Vllaznia “kryqëzon” Osmanin dhe Hysën

445
Sigal

Të gjithë lojtarëve kuqeblu do t’u mbahet nga një pagë e gjysmë, për shkak të rezultateve të dobëta

Drejtuesit e Vllaznisë morën masa ta ashpra financiare ndaj futbollistëve, pas dështimit total në fazën e parë të Kategorisë Superiore (vendi i tetë) dhe eliminimit nga Kupa e Shqipërisë (nga Shkumbini, në turin e dytë). Dy futbollistë të Vllaznisë, Tefik Osmani dhe Vilfor Hysa, morën penalitete të rënda financiare, që arrijnë në 45 për qind të vlerës së kontratës së tyre. Ky është vendimi i drejtuesve të 9 herë kampionëve të Shqipërisë. Mbrojtësi Tefik Osmani, i thirrur rregullisht së fundi në ekipin Kombëtar, është pezulluar edhe nga të gjitha seancat stërvitore pranë të ekipit të parë, për një periudhë tremujore, saktëisht 11 dhjetor 2012-10 shkurt 2013. Ish-lojtari i Teutës, Elbasanit, Partizanit dhe Tiranës, do të vijojë të stërvitet me ekipin e të rinjve (U-19), nën urdhrat e teknikut Astrit Prençi. Me të njëjtën gjobë dhe masë penalizuese u ndëshkua edhe sulmuesi Vilfor Hysa. Edhe ish-futbollisti i Teutës, Laçit dhe Flamurtarit, u pezulluar për një periudhë tremujore dhe do të vazhdojë të stërvitet po në ekipin U-19. Me masa ndëshkimore u gjobitën edhe Halim Begaj dhe kosovari Ilir Nallbani, por këta të fundit me masën 35% të kontratës. Futbollistët e tjerë të ekipit të parë të Vllaznisë u gjobiten me nga 1 pagë e gjysmë mujore. Këto vendime u janë përcjellë edhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Masat u morën pas performancës së dobët të lojtarëve në fazën e parë. Në mbledhjen e së hënës, drejtuesit konfirmuan si trajner Shpëtim Duron, por klubi ka parashikuar një tjetër mbledhje për ditën e premte. Sipas komunikatës së shoqërisë që administron kuqeblutë, stafi teknik i ekipit të parë të Vllaznisë do të jetë objekt i një vendimmarrjeje të mëvonshme.

 Flamurtari “modifikon” objektivat, vendi i dytë dhe finalja e Kupës

 Vendi i shtatë në përfundim të fazës së parë dhe 14 pikë larg Skënderbeut kryesues (33 pikë), shkarkimi i spanjolli i Hulian Rubios, trajnerit të dytë sezonal, ka modifikuar edhe objektivat në këtë edicion të Flamurtarit. Drejtuesit e klubit vlonjat u takuan dje me të gjithë grupin e futbollisteve, prej të cilëve është kërkuar një impenjim më i madh për ndeshjet e ardhshme, në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë. Arritja e Skënderbeut konsiderohet një mision i pamundur, ndaj për këtë arsye u ështe kërkuar lojtareve si objektiv vendi i dytë në kampionat (Teuta, që mban vendin e dytë ka 23 pikë), si dhe arritja deri ne finalen e Kupës. Mbetet ende enigmë i trajnerit të ri, pas shkarkimit të Hulian Rubios, ndërkohë që skuadra dje u stërvit nga Johan Driza, ndihmësi i Rubios dhe Shkëlqim Muçës. Prova e parë për reagimin e skuadrës do të jetë sfida e fundjavës në Kupë në “Niko Dovana” kundër Teutës. Pas mbledhjes së djeshme, doli në konferencë për shtyp drejtori teknik i Flamurtarit, Ardi Behari: “Ne sot (dje) jemi mbledhur për të  biseduar me lojtarët edhe një herë objektivat tona. Lojtarët duhet ta dinë se, nëse nuk i arrijnë atëherë mund të ketë edhe penalizime”. Behari bëri të ditur edhe faktin se, në ndeshjen për Kupë kundër Teutës, ekipin do ta drejtojë zëvendëstrajneri Johan Driza. “Shpresojmë që çdo gjë të shkoj mirë. Emri i trajnerit të ri do të zgjidhet shumë shpejt. Aktualisht nuk kemi kontaktuar me as edhe një trajner në ditët në vijim ne do të mundohemi të kontaktojmë edhe me ndonjë trajner të huaj ose shqiptar, kjo nuk ka shumë rëndësi”, përfundoi prononcimin e tij drejtori teknik i Flamurtarit, Ardi Behari.

