Vlora në festë, mbrëmje gala për trofetë e sezonit

178

Sot, në orën 19:00 në Pallatin e Sportit, Flamurtari do të festojë fitimin e Kupës së Shqipërisë në Futboll dhe në basketboll

 Sporti vlonjat do të përjetojë sot sërish emocione, por kësaj radhe jo në tapetin e gjelbër apo në parket, por në një mbrëmje gala të denjë për kampionë, me spektaklin që do të nisë në orën 19:00. Klubi i Futbollit Flamurtari, ai Shumësportësh dhe Bashkia e qytetit do të organizojnë një mbrëmje gala, për nderi të fitimit të Kupës së Shqipërisë në futboll, si dhe fitimit të trofeve sezonalë në basketboll: kampionat, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Në këtë mbrëmje magjike do të marrin pjesë “djemtë” e trajnerit Ernest Gjoka, të cilët fituan pas pesë vitesh trofeun e Kupës së Shqipërisë, të katërtin historik si dhe “vajzat” e Viron Toskës, që regjistruan titullin e 9-të kampion në dhjetë vitet e fundit dhe të 18-tin në total. Organizatorët kanë përgatitur një superfestë, të kuruar në çdo detaj, e ku nuk do të mungojnë edhe donatorët turq të Flamurtarit, të cilët kanë dhe ata kontributin e tyre në fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë në futboll, boll të kujtojmë faktin e çmimeve dhjetëra milionëshe për kalimin në finale dhe më pas fitimin e trofeut.

  Kupa e katërt dhe Liga e Europës

 Falë një goli të realizuar nga Arbër Abilaliaj, Flamurtari mposhti 1-0 Kukësin, duke fituar edicionin e 62-të të Kupës së Shqipërisë dhe një biletë për në Ligën e Europës Vlonjatët e fitojnë trofeun për herë të katërt në 12 finale të diskutuara prej tyre. Flamurtari e fiton trofeun pas pesë vjetësh, kur për herë të fundit kishin triumfuar 2-1 ndaj Tiranës në vitin 2009. Më parë e kishin fituar në vitet 1985 dhe 1988. Flamurtari, si fitues i Kupës së Shqipërisë, do të përfitojë 5 milionë lekë nga FSHF-ja. Vlonjatët do të marrin pjesë në Ligën e Europës, ku do ta marrin 130 mijë euro nga UEFA. Flamurtari aktivizoi në Kupë me këtë formacion: Xhelili, Sakaj, Kuqi, Veliu, Licaj, Arbri  Telushi, Lena, G.Lika, Zeqiri, Abilaliaj, A.Shehaj. Trajner: Ernest Gjoka.

  Gjika: “Fituam si Atletiko”

 Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ishte në “qiellin e shtatë” pas triumfit kundër Kukësit. “Kurorëzuam një kampionat të vështirë me shumë probleme dhe mungesa. Të mos harrojmë se këtë vit kemi parë një skuadër si Atletiko Madrid, e cila me sakrifica dhe përulje ia doli mbanë”, – tha Gjika pas ndeshjes.

Gjoka: “Zoti na e shpërbleu!”

 Ernest Gjoka do të mbahet mend, si trajneri që e shpëtoi ekipin nga rënia në kategori, i dha një trofe të rëndësishëm skuadrës dhe e ndihmoi atë që të shkonte në kupat e Europës. “Është kënaqësi e madhe dhe një lumturi e pamasë. Ia dolëm sepse kemi shumë personalitet dhe dinjitet, – deklaroi Gjoka pas finales.

26 ndeshje në Europë

 Flamurtari ka zhvilluar 26 ndeshje në kompeticionet europiane. Bilanci i kuqezinjve është 5 fitore, 4 barazime dhe 17 humbje; 22 gola të shënuar dhe 47 të pësuar. Vlonjatët janë skuadra e pestë shqiptare me më shumë ndeshje në Europë, pas Tiranës (76), Partizanit (44), Dinamos (42) dhe Vllaznisë (40).

