Vlora në pritje të “golit” në stadiumin e ri, të premtuar nga Kryeministri

1292
Nga Moisi DALIPI
OPINION/ Rreth dy muaj më pas deklarimit për ndërtimin e një objekti sportiv, ende nuk ka asnjë reagim zyrtar për nisjen e tij!
Më 14 tetor të këtij viti, Kryeministri Edi Rama ishte për një vizitë pune në ambientet sportive të qytetit të Vlorës, dhe ndër të tjera u shpreh se, në katërvjeçarin e ardhshëm, Vlora do të ketë një kompleks sportiv modern. “Në kuadrin e vazhdimit të investimeve të ardhshme për Vlorën, është menduar që brenda periudhës katër vjeçare, të kemi një kompleks sportiv modern të inkuadruar për kompleksin sportiv “Vlora Sport”, ku do të përfshihet ngritja e një stadiumi të ri, rikonstruksioni i pallatit të sportit dhe i ambienteve të tjera sportive”. Pra, qyteti i Vlorës, brenda vitit 2021 do të ketë një infrastrukturë sportive shumë bashkëkohore, dhe në opinion qytetar e sportiv, ky premtim i kryeministrit është pritur mirë, gjë e cila ka bërë që të diskutohet jo pak për këtë projekt, duke pasur brenda tyre dëshirën e mirë për të parë ato sa më shpejt të realizuara. Gjithsesi, sporti vlonjat e meriton një privilegj të tillë, jo vetëm se ai ka vendin e tij në historinë e sportit shqiptar, por edhe për atë se, për vlonjatët një nga vlerat që krenohen shpesh është dhe sporti. Duke ju referuar kujtesës, aktualisht infrastruktuara sportive në Vlorë është e shekullit të kaluar (më shume se 50 vjeçare), dhe i duhet dhënë patjetër një dorë për ta përshtatur më mirë, jo vetëm në funksion të realitetit të ri sportiv, por për të qënë më në shërbim të njerëzve. Por, rreth dy muaj më pas, në Vlorë ka edhe një pyetje: Cilët janë objektet sportive që përfshihen në këtë projekt të quajtur Kompleksi “Vlora Sport”? Ata që janë të lidhur me sportin, deklarojnë se bëhet fjalë për stadiumin “Flamurtari”, pallatin e sportit të Vlorës dhe pishinën e notit. Të tre këto objekte sportive të projektuara, zbatuara dhe ndërtuara nga projektues e ndërtues vlonjatë, kanë historinë e tyre ndër vite.

Stadiumi “Flamurtari”
Fillimi punimeve për ndërtimin këtij stadiumi kanë filluar në nëntor 1962, në kuadrin e 50 vjetorit të shpalljes të Pavarësisë. Ndeshja e parë zyrtare e zhvilluar në këtë stadium mban datë 3 korrik 1963, në një miqësore ndërkombëtare midis Flamurtarit dhe skuadrës së ushtrisë kineze, e quajtur PA-I e Pekinit. Struktura e stadiumit është e modelit të stadiumeve të Europës Lindore, me kapacitet rreth 7 mijë tifozë, pa ndenjëse, pa tribuna të mbuluara dhe pa tribuna e kabina shtypi. Por, stadiumi kishte edhe një pistë atletike, ndërkohë që dhomat e zhveshjes kanë qenë në një ndërtesë njëkatëshe në pjesën hyrëse të tij. Pas vitit 1985 e në vazhdim, janë kryer disa rikonstruksione, ku për tu veçuar është ai shtatorit 1987, pasi u ndërtua tribuna qendrore e mbuluar së bashku me kabinat e shtypit dhe tabela elektronike, si dhe u krye rikonstruksioni i plotë i dhomave të zhveshjes dhe ambienteve të tjera të brendshme. Kapaciteti në tribuna nuk ndryshojë, ndërkohë që pas vitit 1995, stadiumi “Flamurtari” ka pësuar dhe disa rikonstruksione me ndenjëse në tribuna e deri dhe tapeti i fushës, por i papranueshëm është fakti se, në një prej këtyre rikonstruksioneve të kryera, dikush vendosi të eliminonte pistën e atletikës. Në këtë stadium me histori 54 vjeçare, janë zhvilluar ndër vite qindra ndeshje futbolli të kampionateve dhe kupave për ekipet e para dhe të moshave të Flamurtarit, janë luajtur mbi 50 ndeshje ndërkombëtare të Flamurtarit, në miqësore, në Kupat e Evropës dhe Ballkanike, e deri tek ekipi ynë kombëtar në të vetmen ndeshje Shqipëri-Rumani 0-1, luajtur më 28 tetor 1987. Kështu, ekipi i Flamurtarit po ëndërron që tani të shënojë golin e parë në stadiumin e ri të premtuar nga kryeministri Rama. Mësohet se ka disa projekte, por që për t’u bërë realitet, ndoshta vlonjatëve do t’ju duhet të presin tre ose katër vite.

