjeve në video. Më pas do të shoh edhe mundësinë e aktivizimit të tij, por dhe të kuptoj ekuilibrin e skuadrës. Pasi skuadra që kam në dispozicion, në dy ndeshjet e para dëshmoi edhe ndonjë zhbalancim të ekuilibrit, në golat e shënuar dhe në ata të pësuar. Por, e kam të qartë se, përpara se të marr vendimin për ta hedhur në fushë, do të më duhet të analizoj shumë faktorë.

– Kundër Qipros, pamë një skuadër ofensive, por që luajti me topa të gjatë. Cila skemë do të ishte më e përshtatshme kundër Islandës?

– Ndaj çdo skuadre luhet në mënyrë të ndryshme, duke respektuar edhe karakteristikat që ka ai ekip. Ne do të kërkojmë të shfrytëzojmë pikat e dobëta që Islanda mund të ketë, pasi ajo ka dhe shumë pika të forta. Do të na duhet të kemi një kondicion shumë të mirë atletik, pasi e thashë dhe më lart se kampionati i tyre ka shumë kohë që ka filluar, për më tepër që shumë lojtarë të tyre luajnë jashtë Islandës. Kjo është sipas meje, një vështirësi më shumë.

– A do të ishit i kënaqur me katër pikë nga këto dy ndeshje?

– Është më mirë t’i marrim ndeshjet një nga një. Le ta kalojmë një herë ndeshjen e së premtes me Islandën, e më pas të përqendrohemi plotësisht te ajo kundër Sllovenisë.

– Ju e keni drejtuar Shqipërinë në gjashtë ndeshje, dhe në vazhdimësi jeni ankuar për mungesën e një lojtari fantazist. A mendoni se më në fund e keni gjetur atë në grupin e futbollistëve që keni thirrur?

– Unë e kam drejtuar Shqipërinë në gjashtë ndeshje. Në ndeshjen e parë kundër Gjeorgjisë më mungonin disa lojtarë si Cana, Bogdani, apo ndonjë tjetër. Gjithsesi, jo të gjitha skuadrat kanë ndonjë fantazist tip Pirlo, apo ndonjë tjetër. Pastaj, nuk ka rëndësi nëse e ke një plejmejkër, apo jo. Kjo varet nga strategjia që ndërton. Të mjafton të kesh dy lojtarë që dinë të shpërndajnë topat apo të vertikalizojnë topat për sulmuesit, dhe nëse ata nuk kanë karakteristikat tipike të regjisorit nuk ka shumë rëndësi.

– Disa lojtarë kanë marrë nga një karton të verdhë, duke rrezikuar ndeshjen tjetër me Slloveninë. Çfarë këshillash do t’u jepnit?

– Dua ta përsëris se, është më mirë të përqendrohemi te ndeshja me Islandën, dhe më pas të mendojmë për atë me Sllovevinë. Ok, do të përpiqemi që të shmangim kartonët për protestat, apo pa ndonjë arsye të qartë. Megjithatë, do të luftojmë fort për çdo top. Jam i mësuar të mendoj për ndeshjen e radhës. Nuk dua të shpërqendrohem për momentin për Slloveninë. Për atë do të flasim pas ndeshjes me Islandën. Kundër Islandës duhet të luajmë të përqendruar dhe nuk duhet të lejojmë ato dy episode të shëmtuara që na ndëshkuan me Zvicrën, përfshirë dhe rastin e penalltisë. Janë gjëra që nuk duhet të përsëriten.

– Lacio e Petkoviçit luan me skemën 4-1-4-1 dhe ka pasur sukses. A mund të luajë dhe Shqipëria me atë skemë?

– Një pyetje e bukur, por nuk mund të ngresh krahasime midis një klubi dhe një ekipi kombëtar. Pastaj, janë dhe lojtarët më karakteristika të ndryshme dhe, nuk është e lehtë ta aplikosh në një skuadër në një tjetër. Ne kemi karakteristika tona. E përsëris, na duhet përqendrim i madh. Na duhet të përmirësojmë nga pikëpamja taktike, por dhe nga zhvillimi i lojës. Kemi lojtarë që, luajnë me një dëshirë të madhe me fanellën e ekipit Kombëtar. Kundër Qipros luajtëm më mirë me topin, me pasime të ulëta. Pastaj duhet të vlerësojmë dhe vlerat që ka kundërshtari për të ndërtuar strategjinë. I kam parë dy herë ndeshjen kundër Zvicrës, dhe them se ka pasur edhe ngarkesë emocionale te lojtarët, që ka ndryshuar edhe ritmin e ndeshjes. Nëse e shohim jashtë kësaj optike, do të vëreni që nuk ka shumë diferenca midis nesh dhe zviceranëve.

______________________________________________________________________________________

ARGUMENTI/ PËRSE NUK E THIRRA KAPLLANIN

Edhe pse sulmuesi Edmond Kapllani po shënon vazhdimisht gola dhe po kalon një formë të mirë, por ai nuk është thirrur nga trajneri Xhani De Biazi. “Të gjithë janë në vëmendjen time, jo vetëm ai, por dhe shumë lojtarë të tjerë. Kur ne kërkojmë të ndërtojmë një projekt, duhet të kemi parasysh shumë elementë. Të jeni të bindur se, unë i ndjek me shumë vëmendje. Kemi dhe shumë ndeshje, kështu që, do të kem nevojë për të gjithë. Në lidhje me Kapllanin, të shënosh gola në Bundesligën 2 është diçka tjetër kur realizon në Bundesligë. Unë përpiqem të bashkoj ata futbollistë që mund të më japin më shumë besim. Bogdani, vërtet mund të luajë shumë pak, por për mua është shumë thelbësor edhe kur nuk luan, por kur ai luan, dhe këtë e dëshmoi kundër Qipros, kur shënoi një gol të jashtëzakonshëm. Është një lojtar, cili kur bashkohet me grup jep një kontribut të vlefshëm. Salihi nuk është se po luan shumë në Shtetet e Bashkuara, por në shtëpi është një lojtar që jep maksimumin dhe e sheh portën si pak të tjerë. Sadiku në Zvicër vazhdon me dopjetat e tij në Serinë B zvicerane. Nga ana tjetër, Edgar Çani ka gjetur harmoninë me skuadrën e tij. Është një lojtar tek i cili unë jam shumë besim, është vetëm 23 vjeç, dhe ai përket jo vetëm të tashmes, por dhe të ardhmes. Pastaj, ka shumë lojtarë që janë duke bërë mirë, një i tillë është Berisha me Brisbejn Roar, por që nuk mund ta thërras dot për momentin. Duhet ta kuptoni që, unë mund të thërras 23 lojtarë dhe jo 53. Të thërras më shumë, nuk mundem. Dëshiroj të sqaroj dhe një fakt, se nga katër sulmuesit e thirrur dy janë tridhjetëvjeçarë (Bogdani 35 dhe Salihi 28), ndërsa dy të tjerët janë të rinj, njëri 23 vjeç (Çani) dhe tjetri 21 vjeç (Sadiku). Këta të fundit na duhen edhe për të marrë eksperiencë”, – argumentoi De Biazi.