Kampionët 1990-1991

 A. Zijai, V. Daullja, E. Lameborshi, S. Kushta, A.Bubeqi, Gj. Dema, , Rr. Taho, V. Daullja, L. Gjondeda, A. Arapi, K. Çipi E. Mëhilli, G. Muka, R. Iljadhi, L.Birçe, E. Memushi, B.Shaqiri, A. Ciruna, E. Lutaj, A. Vito, T. Arapi, R. Muka, V. Ziu, D. Sadedini, V.Paço dhe G. Murati. Trajner: Edmond Liçaj

Kur Flamurtari mposhte Barcelonën

Në katër ndeshje me gjigantët spanjollë, Flamurtari ka pësuar vetëm një humbje (atë 4-1), ndërkohë që ka fituar 1 (1-0) dhe ka barazuar dy të tilla 0-0 në Barcelonë dhe 1-1 në Vlorë. Dhe të mendoni se në radhët e Barçës së asaj kohe luanin yje si Mark Hjuxh, Geri Lineker, Julio Albertos, Zubizareta, Viktor, etj

Në edicionin 1987-1988 të Kupës UEFA (tashmë quhet Liga e Europës) u regjistrua edhe kulmi i futbollit shqiptar në kompeticionet më të rëndësishme të kontinentit tonë. Klubi i Flamurtarit u bë protagonist, teksa për herë të parë arriti të kalonte dy ture. Në fillim eliminoi në turin e parë Partizanin e Beogradit: fitoi 2-0 në Vlorë (autogol i Gjorxheviçit dhe gol i Roland Iljadhit) dhe humbi 2-1 në Beograd (eurogol i Sokol Kushtës). Në turin e dytë vlonjatët eliminuan gjermanët e Vismute Aue (sot Erzgebirge Aue): humbën 1-0 në Gjermani dhe fituan 2-0 në Vlorë (Taho, Ruci). Në turin e tretë u eliminuan nga Barcelona: humbën 4-1 në “Kamp Nou” (gol i Vasil Rucit) dhe fituan 1-0 në Vlorë (gol i Kushtës).

  Futbolli vlonjat, 1930-2014

 Flamurtari, apo “Vlora” e viteve të paraçlirimit ka marrë pjesë qysh në kampionatin e parë futbollistik, atë të vitit 1930, nën emrin Shoqata Sportive “Vlora”, me lojtarë të tillë si: Apostol Malo, Neshat Agolli, Xhevdet Pustina, Jani Kosta, Pavllo Qiroko, Vasil Koço, Hasbi Tepelena, Zeko Koka, Syrja Gabrani, Remzi Verzivolli, Vasfi Semini, Abedin Bozhegu, Xhevdet Fishta, Hamdi Zoga. Vlora ka marrë pjesë në kampionatet e vitit 1930, 1931, 134, 1936 dhe 1937. Vlora mori pjesë edhe në kampionatin e parë pas Çlirimit, atë të vitit 1945, i teti në radhë. Uniformën kuqezi e veshën: Xhakomino Pozeli (italian), Xhelali (Veizi). Kokona, (Hata), Palla, M Mina, Bitri, Apostoli, Muçaj, Dumani, Shamo, Isaia, Çili, Vasili, Gjini, Saraçi, Naqe, Llambi. Mali, Vavypi, Manushi, Sotiri, Vyshka, Olldashi. Më 22 qershor 1946 anëtarët e klubit të sportit “Ismail Qemali”, intelektuale e sportistë kërkojnë të ndryshohet emërtimi i klubit ne “Sport Klub Flamurtari”. Në kampionatin e vitit 1946 doli nënkampion i vendit, ashtu si në vitin 1948. Emrat e futbollistëve Mina, Ibrahimi, Bejkosala, Dupi, Arapi, Sallata, Opingari, Thomaj, Gjyli, Ferko, Llupa, Shehu, e trajneri Pelingu do të ishin pasqyrë për brezat e ardhshëm. Flamurtari arritjet më të mira i ka në vitet 1985-1992, kur fitoi Kampionatin e 52-të Kombëtar (1990-1991), dy Kupa të Shqipërisë (1985, 1988) dhe dy hërë Superkupën e Shqipërisë (1990 dhe 1992). Emrat që e ngritën lart këtë qytet në futbollin e atyre viteve do të ishin Arapi, Birçe, P.Ruci, Çipi, Taho, Lushaj, Iliadhi, Gjondeda, Ferka, Zijai, Daullja, Gjyli, Rexhepi, V.Ruci, F.Ferko, Kushta, Memushi, Canaj, Bubeqi, etj, me trajner L.Çuri e S.Elmazi. Kurse ata që varën medaljonin e parë të kampionit do të ishin: Arapi, Bubeqi, Ciruna, Vito, Zijai, Behari, Shaqiri, Memushi, Lameborshi, Mëhilli, Lutaj, Dema, Biraçi, Çipi, Gjondeda, Iliadhi, Taho, Kushta, T.Arapi, Ziu, Daullja, V.Daullja me trajner E.Liçaj dhe Sh.Zile. Flamurtari ka fituar Kupën e Shqipërisë edhe në vitet 2009 dhe 2014, duke e çuar në katër numrin e trofeve të fituar në këtë kompeticion. Disa nga futbollistët të nderuar me tituj janë Mexhit Haxhiu (“Mjeshtër i Merituar i Sportit”); ndërsa me titullin “Mjeshtër Sporti” janë nderuar Spiro Çurri, Alfred Ferko, Agim Bubeqi, Rrapo Taho, Sokol Kushta, Latif Gjondeda, Viktor Daullja, Afred Ziaji, etj.  Flamurtari ka dalë një herë kampion (1990-1991) dhe  pesë herë nënkampion (1981/82 1985/86 1986/87 1987/88 2010/11).

