Xhani De Biazi: “Ende s’e kam takuar Berishën, vetëm Nishanin”

469
Sigal

Trajneri i Kombëtares flet për gazetën “Libero”: “S’e mendoja kurrë se do ta kaloja kaq bukur në Shqipëri”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, vazhdon të mbetet një personazh simpatik i mediave italiane, me analizat e tij profesionale, duke qenë edhe një nga komentatorët më të zotë të Mediaset Premium, kanalit televiziv të miliarderit Silvo Berluskoni. “Ende s’e kam takuar Kryeministrin Sali Berisha, por Presidentin Nishani, po. Shqipëria është një vend në zhvillim. Pjesa më e madhe e vendit kuptojnë dhe flasin italisht”, – tha De Biazi, gjatë një interviste për gazetën apenine “Libero”. De Biazi zbuloi edhe faktin se, shumë shpejt do të thërrasë në Komëbtaren mesfushorin kosovar të Torinos, Migjen Basha.

   – De Biazi, si po ja kalon në Tiranë?

 – Ndeshja kyçe është e ajo e të premtes së 22 marsit. Do të përballemi me Norvegjinë në Oslo, vendi i dytë në grupin e kualifikueseve të Botërorit, me një pikë më shumë se ne. Në stadiumin “Qemal Stafa” mundëm fillimisht Qipron (3-1), dhe më pas Slloveninë (1-0).

 – Edhe falë pesë “italianëve”?

 – Cana (Lacio) është qendërmbrojtës, Bogdani (Siena) është 36-vjeç dhe hyn gjithmonë në vend të Çanit, ish-lojtar i Modenës dhe i Padovës (aktualisht te Katania). Ujkani, tani te Kievo, i ka lënë vendin midis shtyllave Berishës. Së fundi, kam thirrur edhe Hysën, i vitlindjes 1994, protagonist në Serinë B. Zëvendësi im është Paolo Tramexani, përgatitës atletik është Alberto Bele, tashmë në stafin e Modenës dhe më pas, Anxhelo Perreta, ish-Atalanta.

 – A e njihni kryeministrin Sali Berisha?

 – Jo, vetëm presidentin Bujar Nishani. Vendi ka 3 milionë gjysmë banorë. Për grumbullim shkojmë në Durrës. Më ndihmon anglishtja, por tani njoh disa fjalë shqip. Gjithsesi, 75 për qind e kuptojnë italishten, ndërsa 65 për qind e flasin.

 – Dhe si është kuzhina shqiptare?

 – Mesdhetare. Thuajse të gjithë kuzhinierët kanë qenë në Itali, madje shumë italianë po hapin restorante dhe bare të bukur këtu (në Shqipëri). Kryeqyteti është kaotik, me një milion banorët e tij, por nuk e mendoja se këtu do të jetohej kaq mirë.

 – Nuk ka krizë?

 – Periudha e tyre e errët është lënë pas. Shoh zhvillim, shumë italianë po investojnë në Shqipëri, edhe për faktin se puna e dorës kushton pak, një punëtor fiton diku te 250 euro në muaj. Jam duke udhëtuar me investitorë venecianë për laboratorë.

 – Si e vlerëson Alesio Çerçin (Torino), tashmë në Kombëtaren italiane?

 – Për Shqipërinë do të ishte një jashtëklas, por ja lë ta gjykojë Prandeli (trajneri i Italisë). Me Italinë ishte një zbulim në Europian. Do ta doja në Kombëtaren time. Ndjek me kënaqësi Brigin te Breshia. Shumë shpejt do të thërras (Migjen) Bashën në Kombëtaren shqiptare.

Miqësore U-18

Djemtë e Strakoshës, “shou” në Bullgari

  Ekipi kombëtar i Shqipërisë për moshën U18 ka zhvilluar dy ndeshje miqësore ne Bullgari përballe përfaqësueses vendase.

