Xhani De Biazi: “Armando Sadiku është i lindur për gola”

43

Trajneri i Kombëtares sponsorizon sulmuesin kuqezi në Itali: “Është gati për Serinë A”

Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, mbetet gjithmonë aktiv në dhënien e opinioneve për kampionatin e vendit të tij, Italisë, duke e shfrytëzuar këtë mundësi për t’u bërë publicitet edhe lojtarëve të Kombëtares sonë. Pikërisht, këtë e bëri edhe sulmuesin e Luganos, Armando Sadiku, duke dhënë vlerësime të çmuara për aftësitë e elbasanasit për të shënuar gola. Gjatë një interviste për “Radio Toscana”, De Biazi tha: “Sadiku është një lojtar që ka shumë cilësi fiziko-teknike, nga pikëpamja mendore është shumë i motivuar, dhe ka një instinkt të lindur për të shënuar gola. Jeton për rrjetën, edhe pse luan në të gjithë fushën. Mund të luajë edhe si një sulmues i parë, por dhe si i dytë, ka kapacitet të mirë fizik dhe ka një të djathtë që bën diferencën edhe jashtë zonës. Shifrat nuk tregojnë dokrra, ai e ka golin “në gjak”. I ngjan Andrea Karnevales (ish-futbollist i Napolit dhe Romës), pasi është i zoti edhe me kokë, pasi di të godasë edhe në hapësira të ngushta. Ka freskinë e të riut. Besoj se, është gati për Serinë A, duke qenë si ekstrakomunitar. Disa drejtorë sportive të Serisë A, të cilët i kam miq, më kanë kërkuar informacione për të”. Duke folur për mediat italiane, Xhani De Biazi bëri edhe një “skaner” për pjesën e parë të sezonit të Serisë A. “Fiorentina vlen sa Interi. ‘Vjollcët’ luajnë një futboll të bukur, kanë organizim dhe janë të paparashikueshëm. Nëse do t’i kishte të gjithë protagonistët të pranishëm, mund të ishin me mirë se zikaltërit në renditje”, – tha De Biazi për “Radio Toscana”. “Milani pati një fillimsezoni të tmerrshëm, por më pas duke rikuperuar disa futbollistë të rëndësishëm gjeti besimin të cilësitë e tij, duke gjetur një El Sharaui më shumë. Nëse Milani do të eliminohet nga Barcelona vitin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve, besoj se do të ketë të shumë stimuj për të bërë mirë në kampionat”, – shtoi ish-trajneri i Breshias dhe Torinos. Duke folur për Juventusin, De Biazi tha: “Ka një organikë që e lejon të bëjë ligjin në kampionat. Edhe shorti i Ligës së Kampioneve nuk është i vështirë për të, ra kundër një prej skuadrave më pak të kuotuara, kështu që përveçse mund të ‘kafshojë’ titullin kampion, mund të kultivojë deri në fund edhe ëndërrën europiane”. De Biazi ia jep “Bankinën e Artë” si trajner, Montelës së Fiorentinës. “Ka bërë shumë në vitin 2012, si me Katanian, ashtu dhe me Fiorentinën. Në këtë moment, Fiorentina shkëlqen, mund të bëjë një kampionat shumë të mirë”.

  11 gola në 16 ndeshje

 Sulmuesi i ri i Kombëtares A, Armando Sadiku, vazhdon të jetë një makinë golash edhe me ekipin e tij të ri, Luganon. Nëse sezonin e kaluar realizoi për Lokarnon, 19 gola në 27 ndeshje në kampionat, midis tyre dhe një tripletë në fitoren 3-0 kundër Delemont (21 prill 2012), këtë vit ka shënuar 11 gola në 16 ndeshje me Luganon, madje elbasanasi fitoi edhe trofeun “Këpuca e Artë” në atë kampionat. Sadiku kryeson listën e golashënuesve të Challenge League, por skuadra e tij ndodhet në vendin e 7-të nga 10 skuadra që ka kampionati.