 Kualifikimet e vlonjatëve në Europë

 Klubet shqiptare nuk i kanë pasur me bollëk fitoret në Europë, dhe aq më pak janë kualifikimet në kompeticionet e UEFA-s (34 kualifikime në total. Në dhjetë pjesëmarrje në Europë, Flamurtari ka mundur ta kalojë vetëm dy herë turin: në edicionin 1987-1988 të Kupës UEFA, Flamurtari eliminoi në turin e parë Partizanin e Beogradit (2-0, 1-2); në turin e dytë eliminoi gjermano-lindorët e Vismute Aue (0-1, 2-0). U eliminua më pas nga spanjollët e Barcelonës. Në edicionin 2010-2011, Flamurtari eliminoi në turin e parë malazezët e Buduçnostit: fitoi 3-1 në Podgoricë, humbi 2-1 në Vlorë. U eliminua më pas nga çekët e Jablonecit.

 Basket-Femra, Flamurtar rekordesh

 Flamurtari i basketbollit për femra dominoi plotësisht koshin e sezonit 2013-2014, duke i fituar tre trofetë e mundshëm: kampionatin, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Vajzat e Viron Toskës fituan 3-0 ndaj Apolonisë së Astrit Grevës në ndeshjet “play-off” të kampionatit të 67-të kombëtar në basketboll për femra. Tri ndeshjet ndaj fierakëve, vajzat vlonjate i fituan

78-74, 74-64 dhe 67-59. Ekipi kuqezi në këtë sezon ka “vrarë” kampionatin duke i fituar të gjitha takimet nga fillimi deri në fund. 24 ndeshje. Një skuadër e denjë për rekordet “Guinness” ajo e drejtuar nga Viron Toska, e cila në dekadën e fundit ka arritur të fitojë plot 9 tituj kampionë. Për vlonjatet ky është titulli i 18-të në historinë e tij dhe i nënti për trajnerin Viron Toska, i cili bëhet kështu një nga trajnerët më fitues të historisë së këtij sporti në vendin tonë. Elektra Zykaj u shpall edhe lojtarja më e mirë e finaleve, ndërkohë që kampionët janë edhe Myrto, Çakiçi, Plasa, Kostallari, Qypi, etj. Trajneri i Flamurtarti në basketboll për femra, Viron Toska, tha për mediat se në 10 vitet e fundit, ku kemi arritur të fitojmë gjithsej 30 tituj.

 Kupa

Flamurtari është fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra. Vlonjatet kanë fituar në finale përballë Tiranës me rezultatin e përgjithshëm 93-70. Vajzat vlonjate janë kurorëzuar në ndeshjen që u luajt në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës.

 Superkupa

 Flamurtari në basketboll për femra është shpallur fitues i Superkupës së Shqipërisë pasi mposhti në finale Tiranën me rezultatin 77-59. Kjo ishte hera e 10-të që skuadra vlonjate arrin ta bëjë të sajën Superkupën, nën drejtimin e trajnerit të suksesshëm Viron Toska.

