Xhani De Biazi, kuqezi edhe për “Euro 2016”

566
Sigal

Trajneri italian rinovoi për dy vite të tjera kontratën me Federtatën Shqipare të Futbollit

Xhani De Biazi do të jetë edhe për dy vite të tjera në krye të kombëtares shqiptare, duke e drejtuar atë edhe për fushatën e Kampionatit Europian “Francë 2016”, i pari që do të zhvillohet me formatin e 24 skuadrave finaliste, nga 53 federata të kontinentin europian që aderojnë në UEFA. Italiani behët kështu, trajneri i tretë i huaj në “epokën Duka”, që do ta drejtojë ekipin dy fushata kualifikuee, pas gjermanit Hans-Petër Brigel (Euro 2004/ Botërori 2016) dhe Josip Kuzhes (Botërori 2010/Euro 2012). Ishte vetë trajneri italian ai që u dha fund dilemave në lidhje me emrin e “komisarit teknik” të përfaqësueses sonë në futboll në fushatën eliminatore të Europianit 2016. De Biazi do ta vijojë punën e nisur rreth 2 vite më parë, kur mori stafetën e të ndjerit Josip Kuzhe, kroatit pararendës të tij në krye të kombëtares shqiptare. Italiani pohoi se do ta vazhdojë bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit, duke mbyllur çështjen e diskutuar prej kohësh mbi rinovimin apo jo të kontratës së tij. Ky rebus ka marrë përgjigjen përfundimtare, së bashku me disa detaje të përgjithshme, por edhe themelore të bashkëpunimit në vazhdim. De Biazi do të rinovojë edhe për dy vite të tjera, veçse tashmë do të ketë një objektiv të përcaktuar qartë: shkuarjen në finalet e Europianit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Francë në vitin 2016. Ky Europian do të jetë për herë të parë më i zgjeruar, sepse në finalet e tij do të kualifikohen 24 skuadra. Trajneri 57-vjecar, që i drejtoi kuqezinjtë gjatë fushatës eliminatore për Botërorin “Brazil 2014”, grumbulloi në total 11 pikë në 10 ndeshje, pati një pjesë të parë kualifikuesesh mjaft pozitive, aq sa u bë shumë i dashur për tifozët kuqezinj, të cilët shpesh kishin kërkuar rinovimin e tij, ndërsa në pjesën e dytë të edicionit në fjalë iu nënshtrua “rënies së lirë”, së bashku me skuadrën që drejtonte. Sikurse dihet, Shqipëria e mbylli këtë fushatë në vendin e përhershëm në grup, e parafundit. “Nuk do të arrija 1 milionë euro në kontratë edhe sikur të qëndroja katër vite të tjera këtu. Gjithsesi, nuk janë shifrat që më kanë udhëhequr në këtë angazhim timin në krye të kombëtares së Shqipërisë. Unë kam dëshirë të vazhdoj, ta çoj përpara projektin që kam nisur dhe drejtuar deri tani. Këtë gjë e bëj edhe për skuadrën që kam në dispozicion”. De Biazin tha se, firma do të jetë çështje orësh: “Do të vendoset gjithçka deri nesër në mëngjes”. I pyetur në lidhje me objektivat që parasheh rinovimi i kontratës me Shqipërinë, referuar eliminatoreve të “Euro 2016”, De Biazi u shpreh se në fillim duhet të mësojë kundërshtarët në grup. Sidoqoftë, mbërritja në finalet e këtij kompeticioni, mësohet se është njëra nga kërkesat e FSHF-së, e shoqëruar edhe me bonusin përkatës financiar që do të përfitonte trajneri. Pa arritjen e këtij objektivi, kontrata e De Biazit nuk do të kishte ndryshime në terma financiarë nga kjo aktualja.

