Vllaznia-Flamurtari nisin javën e 13-të, tifozët do të mirëpriten në “Loro Boriçi”

537
Sigal

Ditën e sotme në Superligë, ndryshe nga sa ishte parashikuar, do të luhet vetëm një ndeshje ajo mes Vllaznisë dhe Flamurtarit, pasi ndeshja mes Partizanit dhe Kukësit është lënë për ditën e nesërme. Takimi i sotëm, sjell në vëmendje edhe një herë efektin “tifoz” në stadiumet tona, duke parë që klubi shkodran pagoi për të risjellë në fushë tifozët, mendohet se gjendja ekonomike e klubit është drejtë përmirësimit, diçka që do të sjellë edhe ndryshimin e situatës për këtë klub. Rezultatet e dobëta krijuan një gjendje paniku mes tifozëve dhe jo vetëm. Takimi i sotëm vë përballë dy skuadra me histori, e që në fillim sezoni pritej shumë prej tyre, sidomos nga Flamurtari, por që gjatë fazës së parë pësuan një ulje të dukshme duke mos arritur aspak tek planet fillestare. Ardhja e trajnerit të ri në krye të Flamurtarit, deri më tani nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, duke e bërë ndeshjen ndaj Vllaznisë vendimtare, si për trajnerin ashtu edhe për skuadrën. Fati bën që në krye të këtyre dy ekipeve të jenë dy trajnerë italianë, si në rastin e Vllaznisë që është Raineri, ashtu edhe tek Flamurtari që drejtohet nga Ramela. Vllaznia ndodhet në vendin e tetë me 8-ë pikë, ndërsa Flamurtari ndodhet në vendin e 6-të me 15-ë pikë. Trajneri i Flamurtarit, Ramela, u shpreh se në Shkodër do të kërkojnë vetëm fitoren pavarësisht se ajo ndeshje paraqet vështirësi dhe se nuk do të jetë aspak e lehtë por me besim do ia dalin: “Ne do të vazhdojmë të stërvitemi intensivisht. Ka shumë rëndësi për vazhdimësinë tonë ndeshja e radhës në Shkodër. Duhet që të bëjmë më të mirën në këtë takim dhe pse jo ta fitojmë atë. Flamurtari ka një grup shumë të mirë lojtarësh dhe që bëjnë diferencën. Unë kam shumë besim se së bashku do të bëjmë më të mirën edhe në takimin e radhës, edhe pse i di vështirësitë e atij takimi. Nuk do të jetë aspak e lehtë për ne, por kam shumë besim te lojtarët që kam në dispozicion”. Ndeshja e llogaritur të luhej sot, mes Partizanit dhe Kukësit, do të zhvillohet të dielën në ora 17:00, në të njëjtin orar me ndeshjen Skënderbeu-Apolonia. Të kuqtë kërkojnë me ngulm të kthehen tek fitorja, duke dashur të lënë pas atë humbje në Korçë por edhe për të mos u larguar më shumë nga kreu, edhe pse deri më tani kanë vetëm 1 pikë më pak se Tirana. Ndërkohë që Kukësi, falë formës së mirë që po gëzon është një kundërshtar i frikshëm për të gjitha skuadrat, dhe ashtu siç u shpreh trajneri i Partizanit, Duro, pranohen të tre rezultatet në fund të takimit ndaj një kundërshtari si Kukësi. Ndeshjet e tjera, janë më të llogaritura si rezultate, pasi duket e vështirë që Tirana të humbasë shansin ndaj Elbasanit, skuadër që akoma nuk ka arritur të tregojë rrezikshmëri ndaj kundërshtareve, duke përjashtuar Apoloninë dhe Teutën, që u thyen nga elbasanasit.

Sot

Vllaznia-Elbasani

Nesër

Partizani-Kukësi

Skënderbeu-Apolonia

Laçi-Teuta

Elbasani-Tirana

Shpëtim Duro, me Kukësin shkojmë me synimin për të fituar

Trajneri i Partizanit, Duro, në deklaratën për shtyp që dha dje para mediave foli mbi ndeshjen ndaj Kukësit, mungesën e dy portierëve kryesor dhe humbjen ndaj Skënderbeut në Korçë. “Dua të falënderoj me shumë përzemërsi mbështetjen nga ana e medias dhe të gjithë drejtuesve të klubeve në Shqipëri që në këto momente mjaft të vështira që po kalon portieri ynë Alban Hoxha i kanë qëndruar pranë. Mungesa e Albanit sigurisht është kyçe për ekipin pasi erdhi në momentin ku po tregonte një performancë të shkëlqyer para portës. Gjendja psikologjike, normale ka ndikuar te lojtarët por edhe te drejtuesit e klubit. Ishim në vend të pare, mungesa e Albanit u vu re ndaj Skënderbeut, pa hedhur poshtë dy portierët zëvendësues që me plot gojë ju them që janë mjaft të talentuar. Humbja me Korçën tashmë është kaluar dhe nuk dua ti rikthehem më ndeshjes apo episodeve por mos harrojmë që pikët e lëna ishin ndaj një pretendenti për titull. Me Kukësin shpresojmë ta kalojmë pozitivisht edhe pse kemi përball një ekip të fort që këto vitet e fundit ka treguar mjaft mirë forcën e saj. Kjo përballje realisht i ka të tria rezultatet por sigurisht ne shkojmë me synimin për ta fituar ndeshjen. Kemi dy mungesa të rëndësishme, ajo e Albanit dhe e Fejzullahut, por jam i bindur që djemtë të cilët do i zëvendësojnë, do japin maksimumin në fushë. Ndodhemi në vendin e katërt por mos harrojmë që diferenca në pikë është mjaft e ngushtë dhe kampionati është i gjatë.

Kompleksi sportiv “Refik Halili” në proces rikonstruksioni

Zyrtarizmi si president i Refik Halilit në krye të Tiranës duket se po sjell me të shpejtë ndryshimet e duhura për këtë klub. Duke pasur parasysh se imazhi është pothuaj parësor në futboll, një ndryshim do të vijë po në këtë aspekt. Presidenti Halili ka njoftuar se, do të nisin punën për rikonstruksionin e kompleksit sportiv “Refik Halili”, kompleks ku klubi zhvillon stërvitjet e veta. Në këtë projekt bëhet me dije se do të ketë ndryshime dhe përmirësime në tribunën kryesore, duke mos përjashtuar shkallët por as ambientet e brendshme të këtij kompleksi. Gjithashtu u bë me dije nga vetë presidenti se do të ndërhyhet edhe në rregullimin e dhomave të zhveshjes, dhe këto ambiente të rikonstruktuara do të jenë në shërbim të grupmoshave të klubit të Tiranës. Kur Halili prezantoi projektin e tij, foli edhe për “dhënien” jetë të këtyre ambienteve e në fakt nuk kanë humbur kohë në klub por menjëherë kanë vënë në zbatim idenë fillestare. Pritet që ky rikonstruksion i pjesshëm të mos hajë shumë kohë por të bëhet në kohë rekord.