Vllaznia fiton pas 900 minutave, Lushnja “çimenton” fundin

539
Nga Agron KAJA
VLLAZNIA-LUSHNJA 2-1/ U luajt dje ndeshja e prapambetur e javës së 10-të, shkodranët hedhin një hap në renditje
Pas ndeshjes së djeshme, e prapambetur nga java e 10-të, Kategoria Superiore e formatoi renditjen e saj për 11 javë. Me fitoren e djeshme në “Loro Boriçi”, ku skuadra e Vllaznisë e gjeti fitoren pas 900 minutave lojë, shkodranët e kalojnë Luftëtarin në renditje, por me pikë të barabarta, ndërkohë që Lushnja bën në vend numëro, duke e çimentuar vendin e fundit në renditje. Që nga java e parë kur fituan në transfertë, pikërisht ndaj Lushnjes, por që ndeshja u luajt në Fier, skuadra shkodrane nuk kishte parë më fitore, po veçse tre barazime. Gjatë fazës së parë, shkodranët bënë një paraqitje shumë të dobët, teksa e mbyllën me 1 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje, një bilanc që në dhjetëvjeçarin e fundit duket se po e bën në modë. Gjithsesi, dje kuqeblutë e panë veten shumë shpejt në avantazh, pikërisht në minutën e 5-të, ku kapiteni Gilman Lika, pas një pasimi të saktë të Edon Hasanit, doli i vetëm me portierin Spaho dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke i prishur kështu shifrat e fillimit të kësaj sfide. Lushnja nuk u trondit shumë nga goli i pësuar, ndoshta ka qenë e vetëdijshme për presionin që po ushtronin vendasit, dhe në minutën e 16-të, sulmuesi kryesor dhe kapiteni Fatjon Sefa, kishte të gjitha mundësitë e barazimit të shifrave. Por lushnjari ishte i pasaktë, duke i dhënë më shumë lirshmëri e besim shkodranëve në kërkim të golit të dytë. Dhe ai erdhi në minutën e 27-të, një gol që u shënua me penallti nga mbrojtësi Gocaj. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 2-0 në favor të Vllaznisë, duke e bërë edhe më interesante pjesën e dytë, ndoshta edhe nga mendimi se fitorja u sigurua. Por, trajneri Hysen Dedja kishte menduar për golin, dhe me fierakun Agim Meto shënoi 14 minuta pasi nisi fragmenti i dytë i ndeshjes, pas një goditje dënimi të saktë. Kësisoj, rezultati mbeti i hapur, ndoshta edhe për rastet e humbura të Çinarit dhe të Atsinës, të cilët treguan se nuhatja e golit kishte kohë që u kishte humbur. Gjithsesi, deri në fund rezultati nuk ndryshoi, 2-1 për Vllazninë, e cila dy fitoret e këtij sezoni në Kategorinë Superiore, i ka arritur vetëm ndaj Lushnjes, në javën e 1-ë dhe të 10-të, ndoshta për të thënë se për dy fazat e para e kaloi me sukses “derbin” e mbijetesës. 
VALLZNIA-LUSHNJA 2-1 / MINUTAT E GOLAVE
5’ GOL 1-0 Vllaznia kalon në avantazh, pasi Hasani jep një pasim të saktë për Gilman Likën, e kapiteni shkodran me qetësi, përballë portierit Spaho e dërgoi topin në rrjetë.
26’ GOL 2-0 Moment i vështirë për Lushnje, Kristi Marku ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Atsinës në zonë, dhe gjyqtari akordon penallti. E ekzekuton Gocaj, topi përfundon në rrjetë. 
58’ GOL 2-1 Skuadra lushnjare nuk qëndroi indiferente dhe e shpresoi golin, pas rastit të humbur të kapitenit Sefa. Meto gjuan saktë nga goditja e dënimit, duke rihapur takimin.
Sigal