Xhani De Biazi: “Është një turp i madh, është hera e parë në jetën time”

637
Sigal

Vendimi i CEZ-it për të mos i dhënë energji “Qemal Stafës”, lë pa fjalë trajnerin italian të Kombëtares

 

Një Xhani De Biazi, në ngjyrë bronzi nga dielli i plazheve të Italisë, dhe që ishte si zakonisht tepër i qeshur me gazetarët në konferencën e tij për shtyp, por trajnerit italian u pre buzëqeshja, kur dëgjoi se ndeshja e tij e parë në Shqipëri, ajo kundër Moldavisë, rrezikohej të luhej në mes të ditës, për faktin se Kompania e Shpërndarjes së Energjisë, CEZ, nuk do ta furnizonte me energji stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, për shkak të borxheve që shoqëria që administron stadiumin ka ndaj CEZ-it. “Mendoj se Kombëtarja është imazhi i të gjithë shqiptarëve dhe do të ishte një turp i madh nëse ky problem me dritat do të dilte nga kufijtë e Shqipërisë. Për mua është hera e parë që dëgjoj një gjë të tillë që të ndodhë me Kombëtaren e futbollit. Miqësorja kundër Moldavisë do të jetë e fundit përpara ndeshjeve eliminatore të Botërorit, ndaj pres që të luajmë”, – tha De Biazi.

Pas tre takimeve miqësore të zhvilluara në transfertë, ndaj Moldavisë do të jetë ndeshja e juaj e parë përpara tifozëve në Shqipëri, si po e përjetoni?

Sigurisht që për ne është tepër e rëndësishme kjo ndeshje, por duhet parë nëse do të luhet apo jo në këto kushte që jemi. Mendoj se Kombëtarja është imazhi i të gjithë shqiptarëve dhe do të ishte një turp i madh nëse ky problem me dritat do të dilte nga kufijtë e Shqipërisë. Për mua është hera e parë që dëgjoj një gjë të tillë që të ndodhë me Kombëtaren e futbollit. Miqësorja kundër Moldavisë do të jetë e fundit përpara ndeshjeve eliminatore të Botërorit, ndaj pres që të luajmë. Problemi i mungesës së energjisë elektrike më lë pa fjalë. Uroj që për të mirën e Shqipërisë dhe Kombëtares, që është thesari i një kombi, ky problem të zgjidhet sa më shpejt nga organet përkatëse, që të shmanget turpi në sy të Evropës, pasi imazhi që do të përcillej do të ishte vërtetë i hidhur.

Nëse çështja e energjisë elektrike në stadium nuk do të zgjidhet, ju do të jeni i detyruar të ndryshoni dhe orarin e stërvitjes? A përbën problem ky ndryshim plani për ju?

Po, sepse edhe koha e përgatitjeve për këtë ndeshje është mjaft e shkurtër, sot dhe nesër mbrëma. Vetëm dy seanca stërvitore nuk janë të mjaftueshme. Megjithatë gjatë këtyre dy ditëve dhe në ndeshje pres të marr përgjigje pozitive nga ekipi, që do të ishin një sinjal i mirë në prag të sfidës së parë eliminatore pas tre javësh me Qipron.

Nëse do të ishte e mundur, a mund t’i bënit ju personalisht një apel shtetit shqiptar për të zgjidhur problemin që ka stadiumi me dritat?

Siç e thashë pak më parë, unë nuk kam hasur asnjëherë me probleme të kësaj natyre. Duhet që të gjithë të jemi të bashkuar në zgjidhjen e këtij problemi serioz, sepse Kombëtarja është e të gjithëve dhe nuk humb vetëm skuadra apo Federata, por të gjithë jemi të humbur. E kuptoj që miqësorja luhet të mërkurën dhe është e vetmja mënyrë për të nxituar në pagimin e borxheve, por ajo kredi i përket dikujt tjetër që duhet të paguajë. Megjithatë, mund të shkohet në një gjuhë të përbashkët, nëse ekziston vullneti i palëve.

A do të jetë 90-minutëshi i së mërkurës me Moldavinë ajo skuadër që do të shohim në fushë në ndeshjen e parë zyrtare të eliminatoreve “Brazil 2014” kundër Qipros, apo eksperimentet me lojtarët do të vazhdojnë?

Besoj se së pari duhet të luajmë ndeshjen për të marrë disa përgjigje nga këto lojtarë. Unë në kokën time e kam një ide të qartë. Kam në dispozicion një grup me rreth 34 lojtarë, pra, është një grup i zgjeruar, por pres që nga kjo ndeshje të marr edhe më shumë informacion mbi grupin e futbollistëve që kam në dispozicion dhe se çfarë ata mund të më japin. Fakti që do të vazhdoj të testoj tregon se më duhet të njihem me shumicën e tyre më nga afër. Por, s’do të zbresë në fushë Shqipëria që do të luajë pas tre javësh. Në grup na presin 10 ndeshje me histori dhe vështirësi të ndryshme, ndaj është më mirë që të kem në dispozicion sa më shumë futbollistë. Gjatë ndeshjeve eliminatore ky grup do të reduktohet dhe do të mbeten ata lojtarë që na duhen.

