Xhani De Biazi: “Etrit Berishën e zbulova unë”

72

 Trajneri i Kombëtares i thur elozhe në mediat italiane portierit shqiptar të Lacios

Xhani De Biazi promovon me krenari në Itali paraqitjet e shkëlqyera të  portierit Etrit Berisha në portën e Lacios. Trajneri italian i Kombëtares shqiptare ka deklaruar për mediat e vendit të tij se, ka qenë pikërisht ai që e promovoi në Kombëtare, madje edhe ua ka rekomanduar disa skuadrave italiane. Gardiani kosovar i Lacios u mposht për herë të parë 457 minutash të martën në mbrëmje, por dhuroi një paraqitje mbresëlënëse kundër Parmës, në ndeshjen e Kupës së Italisë. Lacio fitoi 2-1, duke u kualifikuar për në turin pasardhës, dhe një meritë e madhe i shkon pikërisht portierit, i vlerësuar si një nga dy lojtarët më të mirë bardhekaltër. De Biazi ka deklaruar se nuk është aspak i habitur nga ajo çka ka dhuruar Berisha. “Jam unë ai që e zbulova dhe e kërkova me forcë në kombëtare”, ka thënë trajneri i Shqipërisë. “Luante me Kalmarin, në Suedi, dhe ua tregova edhe disa klubeve të Serisë A. Lacio u tregua i zoti dhe sidomos drejtori sportiv Igli Tare, që i mundi të gjithë. E theksoj se klubi ka bërë zgjedhjen e duhur, Etriti i ka të gjitha karakteristikat e nevojshme për t’u bërë pas pak vitesh një nga interpretuesit më të mëdhenj të rolit të tij në Europë”. Te Lacio dhe shumë shpejt mund të vihet në zbatim skenari i paralajmëruar që në gusht për shitje të Marketit, i cili është portieri i tretë i kombëtares italiane dhe mund të kalojë në një nga skuadrat e mëdha të Italisë, me shumë mundësi te Milani. Trajneri i Lacios, Edi Reja, është shfaqur mjaft i lumtur me portierin që ka në dispozicion, i cili mund ta zëvendësojë pas asnjë problem titullarin Federiko Marketi, aktualisht i dëmtuar.

Mërgim, në “udhëkryq”

E ardhmja e Mërgim Mavraj vazhdon të mbetet e paqartë. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është aktualisht në radhët e gjermanëve të Grojther Fyrthit, por kosovari i mbaron kontrata në qershor të këtij vit. Klubi i Bundesligës 2 dëshiron të përfitojë financiarisht nga një transferim i mundshëm i tij. Gjatë verës së vitit të kaluar, për Mavrajn ishte e interesuar Lacioja, por transferimi në klubin ku është drejtor sportiv shqiptari Igli Tare nuk u realizua. Fakti është që, bisedimet për një ripërtëritje të kontratës së Mavrajt me Fyrthin ndodhen prej muajsh në “pikën e vdekjes”. Kështu që, lamtumira duket e pashmangshme për të. Vetë Mavraj, në një reagim të tij për tabloidin gjerman “Bild”, tha se paratë nuk ishte një kryesor për të: “Në asnjë mënyrë, jo. Jam kundër kësaj tendence! Për mua është shumë e rëndësishme që, të identifikohem me ideologjinë e një ekipi tjetër”. Për ish-kapitenin e Grojther Fyrthit, i cili pas pak kohësh do të mbushë 28 vjeç, është mundësia e fundit që ai të sigurojë një kontratë të madhe. Menaxheri i tij, Roger Vitman, po punon në disa drejtime për të destinacionin e ri të Mërgim Mavrajt.

Partizani humbet me Neftçi Bakun

 Partizani humbi 2-0 me azerbajxhanasit e Neftçi Bakut, duke pësuar humbjen e dytë në po aq ndeshje në miqësoret që, të kuqtë po zhvillojnë në Belek të Turqisë. Në takimin e parë, “djemtë” e Hasan Likës humbën me gjermanët e Darmshtadit me rezultatin 2-1, Golat për “naftëtarët” nga Azerbajxhani u shënuar nga Abdullajev në të 34-tën dhe Mesimov në minutën e 77-të. Tej rezultatit, Partizani bëri një lojë të mirë dhe pati tre raste të pastra për shënim. Ndeshja ishte një test pozitiv për Pliskën dhe Sacerin. Ndërkohë, Saban nuk u aktivizua për shkak të gjendjes jo të mire shëndetësore, Dunkoviç sepse kishte arritur vetëm një ditë më parë, Ahmeti sepse nuk ka ende kondicion fizik për të luajtur.

Të premten, Partizani do të luajë kundër gjermanëve të Karlsruhes.

Keniani Kahata firmos me Tirana

 Kahata, lojtari i Kombëtares së Kenias, Kahata, mund të konsiderohet si blerja më e re e Tiranës. Ai ka marrë vizën dhe në fundjavë është ne Shqipëri. Kahata është i huaji i dytë që vjen te Tirana, pas Ivan Deliçit, ndërkohë që dhe me nënshkrimin e portierit Ilion Lika bëhen tre blerje në merkaton dimërore. Numri një i stolit bardheblu, Gugash Magani, konfirmon se me afrimet e duhura Tirana nuk do ta diskutojë mbijetesën, për t’i dhuruar tifozëve emocionet që ata meritojnë. Tirana vijon fazën përgatitore në kryeqytet, pavarësisht se tifozët kanë nisur kontestimin në drejtim të Bashkisë sipas tyre për keqmenaxhimin e skuadrës. Për trajnerin Gugash Magani revolta e tifozëve ka karrikuar akoma më shumë skuadrën, duke theksuar se janë pikërisht ata një nga asetet më të çmuara të klubit 24 herë kampion.