 Në “Top 4” të Zvicër

 Sulmuesi shqiptar i Luganos është përzgjedhur si lojtari më i mirë i skuadrës së tij, gjatë fazës së parë të Challenge League, kampionatit zviceran të Kategorisë së Dytë. Lista e më të mirëve është ndërtuar duke marrë për bazë katër skuadrat e kantonit italian të Zvicrës, dhe në to përfshihen Belinzona, Lugano, Kiaso dhe Lokarno. Sadiku vlerësohet për instinktin vrasës para portës, pra atë të shënimit të golave. “Gjithmonë është vendimtar. 11 gola në 16 ndeshje, çfarë mund t’i kërkosh më shumë”, shkruante portali zviceran në gjuhën italiane, “Ticiononeës.ch

Projektohet kalimi i Ujkanit te Kievo

 Samir Ujkani mund të përfundojë gjatë merkatos së janarit te Kievo. Portieri i Palermos ka të ngjarë të zëvendësojë Sorrentinon, nëse ky i fundit do të pranojë të luajë për ekipin siçilian. Lajmi u raportua gjerësisht nga mediat italiane, teksa “La Gazzetta dello Sport” shkruan se, këmbimi i portierëve në aksin Kievo-Palermo është i mundshëm. Me Kievon më parë ka luajtur sulmuesi Erjon Bogdani, aktualisht te Siena, por dhe Xhulian Rudho.

Sulmuesi, kandidat për çmimin “The Donnety” ( i dështuari i madh)

 Hamdi Salihi zhgënjen Uashingtonin

 Hamdi Salihi mund të fitojë çmimin “Zhgënjimi i sezonit”, apo “The Donnety”, tek skuadra e tij amerikane, D.S. Junajted. Sulmuesi shkodran për momentin është më i klikuari (65% të votave) në një sondazh të hapur nga portali në internet “Blackandredunited.com”, një faqe e afërt me klubin nga Uashingtoni. Pavarësisht se, D.S. Junajted arriti në futej në zonën “play-off” pas një mungesë prej pesë vitesh, një sukses që nuk imagjinohej në vitin 2012, tifozët ishin të pakënaqur me disa lojtarë, me atë që dhanë në fushë disa nga lojtarët, prej të cilëve pritej më shumë. Prej pak ditësh, portali amerikan ka nisur votimet për të përzgjedhur “The Donnety”, një trofe që përfaqëson edhe zhgënjimin më të madh të grupit të lojtarëve që morën pjesë në kampionatin e vitit 2012. Kjo medalje, sipas organizatorëve, do t’i jepet lojtarit që ishte më pak produktiv në raport me potencialin që pritej prej tij. Gjatë viteve të kaluara këtë medalje zhgënjimi e morën superyje si Kristian Kastijo, Deni Szetela, Zak Uells dhe Hoze Karavajo.

 KANDIDATËT – Këtë vit drejtuesit e faqes amerikane “Blackandredunited.com” kanë vendosur katër lojtarë, ku një prej tyre është sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi. Të tjerët janë mbrojtësi italo-argjentinas Emiliano Dudar, sulmuesi kolumbian Lionard Pahoj dhe mesfushori nga Hondurasi, Andi Najar. Në përshkrimin që i kanë bërë Salihit thuhet. “Ne patëm shpresa të mëdha tek Hamdi Salihi kur bomberi shqiptar nënshkroi për Junajted. Ai mbërriti në kampionatin amerikan me një mesatare të fortë, të gjysmëgoli për ndeshje gjatë karrierës së tij europiane, duke “kërcënuar” se do të ishte një alternativë më e plotë në shënimin e golave sesa Luçiano Emilio, në kohën kur ky i fundit ishte këtu (te D.S. Junajetd). Por, aftësia e Sahilit nuk u bë kurrë evidente këtu në Shtetet e Bashkuara, ndërsa gjashtë golat e shënuar nga Salihi ishin thjesht të qenit në vendin e duhur në kohën e duhur”. Në fakt, sulmuesi 31-vjeçar kolumbian Lionard Pahoj pati statistika më të këqija sesa Salihi, duke shënuar vetëm tre gola dhe një asist, por mesatarja e tij ishte më e lartë se ajo e sulmuesit shqiptar. Mesfushori 19-vjeçar nga Hondurasi, Andi Najar, nuk shënoi qoftë dhe një gol të vetëm, duke u përfshirë kështu në listën e të dështuarve.