 LIBRI I ARTË

VITI EKIPI

1947 17 NËNTORI

1948 17 NËNTORI

1949 TIRANA

1950 TIRANA

1951 TIRANA

1952 PUNA E TIRANËS

1953 PUNA E TIRANËS

1954 PUNA E TIRANËS

1955 PUNA E TIRANËS

1956 PUNA E TIRANËS

1957 TIRANA ” A”

1958 17 NËNTORI

1959 17 NËNTORI

1960 17 NËNTORI

1961 17 NËNTORI

1962 17 NËNTORI

1963 17 NËNTORI

1964 17 NËNTORI

1965-1966 17 NËNTORI

1967 17 NËNTORI

1968-1969 17 NËNTORI

1969-1970 17 NËNTORI

1970-1971 17 NËNTORI

1971-1972 17 NËNTORI

1972-1973 17 NËNTORI

1973-1974 17 NËNTORI

1974-1975 APOLONIA

1975-1976 17 NËNTORI

1976-1977 FLAMURTARI

1977-1978 SKËNDERBËU

1978-1979 FLAMURTARI

1979-1980 FLAMURTARI

1980-1981 FLAMURTARI

1981-1982 17 NËNTORI

1982-1983 17 NËNTORI

1983-1984 FLAMURTARI

1984-1985 FLAMURTARI

1985-1986 17 NËNTORI

1986-1987 17 NËNTORI

1987-1988 17 NËNTORI

1988-1989 PARTIZANI

1989-1990 FLAMURTARI

1990-1991 17 NËNTORI

1991-1992 TIRANA

1992-1993 TIRANA

1993-1994 TIRANA

1994-1995 TIRANA

1995-1996 FLAMURTARI

1996-1997 TIRANA

1997-1998 TIRANA

1998-1999 TIRANA

1999-2000 SKËNDERBËU

2000-2001 FLAMURTARI

2001-2002 LUFTËTARI

2002-2003 LUFTËTARI

2003-2004 LUFTËTARI

2004-2005 FLAMURTARI

2005-2006 FLAMURTARI

2006-2007 FLAMURTARI

2007-2008 FLAMURTARI

2008-2009 FLAMURTARI

2009-2010 FLAMURTARI

2010-2011 FLAMURTARI

2011-2012 APOLONIA

2012-2013 FLAMURTARI

2013-2014 FLAMURTARI

 

 

LIBRI I ARTË I SUPERKUPËS

BASKETBOLL FEMRA

2001 FLAMURTARI

2005 FLAMURTARI

2006 FLAMURTARI

2007 FLAMURTARI

2008 FLAMURTARI

2009 FLAMURTARI

2010 FLAMURTARI

2011 FLAMURTARI

2012 FLAMURTARI

2014 FLAMURTARI

9 nga 16 edicione nga viti 1999

LIBRI I ARTË I KUPËS

BASKETBOLL FEMRA

1978 FLAMURTARI

1983 FLAMURTARI

1985 FLAMURTARI

1987 FLAMURTARI

1990 FLAMURTARI

1994 FLAMURTARI

1996 FLAMURTARI

2000 FLAMURTARI

2003 FLAMURTARI

2004 FLAMURTARI*

2006 FLAMURTARI

2007 FLAMURTARI

2008 FLAMURTARI

2009 FLAMURTARI

2010 FLAMURTARI

2013 FLAMURTARI

15 nga 55 edicione nga viti 1955

 

