Xhani De Biazi: “Fitoren ja kushtoj vajzës, mbushi 20 vjeç”

469
Sigal

Trajneri italiani në “qiellin e shtatë”, por: “Kujdes, në Zvicër do të jetë një histori tjetër”

Xhani De Biazi ishte në “qiellin e shtatë” pas përfundimit të ndeshjes së fituar 3-1 me Qipron, por italiani vuajti tmerrësisht shumë, kur qipriotët barazuan me një gol tërësisht të evitueshëm. Italiani u ndje i superlumtur. “Kisha parashikuar që do të kisha nevojë të shfrytëzoja lojtarët që kisha në dispozicion. Ishte një ndeshje e gjatë që më dha mundësinë të hidhja në fushë lojtarë me cilësi të lartë si Bogdani apo Çani, kur të tjerët ishin të lodhur. Megjithatë, mendoj se e gjithë skuadra bëri një punë shumë të mirë dhe në fund ata që shënuan mblodhëm frytet e kësaj pune”, – tha De Biazi. Për italiani kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme, për më tepër që ai po ndërton një projekt të ri,

“Kjo është një skuadër e krijuar prej pak kohësh dhe kemi afruar lojtarë të rinj. Do na duhet pak kohë për t’u përshtatur më mirë, por e rëndësishme është që e nisëm edicionin me këmbë të mbarë dhe unë uroj që të vazhdojmë në këtë rrugë. Gjithsesi, ua pata thënë që para ndeshjes që Qipro do të na hapte shumë probleme, sepse ka një skuadër të mirë”, – tha italiani i dytë në bankinë e Shqipërisë, pas Xhuzepe Dosenës. De Biazi pret një sfidë të vështirë në Zvicër dhe dëshiron të qëndrojë me këmbë në tokë: “ Sigurisht, Zvicra është një kundërshtar shumë i vështirë, them me plot gojën se është skuadra më e fortë e grupit tonë. Por ne do të kërkojmë të bëjmë ndeshje tonë, me krenari të madhe, por edhe me përulësinë e duhur që na duhet për të përballuar një ndeshje të tillë. Unë mendoj se kemi një skuadër që ka nevojë të ndihmojë lojtarët e rinj që të rriten dhe t’ua bëjë të lehtë përshtatjen në grup. Ndaj Qipros edhe dy të rinjtë Meha e Kukeli bënë një provë mjaft të mirë, prandaj them se na duhet pak durim. Është e qartë që tifozët duan menjëherë që skuadra të fitojë dhe të marrë maksimumin, por kjo nuk ndodh sa hap e mbyll sytë”.

Xhani De Biazi kishte një dedikim special: “Fitoren ia dedikoj edhe vajzës së tij, që sot (dje) mbushi 20 vjeç”.

 PIKANTET NGA TRAJNERËT

 Xhani De Biazi është trajneri i 15-të që drejton Shqipërinë në një ndeshje të eliminatoreve të Kupës së Botës, qysh kur Kombëtarja jonë mori pjesë në “Angli 1966”.

 +++

Nga 15 teknikë të përfaqësueses, vetëm katër prej tyre janë të huaj: gjermani Hans-Peter Brigel, holandezi Ari Han, kroati Josip Kuzhe dhe italiani Xhani De Biazi.

 +++

Bejkush Birçe dhe gjermani Hans-Peter Brigel janë dhe dy trajnerët që kanë zhvilluar më shumë ndeshje në Kupën e Botë: 12. Pas tyre vjen Shyqyri Rreli me 11.

 +++

Gjermani Hans-Peter Brigel mban disa rekorde: është trajneri që ka fituar më shumë ndeshje, 4; ka shënuar më shumë gola, 11, dhe ka marrë më shumë pikë, 13.

 +++

Myslim Alla, Loro Boriçi, Ilia Shuke, Agron Sulaj, Neptun Bajko, Sulejman Demollari dhe kroati Josip Kuzhe nuk kanë mundur të fitojë asnjë ndeshje të tyre.

 +++

Myslim Alla, Loro Boriçi, Neptun Bajko, Sulejman Demollari dhe Josip Kuzhe janë të vetmit nga 14 trajnerët që nuk kanë mundur të marrin qoftë dhe një pikë të vetme.

 +++

Në 85 ndeshje kemi arritur, 12 fitore, 11 barazime dhe 62 humbje. 55 gola të shënuar dhe 153 gola të pësuar. Ndeshja me Qipron është e 265-ta e Kombëtares, dhe e 85-ta në eliminatoret e Botërorëve, ndërsa në total janë arritur 61 fitore.

 Armando Duka: “Pata shumë frikë,por fundi ishte i lumtur”

 Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u ndje i superlumtur pas fitores me Qipron, teksa e përfaqëoi fort Xhani De Biazin. Ai ishte dje tifozi numri një i Kombëtares. Dhe ai shpërtheu në entuziazëm pas golit të sigurisë (3-1) të shënuar nga Erjon Bogdani, por ndoshta më tepër dhe nga mënyra e ekzekutimit nga ana e sulmuesit. “Të them të drejtën kisha pak frikë nga kjo ndeshje, pasi e kam ende në kujtesë humbjen me Luksemburgun. Me ekipe të tilla ne gjithnjë kemi pasur probleme, por sot (dje) lojtarët nuk e demoralizuan pas pësimit të golit, reaguan si duhet dhe arritën të fitojnë. Skuadra e kishte përgatitur mirë këtë ndeshje dhe e rëndësishme është që e nisëm mbarë fushatën eliminatore. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen me Zvicrën. Që në ditën e parë që nisën përgatitjet për këtë sfidë i kam thënë skuadrës se duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, dhe jo të shohim fundin. Qipro kaloi, tashmë kemi Zvicrën, që është një kundërshtar i fortë në letër. Nuk ka festë, që sot (dje) skuadra do të nisë të mendojë për këtë sfidë, ku do të kemi një mbështetje të madhe nga ana e tifozëve. Vetëm FSHF-ja ka shpërndarë 5 mijë bileta dhe janë dhe shumë të tjerë që i kanë blerë në Zvicër, kështu që stadiumi do të vishet Kuq e Zi”, tha kreu i FSHF-së, Armando Duka.

 12 fitoret e Kombëtares në Kupën e Botës

 Shqipëria ka arritur të fitojë vetëm 12 nga 85 sfidat të vlefshme, për kualifikueset e kampionateve botërore (11 barazime dhe 62 humbje). Fitorja e parë në eliminatoret e një Botërori i përket trajnerit Ilia Shuke, 1-0 kundër Finlandës (10 tetor 1973) për eliminatoret e Botërorit të vitit 1974, të përsëritur ndaj këtij kundërshtari edhe nga Zyber Konçi, por me rezultatin 2-0, më 3 shtator 1980, për Kupën e Botës së vitit 1982. Triumfi pasues i përket Shyqyri Rrelit me një 2-0 madhështore kundër Belgjikës në Tiranë (22 dhjetor 1984) për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”, me golat e Arben Mingës dhe Mirel Josës, një fitore që vinte pas një barazimi spektakolar 2-2 në Poloni. Bejkush Birçe ditët e tij me fat i pati, 26 maj 1991 kur mundi 1-0 Islandën dhe më 3 qershor 1992, kur mundi Lituaninë me rezultatin 1-0. Astrit Hafizi mundi Irlandën e Veriut (2-1, një ndeshje e zhvilluar në fushë asnjanëse, në Zyrih të Zvicrës, për shkak të trazirave të vitit 1997) dhe Gjeorgjinë (1-0), ndërkohë që Medin Zhega ishte i pari që fitonte ndaj Greqisë në një ndeshje zyrtare: 2-0, më 11 tetor të vitit 2000, një ndeshje e vlefshme për Botërorin e vitit 2002. Më pas nis edhe seria e fitoreve me trajner të huaj në bankinë. Gjermani Hans-Peter Brigel ishte i pari, madje me fitoren me të bujshme dhe simbolike, aji kundër Greqisë (2-1), më katër shtator 2004, kur helenët sapo ishin kurorëzuar kampionë të Euripës. Brigel arriti dhe dy fitore me Kazakistanin: 1-0 në Alma Ata dhe 2-1 në Tiranë. Holandezi Ari Han fitoren e vetme e regjistroi kundër Maltës (3-0), për eliminatoret e Botërorit 2010. Fitorja ndaj Qipros (3-1) ishte e 12-ta në eliminatoret e Botërorit, e arritur me Xhani De Biazin në bankinë.

“Brazil 2014”

Ndeshjet e zonës eruopiane

Grupi A

Kroacia, Serbia, Belgjika, Skocia, Maqedonia, Uellsi

20:15      Kroaci-Maqedoni 1-0

20:45      Uells-Belgjikë  0-2

16:00      Skoci-Serbi 08.09

Grupi B

Italia, Danimarka, Çekia, Bullgaria, Armenia, Malta

20:00      Maltë-Armeni    0-1

20:45      Bullgari-Itali  2-2

20:45      Danimarkë-Çeki 08.09

Grupi C

Gjermania, Suedia, Irlanda, Austria, Ishujt Faroe, Kazakistani

18:00      Kazakistan-Irlandë   1-2

20:45      Gjermani-Ishujt Faroe 3-0

Grupi D

Holanda, Turqia, Hungaria, Rumania, Estonia, Andorra,

20:00      Estoni-Rumani        0-2

20:30      Andorrë-Hungari      0-5

20:30      Holandë-Turqi        2-0

Grupi E

Norvegjia, Sllovenia, Zvicra, SHQIPËRIA, Qipro, Islanda

20:30      Slloveni-Zvicër      0-2

20:45      Islandë-Norvegji           2-0

20:30      Shqipëri-Qipro       3-1

Grupi F

Portugalia, Rusia, Izraeli, Irlanda e Veriut, Azerbajxhani,

Luksemburgu

17:00      Rusi-Irlanda e V.    2-0

18:00      Azerbajxhan-Izrael   1-1

20:45      Luksemburg-Portugali 1-2

Grupi G

Greqia, Sllovakia, Bosnjë-Hercegovina, Lituania, Letonia,

Lihtenshtejni

19:00      Lihtenshtejn-Bosnjë H.     1-8

20:15      Lituani-Sllovaki                1-1

20:30      Letoni-Greqi               1-2

Grupi H

Anglia, Mali i Zi, Ukraina, Polonia, Moldavia,

San Marino

20:30      Mali i Zi-Poloni           2-2

20:45      Moldavi-Angli        0-5

Grupi I

Spanja, Franca, Bjellorusia, Gjeorgjia, Finlanda

19:00      Gjeorgji-Bjellorusi  1-0

20:30      Finlandë-Francë      0-1