Pallati i Sportit “Flamurtari”
Një tjetër objekt që përfshihet në këtë projekt është dhe pallati sportit “Flamurtari”, i ndërtuar në qershor 1979, me rastin e zhvillimit të punimeve të Kongresit të 5-të të ish Frontit Demokratik të Shqipërisë. Ndërtimi i tij erdhi si një domosdoshmëri për sportet e lojërave me dorë në Vlorë, dhe ndeshja e parë zyrtare është zhvilluar më 25 shtator 1979 në basketboll për femra midis Flamurtarit dhe Skënderbeut. Ky pallat sporti ka një një infrastrukturë të pranueshme për të zhvilluar ndeshje basketbolli, volejbolli, mini-futbolli, ndeshje boksi, mundje, peshëngritje, gjimnastikë, pingpong etj. Kapaciteti i tij është rreth 2.300 spektatorë në tribuna. Ndër vite janë kryer disa rikonstruksione në këtë pallat sporti, i cili njëherësh është përdorur edhe për koncerte dhe evente të ndryshme politike e shoqërore. Këtu janë zhvilluar ndeshje dhe gara sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, ku veçohen sukseset e ekipit të basketbollit të femrave të Flamurtarit. Gjithsesi, projekti i ri i premtuar, pritet që t’i japë këtij pallati sporti një pamje dhe funksion më bashkëkohor për zhvillimit e sportit.

Pishina e notit
Një tjetër objekt sportiv që duhet të jetë pjesë e projektit “Vlora Sport”, është pishina e notit, e cila ka më shumë se 27 vjet që ka heshtur dhe po degradohet keq. Ajo ndodhet shumë pranë aneksit të stadiumit “Flamurtari”, e ndërtuar në vitin 1989 me synimin për t’i shërbyer sportit të notit, jo vetëm për ekipet vlonjate, por edhe garave kombëtare dhe ndërkombëtare. Mendimi ka qenë që të furnizohej me avull nga ish-kombinati konservave në Vlorë, për të zhvilluar stërvitje dhe gara në të gjitha stinët e vitit, ndërsa baseni dhe korsitë e saj janë me përmasa olimpike, njëherësh edhe me tribuna për spektatorë. Në këtë pishinë, garat e para zyrtare janë zhvilluar në korrik 1989, me kampionatin kombëtar të notit për meshkuj e femra. Por, vetëm dy vite është përdoruar ky objekt nga ekipet e notit të Flamurtarit, sepse pas vitit 1990 ajo ka heshtur plotësisht, tashmë e dëmtuar në disa pjesë të saj. Duke qenë objekt i menduar në ato vite si pjesë e impiantit sportiv të Vlorës, si stadium-pallat sporti-pishinë, kjo është një gjymtyrë e triangolares së objekteve sportive, të cilat presin rikonstruksionin, rikofirmimin dhe domosdoshmërinë e rikthimit të tyre në shërbim të sportit dhe qytetarëve në Vlorë.
Duke iu referuar kujtesës, aktualisht infrastruktura sportive në Vlorë është e shekullit të kaluar (më shume se 50-vjeçare), dhe i duhet dhënë patjetër një dorë për ta përshtatur më mirë, jo vetëm në funksion të realitetit të ri sportiv, por për të qenë më në shërbim të qytetarëve
Sigal