 ANALIZA E ELIMINATOREVE

 Trajneri i bëri edhe një analizë dhjetë ndeshjeve në eliminatoret e Botërorit, ku ai e ndau në dy pjeë: pesë të parat pozitive (u grumbulluan nëntë pikë) dhe pesë të dytat negative (vetëm 2 pikë). “Pas ndeshjeve të para, kur kishim nëntë pikë, të gjithë, edhe ju mediat, nisët të ëndërronit për diçka të madhe, shkuarjen në finalet e Botërorit të Brazilit, gjë që në fillim as e mendonit. Gjithsesi, pjesa e dytë e eliminatoreve nuk shkoi sikurse duhej, sikurse e kishim parashikuar. Gjithçka u kthye kundër nesh pas ndeshjes me Norvegjinë. Presioni i madh ndikoi negativisht. Po ashtu edhe mungesa e lojtarëve të rëndësishëm si Kukeli, Mavraj apo Bogdani ndikuan tek ecuria jonë”, – gjykon De Biazi.

 “Do takoj Januzajn”

 Në lidhje me yllin e ri të Mançester Junaitid, talentin kosovar me pasaport belge, Adnan Januzajn, De Biazi tha se do ta takojë personalisht. “Do të takohem me Januzaj, për të kuptuar personalisht se çfarë mendon dhe pretendon lojtari. Nëse do të luante për Shqipërinë, kjo do të ishte diçka shumë e mirë, jo vetëm për skuadrën, por edhe një sinjal i rëndësishëm për të gjithë lojtarët e tjerë shqiptarë, që duhet të zgjedhin kombëtaren e vendit të tyre amë”, – shtoi trajneri kuqezi.

Tekniku “axurr” zhvilloi dhjetë takime zyrtare për eliminatoret “Brazil 2014” e tetë miqësore

 18 ndeshjet e italianit

 Në total, përfshi edhe takimet miqësore, italiani i ka udhëhequr kuqezinjtë në 18 ndeshje, duke regjistruar 7 fitore, 4 barazime dhe 7 humbje, me një golavarazh 20-17. Në dhjetët ndeshjet zyrtare, Shqipëria koleksionoi 3 fitore, 2 barazime e 5 humbje, duke grumbulluar 11 pikë nga 30 të mundshmet, ose e shprehur në përqindje, vetëm 36.6 për qind të pikëve. Në tetë ndeshjet miqësore, ai duke pasur këtë bilanc: 4 fitore (me Katarin, Iranin, Lituaninë dhe Armeninë), dy barazime (me Moldavinë dhe Kamerunin) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë). Duke i parë ndeshjet një nga një, Shqipëria ka fituar tri nga dhjetë ndeshjet: me Qipron (3-1), Slloveninë (1-0) dhe Norvegjinë (1-0). Kombëtarja jonë barazoi 1-1 me Norvegjinë dhe 0-0 me Qipron. Përsa u përket humbjeve, Shqipëria dështoi në pesë takime: me Zvicrën 2 herë (2-0, 2-1); Islandën 2 herë (2-1, 2-1) dhe me Slloveninë (1-0). Kombëtarja jonë shënoi nëntë gola: 0.9 gola për ndeshje, ndërsa pësoi dy më shumë, 11 (1.1 gola për ndeshje). Nëntë golat e Shqipërisë mbajnë firmat e Edgar Çanit (2), Hamdi Salihit (2), Valdet Ramës (2), Erjon Bogdanit (1), Odise Roshit (1) dhe Armando Sadikut (1). Duke i parë ndeshjet e trajnerëve të huaj, Xhuzepe Dosena e drejtoi Shqipërinë në 2 ndeshje; Hans-Peter Brigel (31), Oto Bariç (15); Ari Han (10); Josip Kuzhe (24) dhe Xhani De Biazi (18). Në fakt, De Biazi e mori kombëtaren në një moment delikat të ndërrimit të brezave, në kohën kur largoheshin shtylla të tilla kuqezi si Altin Lala, Ervin Skela apo edhe Klodian Duro, ndaj iu desh të eksplorojë shumë nëpër vende të tjera, ku luanin futbollistë me origjinë shqiptare. Pikasi dhe afroi lojtarë nga Zvicra si Abrashi, Kukeli, Gashi, Lenjani dhe Vullnet Basha, ndërkohë që në epokën e drejtimit të tij iu bashkuan kombëtares edhe Berisha, Migjen Basha, Hysaj, Meha, Gjasula, Kace, Rama, Cani, Mehmeti, Sadiku etj. Pra, një revolucion i vërtetë kuqezi, që duket se ka rritur konkurencën në ekip, por nuk dha rezultatet e pritshme në eliminatoret e Botërorit 2014. Përtej rezultateve teknike, puna e De Biazi vlerësohet për numrin e madh të lojtarëve, mbi 45, të grumbulluar në kombëtare gjatë drejtimit të tij, ku spikasin prurjet e reja Etrit Berisha, Alban Meha, Burim Kukeli, Edgar Cani, Armando Sadiku, Ergys Kace, Jurgen Gjasula, Elseid Hysaj, Migjen Basha, Amir Abrashi, Shkëlzen Gashi, Valdet Rama apo Agon Mehmeti, pa harruar emra të tjerë si Ilir Berisha, Loret Sadiku, Azdren Llullaku, Ermir Lenjani, Vullnet Basha etj, që pavarësisht se janë grumbulluar me kuqezinjtë nuk janë aktivizuar në ndeshjet eliminatore.

