Xhani De Biazi: “E ardhmja flet shqip”

550
Sigal

Trajneri i Kombëtares u drejtohet me një mesazh tifozëve, pas humbjeve me Slloveninë dhe Islandën

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka qene shumë i prekur nga komentet pozitive dhe mbështetëse për të nga ana e tifozerisë kuqezi, edhe pse Shqipëria humbi dy ndeshjet e saj më të rëndësishme në eliminatoret e Kampionatit Botëror: me Slloveninë (1-0) në Lubjanë dhe Islandën (2-1) në Reikjavik. Përmes një mesazhi të publikuar, si zakonisht në faqen e tij zyrtare në rrjetin social më popullor në “Facebook”, tekniku italian falënderoi për mbështetjen që ka marrë dhe duke theksuar faktin se, “futbolli shqiptar po rritet dhe se e ardhmja e tij flet shqip”. “Një FALEMINDERIT madhështor për të gjitha mesazhet që jeni duke më dërguar, pavarësisht dy ndeshjeve të fundit. E them dhe e shkruaj menjëherë: FUTBOLLI SHQIPTAR PO RRITET. Dhe rruga e rritjes kalon edhe nëpërmjet momenteve të vështira, zhgënjimeve përvëluese dhe performancave të lëna në mes.

ESHTE NORMALE! ESHTE NORMALE sepse të gjitha këto bëjnë pjesë në procesin e RRITJES. E rëndësishme është të mos humbim, të mos hutohemi prej polemikave kalimtare të gjeneruara nga një zhgënjim momenti. Është thelbësore të shtrëngojmë fort dhe gjithmonë drejt rotacionin fiks. Nevojitet të ndjekim rrugën e gjurmuar dhe të vazhdojmë punën e ndërmarrë, duke këmbëngulur në punën e kryer.

E më pas…, KURRË të mos tërhiqemi! Ne duhet të luftojmë për fatin e këtyre kualifikimeve për aq kohë sa matematika nuk jep verdiktin e saj! Jam i sigurt se në fund të rrugës (të ndërmarrë pak më shumë se një viti), rrugës së kombëtares shqiptare, ka një objektiv për të arritur. Ky objektiv është e ARDHMJA e UNITETIT.

Një e ardhme që do të japë përmbushje, sadisfaksion. E ARDHMJA FLET SHQIP. Unë jam i sigurt. Xhani De Biazi”, – përfundon letra e trajnerit të dytë italian në stolin e Kombëtares, pas Xhuzepe Dosenës që i drejtoi kuqezinjtë në periudhën korrik-tetor 2002. Xhani De Biazi e ka shndërruar në një traditë komunikimin me lojtarët para ndeshjeve dhe me shqiptarët përmes rrjetit social.

REAGIMET

Mesazhi publik i De Biazit ka sjellë reagime dhe komente të ndryshme në rrjetet social. Komentuesit i kanë sugjeruar madje edhe disa largime. “Mister, Ju nuk keni asnjë faj (në humbjet me Slloveninë dhe Islandën) madje keni të drejtë të ankoheni, por disa lojtarë si Dallku, Teli, Çani nuk janë të denjë për Kombëtaren”, – shkruan komentuesi Diamant Thaçi, që sugjeron thirrjen e lojtarëve të rinj si Adanan Januzaj, Taulant Xhaka, Loret Sadiku, Ilir Berisha, Atdhe Nuhiu, Arlin Ajeti, Ilir Azemi. “Xhani de Biazi thuaji ‘po’ Shqipërisë!, – komenton Dritan Brami. “Rinovo mister, je njëri prej nesh…”, – i bën thirrje Arjan Ulaj. “Do të shkojmë përpara me Xhanin, ju nuk do të jeni kurrë vetëm”, komenton Bledari. “Jepini nënshtetësinë shqiptare, vazhdoje kontratën me Kombëtaren o i madhi Xhani De Biazi”, shton Halili. “Zoti De Biazi, keni përkrahjen e ‘Tifozave Kuq e Zi’, ne besojmë te Ju, çdo pune e mirë do kohë! E ardhmja flet shqip, e ardhmja osht kuq e zi”, shkruan një Bujari, një përfaqësues i grupimit më të madh të tifozëve. “No De Biasi, no party” (Pa De Biazin, s’ka festë), thuhet në mesazhin e Rigelsit. “Thuaj po, vetëm ti mund ta çosh përpara këtë Kombëtare”, është mesazhi i Florindit. “Faleminderit mister, ke krijuar një skuadër të fortë me lojtarë të rinj me të ardhme të madhe. Përpara se, të mbërrije ishim shumë të dobët, por sot falë teje jemi më të fortë”, shkruan Holgeri. “Ti meriton të paktën të jesh edhe për eliminatoret e “Francë 2016”, ti e ke krijuar këtë grup”, – thotë një tjetër. “Trajner i madh. Shpresojmë të rrish sa më gjatë me Kombëtaren tonë, pasi je duke bërë një punë shumë të mirë. Brenda një kohe të shkurtër jam i sigurt që, do të vinë rezultatet”, thotë Ajet Maraj.