  91 vjet sport vlonjat

 Teksa sheh stemën e Flamurtarit, natyrshëm të bie në sy viti 1923. Është viti i krijimit të shoqërisë “Vlora”, më 27 mars 1923, me kryetar Milto Korçanin, sekretar Malo Ismaili dhe financier Faslli Zoga. Në vitin 1925 u organizua Rrethi i parë Kombëtar Çiklistik, me Novruz Nivicën si përfaqësues të Vlorës. Më 26 qershor 1929, Vlora merr pjese ne Kampionatin e parë zyrtar të atletikës ku rekordmeni i parë është Ymer Sharra. Kampionati i parë Kombëtar i Notit u organizua, më 23 gusht 1931, pikërisht në Vlorë ku u dalluan Kamber Rrapushi, Vlash Syko, Spiro Zaka, Astrit Kokoshi. Në vitin 1946 kemi fillimet e volejbollit dhe basketbollit, me emra të tillë si Napolon Sadiku, Pandeli Shano, Fatosh Kokoshi, Vlash Koljako, Vllasi Syko, Petraq Bani, Jazo Malaj, Fejzie Fisheku, Fetie Piraniqi, Eleni Gjyli, Fotika Skrame, Ana Ndini, Rexhina Luari, Valentina Hysi, Aferdita Hasani, Muhina Kuqi, Arjana Birçe, Pjereta Çika, Eleni Beli, Violeta Cala, Teuta Birce. Në gjimnastikë spikasin dy vëllezërit Çipi, Faruk Mezini dhe Eqerem Kushta, Ilirjan Kreshpa, Kastriot Dauti, Gani Mezini, Engjellush Gorishti, Andrea Pavli, Njazi Hamzarai, Ilir Cela, Ilir Tafili, Llambro Leka, Vasil Ruci, Harallamb Babe, Zenel Zeneli, Kostaq Gerveni, Marjeta Kapore, Ilirjana Kreshpa, Albana Dhima, Yllka Cela, Enkeleda Dumani. Në pingpong disa nga emrat janë Albana Shabani, Anila Selimi, Anila Gjoka, Lindita Muço. Boksi vlonjat përfaqësohet me Babaçe Rexhepi, Leandro Kruta, Luan Ferra, Stefan Pina, Burhan Bute, Toli Truja, Mynyr Beqiri, Beniamin Zoga, Pajtim Dauti, Xhorxh Arapi, Ramadan Cuni, vëllezerit Duro, Viron Sadiraj, Dhori Dupi, Ali Kasemi, Idai Rama, Perlat Velaj, Arsen Doko, Stialiano Zeqo, Ervin Ceta, Eduart Hoti, Bledar Zguro, etj.

  Gjashtë emrat e klubit

 Klubi i Flamurtarit ka pasur pesë emra të ndryshëm gjatë historisë së tij 91- vjeçare. Në periudhën midis viteve 1923-1929 ai quhej Klubi Sportiv Jeronim De Rada. Nga 1930-1934 quhej Sportkulub Vlora; në vitet 1935-1945 Klubi Sportiv Ismail Qemali. Në vitet 1946-1949 merr emrin Klubi Sportiv Flamurtari. Në vitin 1950 quhet Vlora, ndërkohë që midis viteve 1951-1957 quhet Puna e Vlorës. Në vitin 1958 ai merr emrin Klubi Sportiv Flamurtari, emër që e mban edhe sot e kësaj dite.

Flamurtari im dhe i vlonjatëve

 Ergys Alushi

 Na kishte marrë malli… Kishin kaluar 5 vjet… Plasëm… Nuk shtyhej më… Po na mundnin në të gjitha… Nuk mund te ndodh që Ti të durosh kaq gjatë… Ti, që shtrihesh si një përbindësh buze detit te paanë… që shtiresh si i fjetur, për të mirën dhe të keqen e shtetit që ke lindur vet.. E nxorëm dufin në 28 nëntor 2012, por nuk mjaftonte… Tentuan te na i mohonin dhe atë 100- vjetor… Flamurit i duhej dhe flamurtari, që të quhej Vlorë… Që të quhej Flamurtar… Sepse kur themi Vlora nënkuptojnë flamuri, themi Flamurtarë… Sepse Ti ke derdhur gjallë për Republikën… Ti linde shtetin… Nuk mund t’i shkëputësh dot nga njëri tjetri… Dhe ndodhi… Në 18 maj 2014… Ndodhi kur duhej…  Kur Vlora, kishte më shumë se kurrë nevojë për një Flamurtar… Për një Flamurtarë që të na rikthente buzëqeshjen… Emocionet… Gëzimin… Shpresën… Dinjitetin… Qetësinë e prishur… Krenarinë e nëpërkëmbur… Mëshirën për mosmirënjohësit… Për të na rikthyer besimin se vlonjat lind, nuk bëhesh… Pranvera është duke ia lënë vendin, verës… Rrezet e diellit do të ngrohin gjithnjë e më shumë… Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe…  Flamurtari është gjithnjë i pari, është gjithnjë në krye… Dhe kur Flamurtari është mirë, Vlora ndihet mirë… E mira ndihet mirë… Vet shteti ndihet mirë… Por nuk ka mbaruar… Ditë më të mira pas kësaj vijnë… Flamurtari doli në ballë… Le të fillojë festa!