Xhani De Biazi: “Jemi në rrugën e duhur!”

555
Sigal

Trajneri italian e konsideroi pozitiv bilancin e vitit të tij të parë në krye të Kombëtares

Trajneri italian ishte më i ngrohtë se kurrë me mediat, pavarësisht se në Tiranë ka filluar të ndihet i ftohti. Barazimi pa gola me Kamerunin, ku Shqipëria bëri një paraqitje të pëlqyeshme reflektoi gjatë gjithë konferencës së fundit për shtyp të Xhani De Biazit. Bilanci i një viti pune, me pesë ndeshje miqësore dhe katër zyrtare, nga takimi i parë kundër Gjeorgjisë në muajin mars dhe deri tek ai i fundit ndaj Kamerunit, të mërkurën, ishte dhe kryefjala e teknikut të dytë italian në krye të Kombëtares sonë. I hapur për çdo pyetje, De Biazi foli për gjithçka, nga sukseset dhe deri tek pengu i tij më i madh, humbja me Islandën. “Nga këndvështrimi im, skuadra po përmirësohet ndjeshëm nga aspekti taktik. Vlen për t’u theksuar se kemi pësuar më pak se një gol për ndeshje dhe kjo është diçka e mirë, bashkë me faktin që prej dy ndeshjesh nuk pësojmë gol. Kjo do të thotë që ekipi është i ekuilibruar në fushë. Që nga momenti kur kemi filluar këtë rrugëtim deri më sot, kemi bërë shumë punë”. Fakti për të cilin vlerësohet më shumë De Biazi, më shumë edhe se rezultatet e arritura, është guximi që tregoi italiani në aktivizimin e lojtarëve të rinj dhe fillimin e një cikli të ri. Numri i madh i lojtarëve të provuar, apo dhe futbollistëve të rinj të afruar, si Edgar Çani, Armando Sadiku, Burim Kukeli, Alban Meha, Mërgim Mavraj, Etrit Berisha, apo dhe kundër Kamerunit, si Renato Arapi, Bekim Balaj, Armando Vajushi, Bruno Telushi, tregojnë se De Biazi po përpiqet të krijojë skuadrën e tij. “Kam parë shumë lojtarë të rinj në këtë periudhë, kam grumbulluar 36 të tillë. Nga ky moment dhe deri tek ndeshja e radhës kemi një pushim prej 84 ditësh dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme. Pas ndeshjes miqësore me Gjeorgjinë (në shkurt 2013)kemi 6 ndeshje të tjera zyrtare për eliminatoret dhe unë jam i fokusuar pikërisht tek ato. Periudha që ka një trajner për të përgatitur skuadrën është shumë e shkurtër. Mjafton të them se sa i përket ndeshjes me Kamerunin, ne filluam përgatitjet ditën e hënë, ku disa lojtarë kishin luajtur të dielën e kishin udhëtuar e stërvitje nuk bën. Gjithsesi më erdhi mirë që lojtarët mbanin mënd këshillat e mija të ndeshjeve të shkuara, pasi lëvizën tamam siç e mendoja. Kjo gjë më bëri të ndihesha mirë”, komentoi trajneri. Në katër ndeshje zyrtare, De Biazi fitoi dy (me Qipron dhe Slloveninë) dhe humbi po dy (me Zvicrën dhe Islandën). Në pesë ndeshje miqësore Shqipëria regjistroi një bilanc pozitiv: dy fitore (me Katarin dhe Iranin), dy barazime (me Moldavinë dhe Kamerunin) dhe vetëm një humbje (me Gjeorgjinë). Në total, në nëntë ndeshje, italiani kori katër fitore, dy barazime dhe tri humbje. Pra, një bilanc të suksesshëm.

DUKA: “DE BIAZI, NJË TRAJNER I PËRKUSHTUAR”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e vlerësoi pozitive paraqitjen e Kombëtares në barazimin pa gola  ndaj Kamerunin. Duke folur për mediat, bosi i FSHF-së theksoi faktin se janë provuar shumë lojtarë të rinj dhe se ekipi është në proces rindërtimi. Duka u tregua i kujdesshëm në deklaratat e tij, duke theksuar se, miqësorja me Kamerunin ka ndihmuar më së shumti trajnerin De Biazi, për të pasur një ide sa më të qartë dhe frytdhënëse për ndeshjet e ardhshme eliminatore. Kreu i FSHF, një vit pas nënshkrimit me De Biazin, vlerëson përkushtimin e italianit si dhe cilësitë teknike të stafit të tij.