  “Shoqëri në lëvizje” bashkon elitën e sportit

 Konferenca e Dytë Kombëtare e Sportit për të Gjithë me temë “Shoqëri në lëvizje” nisi dje punimet në “Hotel Bleart” (Durrës), me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar; partner institucional, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, si dhe partner akademik, Universitetin e Sporteve të Tiranës, Fakultetin e Sportit te Elbasanit dhe Shkodrës. Në të morën pjesë edhe Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, sekretari i përgjithshëm, Stavri Bello, Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Vladimir Gjonaj, si dhe presidentë të federatave të ndryshme sportive. Në konferencë u trajtuan tema të tilla si, “Sporti dhe mjediset publike”, “Jeta aktive si faktori cilësisë”, “Infrastruktura sportive dhe detyrimet që rrjedhin për shtimin e mjediseve sportive publike”, etj. Punimet do të vazhdojnë dhe sot. Në fund të saj do të miratohet edhe në një rezolutë.

Katër lojtarë nga Bajerni, asnjë nga Barcelona. Për të nxjerrë “Dream Team” votuan 6,3 milionë veta

 “Top 11, 2013”, mungon Mesi

Pas një votimi rekord, ku morën pjesë më shumë se 6,3 milionë votues në sondazhin e publikuar në portalin zyrtar në internet të UEFA-s, Uefa.com, “qeveria” e futbollit europian shpalli “Ekipin e vitit 2013”. Në “Top 11” bëjnë pjesë katër lojtarë nga Bajerni i Munihut (Kampion i Europës), ndërkohë që, Kristiano Ronaldo vendos një rekord me tetë paraqitje në formacionet më të mira ndër vite, qysh kur “Dream Team” u aplikua për herë të parë në vitin 2001. Surpriza më e madhe e kësaj liste ishte mungesa e sulmuesit argjentinas të Barcelonës, katër herë radhazi fitues i “Topit të Artë”, Lionel Mesi. Në fakt, për herë të parë në dhjetë vitet e fundit në listën e formacionit ideal (një version 4-4-2) nuk ka asnjë lojtar nga Barcelona. Bajerni i Munihut ka katër lojtarë (Nojer, Lahm, Riberi, Alaba); Reali i Madridit tre (Ronaldo, Bejl, Serxho Ramos); PSG-ja me dy (Tiago Silva, Ibrahimoviç), si dhe një lojtar Borusia e Dortmundit (Rojs) dhe një Arsenali (Ozil). Ja dhe formacioni më i mirë i UEFA-s për vitin 2013: Manuel Nojer (Bajern), Filip Lahm (Bajern), Serxhio Ramos (Real Madrid), Tiago Silva (PSG), David Alaba (Bajern), Marko Rojs (Borusia Dortmund), Gareth Bale (Real Madrid), Mesut Ozil (Arsenal), Franck Ribéry (Bajern), Zlatan Ibrahimovic (PSG) dhe Kristiano Ronaldo (Real Madrid). Duke e krahasuar me formacionin më të mirë të shpallur nga FIFA ditën e hënë gjatë ceremonisë së dhënies së “Topit të Artë”, mungojnë katër lojtarët e Barcelonës: Dani Alvesh, Ksavi, Iniesta dhe Mesi. Tre lojtarë debutojnë për herë të parë në formacionin e 13-të ideal, të zgjedhur nga një listë prej 40 lojtarësh të hartuar nga gazetarët e UEFA-s, në bazë të performancës së tyre në ndeshjet ndërkombëtare apo kombëtaren e tyre gjatë vitit 2013: Nojer, Alaba (i pari austriak) dhe Rojs. Lojtari më i votuar është kapiteni i Bajernit të Munihut, Filip Lahm, me 444,252 vota, ose 78%. Më pak i votuari është mesfushori i Borusias së Dortmundit, Marko Rojs, me 40% (231,064 vota).

Ekipi më i mirë 2013 i UEFA-s

Nojer; Lahm, Tiago Silva, Serxho Ramos, Alaba; Bejl, Rojs, Ozil, Riberi; Ibrahimoviç, Kristiano Ronaldo

Ekipi më i mirë 2013 i FIFA-s

Nojer; Lahm, Tiago Silva, Serxho Ramos, Dani Alvesh; Ksavi, Iniesta, Riberi; Kristiano Rolnaldo, Mesi, Ibrahimoviç

IFFHS/ Ronaldo, “topçiu” i vitit 2013

 Kristiano Ronaldo fitoi një tjetër trofe të rëndësishëm individual. Fituesi i freskët i “Topit të Artë” mori çmimin si golashënuesi më i mirë i vitit 2013, i dhënë nga Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave në futboll, IFFHS.  Sulmuesi i Realit të Madridit dhe i Portugalisë shënoi në total 25 gola në të gjitha kompeticionet ndërkombëtare, me Portugalinë, Realin e Madridit, të organizuar nga FIFA dhe UEFA. Nga këto 25 gola, ai ka realizuar nëntë me ekipin përfaqësues dhe 16 me Realin e Madridit, duke u bërë kështu portugezi i pari që e fiton këtë çmim nga IFFHS-ja dhe i dyti lojtar nga klubi madrilen, pas legjendës Raul Gonzalez në vitin 1999. Në vendin e dytë pas Ronaldos renditet Ali Ashfaq nga Maldivet, sulmues i ekipit Nju Radiant, i cili vitin e kaluar ka realizuar 23 gola, ndërsa i treti me 20 gola është tuniziani Issam Jemaa. Suedezi i Paris Saint Germain, Zlatan Ibrahimoviç ndodhet i pozicionuar në vendin e katërt me 18 gola dhe pas tij Lionel Mesi me 3 gola më pak.