Votat në koshin e politikës, apo në portën e futbollit!

616
Nga Agron KAJA
PRAG ASAMBLEJA/ Vetëm 24 orë e ndajnë futbollin shqiptar nga zgjedhja e drejtuesve të rinj për një mandat katër vjeçar
Janë 24 orët e fundit që futbollin shqiptar e ndajnë nga zgjedhja e drejtuesve të rinj për një mandat katër vjeçar, dhe sot heshtja e fushatës zgjedhore ndoshta do të jetë e tillë vetëm mediatikisht, sepse si zakonisht, në këtë ditë heshtjeje zgjedhore u jepet dora e fundit punëve përgatitore nga ana e FSHF-së, por edhe nga kandidatët për postet drejtuese. Ndoshta sot nuk do të shohim për orë të tëra në ekrane, apo të lexojmë në shtypin sportiv, ato debate të pavlera për futbollin që u bënë në këto ditë të fushatës për postet drejtuese në FSHF. Zhvillimi i Asamblesë nesër ka ditë që po i numëron orët për së prapi, sepse fushata që u bë, kryesisht gjatë muajit janar 2018, mund të sjellë shumë aludime për inskenime apo prapaskena. Aty do të jenë edhe përfaqësuesit e FIFA-s dhe të UEFA-s, pse jo, si një arbitër që kur fërshëllen, është i pa kontestueshëm me rregullore. 

Bashkiakë e politikanë delegatë, Asambleja si kongres partie!
Rreth 50 vetë kanë hyrë në “vallen” e delegimit apo të kandidimit për poste drejtuese në FSHF, dhe këtë kërkojnë ta bëjnë nëpërmjet Asamblesë së futbollit, e cila zhvillohet në datën 7 shkurt 2018. Asnjëherë nuk kishte ndodhur kështu, të paktën në historinë e 20 viteve të fundit të zhvillimit të këtij forumi më të lartë në futbollin shqiptar, që të ishin kandidatë për President në FSHF politikanë karriere, e po kështu për një vend në KE të saj. Kryebashkiakët të ndarë në të kuq e në blu, kanë vënë veton për të qenë besnikë të partive të tyre, duke mos ditur ta ndajnë Asamblenë e futbollit nga Asambleja e partisë. Zelli i tyre për të qenë nesër në Asamble si delegatë, apo edhe si kandidatë për postet drejtuese, tregon më së shumti dashakeqësinë e kësaj politike për futbollin në tërësi. Një federatë e madhe si kjo e futbollit, prej tyre po lakmohet për përfitime personale, aspak këta politikanë e bashkiakë nuk e kanë mendjen se çfarë do të bëjnë për progresin e futbollit. Por, nesër ata do të votojnë dhe nuk dihet, nëse votat e tyre do të shkojnë në koshin e politikës, apo në portën e futbollit.

Masa të plota organizative nga Administrata e FSHF-së
Sikundër ka ndodhur në 15 vitet e fundit me zhvillimin e të gjitha Asambleve në futbollin shqiptar, edhe këtë herë, nga Administrata e FSHF-së janë marrë masa të plota organizative në zhvillimin normal të punimeve të këtij kuvendi të futbollit shqiptar. Ka ditë që punonjës të FSHF-së kanë ndërruar seli, duke u shpërngulur në Hotel “Adriatik” në Durrës. Infrastruktura e Asamblesë, dhe gjithçka që i shërben pjesëmarrësve në të, kanë ditë që presin vetëm përfaqësuesit e këtij kuvendi. Më konkretja, ndryshe ndoshta nga asambletë e tjera, në të nuk do të ketë të drejtë të hyjë asnjë person i paautorizuar, madje edhe mbulimi mediatik është ndarë me seksione. Na mbetet vetëm të themi: “Punë të mbarë nesër!”
44 delegatë
Ky është numri i delegatëve që do të jenë nesër në Asamble, të cilët do të jenë aty si kryebashkiakë e politikanë
Rreth 50 vetë kanë hyrë në “vallen” e delegimit apo të kandidimit për poste drejtuese në FSHF, dhe këtë kërkojnë ta bëjnë nëpërmjet Asamblesë së futbollit, e cila zhvillohet në datën 7 shkurt 2018. Zelli i tyre për të qenë nesër në Asamble si delegatë, apo edhe si kandidatë për postet drejtuese tregon, më së shumti, dashakeqësinë e kësaj politike për futbollin në tërësi 
Sigal