 – Zoti president, a jeni i kënaqur nga ekipi ynë Kombëtar në ndeshjen me Kamerunin?

 – Sipas meje, është një eksperiencë pozitive, që i shërben skuadrës dhe trajnerit për të bërë ato eksperimente që mund të bëhen në një ndeshje miqësore, duke pasur parasysh që mund të lejohet gabimi në rezultat. Besoj se ishte një miqësore pozitive, që duhet t’i shërbejë skuadrës për ndeshjet kualifikuese. Në miqësore nuk është objektivi kryesor rezultati, fiton apo humbet, megjithatë mirë do të ishte të kishim një rezultat pozitiv, por nuk kishim fat.

 – Një vit nga nënshkrimi i kontratës me De Biazin, cili do të ishte komenti juaj nëse do t’i bënim një analizë punës së tij në këtë periudhë?

 – Realisht De Biazi dhe i gjithë stafi i tij është i përkushtuar për të bërë mirë detyrën. Trajneri është goxha i mobilizuar, por jo vetëm kaq, edhe teknikisht besoj se i ka dhënë shumë skuadrës kombëtare, e ka ndihmuar për të bërë hapa përpara dhe mendoj se deri tani ka bërë mirë për një lloj rinovimi të ekipit apo është në proces rinovimi pa dhembje në rezultat.

 – Për sa i përket rinovimit të ekipit, a jeni i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve të rinj?

 – Realisht do të isha i kënaqur nëse Vajushi do të shënonte ndaj Kamerunit, më tepër që ai të ecë përpara sesa për rezultatin pozitiv që do të na jepte. Në skuadër ka shumë lojtarë të rinj dhe të gjithë po kontribuojnë maksimalisht dhe kryesorja është që e vlerësojnë si duhet Kombëtaren dhe japin më të mirën e tyre.

 – Është pritur me mjaft interes nga opinioni sportiv në Shqipëri takimi juaj me presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, mund të na shpjegoni diçka më tepër?

 – Duke qenë se ndeshja ishte në Gjenevë, presidenti i UEFA-s na ftoi për një drekë në ambientet e selisë së tij bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm dhe gjatë këtij takimi u diskutua problematika që ne kemi sot; rikonstruktimi i stadiumit kombëtar. Tematika kryesore e këtij takimi ishte mundësia e mbështetjes financiare përveç një fondi që tashmë UEFA e ka akorduar për stadiumin, që është një shumë prej 4 milionë eurosh. Por presim një mbështetje financiare të mëtejshme për ta realizuar projektin. Nga autoritetet e UEFA-s na është garantuar mbështetja financiare në mënyra të ndryshme.

 – Mund të na jepni ndonjë shifër se sa mund të jetë fondi shtesë së do të akordojë UEFA?

 – Ne jemi në një proces të ndërtimit të stadiumit, ku siç dihet ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe këtë javë do të nënshkruajmë kontratën me një grup konsulentësh ndërkombëtarë, që do të përcaktojë skenarin përfundimtar të ndërtimit të stadiumit. Shifra që kërkohet për t’u financuar nga Federata në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n është 10 milionë euro dhe ne po tentojmë për ta garantuar këtë. Presidenti i UEFA-s na ka garantuar që nuk do të na lërë në baltë.

 – Keni ndonjë parashikim se kur mund të nisë ndërtimi i stadiumit?

 – Ka dy vjet që nga fillimi i projektit, por realisht stadiumi ka kaluar nën administrimin e Federatës rreth një javë më parë dhe kjo mund të quhet kohë efektive. Besoj se në një hark kohor 2-mujor ne do të kemi të sakta detajet e këtij projekti, përgjigjet e sakta për çdo hap që do të hedhim më vonë.

MEDIAT KAMERUNASE: “SHQIPËRIA E MERITONTE NJË GOL!”

