Xhani De Biazi: Ja çfarë nuk funksionoi te Shqipëria

491
Sigal

Trajneri i Kombëtares flet pas barazimit me Moldavinë: Kemi nevojë të ndryshojmë mentalitetin

 

E dëshironte shumë një fitore me Moldavinë, në prezantimin e tij para publikut shqiptar, edhe pse për të ajo ishte ndeshja e katërt në bankinën e Kombëtares së Shqipërisë. Por, lojtarët dhe fati, nuk ia dhanë atë kënaqësi. 24 orë pas barazimit pa gola me moldavët, trajneri Xhani De Biazi është më i “ftohtë”, për t’i bërë një analizë të plotë asaj ndeshjeje pa “nerv”, pa gola dhe të mërzitshme. “Pashë një skuadër të lodhur, manovruam shumë keq gjatë lojës. Saktësisht, dua ta theksoj këtë, pashë një skuadër të kundërt me lojën që ka bërë kundër Katarit dhe Iranit”, – tha De Biazi në një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf”.

Zoti De Biazi, besoj se tani e keni tejkaluar disi dëshpërimin pas barazimit 0-0 me Moldavinë, ndërkohë që prisnit një fitore në ndeshjen e parë para publikut shqiptar. Cilat ishin arsyet e mosrealizimit të objektivit?

Është e vërtetë e dëshiroja atë fitore. Ndërtuam tre apo katër raste për gol, por nuk arritëm të shënonim. Mos harroni se, rasti i parë i yni u krijua qysh në minutën e dytë. Në përgjithësi, prisja përgjigje të ndryshme nga skuadra. Është e qartë se, në këtë moment disa lojtarë nuk janë akoma në kondicionin e tyre më të mirë fizik. Puna e fortë që, kanë bërë me skuadrat e tyre gjatë fazës përgatitore influencoi jo pak në atë paraqitje kundër Moldavisë.

Çfarë nuk funksionoi kundër moldavëve?

Pashë një skuadër të lodhur, manovruam shumë keq gjatë lojës. Saktësisht, dua ta theksoj këtë, pashë një skuadër të kundërt me lojën që ka bërë kundër Katarit dhe Iranit, kur dhe lojtarët ishin në fund të sezonit. Ishin më mirë fizikisht dhe e interpretuan shumë mirë lojën, ndaj dhe fituam. Gjithsesi, do ta quaja të rëndësishme faktin se, është më mirë një sinjal si ky në ndeshjet miqësore, për të përmirësuar gjërat në ndeshjet zyrtare, kur të luajmë kundër Qipros.

Gjatë seancave stërvitore në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, u ankuat për gjendjen e fushës. A mendoni se kondicionoi disi dhe lojën?

Sigurisht që, terreni nuk e favorizoi lojën, pastaj fusha ishte e qullur dhe kondicionoi edhe lëvizjet e topit, me ato këmbë të rënda që kanë lojtarët në këto momente. Nuk ia dolëm të bënim gjërat që duhet të bënim.

Sulmuesi kryesor Edgar Çani nuk arriti të shënojë në minutat e para, sa u shqetësuat?

Po ishte një rast shumë i mirë për të shënuar. Çani nuk arriti të konkretizojë, por mos harroni se në Gjeorgji, ai bëri një gol të shkëlqyer, thuajse në të njëjtën minutë. Çani është në momentin e përgatitjeve, është duke punuar shumë dhe unë kam besim tek ai. Ai është një lojtar shumë i mirë. Dallku mund të rritet dhe të bëjë më shumë, edhe pse ka një stabilitet në lojën e tij.

Mbrojtja duket tashmë një repart i konsoliduar, me kapitenin Lorik Cana dhe Mërgim Mavrjan. Cili është gjykimi juaj?