NDESHJET E DE BIAZIT

 DJETË ZYRTARET

 

Shqipëri-Qipro       3-1

Zvicër-Shqipëri      2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

Norvegji-Shqipëri    0-1

Shqipëri-Norvegji    1-1

Slloveni-Shqipëri    1-0

Islandë-Shqipëri           2-1

Shqipëri-Zvicër      1-2

Qipro-Shqipëri       0-0

Bilanci: 10 ndeshje; 3 fitore, 2 barazime, 5 humbje

TETË MIQËSORET

 Gjeorgji-Shqipëri    2-1

Katar-Shqipëri       1-2

Iran-Shqipëri        0-1

Shqipëri-Moldavi     0-0

Kamerun-Shqipëri     0-0

Shqipëri-Gjeorgji    1-2

Shqipëri-Lituani     4-1

Shqipëri-Armeni            2-0

Bilanci: 8 ndeshje; 4 fitore, 2 barazime, 2 humbje

Totali: 18 ndeshje; 7 fitore, 2 barazime, 7 humbje

Shqipëria, në vazon e katërt

 Shqipëria pritet të rreshtohet në vazon e katërt në hedhjen e shortit për kualifikimet e Europianit 2016, ashtu siç edhe ishte kur u hodh shorti i Botërorit 2014. Me barazimin pa gola me Qipron. Shqipëria mori pikët e nevojshme për koeficientin e renditjeve se ekipeve të zonës europiane. Shorti për kualifikimet e Europianit të 2016-ës do të hidhet më 23 shkurt 2014 në Pallatin e Kongreseve në Nisë, Francë. Ndërsa pas kualifikimeve, shorti për skuadrat që do luajnë në këtë Europian do të mbahet më 12 dhjetor 2015. Sipas formatit që tashmë është aprovuar nga UEFA, ky kampionat nuk do luhet më me 16 skuadra, por me 24 të tilla. Sipas formatit kualifikohen 2 skuadrat që renditen në vendet e para, kurse ato që renditen në vend të tretë do të luajnë “play-off” për të plotësuar ekipet pjesëmarrëse në EURO 2016. Ja dhe 17 ekipet që lëmë pas në vazot 5 dhe 6: Maqedonia, Gjeorgjia, Lituania, Letonia, Estonia, Azerbajxhani, Qipro, Irlanda e Veriut, Moldavia, Kazakistani, Malta, Luksemburgu, Ishujt Faroe, Lishtenshtejni, Andorra, San Marino, Gjibraltari.

Vazoja e katërt

Skocia

Finlanda

Norvegjia

Austria

Sllovakia

Bjellorusia

Uellsi

Armenia

Shqipëria