Xhaka hedh kandidaturën për një vend në prapavijë, Abrashi është gati për mesfushën

652
Taulant Xhaka është mësuar të luajë në mbrojtje shpesh te Bazeli. Tani ai duket se është gati të bëjë disa hapa prapa në krahasim me vendin e tij të zakonshëm edhe në Kombëtare, meqë aktualisht kuqezinjtë po kalojnë një krizë të mirëfilltë dëmtimesh.
Sipas Xhakës, i cili mbërriti që sot në vendin tonë për të filluar grumbullimin, Shqipëria duhet të vazhdojë të bëjë lojën e saj agresive edhe ndaj Italisë dhe jo të tërhiqet në mbrojtje, ndonëse ka mungesa shumë të rëndësishme.
“Duhet të luajmë siç kemi luajtur deri më tani. Nuk duhet ta presim Italinë, por ta sulmojmë ne të parët. Jam gati të sakrifikoj kudo për të luajtur”, deklaroi Xhaka.
Vendin e tij në mesfushë është gati ta zërë një tjetër “motor”, Amir Abrashi, i cili në fakt, në javët e fundit nuk po luan aq rregullisht me klubin e Fraiburgut në Gjermani.
“Kam pasur probleme sepse u ktheva i dëmtuar nga faza përgatitore në Spanjë. Ka 3-4 javë që po stërvitem, por skuadra ka ecur mirë dhe trajneri nuk ka ndryshuar formacionin”, shpjegoi ai arsyen se pse ka ndjekur nga pankina pjesën më të madhe të ndeshjeve të fundit.
Xhaka, Aliji, Llullaku dhe Abrashi janë paraqitur që sot në grumbullimin e kombëtares në Durrës dhe sipas përgatitësit atletik, Alberto Belle, kjo i jep një mundësi më shumë stafit që të kontrollojë gjendjen e tyre.
“Fakti që lojtarët kanë ardhur një ditë përpara fillimit të grumbullimit është një shenjë shumë e mirë që ne të kemi mundësi të monitorojmë nga afër gjendjen e tyre. Mund të them se 5-6 lojtarë janë rikthyer të luajnë prej pak kohësh, për këtë arsye duhet të vlerësojmë gjendjen e tyre me kujdes në fundin e javës së ardhshme, përpara ndeshjes, sepse më përpara është e pamundur”, deklaroi ai.
Sigal