Mediat kamerunase ishin thuajse të gjitha në një mendim se, Shqipëria e meritonte të shënonte një gol, kjo sipas tyre, si shpërblim i përpjekjeve dhe rasteve të shumta. Në një koment të gjatë të sajin, Zhan Piero Eso, të publikuar në gazetën “Journal du Cameroun”, pas ndeshjes Kamerun-Shqipëri (0-0), shkruhej qartësisht se, nëse fillimi ishte i kamerunasve, pjesa e dytë dhe sidomos minutat e fundit ishin në dominimin total të kuqezinjve. “Eto’o dhe Olinga dhanë sinjalet e tyre në minutat e para, por shqiptarët nuk qëndruan duarkryq duke ndërmarrë kundërsulme si nga krahët, qoftë dhe me topa të gjatë pas shpinës së ‘Luanëve të Pamposhtur’. Edgar Çani u krijoi shumë shqetësim kamerunasve, të cilët shpesh ishin të detyruar të shkaktonin faulle për ta ndaluar, – shkruhej në artikullin në fjalë, që ka numëruar të gjitha minutat kur kuqezinjtë ishin të rrezikshëm. Gazeta kamerunase shton: “Ishin shqiptarët ata që monopolizuan thuajse të gjithë pjesën e dytë dhe shumë të rrezikshëm në dhjetë minutat e fundit, të cilët e meritonin të shënonin të paktën një gol për numrin e madh të kundërsulmeve dhe rasteve që krijuan”, – përfundon portali kamerunas.

RENATO ARAPI: “ETO TË NGJALLTE FRIKË!”

Mbrojtësi i Skënderbeut, Renato Arapi, debutoi kundër Kamerunit, duke bërë një paraqitje të mirë, aq sa u evidentua nga trajneri Xhani De Biazi.

– Renato, një debutim fantastik kundër Kamerunit, ndaj një skuadre shumë të fortë, si u ndjetë?

 – Është ëndërr e çdo futbollisti që të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Kisha kohë që e prisja këtë rast dhe mendoj se deri diku bëra një paraqitje pozitive. Shpresoj që të jem pjesë e ekipit kombëtar edhe në të ardhmen dhe të jap sadopak kontributin tim.

 – Cili ishte vlerësimi i trajnerit pas ndeshjes, ju tha diçka?

 – Trajneri pas ndeshjes më tha fjalët më të mira. Më tha që të vazhdoj të stërvitem dhe të vazhdoj me këtë ritëm.

 –  Jeni mbrojtës dhe keni pasur rastin të përballeni me Eto’o, si ishte të luaje përballë tij?

 – Nuk ishte hera e parë që përballë kishim lojtarë të fortë, por sigurisht të kishe përballë Eto’o ndoshta të ngjallte frikën, por në fushë gjërat ndryshojnë.

 – Një barazim me një skuadër të vështirë, sipas këndvështrimit tuaj është rritur Kombëtarja nga ndeshja në ndeshje?

 – Mendoj që trajneri po bën shumë ndryshime, por sjell risi. Po bën një punë të mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu siç e kemi nisur.

SABIEN LILAJ: “PO RRITEMI ÇDO NDESHJE”

Mesfushori i Skënderbeut u vlerësua pozitivisht për lojën e tij ndaj Kamerunit, duke qenë në një mbrëmje të mirë, duke dëshmuar se është ambientuar me Kombëtaren.

– Sabien, paraqitja juaj në miqësoren me Kamerunin është vlerësuar me nota pozitive edhe nga specialistët, si e keni parë veten dhe çfarë prisni në të ardhmen?

– Ishte ndeshja që u ndjeva më mirë pas dy apo tre ndeshjeve të para që ishin të vështira dhe kam pasur emocione. Sa vjen e po ambientohem me ekipin, ndjehem pjesë e tij dhe mundohem të bëj më të mirën. E përsëris që ishte ndeshja që jam ndjerë më mirë, pavarësisht se kisha probleme në shpatull. Të shënonim edhe një gol do të ishte gjithçka perfekte.

– Është rritur ky ekip kombëtar?

– Ne punojmë gjithnjë për t’u përmirësuar, për të arritur një objektiv që kemi të gjithë, pavarësisht se do t’ia dalim mbanë apo jo. Mendoj se po rritemi nga ndeshja në ndeshje dhe po afrohen lojtarë të rinj. Trajneri ka një ide në mendjen e tij dhe them se po ia arrin qëllimit.

– Si ishte të luaje përballë Eto’o?

– Ishte një ëndërr. Në fillim të gjithë i kishim sytë tek Eto’o, por që me forcën e grupit tonë dhe ai nuk u ndje shumë.