Po, kemi me të vërtetë një dyshe mjaft të mirë në qendër të mbrojtjes. Loriku bëri një ndeshje të madhe, pasi është në një kondicion fizik më të mirë se të tjerët. Mavraj dhe Cana janë një çift shumë i mirë në mbrojtje dhe na kanë rritur sigurinë. Jam i kënaqur nga Lila, është një ushtar që di ta bëjë detyrën e tij shumë mirë, edhe kur luan në një rol që nuk është i tij natyral.

Mesfusha u duk paksa anemike, në ndërtimin e lojës. Thuajse i mungoi fantazia krijuese. Si do ta vlerësonit?

Është një konstatim i drejtë. Mesfusha nuk bëri shumë, ndoshta edhe e kondicionuar nga loja e kundërshtarit. Na mungoi zhdërvjelltësia. Ndoshta na duhet disa kapacitete organizative, për të bërë më shumë. Është i qartë se kemi nevojë për t’u rritur në këtë repart.

Luajtët me dy sulmues, me Edgar Çanin si pykë, dhe Salihin pas tij. Sa funksionoi kjo dyshe në vijën e parë?

Mund të bënin shumë më mirë. E përmenda pak më lart, që humbën dhe raste.

Gjashtë zëvendësime në ndeshjen kundër Moldavisë, duke filluar nga portieri Samir Ujkani. A jeni i kënaqur me lojën e zëvendësuesve?

Të gjithë lëvizjet ishin të parashikuara. Mbeta i kënaqur nga interpretimi i Ujkanit në pjesën e parë, por doja të shikoja dhe Berishën në të dytën. Janë që të dy portierë të mirë, dhe sipas meje, portën e kemi të blinduar. Janë që të dy të zotë dhe kanë një të ardhme shumë të mirë. Më pas, sigurisht unë do të zgjedh dhe se kush do të luajë nga minuta e parë, por kjo do të bazohet nga forma e të dyve në momentin e caktuar.

“Tifozët ishin të mrekullueshëm”

Për Xhanin De Biazin kjo ishte ndeshja e parë në Tiranë, pas atyre në Tbilisi të Gjeorgjisë, në Madrid të Spanjës me Katarin dhe në Stamboll të Turqisë me Iranin. “E doja shumë fitoren. Doja që tifozët të cilët ishin në stadium të mbeteshin të kënaqur. Djemtë përballë nesh, ata që quhen “Tifozët Kuq e Zinj, na mbështetën shumë dhe do të ishte e drejtë që të fitonim për ta”.

MIQËSORET E XHANI DE BIAZIT

GJEORGJI-SHQIPËRI 2-1

Shënues: Çani 3’

E veçanta: Ujkani priti dy penallti

E mërkurë, 29 shkurt 2012,

stadiumi “Mikheil Meskhi”, Tbilisi

SHQIPËRIA: Ujkani (89’ Shehi), Lila, Dallku, Veliu (89’ Osmani), Agolli, Bulku (76’ Bakaj), Muzaka (89’ Januzi), Hyka (55’ Zeqiri), Roshi, Vila, Çani (82’ Sadiku). Trajner: De Biazi

SHQIPËRI-KATAR 2-1

Shënues: Bakaj 46’, Bogdani 50’

 

E martë, 22 maj 2012,

stadiumi “Rajo Valekano”, Madrid

SHQIPËRIA: Shehi, Mavraj, Dallku (84’ Lila), Veliu, Cana, Bulku, Bakaj (61’ Sadiku), Vila (87’ Osmani), Lilaj (69’ Zeqiri), Bogdani (61’ Hyka), Çani (73’ Agolli). Trajner: De Biazi

SHQIPERI-IRAN  1-0

Shënues: Vila 60’

 

E diel, 27 maj 2012,

stadiumi “Fijapi Ononu”, Stamboll

SHQIPËRIA: E.Berisha; Cana, Mavraj, Lila, Veliu, E.Bulku, Lilaj (61’ Zeqiri), Vila (86’ Osmani), Hyka (46’ Sadiku), Bakaj (Brahimi 80’), Çani (69’ Agolli). Trajner: De Biazi