 Rikthehet Çoçlli, Partizani projekton merkaton dimërore

 Presidenti i Partizanit, Lulzim Sallaku, rikthehu në detyrë trajnerin Nikolin Çoçlli, pas pezullimit 24 orësh, i cili erdhi humbjes në “Qemal Stafa”, me rivalin e drejtpërdrejtë për titullin kampion të Kategorisë së Parë, Lushnjën. Në përfundim të fazës së parë, të kuqtë u renditën në vendin e tretë (27 pikë), nëntë pikë më pak se Lushnjë kryesuese (36) dhe dy pikë më pak se Tërbuni i vendit të dytë (29). Në Kategorinë Superiore do të ngjiten direkt vetëm dy ekipe, ndërkohë që nuk ka ndeshje “plej-off”-i (si sezonin e kaluar), nga ku mund të shpresohej edhe për një mundësi tjetër. Sallaku premtoi për një merkato cilësore, ndërkohë që ka ngarkuar në kryerjen e saj treshen Hasan Lika-Genc Tomori-Perlat Musta (tre ish-lojtarë të njohur të Partizanit, por dhe trajnerë me përvojë). Janë disa emra lojtarësh me përvojë që janë projektuar për t’u rikthyer në “shtëpinë e kuqe”. Partizani mungon që nga sezoni 2009-2010 në Superligë dhe të kuqtë e konsiderojnë këtë edicion futbollistik, si plotësisht të mundshëm për plotësimin e objektivit madhor. Partizani, 15 herë kampion i vendit dhe 15 herë fitues i Kupës së Shqipërisë, vazhdon të mbetet skuadra më popullore në Shqipëri. Pas përfundimit të fazës së parë drejtuesit kanë vendosur që skuadra të rrijë pushim gjatë kësaj jave dhe më pas do të nisin përgatitjet për fazën e dytë. Drejtuesit do ta ruajnë bërthamën e grupit që mbylli fazën e parë, por më saktësisht do të procedohet javën që vjen. Mësohet se është përpiluar një listë e atyre që do të mbeten. Përgatitjet pritet të nisin javën që vjen në kryeqytet, pasi gjatë kësaj periudhe pritet formatimi i plotë i grupit që do të përfaqësojë Partizanin në fazën e dytë.

 Peskara kërkon Erjon Bogdanin

 Erjon Bogdani është në listën e dëshirave të Peskarës, në merkaton e janarit. Janë mediat italiane, përfshirë dhe gazetën e njohur sportive “Gazzetta dello Sport”, ato që e kanë dhënë lajmin. Sulmuesi shqiptar nuk po gjen më hapësira të Siena e tij, dhe Peskara është gati të ndërhyjë për ta bëri të vetin gjigantin 35-vjeçar. Është vetë trajneri i Peskarës, Kristiano Bergodi, ai që i çmon cilësitë dhe përvojën e Bogdanit, sidomos në lojën në ajër, por dhe për muret që bën. Aktualisht, Peskara, me 14 pikët e grumbulluara në 16 ndeshje ndodhet në vendin e 18-të nga 20 skuadra që ka Seria A, pra është në zonën e rënies direkte. Peskara ka sulmin më të dobët në kampionat, me vetëm 12 gola të shënuar, ndërkohë që është dhe skuadra që ka pësuar më shumë, 30 gola. Për këtë arsye, klubi ka hartuar një fushatë të gjërë në merkaton dimërore, përfshirë dhe formatimin e repartit të mbrojtjes. Erjon Bogdani në këtë sezon është aktivizuar vetëm në katër ndeshje (159 minuta në total) me Sienën, duke shënuar vetëm një gol (kundër Kaljarit). Nëse Bogdani do të transferohet te Peskara, ajo do të ishte skuadra e tij e tetë në Itali. Në këtë vend, Eri luan që nga viti viti 2000, pra prej 12 vjetësh. Rexhina, Salernitana, Verona, Kievo, Livorno, Çezenën dhe Siena janë skuadrat e tij. Hapat e parë të Bogdanit kanë qenë te Partizani, me të cilin ka luajtur në tre sezone shumë të bukura (1994-1997). Transferimin në Turqi, te Genshlerbirlixhi (1998), e konsideron një eksperiencë të shkurtër, por dhe të vështirë. Te NK Zagreb luajti në sezonin 1998-1999 (26 ndeshje, 10 gola) dhe e ndihmoi shumë për rritjen e nivelit tashmë në planin ndërkombëtar. Por, golashënuesi më i mirë i Kombëtares shqiptare nuk është legjionari i vetëm që pritet të ndërrojë fanellë dhe destinacion. Kështu, gjatë merkatos së janarit në listën e transferimeve mund të jenë edhe portieri i kuqezinjve, Etrit Berisha, i cili është bërë dëshirë e shumë skuadrave europiane, pas paraqitjeve të shkëlqyera me Kalmarin. Skuadra italiane Bolonja, ajo franceze, Evian Thonon Gaillard dhe anglezët e Fulhamit kanë shprehur interesimin për kosovarin 23-vjeçar. Edhe mbrojtësi Debatik Curri është në kërkim të një skuadre të re. Kosovari pak ditë më parë pohoi se, do të largohet nga turqit e Gençlerbirligisë. Janë disa klube ukrainase që janë të interesuar për ish-lojtarin e Vorskla Poltavës. Gjithsesi, nuk mungon interesimi i disa klubeve turke. Me “valixhe” në dorë është dhe fantazisti i ri i Shqipërisë, Alban Meha. Mediat gjermane pohojnë se mes futbollistit dhe stafit teknik të Padebornit nuk ekziston më raporti i shkëlqyer i javëve të para të Bundesligës 2. Opsionet për të janë të hapura, dhe janë ekipe nga Bundesliga 2 që mund të përfitojnë nga cilësitë e kosovarit.