Sa janë paguar trajnerët e huaj

 Xhani De Biazi është trajneri i gjashtë i huaj i Kombëtares, qysh kur Dosena e drejtoi skuadrën në vitin 2002. De Biazi paguhet me 22 mijë euro në muaj, ose 440 mijë euro në totalin e saj kontrata dyvjeçare. Ai i paguan vetë ndihmësit italainë të tij. Italiani ka kërkuar në kontratën e re, të paktën 500 mijë euro. Por, sa i kushton FSHF-së një trajner i huaj. Italiani Xhuzepe Dosena (01 korrik 2002-16 tetor 2002) nënshkroi një kontratë prej 180 mijë eurosh, por ai braktisi Kombëtaren pas vetëm katër muajsh, teksa FSHF-ja i mori një pjesë të parave me gjyq. Gjermani Hans Peter Brigel u pagua me 400 mijë euro,  për periudhën katërvjeçare: 12 dhjetor 2002-30 qershor 2006 (El. Euro 2004/Botërori 2006). Kroati Oto Bariç u pagua për kontratën e tij 300 mijë euro (01 gusht 2006-21 nëntor 2007; El. Euro 2008), ndërsa holandezi Ari Han e kishte kontratën 300 mijë euro, por mori vetëm 220 mijë euro, pasi u shkarkua në prill të 2009 (3 janar 2008-15 prill 2009). I ndjeri Josip Kuzhe u pagua me 360 mijë euro (20 maj 2009-31 dhjetor 2011, Botërori 2010/ Euro 2012).

PAGESAT

Xhuzepe Dosena

Euro 2004

Kontrata: 180 mijë euro

Hans-Peter Brigel

Euro 2004/Botërori 2006

Kontrata: 400 mijë euro

Oto Bariç

Edicioni: Euro 2008

Kontrata: 300 mijë euro

Ari Han

Botërori 2010

Kontrata: 300 mijë euro

Josip Kuzhe

Botërori 2010/ Euro 2012

Kontrata: 360 mijë euro

Xhani De Biazi

Botërori 2014

Kontrata: 440 mijë euro

 

Vetëm tre nga pesë trajnerët e huaj të punësuar nga bosi Duka e kanë përfunduar rregullisht kontratën

 Si kanë ardhur dhe ikur trajneret e huaj

 Xhani De Biazit i kanë mbetur edhe një muaj kontratë për të drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë. Pas dy ndeshjeve të tetorit, ato kundër Zvicrës (11 tetor) dhe Qipros (15 tetor), skadon edhe marrëveshja e italianit me Federatën Shqiptare të Futbollit. Presidenti i FSFH-së, Armand Duka, e ka bërë propozimin e tij për rinovim, ndërkohë që De Biazi ka kërkuar kohë deri në fund të shtatorit. Por, cili ka qenë fati i trajnerëve të huaj që kanë drejtuar Kombëtaren tonë. Vetëm tre nga pesë trajnerët e huaj të punësuar në “epokën Duka” (nga viti 2002), gjermani Hans Peter Brigel (2002-2005), kroati Oto Bariç (2006-2007) dhe kroati tjetër Josip Kuzhe (2009-2011) kanë mundur ta përfundojnë kontratën e tyre në drejtimin e Kombëtares, ndërsa nga dy të tjerët, italiani Xhuzepe Dosena (korrik-tetor 2007) e holandezi Ari Han (janar 2008-prill 2009) e kanë ndërprerë atë para kohe: i pari, e braktisi Shqipërinë, ndërkohë që i fundit u shkarkua.

XHUZEPE DOSENA

Italiani Xhuzepe Dosena ishte dhe i pari në serinë e gjatë të trajnerëve të huaj të emëruar nga FSHF-ja, përmes presidentit Armand Duka. Dosena mbërriti në Shqipëri për të pasuar të shkarkuarin Sulejman Demollari (prill 2002, pas humbjes 2-0 me Andorrrën), i fundit trajner shqiptar që ka drejtuar përfaqësuesen. Pa asnjë mundësi për ndeshje miqësore, Kombëtarja nën drejtimin e Dosenës barazoi me Zvicrën (1-1, 12 tetor) në Tiranë dhe humbi në transfertë me Rusinë (4-1, 16 teror 2002). Italiani u “arratis” pa lënë të paktën një letër lamtumire, ndërkohë që FSHF ia morri me gjyq një pjesë të parave që i kishte dhënë. Përpara se të merrte Shqipërinë, Dosena kishte drejtuar Ganën dhe kishte qenë ndihmës i Cezare Maldinit te Paraguai në Kupën Botës 2002. Mbahet mend si një “tradhtar” i besimit të FSHF-së.