Në takimin e parë futbollistët e drejtuar nga trajneri Foto Strakosha kanë barazuar 0-0 duke treguar një lojë të fortë dhe taktike. Ndërsa në takimin e dytë ka pasur një arsenal më të madh golash sepse bullgaret shënuan 4 herë përballë 3 golave të realizuar nga kuqezinjtë tanë. Gjatë gjithë kohës lojtarët e Shqipërisë ishin në avantazh, por pa mundur ta ruajnë atë deri në fund. Dy gola u shënuan nga Krasniqi i Besës, ndërsa i treti nga Çekiçi i Pogradecit. E veçanta e këtyre dy ndeshjeve miqësore ishte se Strakosha grumbulloi vetëm lojtare që luajnë në skuadrat e vendit tonë, ndërsa Bullgaria kishte ekipin i cili u kualifikua për Elite Raund të kësaj moshe.

Eurogoli i Ergys Kaçes “çmend” Greqinë

 Mesfushori shqiptar i PAOK-ut, Ergys Kaçe, realizoi një nga golat më të mirë në Europë, në javën që u mbyll. Kaçe, një nga kandidatët e për të veshur fanellën e Kombëtares shqiptare, shënoi me një silurë nga rreth 30 metra në fitoren 4-2 të PAOK-ut të Selanikut ndaj Panionosit të Athinës. Ky ishte dhe goli i tij i parë me mesfushorit korçar 19-vjeçar në 21 ndeshje me bardhezinjtë selanikas. “Bëmë një ndeshje shumë të mirë. I kemi fituar tri ndeshjet e fundit, por nuk duhet të ndalemi këtu. Duhet të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë. Besoj se, nëse ne do të jemi seriozë mund të bëjmë gjëra të mira. Ne shënuam të parët gol, më pas e ulëm disi ritmin dhe pësuam gol. Besoj se, bëmë një ndeshje shumë të mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Përpara nesh kemi një ndeshje me Levadhiakosin dhe duhet të vazhdojmë më të njëjtin ritëm, që të mos kemi asnjë problem”, – tha Kaçe për portalin grek “Sport24.gr”. Kaçe foli për mediat grekë për golin e tij të mrekullueshëm, duke bërë modestin: “Më shumë i lumtur jam që, fituam dhe jo për golin që shënova. Golin që shënova do të doja t’ia kushtoja trajnerit tim, pasi ai më ka ndihmuar shumë nga fillimi i sezonit dhe atë gol doja të falënderoja atë. Ai më bëri lojtar dhe më hapi dyert e Kombëtares A, dhe për këtë arsye do të doja ta falënderoja me atë gol”. Kaçe foli edhe me bashkëlojtarin e skuadrës, mesfushorin veteran serb, 33-vjeçarin Zvonimar Vukiç. “Vukiç është një lojtar i madh, i cili ka luajtur në shumë ekipe të mëdha. Ajo që unë mund të them është se nuk duhet të biem në dafina, por të vazhdojmë punën e vështirë, me qëllim që ndeshje pas ndeshjeje të jemi gjithmonë e më të mirë. Shikojmë se, ka më shumë rivalitet dhe shumë të rinj, dhe që të rinjtë duhet ta shfrytëzojnë mundësinë pasi lojtarë të tillë nuk i gjen çdo ditë në jetën tendë”. I pyetur se, kush ishte më i i bukur, goli i tij apo i Kostas Kacuranit, Kaçe tha: “Mendoj se, që të dy golat ishin shumë të bukur”.

Çani: “Do të më shihni!”

Sulmuesi shqiptar i Katanias, Edgar Çani, i aktivizuar në minutën e 85-të në humbjen 3-2 me Interin (me një gol të realizuar nga zikaltërit në minutën e 92-të), foli për Itasportpress.it. “Është vërtet një mëkat rezultati i takimit. Bëmë një ndeshje shumë të bukur në pjesën e parë, por Interi u zgjua dhe luajti si një skuadër e madhe. Shpresoj të jap shumë shpejt kontributin tim për Katanian”.

  Xhevahir Sukaj, 10 gola në Iran

 Xhevair Sukaj nuk ndalet më. Sulmuesi shkodran shënoi golin e parë në fitoren 4-1 të Sepahanit të tij në transfertën kundër Gohar Zagros, e vlefshme për javën e 28-të të kampionatit iranian. Sukaj realizoi në minutën e 9-të, ndërkohë që më pas Khalatbari (45’+1), Talebi (48’) dhe Jamashidian (69’) i çuan shifrat në 0-4. Golin e nderit për Gohar Zagros e shënoi Amar Kar në minutën e 92-të. Për sulmuesin Sukaj ky ishte goli i tij i 10-të në këtë kampionat, ndërkohë që ka realizuar një gol në Kupën e Iranit dhe dy në Ligën e Kampionëve të Azisë. Pas kësaj fitoreje, Sepahani ndodhet në vendin e dytë (53 pikë), dy më pak se kryesuesi Esteghlal.

