Xhani De Biazi: Jashtë letrës së lamtumirës: Ju faleminderit gazeta “Telegraf”!

545
Nga Agron KAJA
CEREMONIA/ Pas dekorimit nga Presidenti i Republikës, si “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, dje italiani mbylli “guidën” zyrtare në Shqipëri
Të jesh për herë të parë në karrierë, në një veprimtari si ajo e ditës së shtunë, në ceremoninë zyrtare të përcjelljes së ish-trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi, natyrisht që edhe emocionet mblidhen si një “gogël”, për tu shturitur nga biseda e shkurtër “intime” me Misterin. Duke e falënderuar në veçanti gazetën “Telegraf”, për sa ajo e ka publikuar punën e tij në krye të Kombëtares shqiptare, De Biazi i dha “kurajë” vetes, teksa e nis bisedën shumë natyrshëm. “Pse, po më interviston për herë të fundit këtu në Shqipëri? (Qesh) Këtu do të keni edhe ju të gazetës “Telegraf”. Ndoshta një ditë, rrugët e mia me ato të Kombëtares shqiptare edhe mund të bashkohen, ndërsa këto pesë vite e gjysmë duket sikur ikën shpejt, dhe unë besoj se bashkëpunimin me ju e kam respektuar”, kështu deklaroi De Biazi në fillimin e bisedës me gazetën, teksa më pas theksoi se, në të gjithë këtë hapësirë që ai punoi në krye të bankinës në Kombëtaren shqiptare, i është dashur një punë e madhe. “Unë e përmenda në letrën time të lamtumirës, por po jua përmend edhe juve për gazetën tuaj, në këto 2038 ditë në krye të Kombëtares me 52 ndeshje të luajtura në bankinë dhe jashtë saj, natyrisht që më është dashur një punë shumë e madhe. Kujtoj që kam ardhur këtu në Tiranë në një mot të ftohtë dhe me shi, ndërsa më duhet të largohem në këtë mot të nxehtë. Ishte një periudhë ndoshta e shkurtër, por që brenda saj ka shumë për të treguar. Shihemi të dielën (dje) se edhe unë do të votoj, por votën nuk jua tregoj se, si shqiptar e shkel ligjin pastaj”. Më shumë se sa të jepte detaje për ndeshje të veçanta, apo edhe për momentet që e detyruan të jepte dorëheqjen, De Biazi e kaloi këtë plotësisht si një “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, teksa vetëm përshëndetjet dhe falënderimet u bënë “kryefjalë” e komunikimit të tij me gazetën “Telegraf”. “Ndoshta po përmend disa fraza nga letra e lamtumirës, po në këto kushte dhe me këtë emocion, mos prisni t’ju them më shumë. Falënderimet më të mëdha për të gjithë ata që kanë qëndruar me mua në gëzim e në momente të vështira, dhe ju të medies e keni pjesën tuaj. Ka qenë një eksperiencë profesionale, por edhe humane, që do të mbetet e paharrueshme për mua. Besoj se nuk do të përfundojë këtu kjo eksperiencë, dhe falënderimet shkojnë edhe për ju e gazetën “Telegraf”. Rrugët e Kombëtares me këtë vend të mrekullueshëm, ndoshta një ditë do të kryqëzohen, Gëzuar Bajramin”, kështu deklaroi Xhani De Biazi për gazetën “Telegraf”, të shtunën në mbrëmje në ceremoninë zyrtare të lamtumirës. Atë mbrëmje ai ishte objekti, përmbajtja dhe pasqyra e saj, një situatë që e përballoi me buzëqeshje e ngashërim, të cilën e lexoje me kujdes në sytë e tij. Lamtumirë Mister!
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka: Një rrugëtim jo i zakontë
Gjatë ceremonisë së ditës së shtunë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e fshehu “bukur” e mocionin e tij për largimin e De Biazit, dhe si për ta bërë më të largët anën emocionale, ai e nisi me një shprehej falënderuese: “E falënderoj Mister De Biazin, për gjithë kontributin e tij në këtë eksperiencë, të cilën do të dëshiroja të vazhdonte. Ka qenë një rrugëtim jo i zakontë për të, por kjo marrëdhënie të mos jetë e fundit, sepse ai do të jetë pjesë e jona, tashmë si një anëtar nderi i Asamblesë së Futbollit”. Por Duka nuk harroi kulmin e karrierës së De Biazit, që e quajti edhe kulmin e futbollit shqiptar. “Sot themi me mburrje se shqiptari Gani Abazi e çoi Kombëtaren tonë në kulmin e historisë. Shembulli i tij është për tu ndjekur nga pasardhës të tjerë”.
Presidenti FSHN-së, Agim Çiraku: Përcjellje me shumë emocion
Në ambientin e përzgjedhur në ceremoninë zyrtare të lamtumirës së Xhani De Biazit, FSHF-ja ishte kujdesur që ti përcillte emocionet edhe me homologë të federatave të tjera sportive, ku midis tyre veçohej edhe Agim Çiraku, President i Federatës Shqiptare të Notit. Pyetjes se: Pse noti këtu”, si një ish notar, me “stilin e lirë”, Çiraku u përgjigj: “Nuk është vetëm noti sport, por me futbollin ka shumë të përbashkëta. Njërën prej këtyre të përbashkëtave, e tregon pjesëmarrja ime në këtë veprimtari, si Presidenti i FSHN-së”, deklaroi fillimisht zoti Çiraku, i cili e quajti De Biazin, si një kalorës që nuk zbritet nga kali. “Presidenti i Republikës e dekoroi si “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, dhe ai do të mbetet një “Skënderbe” i futbollit tonë”.
Ambasadori italian Kutilio: De Biazi, nderohet si një shqiptar i madh
Si një shtetas italian, Xhani De Biazi kishte afruar në veprimtarinë e tij të lamtumirës, edhe Ambasadorin e shtetit amë në Shqipëri, Alberto Kutilion. Dhe, për gazetën “Telegraf” Kutilio e quajti këtë veprimtari, si respekt i punës së madhe që Xhani ka bërë në Kombëtaren shqiptare të futbollit. “Të gjithë këtu u ndjenë të emocionuar në këtë veprimtari të madhe që FSHF-ja ka organizuar. Unë mendoj se, kjo njëherësh është edhe një respekt i punës së madhe që De Biazi ka bërë në pesë vite e gjysmë në krye të stolit kuqezi”. Por, zoti Kutilio e quajti këtë nderim, si të një shqiptari të madh. “Sot (të shtunën), De Biazi po vlerësohet si një shqiptar i madh, dhe ky është nder edhe për ne. Kjo tregon se marrëdhëniet tona janë të forta, dhe Xhani i përforcon më shumë”.
Pas votimit dje: Nëse nuk më dëboni, për shumë kohë do të jem një shtetas shqiptar
Nga ana e FSHF-së ishin marrë të gjitha masat që, jo vetëm të regjistrohej, por edhe të votonte si një shqiptar. Fjala është për Xhani De Biazin, i cili dje ka ushtruar të drejtën e tij si shtetas shqiptar ,duke votuar në Zgjedhjet Parlamentare 2017. “Votoj këtu për herë të parë, përtej aspektit sportiv, dhe ndihem i emocionuar. E jetova realitetin shqiptar për pesë vite e gjysmë, dhe nëse nuk më dëboni, do vazhdoj për shumë kohë të jem shtetas shqiptar”, theksoi De Biazi pasi doli nga kutia e votimit, duke treguar edhe për këtë eksperiencë. “E kisha idenë time që në fillim se për kë do votoja, nuk kisha shumë dyshime”, tha De Biazi pas votimit
Sigal