SHQIPËRI-MOLDAVI 0-0

E mërkurë, 15 gusht 2012,

stadiumi “Qemal Stafa”, Tiranë

SHQIPËRIA: Ujkani (46’ E.Berisha); Dallku, Cana, Mavraj, Lila, Memushaj (46’ Roshi), Bulku, Vila (73 Agolli) Bakaj (56’ Hyka), Salihi (62’ Zeqiri), Çani (46’ Bogdani). Trajner: Xh. De Biazi

Bilanci: 4 ndeshje; 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Golaverazhi: 4-3

34 lojtarë për të zgjedhur “Dream Team”

Gjatë grumbullimeve për katër ndeshjet e drejtuara deri tani nga ana e Xhani De Biazit, italiani ka thirrur 34 lojtarë, ndërkohë që në fushën e lojës kanë zbritur 25 të tillë. “Kam dashur të testoj sa më shumë lojtarë, që të krijoj një bindje reale se cilët futbollistë do të më shërbejnë për fushatën kualifikuese të Botërorit 2014”, – shpjegon De Biazi. “Eliminatoret zhvillohen në harkun e 15 muajve dhe mund të kemi edhe të skualifikuar apo të dëmtuar, kështu që miqësoret i shfrytëzova dhe për këtë aspekt”. Formacioni ideal? “Ende nuk mund të them se cili është grupi, por lojtarët e dinë mesazhin tim dhe se çfarë unë kërkoj prej tyre. Të mos tërhiqen kurrë! Kjo është shumë e rëndësishme në futboll”.

 

 

LOJTARËT E PËRDORUR

Lojtari              Ndeshje    Minuta     Gol

PORTIERË

  1. Samir Ujkani         2          134        0
  2. Orges Shehi          2          91         0
  3. Etrit Berisha        2          134        0

MBROJTËS

  1. Armand Dallku        3          264        0
  2. Franc Veliu          3          269        0
  3. Andi Lila            4          276        0
  4. Ansi Agolli          4          145        0
  5. Tefik Osmani         3          10         0
  6. Mërgim Mavraj        3          270        0
  7. Lorik Cana           3          270        0

MESFUSHORË

  1. Ervin Bulku          4          346        0
  2. Gjergji Muzaka       1          89         0
  3. Elis Bakaj           4          211        1
  4. Jahmir Hyka          3          163        0
  5. Hair Zeqiri          4          161        0
  6. Odise Roshi          2          135        0
  7. Emiljano Vila        4          336        1
  8. Sabien Lilaj         2          130        0
  9. Mërgim Brahimi       1          10         0

10.Ledion Memushaj      1          45         0

SULMUES

  1. Ahmed Januzi         1          1          0
  2. Edgar Çani           4          269        1
  3. Armando Sadiku       2          37         0
  4. Erjon Bogdani        2          106        1
  5. Hamdi Salihi         1          62         0

  De Biazi, në kërkim të “Mister X” në mesfushë

Të dielën, do të luhet finalja e Supërkupës së Shqipërisë, Tirana-Skënderbeu, por trajneri i Kombëtares nuk do ta ndjekë atë. Arsyeja është e thjeshtë. Xhani De Biazi do të udhëtojë në fundjavë në Gjermani, ku do të ndjekë një ndeshje të Bundesligës 1. Grojther Furth i Mërgim Mavrajt do të luajë kundër Bajernit të Munihut, me të cilin luan kosovari me pasaportë zvicerane, Xherdani Shaqiri. Mavraj e ka kaluar provimin në tri ndeshjet e tij të para me fanellën kuqezi. Por, në fokusin e tij është padyshim Alban Meha, mesfushori i Padebornit. Kosovari 26-vjeça ka shënuar dy gola në dy ndeshje për ekipin e tij dhe vlerësohet shumë për aftësinë krijuese. Është ai “mister X” i Xhani De Biazit, që e ka kuptuar tashmë se Kombëtares i mungon një regjisor, i tipit “Skela”, dhe Meha i ka inteligjencën e mjaftueshme.