  KATEGORIA E PARË

Kroati Djarmati i jep fitoren Dinamos

 Dinamo fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0 me Naftëtari, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 19-të të Kategorisë së Parë. Një 90-minutësh që prodhoi lojë të fortë, hera-herës edhe të tendosur e me kartonë të shumtë të verdhë, por që u vendos nga goli i kroatit Djarmati në minutën e 58-të. Blutë e Dalipit kanë qenë në udhëheqje të lojës gjatë tërë kohës, por kanë vuajtur shumë në aspektin finalizues, edhe për shkak se kucovarët mbroheshin me forca të shumta dhe tentonin të dilnin me kundërsulmin e shpejtë. Një taktikë kjo që s’u ka dhënë ndonjë produkt konkret, megjithatë, sepse tri pikët shkojnë në llogarinë e dinamovitëve. “Nëndetësja” e sheh veten tashmë në kuotën e 27 pikëve, në vendin e 7-të, ndërsa Naftëtari mbyll klasifikimin e Kategorisë së Parë me 11 pikë  “de facto” i rënë një kategori më poshtë.

 RENDITJA

 1    Lushnja         19   +21  46

2    Mamurrasi       19   +12  38

3    Pogradeci       19   +10  35

4    Tërbuni         19   +15  34

5    Partizani       19   +1   34

6    Iliria          19   +4   29

7    Dinamo          19   +4   27

8    Burreli         19   +1   26

9    Butrinti        19   -1   26

10   Gramshi         19   -12  23

11   Elbasani        19   -9   19

12   Besëlidhja      19   -6   18

13   Himara          19   -6   17

14   Ada             19   -6   16

15   Kamza           19   -12  16

16   Naftëtari       19   -16  11

Hasan Lika, trajneri i ri i Partizanit

 Hasan Lika u zyrtarizua si trajneri i ri i Partizanit, pas shkarkimit të Shpëtim Duros, pas humbjes 1-0 me Tërbunin në Pukë, që i çoi të kuqtë në vendin e pestë, me tetë pikë më pas Lushnja e vendit të parë. Lika do të jetë trajneri i tretë i Partizanit në këtë sezon, pasi më parë 15 herë kampionët i ka drejtuar Nikolin Çoçlli (në fazën e parë). Vetë Lika drejtoi këtë sezon Teutën, por u shkarkua pas javës së dytë, kur durrsakët humbën 4-1 me Luftëtarin në Gjirokastër. Kjo është hera e dytë që, Shpëtim Duro shkarkohet nga posti i trajnerit, pasi më parë u këtë e bëri nga Vllaznia. Genc Tomori mori detyrën e drejtorit sportiv të klubit të kuq. Ndeshja e parë e Likës në stolin e Partizanit është ajo kundër Burrelit në Tiranë, ndërsa një javë më pas vjen derbi me Dinamon.

  Mançester-Real, duel gjigantësh

 Sot, në “Old Traford” do të përballen dy nga skuadrat më të mëdha të botës, Mançester Junaitid dhe Real Madrid, ku njëra prej tyre do t’i japë lamtumirën Ligës së Kampioneve. Ndeshja e parë në “Santiago Bernabeu” u mbyll në barazim 1-1. Kristiano Ronaldo është dhe njeriu i ndeshjes, pasi sulmuesi i Realit mbërrin për herë të parë në Mançester si kundërshtar.

LIGA E KAMPIONEVE

Faza e 1/16-ve, ndeshjet e kthimit

Sot, 05.03.2013

B.Dortmund-Shahktar D.     (1-1)

Mançester Jun.-Real Madrid      (1-1)

Nesër, 06.03.2013

Juventus-Sëlltik                (3-0)

PSG-Valencia               (2-1)

E martë, 12.03.2013

Barcelona-Milan            (0-2)

Shalke-Gallatasaraj        (1-1)

E mërkurë, 13.03.2013

Bajern Munih-Arsenal       (3-1)

Malaga-Porto               (0-1)

Në kllapa, rezultati i ndeshjeve të para