 REAGIMET – Në fakt, reagimet e tifozëve në lidhje me përfshirjen e Hamdi Salihit, në katërshen e madhe të të zhgënjyerve janë të ndryshme dhe në kontrast. Tifozi i personalizuar me adresën @ChestRockëell14 mendon se është Salihi nuk mund të konsiderohet plotësisht si një zhgënjim, dhe se, ai personalisht pëlqen shumë gjëra prej shkodranit. “Ok, – shkruan ai, – mund të qendrojë argumenti se ai nuk patit shumë aktivizime si titullar. Unë mund të bie dakord në një masë të caktuar, sidomos kur ne luanim në shtëpi. Gjithsesi, kjo është jeta e një golashënuesi. Bomberat asnjëherë nuk japin një kontribut të mjaftueshëm në çfarëdo sistemi loje që të aplikohet, për të qenë në fushë nëse ato nuk shënojnë rregullisht gola dhe, Salihi nuk ia dha shansin vetes të startonte si titullar. Unë pëlqej shumë gjera nga Salihi. Ai është qartësisht sulmuesi ynë më inteligjent, dhe ndërkaq edhe pse ai nuk bën presing me energjinë që e bën Pahoji, ai është dukshëm me racional në lojë, për të shndërruar në favor diçka kur ai bën presing. Ai është finalizuesi më i mirë i yni, dhe mjaft më komod. Disa nga golat e tij në këtë sezon nuk mund të realizoheshin nga askush tjetër në skuadër. Megjithatë, kur ju nënshkruani një kontratë “Designated Player” (lojtar me trajtim ekstra financiar), dhe jeni një ekip që mundi formacione që kanë marrë pjesë në Ligën e Kampioneve, të tilla si Sëlltiku dhe Rejnxhërsi, atëherë nuk mund të thoni gjë tjetër se, ai mund të konsiderohet si një zhgënjim”.

 PRO SALIHIT – Tifozi me pseudonimin “Brendanukkah” shkruan: “I gjithë zhgënjimi që unë kam me produktivitetin e Salihit vjen nga vendimi i (trajnerit) Olsen për të mos e aktivizuar atë”. “Nëse Salihi do të luante më tepër, unë mendoj se ai do të shënonte më shumë dhe unë personalisht nuk e konsideroj atë një dështim. Kështu, unë e shoh Salihi më pak sesa një dështim, një viktimë të rrethanave”, – komenton “dccal”. “Unë votoj për Salihin (si zhgënjim), por për mua, më shumë është këmba e Olsenit se aj e Salihit. Unë i kam parë të gjithë golat e Salihit në një përmbledhje, dhe nuk jam dakord me ata që, e cilësojnë jo si një bomber të patalentuar. Çdo gol i tij të linte përshtypje, si nga prekja e fundit apo dhe pozicionimi. Nëse ai do të luante më shumë, ai do të mund të kishte realizuar më tepër. Dhe për më tepër, ai ka një nga mesataret më të mira të shënimit në kampionat”, – shkruan “madavis”. Një tjetër, “UnitedDemon1”, shton: “Salihi është pa tru. Jo se ai nuk është një lojtar i mirë, por ai nuk e bëri punës ashtu siç e prisnim. Ne të gjithë pritëm për lojtarin, i cili kishte arritur të spikaste realisht, duke shënuar gola për Rapidin e Vjenës. Në një farë mënyre ne e patëm atë lojtar, por jo aq të mjaftueshëm”.

Gjashtë golat e Salihit

 Hamdi Salihi e mbylli vitin futbollistik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke realizuar gjashtë gola në 23 ndeshje me DC Junaitid, në kampionatin amerikan. Sulmuesi shkodran ka shënuar kundër Torontos (3), dhe nga një gol SJ Earthkuejks, Kolorado Rapids dhe Montreal Impakts. Gjithsesi, performanca e Salihit nuk e kënaqi klubin amerikan që, ka vendosur ta shesë, pasi rroga e Hamdiut është shumë e lartë (i dyti më i paguar në ekip).