HANS PETER BRIGEL

Gjermani Hans Peter Brigel, edhe pse pa ndonjë eksperiencë të madhe si trajner, arriti të vendoste shtatë rekorde me Shqipërinë, ku spikat numri 13 i pikëve të grumbulluara, gjë që nuk e ka arritur askush më parë, qoftë ky i huaj apo shqiptar. Brigeli e nisi me një fitore historike kundër Rusisë (3-1, 29 mars 2003, në Shkodër), por kulmi i tij ishte triumfi madhështor kundër kampiones së Europës, Greqisë (2-1, 4 shtator 2004 në “Qemal Stafa”). Solli një disiplinë taktike e frymë të jashtëzakonshme grupi te lojtarët e Kombëtares, por edhe prurje të reja. Fitoi edhe një mandat të dytë me përfaqësuesen, por në të tretin ju vunë kushte të papranueshme prej tij në kontratë. Ndeshja e tij e fundit zyrtare ishte ajo me Turqinë (të humbur 1-0, më 12 tetor 2005). I larguar kokëlart e me respekt nga Shqipëria.

OTO BARIÇ

Kroati Oto Bariç ishte një zgjedhje personale e Armand Dukës, dhe njëherësh nga më befasueset, pasi në kohën që “Oto Maximale” morri përfaqësuesen tonë ishte thuajse 74-vjeç, njëherësh edhe trajneri më i moshuar në botë, që drejtonte një ekip Kombëtar. Bariç do të mbahet më mend si “më i madhi” i trajnerëve që ka drejtuar ndonjëherë Shqipërinë, por edhe si më “revolucionari” pasi “plakushi” ishte i dashuruar me futbollistët e rinj dhe të talentuar. Dy ndeshje të mëdha me Bullgarinë e dy dinjitoze me Holandën, por me dy humbje të turpshme me Bjellorusinë (4-2, në Tiranë) dhe Rumaninë (6-1, në Bukuresht). Kishte pranuar në parim rinovimin, por nuk preferoi më bashkëpunimin pas humbjes me Rumaninë. Profesionist i madh, takticien i pagabueshëm.

ARI HAN

I përzgjedhur me rekomandimin e avokatit të njohur shqiptaro-austriak Skënder Fani, presidenti Armand Duka ia imponoi zgjedhjen e holandezit “hokatar” Ari Han, Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. I mirëpaguar, 300 mijë euro kontratë, Hani nuk dëshmoi se e meritonte atë shumë të kripur për buxhetin e FSHF-së. Gjithsesi, tre barazimet e mëdha me Suedinë (0-0 në Tiranë) dhe Portugalinë (0-0, në Braga) duket se kanë qenë më shumë pjesë e fatit dhe kontributit të lojtarëve se sa fryt i punës së tij. Shkarkimi i tij erdhi si presion popullor, por dhe mosrealizimit e objektivit kryesor, zënien e vendit të katërt. Hani tani është thjesht një kujtim që duhet harruar.

JOSIP KUZHE

Kroati Josip Kuzhe, 58 vjeç, mori drejtimin e skuadrës në maj të vitit 2009, duke pasuar në bankinë holandezin Arin Han. Kuzhe zhvilloi në stolin e Shqipërisë, 24 ndeshje, duke koleksionuar 8 fitore, 7 barazime dhe 9 humbje. Ndeshja me Rumaninë ishte e fundit e tij, i mbyllur në barazim 1-1. Njihej si mjeshtri i miqësoreve (11 ndeshje, 6 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje), por në 11 takimet zyrtare arriti vetëm 2 fitore (me Luksemburgun dhe Bjellorusinë), si dhe 4 barazime dhe 6 humbje. Fitorja 6-1 në miqësoren me Qipron, e futi përjetësisht në histori (të paktën deri tani), si trajnerin që ka regjistruar fitoren më të thellë me Kombëtaren. U nda nga jeta nw moshwn 59-vjeçare, mw 16 janar 2013 nga njw swmundje e rwndw dhe e pashwrueshme.

BILANCI i TRAJNERWVE

Xhuzepe Dosena

Ndeshje: 2

Fitore: 0

Barazime: 1

Humbje: 1

Hans-P. Brigel

Ndeshje: 31

Fitore: 11

Barazime: 4

Humbje: 16

Oto Bariç

Ndeshje: 15

Fitore: 4

Barazime: 5

Humbje: 6

Ari Han

Ndeshje: 10

Fitore: 2

Barazime: 4

Humbje: 4

Josip Kuzhe

Ndeshje: 24

Fitore: 8

Barazime: 7

Humbje: 9