Kombëtarja ka zhvilluar deri tani tre ndeshje në drejtimin tuaj dhe skemat taktike janë ndryshuar po kaq herë. A keni një ide se si mund të luajë Shqipëria?

Pa dyshim që po. Miqësoret shërbejnë edhe për këtë arsye, për të provuar skema të reja, për të vendosur futbollistë shpeshherë në pozicione të ndryshme dhe jashtë natyrës, por edhe për të parë rendimentin e skuadrës se si mund të luajë në vazhdimësi.

Ju e dini se në renditjen e FIFA-s, Shqipëria pozicionohet më mirë se Moldavia, a mund të ketë ndikim kjo statistikë në sfidën e së mërkurës?

Po e di, se ne jemi ne ndodhemi në vendin e 74-t, ndërsa moldavët në vendin e 137-të, pra jemi më shumë 50 vende më shumë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë asgjë, pasi dhe kur fituam me Iranin (1-0), në Stamboll, ata ishin më shumë se 30 vende sipër nesh.  Kjo është vetëm një ndeshje testuese, ku të dy trajnerët do të bëjnë testimet e fundit. Sipas meje, duhet të kemi një vëmendje të madhe, të jemi të përqendruar dhe të tregojmë veten tonë.

Dy fitore rresht, me Katarin në Madrid dhe Iranin në Stamboll. Cilat janë mesazhet që ju keni marrë nga paraqitjet e lojtarëve në ato ndeshje?

Më ka pëlqyer mënyra sesi skuadra luajti në fushë. Djemtë m’u dukën më të rritur në raport me ndeshjen e parë, atë kundër Gjeorgjisë. Jemi rritur me të vërtetë shumë.

A keni qenë në kontakt me lojtarët gjatë kësaj kohe?

Me kapitenin Lorik Cana, së fundi kam folur dy javë më parë, kur e ndoqa gjatë seancave stërvitore me ekipin e tij, Lacion. Ai është mjaft mirë, tepër i motivuar, dhe për më tepër kur ai luan me Kombëtaren transformohet.

Çfarë prisni nga lojtarët e përzgjedhur për ndeshjen kundër Moldavisë?

Kur luajtëm kundër Katarit dhe Iranit, lojtarët ishin në fund të sezonit me skuadrat e tyre, kurse tani kundër Moldavisë, ato janë prag apo sapo kanë filluar edicionin. Kështu që, mbetet për t’u parë gjendja e tyre fizike. Jo të gjithë janë në gjendjen e tyre më të mirë.

Ju jeni i pranishëm në mediat italiane, me komentet apo opinionet tuaja rreth futbollit italian. Shumë shpesh keni bërë propagandë edhe për lojtarët shqiptare. E ndjeni një detyrim?

Unë kërkoj t’i sponsorizoj lojtarët shqiptarë, që luajnë në kampionatet e tjera të huaja, dhe që mund të rrisin vlerat e tyre në Itali.

Shqipëria ka bilanc pozitiv me Moldavinë, ku në dy ndeshje që ka zhvilluar i ka fituar të dyja. Sa ndikon kjo?

Ato ndeshje janë zhvilluar në kohë tjetër, me lojtarë të tjerë, me trajnerë të tjerë. Skuadrat ndryshojnë.

Në dy ndeshjet e fundit keni arritur dy fitore, duke luajtur edhe mirë. Sa mund të jetë rritur edhe më shumë kjo kombëtare?

Nuk do të thotë asgjë. Ato ndeshje u luajtën në një kohë tjetër dhe në një periudhë kur disa futbollistë sapo kishin mbaruar kampionatet. Madje, ka pasur edhe rotacion në fushë dhe disa elementë që sot nuk janë. Disa lojtarë sapo kanë nisur kampionatet e tyre, të tjerë janë në mes, disa në fund. Ndeshja fsheh shumë pengesa. Pra, ka shumë ndryshime në krahasim me dy ndeshjet e fundit, por dihet që kur zbret në fushë duhet që gjithmonë të japësh më të mirën, pasi fillimisht luan për fanellën dhe pastaj për objektivat.

Shohim një vendosje të re të skuadrës, Berisha në portë, Erjon Dushku në mbrojtje, Erjon Vucaj në mesfushë dhe Hamdi Salihi për herë të parë në sulm. Si e shikoni këtë kolonë?

Është e njëjta gjë që thashë dhe më parë që këto ndeshje miqësore na shërbejnë për të testuar lojtarët qoftë në karakter, qoftë në nivelin teknik. Ka lojtarë që gjatë javës në stërvitje janë në një gjendje shumë të mirë, por në ndeshje nuk japin atë që pritet, kështu që këto ndeshje miqësore janë një test për vazhdimësinë e skuadrës Kombëtare.

Së fundi, është folur shumë për çështjen e Migjen Bashës, por edhe disa lojtarëve të tjerë si Kukeli dhe Meha, apo ndonjë tjetër, i keni në plan për të ardhmen?

Po punojmë për të përmirësuar sa më shumë ekipin që kemi me lojtarë sa më të mirë. Duhet të shohim nëse këta lojtarë janë për ekipin kombëtar, ndërsa kjo do të diskutohet në vazhdimësi.